Figurat seksualisht të dyzuara në art dhe letërsi

    592
    Sigal

    Seksualiteti është tejet fluid dhe ndryshimet e tij teorikisht janë të mundura

    Studimi madhor, erudit, e njëherazi provokues i Camille Paglia-s mbi zhvillimin e kulturës perëndimore, i titulluar Personae Seksuale përfaqëson një studim të guximshëm e të gjithanshëm, sot e gjithë ditën, i pakapërcyeshëm e i pashmangshëm. Ky studim nuk ka reshtur së tërhequri mbi vete shumë rrufe dhe kritika virulente. Feministët përbuzin argumentin qendror të Paglia-s sipas të cilit, femra, për nga vetë natyra e saj, është e lidhur më ngushtë me “natyrën” amë, se sa meshkujt. Majtistët e sulmojnë për mbështetjen që i jep kapitalizmit, të cilin ajo e konsideron si sistemin e vetëm në rrjedhën e gjatë të historisë, që mundi t’i çlironte gratë nga skllavëria e meshkujve. Teoricienët e homoseksualizmit e sulmojnë Paglia- n për faktin se, në studimin e saj, ajo e lidh estetizmin homoseksual me disa prej epokave më tiranike të historisë njerëzore, si edhe me përfundimin se idiolatria e meshkujve homoseksualë për botën mashkullore është diçka që shkon “kundër natyrës”. Së fundmi, konservatorët tradicionaliste e fshikullojnë Paglia-n për përdhosjen e institucioneve më të shenjta të Perëndimit – përfshi këtu Kishën dhe Shtetin – pasi sipas Paglia-s, përmes këtyre institucioneve, meshkujt janë përpjekur dhe përpiqen të shtypin dhe shterojnë forcën e fuqishme femërore. Pra, jemi në prani të një mendjeje krejtësisht të pavarur prej klisheve dhe institucioneve të vendosura, e cila, me mendimin e saj origjinal, ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë jo pak tallaz në botën akademike amerikane. Vepra madhore Personae Seksuale e Camilla Paglia-s, e nëntitulluar Arti dhe dekadenca nga Nefertiti tek Emili Dickinson, që po i jepet lexuesit shqiptar, fillimisht nisi te shkruhej në formën e një disertacioni, që Paglia do ta paraqiste në Yale për mbrojtjen e doktoraturës së saj në 1974. Ky disertacion do të përbënte bazën e kësaj vepre madhore, të përfunduar në fillim te viteve ’80, e cila do ta shihte dritën e botimit vetëm në vitin 1990, pasi fillimisht u refuzua të botohej nga shtatë botues dhe pesë sipërmarrës botimesh për shkak të qasjes së saj krejt origjinale, që binte ndesh me mjaft stereotipe të shoqërisë amerikane. Kjo vepër, prej më shumë se nëntëqind faqesh, analizon shfaqjen e figurave seksualisht të dyzuara në art dhe letërsi qysh prej Antikitetit Klasik e deri në periudhën moderne. Mes të tjerash, në doktoraturën e saj, ajo shkruante se teza ngrihej mbi pandehmën, sipas të cilit:’ ‘Dinamika e thellë e çdo krijimi artistik mishëron në vetvete një bashkim psikik midis mashkullores dhe femërores”. Veç të tjerash, ajo e përshkruan metodën e përdorur prej saj si një metode ndërdisiplinore, e cila gërsheton’ ‘kritikën letrare, historinë e artit dhe psikologjinë, duke arritur kësisoj në një sinteze te re”. Sipas pikëpamjes së Paglia-s, qytetërimi i madh, të cilin sot e quajmë “Kultura Perëndimore”, nuk është gjë tjetër veçse një mori shfaqjesh sociale në letërsi, art, politikë dhe institucione fetare të frikës së mashkullit prej forcave misterioze që luhaten në vaginën femërore, frikë prej së cilës buron edhe përpjekja e tij e detyruar për të ngritur në piedestal organin e tij mashkullor. Në mendjen mashkullore, e cila mbetet përherë në kërkim të “së vërtetës dhe dritës”, këto forca të errëta janë pazgjidhshmërisht të lidhura me lëngshtinë e natyrës. Në përpjekjen e tyre për të mposhtur natyrën, në të vërtetë, meshkujt përpiqen të mposhtin forcën e femrës, seksin e saj, si edhe gjithçka tjetër që i reziston logjikës dhe arsyes. Meshkujt u tremben femrave, pasi femrat përfaqësojnë dhe janë më afër natyrës. Kjo gjë shihet në faktin biologjik, që jeta e tyre sundohet nga ciklet natyrore. Kjo është edhe arsyeja, sipas Paglia-s, se përse pas paganizmit të hershëm, cili vendoste në qendër tokën-mëmë, meshkujt shpikën magjiken e “Qiellit” ose të “kokës” (perënditë greke, Krishterimi), e cila do ta luftonte magjiken e ‘Tokës” femërore ose të “trupit”, pra kultin e Nënës. E gjithë kjo kundërshti ka rezultuar qysh prej kohërave më të lashta në një betejë midis mendimit apolonian (mendimi logjik, mashkullor) dhe elementit dioniziak (mendimi “ktonik”, pagan, femëror). Natyrisht, kjo përpjekje mashkullore, qysh nga thellësia e kohërave, nuk është zhvilluar në mënyrë të vetëdijshme. Kjo luftë është pjesë e të qenit mashkull. Paglia thekson se organi seksual mashkullor, ndryshe nga ai femëror, është i jashtëm, pra, i dukshëm; ai ka linearitet, “sintaksë” dhe mund të matet, krahasohet, vlerësohet. Ndryshe prej tij, vagina është amorfe, opake, pa formë, pra, e pamundur të kuantifikohet apo simulohet arkitekturalisht. Perëndia qiellore mashkullore greke Apoloni mishëron “syrin perëndimor”, mënyrën e të parit të sendeve “në dritë” – pra, se si sendet lidhen bashkërisht, logjikisht, se si maten, konfigurohen, “kanë një kuptim racional”. Përkundrazi, Dionizi-një perëndi androgjine e tokës, gjysmë femër, gjysmë mashkull – përfaqëson gjithçka që është misterioze, e nëndheshme, okulte, irracionale, impulsive. Apoloni është esencialisht mashkullor, ndërsa Dionizi femëror. Apoloni është zot i diellit, i dritës, sikundër Luciferi para muzgut. Nga ana tjetër, Dionizi është zot i natës, i orgjive, i impulseve dhe i “paganizmit” – sikurse Luciferi pas muzgut. Sipas Paglia-s, natyra nuk u bindet ligjeve të njeriut, ligjeve të kulturës; asaj nuk mund t’i vihet fre. Mashkulli e sheh natyrën e papërmbajtshme tek femra tek lëngjet që rrjedhin nga organet e saj femërore gjatë aktit seksual dhe menstruacioneve, tek qumështi që i rrjedh prej gjinjve. Dhe për t’u mbrojtur, mashkulli kthehet drejt Qiellit, drejt Apolonit, duke i investuar energjinë e tij në logjikën transcendentale. Por, më kot. Kultura perëndimore nuk është ajo që mendon mashkulli. Judeo-Krishterimi nuk ka mundur kurrë, sipas Paglia- s, ta mposhte paganizmin, por vetëm se e ka përvetësuar, dhe më pas e ka sublimuar atë. Ende sot paganizmi arrin të shfaqë vetveten në ikonologjitë popullore të kulturës perëndimore, duke vazhduar të thithë jetën e asaj çka i mbetet nga ideologjia patriarkale e Perëndimit. Për rrjedhojë, cilëson Paglia, Uni mashkullor është një persona seksuale (fjalë latinisht për maskë, person, tip, karakter) – një prej shumë personave, apo një evolucion maskash të përdorura në epoka të ndryshme dhe për arsye te ndryshme nga njerëz të ndryshëm, e cila ka shumëfishuar vetveten në monumente fallike dhe qiellgërvishtës (shkallë të ngritura drejt qiellit, diellit), në doktrina fetare, të cilat i përcaktojnë gratë si shërbyese të burrave, në pjesë teatrale ku “gratë grindavece” duhen zbutur. Duke u përpjekur të kontrollojnë “gratë e tyre”, burrat përpiqen të kontrollojnë ‘natyrën”. Por, thellë brenda vetes, ata e ndjejnë se, ashtu sikurse organi i tyre mashkullor flashket pas arritjes së orgazmës, edhe pushteti i tyre është tepër kalimtar. Kësisoj, ata nuk rreshtin së luftuari një luftë që ata nuk mund ta fitojnë. Përfundimisht, kultura perëndimore nuk është veçse rezultat i një kasaphane verbonjëse të shkaktuar nga Uni mashkullor për të mos bashkëndarë pushtetin me seksin tjetër. Por, animi nga Uni shënon edhe lindjen e çdo çrregullimi në lufte, në politikë, ekonomi, dhe në trupin e çdo njeriu të veçante. Camille Paglia e sheh krejt zhvillimin e kulturës perëndimore, ose të asaj që ajo e konsideron si Syrin perëndimor, të ngritur mbi dy shtylla te mëdha, atë të paganizmit dhe të judeo-krishterimit. Në rast se do t’ i përmbaheshim mendimit të Foustel de Coulange, në themel të fillesave të krejt zhvillimit njerëzor, historisë, institucioneve, dhe krejt qytetërimit perëndimor, qëndron feja. Por, besimet më të lashta lidheshin me kultin e tokës, pra, me natyrën, ose e thënë më saktë, me forcat e pakapshme të nëntokës, që për greket e lashte ishin forcat ktonike, ku gjithçka identifikohej me kultin e tokës mëmë, e për rrjedhojë, me femrën. Jo pa arsye ruajtëset më të hershme të tempujve të lashtë ishin priftëresha. Jo pa arsye, Orakulli i Delfit kontrollohej nga një femër. Jo pa arsye Circja, Furite, Gorgonat dhe Meduza, mishëroheshin në formën e femrave. Këto forca, që për njerëzit e lashtësisë ishin të papërballueshme, e gjenin më së miri mishërimin e tyre tek paganizmi i hershëm i kultit të Nënës, i cili thellë në vetvete ngërthente pjellorinë, femrën. Ndaj, ky mit duhej rrëzuar dhe procesi në vetvete nuk do të paraqitej si një udhëtim nga miti tek e vërteta, por si një kalim nga njëri mit tek tjetri. Ndërsa beteja mitike do të zhvillohej gjithnjë brenda fushës së besimit, brenda temenos, zonës rituale, asaj çka ishte më e lashtë në dijen njerëzore. Lufta do të zhvillohej rreth asaj që duhej të ishte parësore. A do të ishte e nëndheshmja, opakja, ktonikja, irracionalja apo e qarta, e dukshmja, qiellorja, racionalja? Pra, kërkohej një projeksion kundër asaj që deri atëherë kishte qenë mbizotëruese: kulti i Natyrës. Në Perëndim, mbijetesa e njeriut do të kalonte në mos përmes mposhtjes së natyrës, përmes frenimit te saj. Çdo gjë e madhe në kulturën perëndimore rrjedh pikërisht prej ndeshjes së njeriut me natyrën. Dhe sipas Paglia-s, ai që konstatoi i pari egërsinë e frikshme të natyrës, mizorinë e saj, ka qenë Perëndimi dhe jo Lindja. Fitorja e parë e madhe, ose kalimi i parë i madh nga bota femërore në atë mashkullore, ishte zhvendosja e perëndive nga nëntoka ktonike drejt Qiellit në paganizmin e vonë. Vendosja e perëndive ne Olimpin qiellor ishte projeksion nga barku tek koka, një projeksion mashkullor. Biologjikisht, elementët që karakterizojnë mashkullin janë përqendrimi dhe projeksioni seksual. Burrat, duke u lidhur me njeri tjetrin, shpikën kulturën si një mbrojtje ndaj natyrës-femër. Kësisoj, në këtë proces, krijimi i kultit të qiellit ishte hapi më i sofistikuar, pasi kalimi nga toka në qiell ishte një kalim nga magjia e barkut tek magjia e kokës. I përkthyer ideologjikisht, kalimi nga kulti i tokës në kultin e qiellit e vendos gruan në mbretërinë e nëndheshme. E thënë ndryshe, gjarpri nuk është jashtë Evës, që është njëkohësisht edhe kopshti edhe gjarpri.

    Gruaja është e çara e zezë që e kish nxjerrë burrin jashtë, por që mund ta gëlltiste përsëri. Ndaj, mbrojtja më e mirë ndaj këtij rikthimi mund të sigurohej përsëri vetëm nëpërmjet temenos ritual. Tashmë perëndia sundonjëse nuk do të ishte më Dionizi ktonik, i shfrenuar e mizor, pra, natyra e egër, por Apoloni krenar, arsyetues dhe i largët. Krijohet kështu baza e judeo-krishtërimit. Ndërsa paganizmi i hershëm ishte dioniziak, i ngritur mbi ndjesi, midis të cilave shikimi ishte i pari, dmth syri, toka, ktonikja, pra, natyra e pakapshme dhe e shfrenuar, paganizmi i vonë dhe judeo- krishterimi, që do e zëvendësonin atë, do të ishin apolonianë, kulturorë, mashkullorë, ku përparësia tashmë nuk do t’i takonte më natyrës, por fjalës. Jo pa arsye Bibla hapet me fjalët: e para ishte fjala. Grindja mes Apolonit dhe Dionizit, rendit dhe energjisë, thotë Paglia, është grindja mes korteksit më të lartë dhe trurit më të vjetër, limbik dhe reptil. Kësisoj u konceptua baza e asaj çka Camille Paglia e përshkruan si Personae Seksuale, dmth, maska, që, nëpërmjet luftës se seksit, do të siguronin në kulturën perëndimore qendrat e dijes dhe pushtetit, ku ky i fundit do të luante rolin e afrodiziakut më të mirë. Cikli ritual tashmë ishte vulosur. Mbetej që ai te objektifikohej në fushën shoqërore.

    E zbatuar në fushën shoqërore, përplasja mes simbolikës apoloniane dhe asaj dioniziake, do të mbartte me vete përplasjen mes individit dhe shumicës. Apoloniani është distant, aristokrat, monarkist, reaksionar. Dioniziaku është i paqëndrueshëm, i lëvizshëm, ajo çka grekët e lashtë e cilësonin me termin e hershëm hoi poloi shumica, ndërkohë që apoloniani është ecstasis pra, ajo që qëndron jashtë. Përfundimisht, në këtë luftë, personaliteti i Perëndimit do të ishte apolonian. Në këtë mënyrë u bë kalimi nga paganizmi i hershëm, ku në qendër ishte natyra, femra, si dhe largimi nga kudhra e Egjiptit të lashtë, i cili ishte i pari dhe i vetmi në historinë e njerëzimit, që mundi të realizonte harmoninë mes ktonikes dhe apolonianes, duke ndikuar, kësisoj, j o vetëm në zbutj en e këtij kalimi, por njëherazi, në pasurimin e traditës së perëndimit me elementë të së bukurës dhe në dyzimin e figurës njerëzore dhe të artit, me elementë të androgjinisë, për të mbetur dhe qëndruar përfundimisht tek supremacia judeo-kristiane, e cila do të mbizotëronte në krejt zhvillimin perëndimor deri në ditët tona, por pa mundur, ende dhe sot, të çlirohet përfundimisht nga elementët e shumtë të paganizmit. Nëpërmjet këtij pohimi, Camille Paglia shpjegon edhe dekadencën e qytetërimit të sotëm perëndimor i nisur qysh me Romantizmin e vonë. E bërë e njohur për herë të parë për publikun e gjerë pikërisht me veprën që i jepet këtu e përzgjedhur lexuesit shqiptar, ajo nuk ka reshtur asnjëherë, gjatë gjithë aktivitetit te saj, të shkruajë rreth kulturës popullore dhe feminizmit. Lesbike e deklaruar, ajo është pozicionuar prej kohësh në lidhje me çështje të tilla të debatueshme e të rëndësishme të shoqërisë së sotme, si përdhunimi, aborti, ngacmimi seksual, prostitucioni, pornografia dhe homoseksualiteti. Lidhur me këtë të fundit, ajo shprehet: “Mundet që të ketë vërtet një komponent gjenetik, i cili disa njerëz i predisponon drejt homoseksualitetit, por ata që luajnë një rol tejet të madh në këtë pritje, janë faktorët shoqërore gjatë fëmijërisë. Në këtë drejtim, nuk mund të akuzohen shprehimisht as vetë prindërit, pasi edhe ata janë të prekur nga forcat dizintegruese të historisë. Në historinë seksuale, përcaktuese është matrica familjare. Prandaj, të thuash se, disa njerëz lindin homoseksualë, është thjesht qesharake”. Dhe me tej: “Seksualiteti është tejet fluid dhe ndryshimet e tij teorikisht janë të mundura”.

    Njëkohësisht, Camille Paglia sfidon edhe “institucionet liberale” amerikane, përfshi këtu mendimin akademik dhe grupet e lëvizjes feministe. Në këtë drejtim, ajo është cilësuar si “feministja më antifeministe”. Mendimi i saj i qartë dhe i prerë lidhur me lëvizjen feministe është ai i një luftëtareje. Femra, nënvizon ajo, duhet të jetë e lirë të zhvillojë aftësitë e saj, por jo nëpërmjet një ndihme artificiale. Ajo është pjesë e jetës dhe e zhvillimit njerëzor. Ecja e saj në shkallën njerëzore nuk mund te përcaktohet nga mëshira mashkullore. Në momentin që ajo dëshiron të ecë përpara me forcat e veta, “në arenë nuk ka më ligj”. Ajo duhet t’i nënshtrohet rregullave të lojës, pra luftës. Te Personae Sexuale, por edhe në vepra apo shkrime të tjera të mëvonshme, Paglia ka kritikuar vazhdimisht udhëheqësit e lëvizjes feministe amerikane, duke i cilësuar ato si injorante për sa i takon artit, shkencës dhe historisë njerëzore, armiqësore ndaj meshkujve, dhe të dëmshme për vajzat e reja, pasi me leksionet e tyre ato kontribuojnë vetëm që ato të mësojnë të jenë viktima të meshkujve. Ky qëndrim i shprehur dhe origjinal i saj, ka bërë që ajo të cilësohet, madje edhe nga disa prej kundërshtareve të saj feministe, si neokonservatore, apo edhe si postfeministe, çka ajo nuk e ka pranuar asnjëherë.

    Marrë nga libri “Personae seksuale”, Camille Paglia