Gaqo Veshi: Si u njoha në axhensinë e Korccës me Dritëro Agollin. Si e zbuloi Drago Siliqi talenitin e Ismail Kadaresë

456
Sigal

Kujtimet e shkrimtarit të humorit Hyskë Borobojka (Gaqo Veshi)

 

  • -Në axhensinë e Korçës u njoha për herë të parë me Dritëro Agollin
  • -Drago Siliqi, “profeti”, që zbuloi talentin e Ismail Kadaresë
  • -Drago Siliqi për Ismail Kadarenë: Ky djalë do të na heqë të gjithëve për hunde!”.
  • -Rrethi letrar i gjimnazit zgjodhi kryetar Dritëro Agollin
  • -Vjersha “Dashuri krenare” u kritikua për mungesë të frymës së Partisë në letërsi
  • – Nga kjo vjershë isha në fije të perit për t’u përjashtuar nga shkolla
  • -Dritëro Agolli më këshilloi ”Bëj një autokritikë ‘bolshevike” sa për të shkuar radhën
  • -“Dashuri krenare” ishte e inflencuar nga “dekadenti” Lasgush Poradeci
  • -Poezia ime për Stalinin u lexua në radio Tirana
  • – I pushuar nga puna për botimin e një rrëfimi në revistën “Ylli”, punova në peshoren e Maliqit
  • -Sterjo Spasse erdhi dhe më takoi në Maliq ku punoja si peshues i mallrave
  • – Sterjo Spase, shpëtimtari im në Maliq

Gazeta Telegraf

Gaqo Veshi gazetar dhe shkrimtar, me pseudonim letraro-humoristik, Hyskë Borobojka, ka lindur më 25 tetor 1930 në Lavdar të Oparit, rrethi i Korçës. Nga viti 1948 deri në vitin 1952 ka kryer shkollën e mesme “Asim Zeneli” në Gjirokatër bashkë me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Pas këtij viti ka ndjekur studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë. Gaqo Veshi mbahet mend si gazetari më me popullaritet, me karrierën më të suksesshme dhe më të gjatë, prej më shumë se 20 vjetësh, nga viti 1970 e derisa ajo u mbyll në vitin 1991, në revistën humoristike “Hosteni” që dilte në periudhën komuniste, një revistë që, për hir të së vërtetës, nuk e kishte qejf as vetë regjimi, pasi përbënte të vetmen “opozitë” në Shqipëri, dhe ndoshta për këtë arsye edhe mbahej. Por Gaqo Veshi mbahet mend edhe për korrespondencën më të gjatë, prej më shumë se 15 vjetësh, me mikun e tij të shkollës së mesme në Gjirokastër (miqësi që më pas zgjati gjithë jetën) me Dritëro Agollin, që botohej në çdo numër të revistës “Hosteni” me pseudonimet: Gaqoja – Hyskë Borobojka dhe Dritëroi – Bamkë Çomanga. Ka shkruajtur mbi 15 libra humori. Edhe pas rënies së sistemeve ka botuar dhe vazhdon të botojë rrëfime, fejtone, skica humoristike, intervista, reportazhe në shtypin aktual. Qysh në vegjëlinë time shkrimet e tij në revistën më të lexuar të kohës “Hosteni”, më kishin tërhequr vëmëndjen jo vetëm për stilin dhe vërtetësinë, por edhe nga emri interesant Hyskë Borobojka (emri artistik) që për mua ishte një emër humoristik. Tashmë që pata rastin ta intervistoj, shoh se jeta e tij krijuese është sa e veçantë, po aq e bukur dhe shumë shprehëse, por e mbushur dhe me ankth, brenga, lëvizje dhe befasira. Në gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokatër ai u njoh me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Agim Shehun dhe shumë letrarë të tjerë që do t’i jepnin tonin letërsisë shqiptare duke u bërë të famshëm edhe në botë. Ja si shprehet ai për fillimet e studimeve në gjimnaz: -Si mbarova shkollën unike në Korçë në qershor të vitit 1948. Më doli bursa për të vazhduar shkollën në gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokatër. Kur prisja në axhensinë e Korçës për të marrë biletën e udhëtimit, aty u njoha edhe me Dritëro Agollin, i cili kishte mbaruar shkollën unike në Bilisht dhe se atij i kishte dalë bursa për të ndjekur shkollën e mesme në Gjirokastër. Që në agjensinë e Korçës mësova se Dritëroi shkruante vjersha, madje më tregoi njërën që ishte botuar në gazetën “Rinia” dhe tjetra në “Letrari i ri”. Gjatë katër viteve të shkollës së mesme, u njoha edhe me të tjerë letrarë, që shkruanin e botonin  në organet e shtypit. Aty një vit më poshtë nga ne ishte Agim Shehu, Bardhyl Xhama, Bekim Harxhi, ndërsa në vitin shkollor 1950 – 1951, në gjimnazin “Asim Zeneli” edhi nga shkolla 7-vjeçare, Ismail Kadareja dhe nga Vlora Ibrahim Tafilaj dhe Luan Kapaj. Ismaili ishte anëtari i rrethit letrar më i ri në moshë, por jo nga krijimtaria….

Cilët kanë qenë shokët e t’u të gjimnazit. A njiheshit me Kadarenë, Agollin, Agim Shehun e tjerë. Çfarë kujtimesh ruani me ta?

 

-Si mbarova shkollën unike në Korçë në qershor të vitit 1948, më doli bursa për të vazhduar shkollën në gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër. Kur prisja në axhensinë e Korçës për të marrë biletën e udhëtimit, aty u njoha edhe me Dritëro Agollin, i cili kishte mbaruar shkollën unike në Bilisht dhe se atij i kishte dalë bursa për të ndjekur shkollën e mesme në Gjirokastër. Që në agjensinë e Korçës mësova se Dritëroi shkruante vjersha, madje më tregoi njërën, që ishte botuar në gazetën “Rinia” dhe tjetra në “Letrari i ri”. Gjatë katër viteve të shkollës së mesme, u njoha edhe me të tjerë letrarë, që shkruanin e botonin  në organet e shtypit. Aty një vit më poshtë nga ne ishte Agim Shehu, Bardhyl Xhama, Bekim Harxhi, ndërsa në vitin shkollor 1950 – 1951, në gjimnazin “Asim Zeneli” erdhi nga shkolla 7-vjeçare, Ismail Kadareja dhe nga Vlora Ibrahim Tafilaj dhe Luan Kapaj. Ismaili ishte anëtari i rrethit letrar më i ri në moshë, por jo nga krijimtaria. Mbaj mend kur në Gjirokastër erdhi Drago Siliqi, që në atë kohë ishte anëtar i Komitetit Qëndror të Rinisë dhe bëri një takim me rrethin tonë letrar, më pyeti: “Cili është Ismail Kadareja?”. Ia tregova dhe kur e pa aq të vogël, si pionier, vuri duart në mes e tha: “E po dëgjoni, ky djalë do të na heqë të gjithëve për hunde!”. Dhe për hir të vërtetës këtë “profeti” të Drago Siliqit e vërtetoi koha. Në vitin e dytë të gjimnazit, kur mësues të letërsisë kishim Fajzi Dikën, i cili kishte botuar librin me vjersha “Rreze të larushme” u krijua rrethi letrar i shkollës. Ky rreth u forcua më shumë sidomos me vitin e tretë të shkollës, kur mësues i letërsisë erdhi shkodrani Vehbi Bala, që ishte diplomuar në universitetin e Bukureshtit, në Rumani. Rrethi letrar zgjodhi kryetar Dritëro Agollin dhe mund të them se ai ishte rrethi më i mirë në të gjithë shkollat e Shqipërisë. Shumë nga ne botonim krijimtarinë në organet qëndrore të shtypit të asaj kohe, siç ishin “Letrari i Ri”, gazeta “Rinia”, Revista “Nëntori”, gazeta “Pionieri” etj. Në këto organe do të gjeje vjershat e Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Agim Shehut, Ibrahim Tafilajt, Bardhyl Xhamës, Bekim  Harxhit etj. Edhe unë, si anëtar i rrethit letrar shkruaja vjersha. Si botova në vitin e parë të shkollës, në gazetën “Letrari i Ri”, vjershën “Ra një shqipe në Kufi”  shkrova një vjershë dashurie me titull “Dashuri krenare”, të cilën e dërgova për botim në gazetën “Letrari i ri” Kur erdhi kjo gazetë në Gjirokastër, në faqen e fundit, në rubrikën “Posta e redaksisë” shkruante: “Gaqo Veshi, shkolla e mesme “Asim Zeneli” Gjirokastër. Vjershën tuaj “Dashuri krenare” e morëm, por nuk mundet ta botojmë. Ju humbisni frymën e Partisë në letërsi, duke rënë nën influencën e një poeti dekadent siç është Lasgush Poradeci”. Kaq u desh që ky njoftim të përhapej në konvikt e në shkollë, aq sa isha në fije të perit për t’u përjashtuar nga shkolla. Dhe përjashtimet nga drejtori satrap i shkollës nuk ishin të ralla, jo vetëm për ne nxënësit, por edhe për profesorët. Në fund të vitit të dytë të shkollës ishte pushuar profesori Fejzi Dika, për një vjershë dashurie “O moj erëza malore” , që e kishin bërë këngë. Po ashtu ishte pushuar edhe profesori i fizikës dhe kimisë, Rustem Buzoja, pasi në detyrën me shkrim të kimisë, një nxënëseje i kishte lënë këtë shënim ”Tresh minua, hallall nga gruaja ime”. Dhe me që gruaja e tij ishte e bija e ish-prefektit të Gjirokastrës, nuk kishte të drejtë të dhuronte nota, qoftë edhe një “tresh minua”. ”Bëj një autokritikë ‘bolshevike” sa për të shkuar radhën. Thuaj se në Korçë kam lexuar libra e vjersha dekadente”,- më këshilloi Dritëro Agolli. Por “autokritika” ime nuk i kënaqi disa “revolucionarë” të konviktit e të shkollës. Atë vit mbushte 70 vjet Stalini. Me ndihmën e Dritëro Agollit vendosa të bëja një vjershë për Stalinin. Vargjet ishin standart, me elozhe siç e deshte koha, se “vendi ynë po ndriçon, nga djelli i bukur stalinjan” e tjera e tjera. Vjershën e dërgova në gazetën “Letrari i Ri” në Tiranë. Kaluan disa ditë dhe ajo u recitua në “Radio Tirana”. Kur erdhi gazeta “Letrari i Ri në Gjirokastër, vjersha ime ishte botuar kryeartikull, në faqen e parë. “Ja kjo është vjershë, jo ajo paçavurja “Dashuri krenare” e inflencuar nga dekadenti Lasgush Poradeci, më mburrën “revulicionarët” e shkollës e të konviktit. Por pas kësaj ndodhije ika njëherë e përgjithmonë nga fusha e poezisë dhe u futa seriozisht në arën e rrëfimeve satiro-humoristike.

Ku u caktuat mbasi mbaruat shkollën?

 

-Ushtrova detyrën e mësuesit. Në fillim, dy vjet në rrethin e Skraparit, pastaj inspektor arsimi në Korçë, drejtor shkolle, mësues i thjeshtë për lëndën gjuhë-letërsi. I pushuar nga puna për botimin e një rrëfimi në revistën “Ylli” e një tjetër në gazetën “Mësuesi”, duke më detyruar të punoja peshues në peshoren e Kombinatit të Sheqerit në Maliq. Natyrisht duke qenë se kisha qënë drejtor e mësues, shumë nga ata që ngarkonin e çkarkonin makinat me panxhar, më shikonin shtrembër. Madje ndonjëri arrinte deri atje sa të më thoshte: “Hë, more drejtor, mirë ta kanë bërë!”. Por një mbrëmje, kur në dhomën e peshores ishin mbledhur ngarkuesit e çkarkuesit e makinave të panxharit, vjen shkrimtari Sterjo Spase, bashkë me shkrimtarin korçar, Andon Mara. Sterioja më përshëndeti, pasi më njihte mirë, se kishte qënë ai që u kishte bërë elozhe rrëfimeve të mia, që kisha botuar në gazetën “Letrari i Ri”. I miri Sterjo më tha të mos mërzitesha se “kështu e kanë këto punë!”. Kur u largua, njëri nga ata që u ndodhën aty, më pyeti: “Cili ishte ai me ato flokë të gjata e të dredhura?  “S’e njihni! Ishte Sterjo Spasia!- u thashë. “Pse ky qënka ai që ka shkruar “Pse-në?”. Që atë ditë ngarkuesit e çkarkuesit e makinave e punonjësit e kombinatit ndërruan mendim e thanë: “Deri sa erdhi e takoi ai i “Pse-së”, nuk paska faj. Pasi e mbylli sezonin e prodhimit Kombinati i Sheqerit, më dërguan të punoja llogaritar-magazinjer në komunalen e Maliqit, që porsa ishte krijuar. Aty punova një vit e gjysëm. Pas shumë përpjekjesh e kërkesash nga ana ime, m’u “zgjidh” e drejta dhe shkova përsëri në arsim, në shkollën 8-vjeçare të sektorit “Sheqeras” të NB-Maliqit. Por edhe pse u ktheva përsëri në arsim, vazhdonin përndjekjet në një mënyrë tjetër. Ndërsa seksioni i Arsim-Kulturës dhe Pallati i Kulturës në Korçë, më aktivizonin për të shkruar tekste për estradën e shkrime për një farë almanaku letrar, që nxirrte pallati i kulturës, me krijimtari të rrethit letrar. Madje kur punoja në komunale për “riedukim” më aktivizonin në lëvizjen artistike të rrethit. Në vitin 1964 më dërguan në festivalin  kombëtar të fjalës artistike, që zhvillohej në Vlorë, për të përfaqësuar rrethin si recitues. Jo kaq, por pranuan të merrja me vete edhe gruan, që ishte mësuese në shkollën e Maliqit. Aty ndenjëm një javë me dietë për vete e gruan. Edhe pse brenda përbrenda rrethit e çmonin krijimtarinë time, Seksioni i Arsimit dhe Kulturës dërgonte shkresa në organet e medias të asaj kohe, që te revistat. “Hosteni”, “Ylli”, “Shqiptarja e Re”, gazetat “ Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë,, “Pionieri” “Fatosi” , madje edhe te gazeta “Puna” që as kisha shkruar e as që kisha ndërmend të shkruaja ndonjëherë, që të mos i botonin shkrimet e mia, sepse, sipas tyre, ishin me “zarar” dhe diskreditonin punën e mirë të rrethit. Në vitin 1970 u emërova drejtor i kino-klubit  të Bashkimeve Profesionale në Maliq.

 

-Cili është botimi juaj i parë në revistën “Hosteni”. Si u prit dhe cili ishte kryeredaktori në atë kohë?

 

-Kam filluar të shkruaj e të botoja në gazetën “Letrari i Ri”, që nxirte Lidhja e Shkrimtarëve në Tiranë, që kur isha në bankat e shkollës së mesme. Në klasën e dytë shkrova një vjershë satirike për ndërmarrjen e artizanatit në Gjirokastër dhe vendosa ta  shpija për botim në revistën “Hosteni”. Kur shkova në Tiranë, pyeta se ku i kishte zyrat kjo revistë dhe si ia gjeta adresën, u paraqita aty me vjershën që kisha shkruar. Në atë kohë kryeredaktor i revistës ishte Tonin Miloti, i cili më priti me dashamirësi. Aty ishte edhe antari i kolegjiumit, Nonda Bulka, që shkrimet e tij, me humor të rallë, më pëlqenin aq shumë, në krijimet e tij në librin “Kur qan e qesh bilbili” gati i kisha mësuar përmenç. Nonda e mori dhe e lexoi vjershën time. Si duket i pëlqeu e më tha: “Shumë mirë ia ke bërë artizanatit të Gjirokastrës, por ke harruar drejtorin. Duhet t’ia ndreqish samarin edhe atij?” Më tha të ulesha e t’i shtoja vjeshës edhe një strofë për “samarin” e drejtorit. Me sa mbaj mend, i shtova edhe këto vargje: “Po drejtorit miku im,/ Kush do ia ndreqë samarë?/ Për këtë mos kij hidhërim,/ Do ja ndreqim sa më parë”. “Tani e ke bërë mirë e do ta botojmë!- më tha Nonda dhe Tonini. Madje më dhanë edhe një librezë si korespondent vullnetar i revistës. Kur e pashë vjershën time në faqet e revistës, të asaj reviste, që e kisha aq për zemër, isha gati të fluturoja. Kjo që botimi i parë në revistën “Hosteni”, që me kalimin e viteve do ta pasonin shkrime të tjera, jo më në vjershë, por në fejtone e tregime dhe do të isha një bashkëpuntor i rregullt i saj, aq sa në 25-vjetorin e themelimit të revistës, isha i vetmi që u dekorova me “Urdhërin Naim Frashëri”

 

Kur hyre definitivisht në revistë dhe cilët gazetarë gjete aty? Sa ishte tirazhi i revistës?

 

-Në nëntor të vitit 1971 u emrova redaktor në revistën “Hosteni”. Në ato vite kryeredaktor kishte ardhun nga gazeta “Zëri i Popullit, Niko Nikolla. Redaksia e revistës përbëhej nga Selman Kasapi, sekretar i kolegjiunit, redaktorët Dionis Bubani, Aleksandër Banushi, Arshi Xhezo, Thanas Dede dhe Ollga Lashova, si dhe nga dy karikaturistë, “Piktori i Merituar” Zef Bumçi dhe Esat Mysliu. Veç tyre ishte një llogaritare, një daktilografiste dhe një shofer. Revista kur shkova unë kishtë një tirazh shumë të paktë dhe dilte me 12 faqe të vogla. Me ardhjen e kryeradaktorit të ri dhe me largimin e disa, që nuk e merrja me mënd përse i kishin emëruar në një revistë satiro-humoristike, kur s’kishin shkruar kurrë humor. Si dhe me ardhjen e redaktorëve të rinj, si Gjikë Kurtiqi, Skënder Hasko dhe karikaturisti Bardhyl Fico, revista u bë me 16 faqe, me format më të math.  Puna e përçapja e kryeredaktorit dhe e redaksisë, profilizimi i një reviste, që trajtonte probleme të rëndësishme në të gjitha sferat e jetës së vendit, duke mos u marrë me cingërima, me berberët e kamarierët, tirazhi i saj u rrit e shkoi deri në 30 mijë kopje. Shumica ishin abonime.

Disa nga kujtimet me Niko Nikollën dhe Filip Çakulin

 

-Me Niko Nikollën jam njohur herët, që kur ai punonte në gazetën “Zëri i Popullit”. Na kishte njohur miku ynë i përbashkët, Dritëro Agolli. Në vitin 1971 erdhëm së bashku të punonim në revistën “Hosteni”. Ai kryeredaktor dhe unë redaktor. Redaksia e vogël e revistës para ardhjes së tij, mund të ishin njerës të mirë, por nuk ishin për një revistë satiro-humoristike siç ishte “Hosteni’. Më kujtohet kur njëri prej tyre u dërgua me shërbim në Fier që të shkruante për mallrat e mbetura stoqe, solli një shkrim se në ndërmarrjen tregëtare ishin tre milion e kusur opinga stoqe. Kur e lexoi kryeredaktori, tha  me humor: “Të bëjmë një njoftim në revistë. Të gjithë ata shqiptarë, nga janë e nga s’janë, të venë në Fier të marrin nga një palë opinga t’i mbathin e nga një palë t’i kenë rezerva kur t’u grisen!” Merita e madhe e Niko Nikollës është, se në këtë gjendje që e gjeti revistën, u lidh ngrushtë me gazetarë e shkrimtarë me autoritet, duke sjellë në faqet e saj ajkën e letërsisë e gazetarisë. Bashkëpunëtorë të “Hostenit” u bënë, që te Nonda Bulka, Spiro Çomora, Shevqet Musaraj, Miço Kallamata, Qamil Buxheli, Sabri Godo, Ymer Minxhozi, Dritëro Agolli, Kolë Jakova, Petro Marko, Vangjush Gambeta, Naum Prifti, Pëllumb Kulla, Tasim Aliaj, Spiro Dede e deri te Ismail Kadareja, Xhevair Spahiu e të tjerë. Sektori i karikaturistëve, përveç Zef Bumçit, që kryeredaktori e gjeti në redaksi, u afroi faqe të tëra karikatusistëve më të mirë të vendit, si Tef Palushit, Enriko Veizit, Sabaudin Xhaferit, Bujar Kapexhiut, Bardhyl Ficos, Dhimitër Ligorit, Ilir Pojanit, Gazmend Lekës, Agim Sulajt e deri te Medi Belortaja. Niko Nikolla ishte human. Për 20 vjet që drejtoi revistën, nuk u dënua apo u largua njeri pa dëshirën e tij, ashtu siç kishte ndodhur më parë, kur gazetarin e karikaturistin P. Kaso, të patalentuarit bënë çmos deri sa e burgosën, ashtu si vepruan edhe me shkrimtarin Tahsim Aliaj , që për një fjalë goje e syrgjynosën në fshatin më të largët të Tiranës, në Vrap. Një nga meritat më të mëdha të kryeredaktorit Niko Nikolla, është se ai e ngriti shigjetën e humorit e të satirës me kritika të forta për problemet e rëndësishme që shqetësonin vendin, duke e kthyer revistën në një opozitare të vërtetë. Revista nuk merrej më me cingërima, me humor për humor, por me dikasteret e institucionet. Në kryeartikujt “Letër pa zarf” nuk mbeti ministri e institucion pa u kritikuar për probleme të rëndësishëm. Ajo vuri “Në majë të Hostenit”, vjedhësit, mashtruesit, euforikët, llustromanët, dembelët, gënjeshtarët, prepotentët të çdo kallëpi, që në bazë e deri lart në dikastere, institucione e ndërmarrje, në qytet e në fshat. Shkrime si “Paratë hidhen në ujë”, “Kur firmos me dorë dhe e shkel me këmbë”, “Pasuria e popullit bëhet rrush e kumbulla”, shkrime për pritjen e përcjelljen e qytetarëve nëpër zyrat e pushtetit, “Qëndrimi i pakulturuar ndaj kulturës etj, që u botuan në 480 numra të revistës që për 20 vjet e drejtoi Niko Nikolla. Disa prej të cilave u botuan nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në librin “Në majë të Hostenit”. Mund të them se të gjitha këto merita janë të Niko Nikollës. Për 20 vjet që punova me Niko Nikollën në revistë, ruaj shumë kujtimë, që tregojnë për bujarinë dhe mprehtësinë e tij. Ndërmjet shumë ndodhive, po tregoj vetëm dy.

 

Nesër do të lexoni:

Disa nga kujtimet me Niko Nikollën dhe Filip Çakulin

– Në Ersekë, drejtori i komunales kishte vendosur lulishtar, të qytetit, vjerrin e tij

-Letra çuditëse e Komitetit Partisë Ersekë drejtuar Niko Nikollës

– Hosteni lexohej deri të fshatari i tjhjeshtë i Mokrës, Tropojës, Mirditës apo Labërisë

– Filipi ka bërë  një intërvistë me kryagranomin, që mbante çadrën hapur brenda serës

-Filip Çakuli kishte nuhatje, kapte detaje

– Në Gjirokastër na çuan tek banja, që mbahej e mbyllur me me çelës për raste të “veçanta”.

– Si i vodhën golfin e ri në ballkon Vasilika Çakulit

– Filipi i thotë shefit të policisë: “Le policët i keni të paaftë, por edhe qentë i keni zgjedhur të paaftë?!”