Fjalori Filozofik – vepër madhore e shkencave sociale

    911
    Sigal

    Recension rreth Fjalorit Filozofisë të prof. Servet Pëllumbi

    Në kohën tonë çdo njeri ka nevojë për një “farmaci” filozofie. Kjo është një ndër përgjigjet e (pikë)pyetjeve të shumta lidhur me trajtimin e filozofisë, si shkencë dhe disiplinë akademike, në kohët moderne. Debate mbi vendin dhe rolin e filozofisë ka pasur ngado. Disa herë janë marrë edhe vendime të skajshme për ta hequr filozofinë nga kurrikulat shkollore. Por këto vendime janë kontestuar fuqishëm. Madje, në disa shtete, kanë qenë vetë të rinjtë, nxënës apo studentë, që kanë demonstruar për të ripërfshirë filozofinë në sistemin zyrtar të formimit akademik, nisur sidomos nga nevoja për zhvillimin e të menduarit kritik. Ndërsa Francë, në disa vende skandinave etj., filozofia fillon të mësohet në mënyrë institucionale qysh në sistemin parashkollor.

    Sidoqoftë, jemi në kohën e rivlerësimit të filozofisë edhe në Shqipëri. Kjo pas një periudhe mbivlerësimi të njëanshëm të ndonjë shkolle të veçantë të saj (deri në vitet 1990-të) dhe, në të kundërt, pas një periudhe nënvleftësimi të pajustifikuar të filozofisë – tanimë si të tërë – në dy dekadat e fundit.

    Pra, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një ‘farmaci’ filozofie. E tillë është “Fjalori filozofik” i Servet Pëllumbit, një libër i plotë, tërësor, i shumanshëm, me koncepte dhe etimologji të qartë, një libër mjeshtëror, një vepër që meriton të vlerësohet dhe të rekomandohet.

    Fjalorët janë konsideruar gurë themeli për shkencat respektive. I tillë është edhe “Fjalori filozofik” i prof. Pëllumbit – gur themeli i filozofisë bashkëkohore, një vepër madhore e kësaj shkence.

    Le të argumentojmë:

    -Një vazhdim dhe një fillim

    Libri “Fjalori filozofik” nuk është sprova e parë e S. Pëllumbit në këtë gjini të botimeve filozofike. Është një fushë, të cilën e ka lëvruar në sa e sa vepra të tjera, madje edhe në të parët fjalorë të saj të botuar në Shqipëri. Kujtojmë botimet e viteve 1974 (i pari në Shqipëri) dhe ribotimit me plotësime të vitit 1982. Pra, fjalori i sotëm i prof. Pëllumbit është vazhdim… Por, nga ana tjetër ai është një fillim, apo rifillim. Fjalori i tanishëm nuk është një ribotim i tretë, por një fjalor i ri filozofik, me një koncept të ri në vëllim, në stil e sidomos në përmbajtje. Ai mbart dhe pasqyron ndryshimet e thella e të shumanshme të ndodhura në Shqipëri në më shumë se dy dekada, duke përfshirë edhe ato të jetës shpirtërore, të kulturës – duke përfshirë edhe kulturën e të mendimit. Siç thotë autori në parathënien e librit: “Një kulturë e tillë të menduari e quaj veçanërisht të nevojshme për kushtet e sotme të demokracisë pluraliste, sepse njerëzit janë të ndarë në mbështetës të partive dhe alternativave të ndryshme dhe kanë nevojë që të ndihmohen për të pasur kuptim të njëjtë për “gjuhën universale të filozofisë dhe të dialogut”. Pra “Fjalori i filozofisë” i prof. Pëllumbit është vazhdim, por edhe (ri)fillim.

    -Një vepër mjeshtëror

    Një fjalor cilësor gjuhe, për shembull, ka si parakusht që autori – apo autorët – ta kenë gjuhën respektive si gjuhë të nënës. Në rastin e dhënë, prof. Pëllumbi, ka shkruar një vepër në një gjuhë filozofike, të cilën e ka tanimë të tijën, si gjuhë “amtare”. Kjo falë formimit të tij solid, filozofik, sociologjik e politologjik. Në rini ai ka kryer studimet e larta pikërisht për filozofi, madje në një universitet me shumë traditë. Për më se 30 vjet, ai ka qenë pedagog i filozofisë dhe sociologjisë teorike në shkollat e larta, kryesisht në Universitetin e Tiranës. Mund t’u shtojmë këtyre edhe 20 vjet veprimtari aktive, praktike por edhe reflektive, sikurse edhe krijuese e akademike (1991 e në vijim). Veç fjalorëve të filozofisë (1974 dhe 1982), një numri të madh artikujsh shkencorë e studimesh të botuara në revista shkencore brenda e jashtë vendit, ai është autor edhe i disa veprave të mirëfillta filozofike, siç janë: “Globalistika – refleksione filozofike për një epokë” (2008), “Filozofia e aktualitetit” (2010) etj., për të ardhur – krejt natyrshëm – te vepra në fjalë “Fjalori filozofik” (2011).

    Një punë e vështirë, por e realizuar

    Hartimi i “Fjalorit filozofik”, siç mund të kuptohet, është një punë e vështirë, që si rregull kryhet nga grupe autorësh. Për më tepër autorit i është dashur të kompensojë edhe mungesën e traditës në këtë fushë, kjo përmes një punë sistematike, të kryer për një kohë tepër të gjatë.

    Le t’u referohemi fjalorëve të Zingarelit, për shembull, të njohur për famën e tyre. Por më ka bërë përshtypje fakti se në një botim të vitit 2005, domethënë pas një serie të gjatë botimesh e ribotimesh të përpunuara të tij, sërish bëhej shënimi: “Hartimi i një fjalori është një punë e vështirë dhe delikate. Përvoja tregon se pasaktësitë dhe gabimet mund të kufizohen, por jo të shmangen krejtësisht; falënderojmë që tani lexuesin, që do të na i verë ato në dukje (nënvizimi është imi, L. S.).

    Kjo është natyra e fjalorëve, ndaj edhe autori i “Fjalorit filozofik” shkruan me modesti:

    Gjithsesi, jam i hapur ndaj vërejtjeve, kritikave e sugjerimeve të lexuesve, që për vetë natyrën e botimeve të tilla, nuk mund të mungojnë.

    -Një vepër tërësore

    “Fjalori filozofik” përmban rreth 700 rubrika, ku jepet etimologjia e termave, informacioni historik, si dhe përmbajtja e koncepteve, drejtimet, rrymat e shkollat filozofike, filozofët më në zë të vlerësuar sipas kritereve akademike. Ka fjalorë të filozofisë që e venë theksin më hollësisht te leksiku i filozofisë, te specifika e gjuhës së përdorur historikisht nga filozofët e ndryshëm, te nuancat që marrin termat filozofikë në gjuhë të ndryshme, te njohja dhe përdorimi për herë të parë i një koncepti a një tjetri dhe evoluimi që ai ka pësuar te autorë të ndryshëm etj. Konsultimi me një përvojë të tillë historike i ka shërbyer autorit të “Fjalori filozofik” që të përpunojë një variant të plotë, ndoshta variantin më të plotë të mundshëm të një vepre të tillë.

    Një libër i bazuar në rigorozitetin metodologjik shkencor

    “Fjalori filozofik” është një vepër e bazuar në kriteret akademike të veprave shkencore. Autori ka shfrytëzuar burime të shumta të literaturës burimore të filozofëve e studiuesve të tjerë socialë, sikurse është konsultuar edhe me shumë fjalorë filozofikë të botuar në kohë dhe vende të ndryshme. Pra, thënë figurshëm, autori ka ecur në supet e paraardhësve, siç është në traditën e studimeve metodologjikisht rigoroze. Aty janë konceptet, drejtimet, rrymat e shkollat filozofike, filozofët më në zë të vlerësuar vetëm sipas kriterit të gjithëpranuar: evidentimi i asaj që ka dhënë të re secili në krahasim me paraardhësit, jashtë çdo deformimi dhe etiketimi ideologjik.

    -Një vepër ‘për konsum të gjerë’

    “Fjalori filozofik” i shërben, së pari, filozofit, studiuesit të shkencave sociale e studentit të filozofisë, apo degëve të afërta me të. Por ai është një libër i domosdoshëm edhe për çdo njeri që kërkon të thellohet në procesin e njohjes, për çdo njeri që e konsideron veten “mik të diturisë”, siç është kuptimi i hershëm i fjalës “filozof”. I tillë ka qenë synimi i autorit, shprehur në parathënie:

    për të dhënë një vepër të dëshiruar dhe të dobishëm për studentin, për specialistin, intelektualin, teoricienin e filozofin, por edhe për lexuesin e thjeshtë që synon një njohje paraprake me kulturën filozofike në rrafshin historik dhe aktual të saj.

    -Një libër për përdorim të përditshëm

    “Fjalori filozofik” nuk është një libër më shumë në bibliotekën e derisotme (ende jo shumë të pasur) të filozofisë e shkencave sociale. Aktualisht ai përfaqëson veprën më të disponueshme, të kësaj fushe, në gjuhën shqipe. Autori nuk u jep studiuesve të shkencave sociale, studentëve e të interesuarve të tjerë një libër për ta lexuar njëherë e mirë. Ai u jep atyre një libër që duhet mbajtur gjithnjë mbi tryezë, një libër për përdorim jo periodik, por të përhershëm.

    -Një vepër e mendimit shqiptar

    Pëllumbi ka krijuar një fjalor të filozofisë, marrë përgjithësisht. Por, siç thotë vetë, çdo popull, i madh a i vogël, ka “në pronësi” atë që quhet filozofi e popullit dhe shumë a pak, ka me çfarë të krenohet në historinë e kulturën e vet. Me një pikësynim të tillë në Fjalor janë përfshirë edhe figura historike të rëndësishme të mendimit filozofik, social e politik shqiptar. Edhe pse kontributet e tyre, për shumë arsye të karakterit historik, janë më modeste e më të vonuara në krahasim me atë të vendeve evropiane më të zhvilluara, sërish ato janë përfshirë në këtë fjalor, duke e bërë atë një vepër të mendimit shqiptar.

    -Shko te fjalori!

    Ajo që mund t’u them studentëve dhe studiuesve rezulton nga vetë përvoja ime: para se të nisesh për të bërë diçka që ka lidhje me filozofinë, apo mendimin (përgjithësisht), para se të nisësh një krijim, një artikull, ese, leksion, emision, projekt etj., “go to dic!”, siç thotë anglezi. Pra, “shko te fjalori!”. Këtë herë te “Fjalori filozofik” i Servet Pëllumbit. Atje do të gjesh patjetër një shpjegim, një mendim apo ide, një referencë, në mos një përgjigje për problemin e dhënë. Gjithsesi do të gjesh patjetër një pikënisje për atë që ke menduar të realizosh. Kjo është veçoria e fjalorëve dhe profesori dhe kolegu im Servet Pëllumbi na ka dhënë një fjalor të vërtetë.

    Një vepër për t’u rekomanduar

    Prof. Pëllumbi meriton përgëzimin tonë. Për mundimin e jashtëzakonshëm, për kohën dhe djersën e derdhur mbi të, për qartësinë e materialit që ai përmban, për gjuhën profesionale, për tërësinë e kësaj vepre të tij me emrin “Fjalori filozofik”.

    Gjykojmë se është një vepër e denjë për t’u rekomanduar institucionalisht, për shkollat tona. Fjalorët janë si orët thotë Daniel Xhonson, pa to nuk mund të orientohemi. I tillë është “Fjalori filozofik” i Servet Pëllumbit, një vepër dyfish i mirëpritur dhe i vlerësuar: për vlerat shkencore dhe akademike të tij; për faktin se autori ka guxuar të nxjerrë në dritë një vepër intelektuale jo të zakontë.

    Vitet do të kalojnë.. Por jam i bindur se ky fjalor do të mbetet si pikë referimi, në emrin e përgjithësuar: “Fjalori Pëllumbi”.

     *Prorektor i Universitetit Marin Barleti

    Drejtor ekzekutiv i Institutit të Sociologjisë

    Fundi i një modeli dhe pastrimi i politikës

    Rileximi i Fukujamës

     Servet PËLLUMBI

     Frensis Fukujama, në librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”, mbron tezën se demokracia liberale mund të përbëjë “pikën e fundit të evolucionit ideologjik të njerëzimit” dhe “formën përfundimtare të qeverisjes njerëzore” dhe si e tillë, ajo shënon “fundin e historisë”. Këtë tezë e kam analizuar në mënyrë kritike në librin “Globalistika-refleksione për një epokë” (2009, f. 167-172) dhe kam dhënë mendimin se ajo nuk i qëndron së vërtetës për epokën e sotme të globalizimit. Ndërkohë, mendoj se teza e Fukujamës bëhet më interesante po të jetë se do të rilexohet nga një kënd tjetër vështrimi, po të jetë se “fundi i historisë” do të shihej si një zinxhir i pa fund “fillim-fundesh e fund- fillimesh”. Në një kuptim të tillë dialektik, çdo here mund të flitet dhe të gjendet një “fund” dhe një “fillim”. Kjo shkon sidomos për “izmat”. Kështu, duke iu referuar modeleve konkrete të politikës shqiptare të 20 vjetëve të fundit, mund të flitet për “modelin Berisha 1”, që dështoi në vitin 1997, më pas për “modelin Nano”, që e mbylli historinë e vetë, me të mirat dhe të këqijat e veta në vitin 2005. Në këtë kuptim, Nano ka të drejtë kur thotë: “Unë jam F. Nano, prapa më vjen historia”, d.m.th., një “histori e mbyllur”. Ndërkohë, çdo rikthim apo restaurim i “modelit-fund”, është jo i arsyeshëm, pra jo real dhe as i nevojshëm. Tani kemi para syve tanë “modelin Berisha 2”, që në thelb është “restaurim” i modelit të parë, të cilin sot mund ta vëzhgojmë, ta studiojmë, ta vuajmë përsëri mbi kurrizin tonë në formën e autoritarizmit, të preferencës për zëvendësimin e realitetit me retorikën më të rëndomtë dhe me manipulimin e votës së qytetarëve. Ndërkohë, kemi arritur në një cak kur kërkohet një pastrim rrënjësor i politikës, pra kur kërkohet një “fund tjetër i historisë”, kësaj here i historisë së “modelit Berisha”, apo siç thirret ndryshe i “berishizmit”. Të dhëna të shumta flasin për atë që ky fund ka filluar të duket dhe pritet të jetë më dramatik nga ai i “nanoizmit”. Në të dy izmat, “fundi” e ka emrin korrupsion: në rastin Nano, ai ishte kryesisht individual, në rastin Berisha i tipit familjar e klanor. Berisha, tashmë e ndjen “fundin e historisë”, prandaj flet natë e ditë për sukseset e modelit dhe nevojën e “ngurtësimit” të tij, si i vetmi që meriton të hyjnizohet në politikën shqiptare. Gjithsesi, mbeten dy gjëra themelore të pa zgjidhura, apo dy pyetje që kërkojnë përgjigje: së pari, si mund të shpejtohet dhe të arrihet te fundi i modelit autoritarist, që ka si shtojcë të detyrueshme manipulimin e zgjedhjeve në funksion të përjetësimit të berishizmit? dhe së dyti, a ka forca vërtet kreative të një modeli të ri për të kapërcyer të vjetrin, pra për t’i dhënë fund një historie dhe për t’i hapur rrugën një etape të re apo historie të re më frutdhënëse? Më tej: a është “kursi i ri” i E. Ramës një model tjetër, gjithsesi, modeli që pritet të ngrihet mbi dy të parët dhe të hapë një faqe të re në historinë e politikës shqiptare? Ende nuk mund të thuhet ndonjë gjë e saktë, aq më pak përfundimtare. Mbetet për t’u përpunuar e provuar. Të dyja këto çështje realisht janë të pa zgjidhura, sepse terreni i politikës shqiptare, e ritheksoj, është i mbingarkuar me prirje klanore e madje tribale, me tifozllëk e fanatizëm partish, me mungesë të theksuar idesh dhe paaftësi për dialog e bashkëpunim. As nga brenda “kështjellës”, nga brenda PD-së, që ruhet me fanatizëm nga vetë Berisha me klanin e tij, por as nga opozita e sidomos nga PS- ja, nuk po duken vizione dhe preokupime të natyrës së qytetërimit modern në funksion të konsolidimit dhe të së ardhmes së demokracisë në Shqipëri. Lufta në PS vazhdon të zhvillohet në hapësira tepër të ngushta dhe shpesh reduktohet me çështjen: të jetë a të mos jetë më tej Rama në drejtimin e PS-së. Veprimtaria e PS-së, më tepër bojkotuese se bashkëpunuese, që nga viti 2009 ushqeu prirje përçarëse dhe mungesën e vizionit për të ardhmen. Flitet për mendim ndryshe, por realisht ai mungon. Një konfuzion ideor dominon në këtë parti, kurse piramida e saj organizative, dikur me “themele e mure” të forta, thuajse nuk ekziston më. Më të avancuarit në fushën e “mendimit ndryshe” duken ata që janë për një rikthim, gati të pamundshëm e të panevojshëm, te “modeli Nano”! Tre grupimet, për të cilat flitet se ekzistojnë dhe veprojnë në fshehtësi në PD, ende nuk ofrojnë asgjë tjetër, veçse një qëndrim “anti Berishë”, pra një version të pa artikuluar të sloganit socialist “Berisha ik”! Berisha, pas Kuvendit Kombëtar (dhjetor 2009), mbajti pezull për gati dy vjet zgjedhjet dhe ngritjen e strukturave drejtuese në PD, për të nxitur daljen hapur të “kundërshtarëve”, por askush nuk u ndje, duke e lënë çdo gjë në nivelin e “vesh më vesh-it”. Kjo është situata reale e dy forcave politike në vend. Për të dy krahët, duket se rëndësi parësore ka “pritja”, që të fitohet më tepër nga dështimi i kundërshtarit dhe jo nga ajo që bën vetë. Kështu ka vazhduar të mbetet në pikëpyetje çështja e një modeli të ri për politikën shqiptare, që në thelb, duhet të jetë çlirimi i frymës së lirisë, që njerëzve t’u jepet siguri për të ardhmen, që të tjerët të na respektojnë për rregullin e korrektësinë, si politikanë të një vendi me standarde, që ecin përpara duke bashkëpunuar e dialoguar dhe jo duke u grindur e sharë njeri- tjetrin. Vetëm mbi një bazë të tillë të natyrës së filozofisë politike kombëtare mund të flitet për rreshtimin e Shqipërisë në radhën e vendeve të zhvilluara dhe jo vetëm se Berisha e shpall të tillë çdo ditë! Sikur të mos kishte dalë botimi i dosjeve të “Wikileaks-it”, “gjumi” i politikanëve tanë, mbase do të kishte vazhduar në inercinë e tij si gjumë i pandërprerë. Zgjimi, duke u hedhur “ujë të ftohtë” në fytyrë politikanëve tanë, me sa duket është një nga arsyet pse “kabllogramet VVikileaks” po përcillen me kaq interes nga opinioni ynë publik. Kuptohet, kjo mund të jetë njëherësh edhe shkak për ndonjë teprim në vlerësimin e rolit të “Wikileaks-it”, deri dhe për të harruar filozofinë e popullit që thotë: “Kur ujkun e ke përballë, nuk ka kuptim të ndjekësh gjurmët”!