Flora Brovina , mjekja – poete, që shpëtoi 1000 fëmijë nga skëterra e armëve kimike

    486
    Sigal

    Nga të 1000 fëmijët që kam trajtuar unë, kanë qenë edhe dy fëmijë serbë

    Flora Brovina ka një pamje të dhimbshme prej nëne, tërë kohës. Fytyra e rinisë së dikurshme , që qeshte menjëherë, me mimikën e zhdërvjelltë e sytë si me një grusht xixëllonjash në lëndinat e Kosovës, tanimë ka pamjen e një busti që nuk i bën përshtypje asgjë përqark. Duartroket vakët edhe kur dikujt i bëhen pëllëmbët gjak, vështron pa habi që nga tribuna, ku bëhet takimi dhe ku ajo qëndron në krah të “Mandelës Kosovare”, ish- kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve Kosovarë, të cilin ajo ka disa muaj që e ka zëvendësuar me vota unanime. Demaçi, lavdia e përjetshme e Kosovës, ia la karrigen kësaj gruaje të paepur të brezit të rinisë sime; të brezit heroik të rinisë kosovare që nisi sulmin e pandalshëm në vitet e nxehta tetëdhjetë . Kjo grua është përfaqësuese tipike e rezistencës femërore kosovare , e burgosur dhe torturuar në regjimin e Millosheviçit , që nuk mundi dot t’ia burgoste zemrën. Por…popopo…ajo edhe mund të shtrëngoka dorën me të fortë, të qeshka me shpirt, të vështroka me zjarr dhe duke i shkëlqyer sytë e mpirë dhe si të ngurosur, si të kenë zbritur duke u gjallëruar nga ndonjë bust .

     Jemi në Mitrovicë

    Është “Dita e Minatorit”. Fund nëntori. Kosova bën të gjitha përpjekjet ta festojë edhe kësaj radhe këtë ditë të shenjtë, me gjithë telashet e mëdha që ka në kuadrin e zgjedhjeve lokale që kanë përfunduar ngado në balotazh. Me ndihmën e drejtpërdrejtë të Bashkisë së Mitrovicës, ajo ka ftuar letrarë e artistë nga tërë Kosova; dikush ka ardhur dhe nga jashtë atdheut; fare pak kemi ardhur nga Shqipëria. Mua më kanë vënë në krahun e poeteshës së rezistencës kosovare, një privilegj që nuk e kisha menduar në jetën time. Jam i mendimit, ende, se shembulli i kësaj mjekeje, që sot është në krye të shkrimtarëve kosovarë; figura e saj e dikurshme vajzërore, dinamike , plot ëndrra dhe kryetrimëreshë, e ka frymëzuar Kadarenë tonë të mrekullueshëm, të shkruajë njërën nga novelat e tija më tronditëse të letërsisë sonë kushtuar rezistencës kosovare që përgatiti daljen e UCK. Busti u gjallërua. Sytë nisën t’i bleronin dhe po më vështronte me kërshëri ndërsa Juria e festivalit poetik e përbërë nga Agim Vinca, Sabit Idrizi dhe Violeta Allmuça po përgatiste dhënien e sinjalit për leximin e poezive. Më pyeti: “ Ju, më thanë, keni qenë oficer madhor i Shqipërisë…Dua t’u pyes diçka. A bën?…Faleminderit…Po pra.. Hë… A do të kishte fituar Shqipëria apo ka humbur një shans të madh ekonomik duke mos marrë pjesë në projektin e demontimit të armëve kimike të Sirisë?”. Iu përgjigja se, ndryshe nga natyra ime e butë dhe fjalë ëmbël, kisha shkruar dy shkrime kategorike të ashpër në gazetën “T”, se titujt e tyre ishin lexuar në të gjithë televizionet në mëngjes… Gruaja kosovare pas psherëtimës se , eh…ç’kanë parë sytë e mi, sytë e të gjithë kosovarëve nga lëndët kimike , pas ndërprerjes nga unë “ një minutë, ju lutem”, qartë, pa u nxituar dhe duke zgjedhur fjalët me saktësinë që i gdhendin ato poetët, nisi të fliste para mikrofonit tim, dhuratë që kam prej shumë vitesh nga ish piloti Bardhyl Hamzallari, dhe që unë e mbaj zakonisht me vete… *** Jam deklaruar publikisht edhe unë. Armët kimike siriane në asnjë mënyrë të mos asgjësohen në territorin shqiptar! Kurrë në territorin shqiptar! Kam një përvojë shumë të hidhur unë.

     Në vitin 1990

    Në vitin 1990, sigurisht nga dora e armikut, ndodhën helmimet e fëmijëve. Për personelin shëndetësor dhe popullin ishte diçka befasuese. Nisi një luftë speciale kundër nesh – kundër fëmijëve tanë. Nuk mund ta besonim të ndodhte kështu. Edhe Hitleri, edhe Neroni, edhe Cenghiz Khani do të ishin matur njëqind herë të helmonin fëmijët e një populli. Edhe bota nuk po e besonte. Ajo a nuk po përgjigjej në mënyrë adekuate se ç’po ndodhte në Kosovë. Unë kam qenë mjeke pediatre; sa kisha kryer specializimin pasuniversitar dhe isha grua e pjekur tanimë, nënë e dy djemve… Janë helmuar 7000 fëmijë të Kosovës, të popullit shqiptar të Kosovës. Më shumë se 1000 prej fëmijëve i kam trajtuar unë dhe ua kam përcjellë shëndetin e tyre për 6 vjet të tëra pa ndërprerje….. Ndërsa heroina kosovare, poetesha Brovina flet, mua më sillen në mëndje pamjet e llahtarshme që transmetonin televizionet kosovare, klithje fëmijësh, që të rrëqethnin mishtë:“ Oj nanë…a ka më merret fryma….Oj nanë, jam kah vdes….Po nuk muj ma, breeee…. Vdiqaaaa…Oooooooooo…”, klithma që edhe një përbindëshi do t’ia kishin përlotur sytë , por jo xhelatëve që kishin aktivizuar armët kimike, të njëllojta si këta të Asadit. Si i ke duruar ato klithma, Flora? Profesioni im e kërkonte të isha kujdestare e këtyre fëmijëve.

    Dy fëmijë serbë

    Nga të 1000 fëmijët që kam trajtuar unë, kanë qenë edhe dy fëmijë serbë. Ata aksidentalisht janë ndodhur në të njëjtin vend me fëmijët shqiptarë. Bota po i quante fëmijët tanë “artistë”, edhe pse ata ishin kërthinjë ; e çfarë arti mund të aktrojë një kërthinjë? A mundet të aktrojë një fëmijë çerdheje, ndërsa është duke u mbytur nga helmet e hedhura për ta vdekur atë? Për t’i vdekur të gjithë rreth tij? Për t’ua marrë frymën? …Ende bota këmbëngulte se fëmijët po aktrojnë, kur ne kalonim minutat më të lemerishme që ka parë jeta ime…. Edhe personeli shëndetësor që merrej me mjekimin, vuante nga molepsja e lëndëve helmuese , që depërtonin përmes maskave të sistemit të frymëmarrjes.

    Përjashtimi nga puna

    U përjashtova nga puna. Oh,jo, as edhe një sebep. …Pa asnjë shpjegim, vetëm urdhër të ndërprisja marrëdhëniet e pagës sime. U përjashtuan mjekët pediatër dhe gjinekologët e spitalit të Prishtinës… Atëherë vazhdova pa rrogë dhe më me furi të punoja nga një qytet te tjetri. Tok me mjekë dhe personel tjetër shëndetësor, vullnetarisht, pa asnjë pagesë dhe ditë natë , prej një fshati në një fshat. Futesha mes ferishteve të helmuara të Kosovës dhe më dukej sikur ecje për së gjalli nëpër ferrin e Dantes. Vepronim duke na përcjellë policia. Në Gjilan, p.sh, policia kishte shpallur në kërkim duke rrethuar vendin, një “ mjeke amerikane” me “flokë të gjata dhe të bardha, rreth të dyzetave”. Ata nuk e dinin se mjekja në fjalë isha unë. Vazhdimisht kam punuar në Prishtinë, në Kodrën e Trimave dhe, ngado, kam qenë e mbrojtur nga shqiptarët, që të mos më arrestonin. Kanë qenë çaste të jetës sime, nga më të rëndat por dhe më të pasurat. Të shëroja fëmijë sa më shumë; të shihja fëmijë të qetësuar, prindër pa lot…aman…le te vdisja pastaj. Kisha një farë përvoje, jo pak, si mjeke pediatre. Tanimë po më dukej vetja si studente që e kanë futur për herën e parë në kadavër…Kurrë gjatë viteve të shkollës nuk e kisha menduar se do të përballesha me një të tillë sulm prej kolere që e kishte nisur Beogradi fashist për gjenocide. Isha kthyer në një ujkonjë që mbron këlyshët e saj. Pikë përshtypje nuk po më bënte më jeta ime. Më kishte përpirë të tërën pasioni për të qenë pranë fëmijëve që klithnin prej helmimeve. O zot! Kur kujtoj sy të trembur, të përlotur, që më vështronin sikur unë të isha një krijesë e ardhur nga qielli për t’i shpëtuar, por unë isha vetëm Flora e tyre; bija e këtyre kosovarëve të mi. Kishte raste që më çonin fjalë: “Doktoreshë, mos eja…na kanë rrethuar policët!” Doja të hyja me çdo çmim mes rrethimit. E dija se kishte fëmijë të helmuar që mund të vdisnin nga çasti në çast. Le të më kapnin. Aman, më luteshin, prit doktoreshë, të mbarojë rrethimi. Të thyejnë qafën, mandej, do të vijmë të të marrim ne të dy…Kanë ardhur për ty, të të kapin ty.

     Vajza dhjetëvjeçare

    Në mes të të helmuarve, do të veçoj një vajzë dhjetë vjeçare, nga Kabashi i Vitisë. Ishte shumë rëndë. Nuk ta them emrin…Nuk ia kam dhënë askujt listën e fëmijëve që kam shëruar; ende i ruaj si gjëra të shenjta…Ma kanë bastisur disa herë shtëpinë, por listën e emrave të fëmijëve që kam shëruar, nuk kanë mundur ta gjejnë asnjëherë. E…Ajo vajza qe tepër rëndë. Pas mjekimit të parë, munda ta nis jashtë shtetit se edhe i ati kish mundur të gjente financat. Kjo vajzë u shërua dhe, kur u bë 18 vjeç, erdhi dhe u kyç me armë në dorë në radhët e UÇK. Brovina kalonte nga njëra shtëpi tek tjetra si vjen vërshimi i pranverës. Atë nuk mundën ta arrestonin , siç është e pamundur të arrestohet pranvera. Po, ku e gjente kurajën kjo grua e re dhe e bukur të cilin kërkonin ta përcillnin me pranga në burg, t’i rrëmbenin edhe lirinë, pasi i kishin rrëmbyer edhe rrogën e vendin e punës? Deri vonë më dilte gjumi natën nga klithmat e regjistruara në trurin tim “Nuk muj breeee….. Po vdeeeeeessss”. Dhe sapo këta klithma pushonin më dilte gjumi, se më bëhej se, ja, fill pas, këto klithma pushuan se kishte mbërritur vdekja….

     Në Francë

    Për çështjen e këtyre krimeve kam folur edhe në Akademinë e Shkencave në Francë, ku qesh ftuar për të folur rreth shkeljeve të të drejtave të mjekut. Unë fola atje për fenomenin mizor të shkeljes së të drejtave të pacientit për të kërkuar ndihmë, pa le edhe për të drejtat e mjekut për të shëruar të dëmtuarit, siç ndodhi në Kosovë. Kishim shumë presion dhe na mbyllej goja që të mos dëshmonim rreth përdorimit shtetëror të helmeve neurotoksike të tipit Zarin ndaj fëmijëve kosovarë. Këto gjëra më shkuan në mëndje, kur mora vesh që Shqipërisë i kërkohej thuajse me këmbëngulje të merrte pjesë në aksionin kundër armëve kimike siriane, por, në territorin e saj. Kisha shumë frikë. Pavarësisht se paraqitej gjithçka e sigurt pa asnjë dyshim (dhe shtohej edhe kjo fjali që të shtinte tmerrin “Sigurisht njëqind për qind pa rriskë nuk ka asgjë!” ) po, sikur të dilte ajo përqindja aq e vogël e riskut në plan të parë, çfarë do të bëhej me popullin shqiptar? Mos, o Zot, të përsëriteshin ato skena të llahtarshme që ma kishin vjedhur qetësinë dhe gjumin “atëherë”…