Fondi për bujqësinë/ Ja kriteret dhe masa e përfitimit

    574
    Sigal

    Zbardhen kriteret dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, për vitin 2014. Ky fond do të mbështetë: a) grumbullimin e frutave dhe perimeve; b) prodhimin e produkteve organike; c) prodhimin e rrushit dhe bimëve medicinale; ç) prodhimin e perimeve në mjedise të mbrojtura; d) mbrojtjen e ullishtave nga dëmtimi prej mizës së ullirit; dh) mbarështimin e gjedhit dhe bagëtive të imëta;

    e) prodhimin e produkteve blegtorale; ë) prodhimin e mjaltit; f) prodhimin e sektorit të akuakulturës; g) nxitjen e kreditimit bankar dhe investimeve në sektorin e bujqësisë. Masat e mbështetjes dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, në shkallë vendi, të jenë, si më poshtë vijon:

    a) Mbështetjen për dorëzimin e prodhimit të frutave dhe perimeve në pikat e grumbullimit ose përpunimit, në masën 15% të vlerës së mallit të shitur dhe të vërtetuar me faturë tatimore, për jo më pak se 30 (tridhjetë) kv dhe jo më shumë se 300 (treqind) kv, për frutat, dhe për jo më pak se 50 (pesëdhjetë) kv dhe jo më shumë se 400 (katërqind) kv, për perimet;

    b) Mbështetjen e fermave organike, në vlerën 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë/fermë të certifikuar;

    c) Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të vreshtave me fidanë të kultivarëve autoktonë, në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë/ha dhe me fidanë të kultivarëve të tjerë, në vlerën 500 000 (pesëqind mijë) lekë/ha për sipërfaqe jo më të vogël se 0.2 ha dhe jo më të madhe se 10 ha;

    ç) Përmirësimi i teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të bimëve medicinale të kultivuara, si: sherbelë, lavanda, timus, rigon, rozmarinë, mëllagë e bardhë, tërfili i kuq dhe kokoçeli (lule ciani), në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha për sipërfaqe jo më të vogël se 0.2 ha dhe jo më të madhe se 10 ha;

    d) Mbështetja e prodhimit në serra me ngrohje qendrore përmes financimit, në masën 50 % të kostos së lëndës djegëse, të vërtetuar me faturë tatimore të shoqëruar me kuponin e kasës fiskale ose me urdhër xhirimi të bankës;

    dh) Ujitja me pika në ullishte, vreshta, pemëtore, agrume (vetëm për format intensive të kultivimit të tyre), në vlerën 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, por financimi të bëhet për jo më pak se 0,5 ha dhe jo më shumë se 10 ha;

    e) Rehabilitimi i blloqeve të ullishtave ekzistuese të vjetra dhe/ose të degraduara, në masën 450 000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha, por jo më shumë se 300 (treqind) ha në shkallë vendi;

    ë) Mbrojtja e ullishtave nga dëmtimi prej mizës së ullirit, në bllok dhe sipas zonave prioritare të prodhimit, në vlerën jo më shumë se 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë/ha;

    f) Mbështetja e prodhimit të qumështit me 10 (dhjetë) lekë/litër për fermat blegtorale që dorëzojnë minimalisht 1 500 litra qumësht në muaj, por jo më shumë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë për fermë në muaj. Pagesa të bëhet kundrejt sasive të qumështit të shitura me faturë tatimore;

    g) Mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë në mënyrë ekstensive (regjim gjysmëstallor) lopë të matrikulluara në vlerën 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë, por financimi të bëhet për jo më pak se 10 (dhjetë) krerë dhe jo më shumë se 50 (pesëdhjetë) krerë;

    gj) Mbështetja e fermave blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele ose dhi të matrikulluara, në vlerën 1 200 (një mijë e dyqind) lekë/krerë, por financimi të bëhet për jo më shumë se 300 (treqind) krerë;

    h) Mbështetja e mishit të të imtave, në vlerën 500 (pesëqind) lekë/krerë të matrikulluar, për çdo therje në thertore, dhe 100 (njëqind) lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend;

    i) Mbështetja e mishit të derrit, në vlerën 500 (pesëqind) lekë/krerë të matrikuluar, për çdo therje në thertore, dhe 100 (njëqind) lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend;

    j) Mbështetja e mishit të gjedhit, në vlerën 2 000 (dy mijë) lekë/krerë të matrikulluar, për çdo therje në thertore, dhe 200 (dyqind) lekë, për lëkurën e dorëzuar në fabrikën e përpunimit në vend;

    k) Mbështetja për bletërritësit me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) koshere bletë, në vlerën 1 000 (një mijë) lekë/koshere; l) Mbarështimi intensiv i kërmillit, në masën 50% të vlerës së rasatit deri 500 (pesëqind) kg/ha, por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë/ha. Kjo mbështetje të jetë për ata që fillojnë investimin për mbarështimin e kërmillit për herë të parë. Për mbarështuesit, që e kanë bërë investimin fillestar më parë, të mbështeten fermat që bëjnë mbarështimin intensiv të kërmillit, me një vlerë 250 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë/ha;

    ll) Mbështetja e sektorit të akuakulturës, në masën 25% të vlerës së rasatit, por jo më shumë se 600 (gjashtëqind) mijë lekë/fermë dhe 25% të vlerës së ushqimeve për peshkun nën kultivim, por jo më shumë se 500 (pesëqind) mijë lekë/fermë, vërtetuar me faturë tatimore të shoqëruar me kuponin e kasës fiskale ose me urdhër xhirimi të bankës;

    m) Mbështetja për dorëzimin e prodhimit të midhjeve në qendrat e grumbullimit dhe/përpunimit, në vlerën 10 (dhjetë) lekë/kg të dorëzuar (të shitur) e të vërtetuar me faturë tatimore, por financimi të bëhet për jo më pak se 200 (dyqind) kv dhe jo më shumë se 1 000 (një mijë) kv në vit;

    n) Mbështetja, përmes subvencionit, në masën 70% të normës së interesit, për 7 (shtatë) vite radhazi, për kreditë deri në 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekë, që do të merren për aktivitetet e mëposhtme:

    i) Ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore, blegtorale, akuakulturës dhe bimëve medicinale;

    ii) Mekanizimin e bujqësisë, blegtorisë dhe akuakulturës.

    nj) Mbështetja e investimeve deri në 50% të vlerës së projektit, por jo më shumë se 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë për një subjekt, për:

    i) ngritje ambientesh për grumbullim dhe ruajtje të prodhimit;

    ii) linja për standardizim dhe/ose përpunim prodhimi;

    iii) mekanikë bujqësore;

    iv) hapje pusesh, rezervuarësh për vaditje dhe lerash.