Fshati “Panaja” në rrethin e Lushnjës, një legjendë apo një e vërtetë historike?

    615

    Banorët e vjetër të fshatit Kadiaj, tregojnë se në arat me toponimin “sopi i Shahinit” dhe pranë “Vozit”, ka ekzistuar një tjetër fshat me emrin “Panaja”. Sakaq ata thonë, se gjatë punimit të tokës, dilnin aty-këtu copa të vogla qeramike me ngjyrë të verdhë ose të kuqërremta, (çka tregon për gjurmë të kulturës materiale) dhe në lidhje me këtë ata ruajnë edhe një gojëdhënë: “Thuhet që në jug të fshatit tonë, dikur ka qenë një tjetër fshat i madh, i bukur me shumë shtëpi, i quajtur Panaja, por për shkak të një sëmundje fshati u braktis dhe shumë banorë të tij vdiqën ose u shpërngulën në fshatra të tjerë, se kur ndodhi kjo nuk mund të themi dot me siguri”.Në vitin 1983, gjatë hapjes së kanaleve vaditës, u zbuluan të tjerë parete enësh qeramike, si funde, buzë, apo vegje, ku nuk mungonin copat e tjegullave. Në atë kohë këto fragmente u mblodhën nga Profesor Asoc. Dr. Miti Koçi, i cili i dorëzoi në Muzeun Historik Lushnjë. Pasi u studiuan në vija të përgjithshme, qeramika e mbledhur mendohet se i përket shek I, II para erës sonë, por nuk mohojmë faktin se po aty janë zbuluar të tjerë parete enësh të periudhës së Antikitetit të vonë dhe asaj mesjetare. A ekziston ndonjë fakt historik për fshatin Panaja? Burimet historike tregojnë se në shek. XV, ka ekzistuar një fshat me emrin “Panaja”. Dokumenti në fjalë daton në vitin 1431-1432, vit në të cilin u bë regjistrimi i popullsisë së Myzeqesë nga osmanët. Në këtë dokument thuhet: “Fshati “Panaja”, shtëpi me kryefamiljarë 5, shtëpi me vejushë 1, gjithsej të ardhura 605”. Po emri i fshatit “Panaja” çfarë nënkupton? Duke e parë këtë toponim nga një kënd gjuhësor mund të themi, që ai shfaqet me të njëjtën formë, përsëri si një emërtim vendbanimi në rrethin e Vlorës (Panaja). Jeta e këtij vendemërtimi lidhet me procesin e krishterimit, rrjedhojë nga greqishtja. Πανάγιω , të gjithë shenjtorët, të gjithë engjëjt. Natyrisht, e përhapur në Greqi si emërtim i institucioneve fetare (kishave), njëkohësisht e përhapur si toponim apo emër vendbanimesh, si emërtim kishe kjo fjalë lidhet me figurën e “Nënës së Krishtit” (Maria), ndërsa pjesa e toponimisë shpreh të njëjtën lidhje, por nuk nënkupton domosdoshmërisht praninë e një objekti kulti aty. ( Pra toponimi mund të ketë emigruar).Nëse rikthehemi tek toponimi ynë në rrethin e Lushnjës, pranë fshatit Kadiaj mund të flasim me siguri për praninë e një vendbanimi, kjo e mbështetur nga gjetjet arkeologjike, por njëkohësisht mund të aludojmë për praninë e një kishe. Sigurisht duhet marrë me rezervë për aq kohë sa nuk ka dëshmi për praninë e një objekti kulti. Përsa i përket marrëdhënies që kjo fjalë ka me gjuhën shqipe, nuk mund të flasim me siguri nëse është një fjalë e trashëguar apo e huazuar në shqip nga greqishtja. Pra, jo domosdosmërisht toponimi mund të ketë lindur njëkohësisht me themelimin e këtij vendbanimi. Meqenëse kjo fjalë lidhet me krishterimin mund të ndërtojmë një logjikë mbi shfaqjen e saj në gjuhën shqipe. Referuar studiuesit Albert Riska, i cili përhapjen e krishterimit në Iliri, në librin e tij (Shqipja dhe Krishterimi 2012 f, 37) e ndan në dy faza: “Fazën e parë do ta përbënin tre shekujt [I-III], koha kur krishtërimi nuk ishte fe e lejuar dhe përhapej a përqafohej ilegalisht dhe fazën e dytë do ta përbënin shekujt [IV-VI], koha nga legalizimi deri në përhapjen a përqafimin e tij të plotë”. Në vazhdimësi autori sqaron, se periudha nga shekulli VII deri në fillim të shek XI është e errët nga pikëpamja e ngjarjeve historike që, kanë ndodhur në territoret ku banonin shqiptarët. Mbështetur në dëshmitë arkeologjike, që fillojnë nga shek II e. sonë e në vazhdimësi, ajo që mund të themi me siguri është se fjala PANAJA, nëse nuk është e trashëguar nga nëna e saj, në gjuhën shqipe ka kaluar të paktën në periudhën e greqishtes bizantine. Një funksion tjetër i kësaj fjale, nisur nga mendimi i dhënë prej Prof. E. Çabej na del se përdoret në Bosnje, konkretisht panahija, “kokrra gruri të zier”, nga  greqishtja, Panajia. Edhe sot te vllehtë, në vend të hallvës në ceremoninë mortore përdoret gruri i zier, e njohur dhe ndër shqiptarë në përdorim paralel, “të hënksha hallvën”, “të hënksha grurët”. Në vija të përgjithshme mund të themi se arsyeja pse ky fshat nuk citohet më në burimet historike ngelet ende e paqartë. Ndoshta popullsia e këtij fshati u zhvendos për shkak të ndonjë epidemie. Gjithsesi debati mbetet i hapur. Është e udhës, që toponimet të shënohen dhe dokumentohen, sepse kuptohet që koha i fshin dhe i zëvendëson ato duke errësuar më pas historinë apo copëzat e saj. Ajo që mund të themi përfundimisht është fakti i njohur, se elementet leksikore të besimit të krishterë, qofshin të fondit autokton (që në fakt janë të pakta), të trashëguara, apo dhe të huazuara janë me rëndësi të madhe për historinë e gjuhës shqipe

    Niko Ferro

    Muharrem Sharka