FLAMUR LUTA/ Poezi

    499
    Sigal

    MIQËSI E PAPRISHUR

    (Ia kushtoj Vilson Plakës)

    Miqësia jonë të mos prishet në fuçitë e viteve,

    I derdhim pak kohë mërie uthullore.

     

    Aq kohë mërie sa i duhet muzgut të shpuar,

    Të derdhë ankimet

    Në kanalin e veshit të mesëm

    Të agut të një ideje guximtare.

     

    Aq kohë mërie sa i duhet të mençurit,

    Të gjejë adresën e pasigurisë

    Te miqësia e zgjeruar nga paraja.

     

    Kaq pak kohë mëri, them unë,

    Nuk bëhet hataja.

     

    PAKËNAQËSI

     

    Flokët të mbushura me polenin

    E lulëzimit të ngjarjeve makabre,

     

    E shkund mbi ty dobësi ligji,

    Ngecur si një anije

    Në cektësinë e ushtrimit të detyrës

    Në terrenin plot drama njerëzore.

     

    Si shenjë e pakënaqësisë së madhe popullore.

     

    TIM NIPI

     

    Ashtu si ti, o i miri vogëlush,

    Që sapo ke shqiptuar fjalën “baba”,

    Mbath të miat sandale

    Me numrin dyzet e katër,

     

    Thjesht për të ndezur gëzimin në vatër.

     

    E liria jonë me të voglat këmbë

    Mbathka sandalet e skandaleve të mëdha

    Të atyre

    Që janë në pushtet.

     

    Thjesht për të na ngritur nga inati

    Qimet e flokëve përpjetë.