Faslli HALITI/ Rruga me plepa

    493

        Me rastin 5 dhjetorit, ditëlindjes së autorit të ciklit

     Plepa të zverdhur.

    Sigal

    Gjethe të shtruara mbi rrugë.

    Duke shkelur mbi gjethet e verdha po vij.

    Çfarë surprize, moj e dashur,

    Ti ma paske shtruar rrugën me flori?

    PRANVERË

    Sythi shkrin dëborën me zjarrin e lules

    Lulja pohon pranverën,

    Lidh frutën

    Dhe bie me nderim.

    Toka e pret me blerim.

     

    S’MË PRITET

    Rruga nga ti

    Tek unë,

    Dritë qumështi hënor.

    Rruga nga unë

    Tek ti,

    Errësirë,

    Bitum i zi.

    Ty s’të bëjnë këmbët të vish tek unë

    Mua s’më pritet gjersa të vi vetëtimë tek ti…

    TRANSPARENCË

    Nuk lulëzojnë lule të zeza

    Mbi pemë,

    Mbi pjeshkë,

    Mbi lëndina.

    Nuk i fut të zezë pranverës natyra.

     

     

    KOHË KORRJESH

    Kohë korrjesh.

    Natë.

    Yjet si kokrra gruri

    Përhapur qiellit lart.

    Mes grunjërash

    Kombajnat pushojnë,

    Kombajnerët të shtrirë mbi kashtë

    Kashtën e Kumtrit shikojnë.

    Kashta e Kumtrit,

    Rruga e Qumështit.

    Na thuaj, o Mete, diçka,

    Ti i di këto,

    Ti lexon gjithçka!

    Historia e «Kashtës së Kumtrit»,

    Historia e «Rrugës së Qumështit»?

    Herkuli

    Gjirin e Erës piu,

    U kënaq,

    U ngop,

    Pikat e qumështit pastaj

    Prej sisës së Erës

    Pi-

                    ku-

                            an-

               Dhe «Rrugën e Qumështit»

    Nëpër qiellin e natës formuan.

    Përralla, shoku Mete!

    Shpjegime fantastike,

    Shpjegime përrallore,

    Mitologjike!

    Ajo vazhdë yjore,

    Ajo rrugë yjore e bardhë,

    Që qiellit zbardh netëve të vona,

    Është kashta e grurit, o Mete,

    Kashta që kanë lënë prapa kombajnat tona.