Fakti, 30% e shqiptarëve nuk dalin gjallë në pension

    371
    Sigal

     Ligji i “Rilindjes” nxjerr shqiptarët me barrelë në pension. Masa e përfitimit, 1 % më e lartë se vendet e botës së tretë

     Prej disa ditësh po flitet e debatohet për pensionet e pleqërisë dhe të kategorive të tjera sociale që trajtohen me pensione. Çfarë është bërë, çfarë po bëhet e çfarë do bëhet me pensionet? Qeveria “Rilindja”, trumbetoi me “daulle”, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të Qershorit 2013, këtë premtim: “Për shqiptarët, do të marrë fund piramida e pensioneve dhe mosha e daljes në pension do të ulet”. Realisht, premtimi për të zhdukur informalitetin në skemën e sigurimeve shoqërore dhe pagesat e pensioneve, ishte motivues e nxitës për shqiptarët që prisnin të shijonin pensionin, mbasi prej 22 vjetësh ka funksionuar një skemë model “Sude” në sistemin e derdhjes së kontributeve dhe përfitimit të pensioneve. Edhe pse u premtua reformimi mbështetës në favor të interesave jetike pensionare të shqiptarëve, lidhur me pagesën dhe moshën, kjo skemë “Sude” me sigurimet dhe pensionet nuk ka ndryshuar, madje po thellohet e rëndohet për keq me ligjet e reja që po miratohen. Nuk po përmendim premtimin e bujshëm, bërë prej qeverisë “Rama” për “amnisti fiskale” për shqiptarët që nuk kanë vite pune për efekt pensioni, për shkak të papunësisë që krijoji politika qeverisëse prej 22 vitesh. Problemi qëndron në një realitet tjetër ligjor, me të cilin po bëhen “akrobaci” prej qeverisë aktuale, lidhur me moshën e daljes në pension. Pyetja shtrohet kështu: A dalin shqiptarët gjallë në pension, me ligjin aktual, gratë 60 vjeç dhe burrat 65 vjeç? Po me ligjin e ri të “Rilindjes”, që burra e gra të dalin në pension në moshën 67 vjeç?

     Në janar 2013, PS në opozitë kundërshtoi ligjin që ka bërë sot në pushtet

     Konkretisht, 1 javë më parë, qeveria prezantoi publikisht ligjin për moshën e re të daljes në pension të shqiptarëve. Sipas ligjit “Rilindja”, pensionet e shqiptarëve do të nivelohen në moshë të njëjtë me 67 për burrat dhe për gratë. Sipas këtij ligji, shqiptarët sa të jenë gjallë, do t’u “merret shpirti” duke punuar, ose do vdesin në punë. Kujtojmë, që në janar 2013, kur ish-qeveria “Berisha” përgatiti ligjin e daljes në pension të shqiptarëve në 63 vjeç për gratë dhe në 67 vjeç për burrat, këta që sot janë në pushtet dhanë alarmin duke e konsideruar “masakër jetike” këtë rritje moshe pensioni dhe gjithçka u anulua. Dhe ajo që e ka kundërshtuar këtë rritje moshe pensioni në janar të vitit 2013, në emër të PS në opozitë, ka qenë ish-anëtarja e Komisionit, Eglantina Gjermeni. Sa për saktësim, ashtu si drafti aktual të qeverisjes “Rilindja” për rritjen e moshës së pensionit në 67 vjeç për burrat dhe gratë, edhe drafti i janarit 2013, ishte përgatitur nga ekspertë të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Punës, duke marrë në konsideratë sugjerimet e Bankës Botërore e FMN-së, lidhur me krizën ku është zhytur skema e sigurimeve shoqërore dhe pensioneve. Deri në vitin 2002, burrat dilnin në pension 60 vjeç, ndërsa gratë 55 vjeç. Kriza dhe problemet me skemën e pagesave të sigurimeve shoqërore dhe daljes në pension detyroi, imponoi me dhunë parlamentare majtas e djathtas, që mosha e pensionit të rritej me nga 5 vjet për burrat dhe gratë, pra 60 dhe 65 vjeç. Në këtë moshë është aktualisht, por prej qeverisë “Rilindja” u bë ligj rritja e unifikuar në 67 vjeç. Qeveria “Rama”, ndryshe nga premtimi i 23 qershorit 2013, tani që është në pushtet, e ka pranuar këtë rritje moshe, të propozuar nga BB dhe FMN. Përse vetëm për Shqipërinë kjo rritje, kur po nga BE dhe FMN për vendet e rajonit është përcaktuar që burrat dalin në moshën 65 vjeç dhe gratë 60 vjeç! Nëse shërbimi shtetëror i sigurimeve shoqërore, nuk ka politika eficente për të ndërtuar një sistem kontributesh e pensionimi me raporte të drejta kontribut-pension, le të kërkojë nga qeveria të zhdukë informalitetin që e lejon po qeveria, mbasi aty janë të ardhurat. Ndryshe, nuk ka pse bën pazare dhe “akrobaci” shkatërruese sociale-ekonomike në kurriz të popullit me moshën e pensionit, kur dihet që shqiptarët nuk arrijnë të dalin gjallë në pension, as me moshën aktuale ligjore që kanë: 60 vjeç gratë dhe 65 vjeç burrat.

     Ligji aktual/ Shqiptarët dalin në pension me “barrelë”, 30% nuk dalin gjallë 

    Edhe me ligjin aktual të daljes në pension me 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç burrat, shqiptarët që nuk argalisen zyrave të pushtetit, janë të detyruar që në prag të moshës së pensionit të shkojnë në punë të shoqëruar nga të afërmit e tyre, madje daljen në pension ta bëjnë… me barrelë! Si për të shtuar këtë masakër sociale, qeveria ofron rritje moshe në 67 vjeç për burrat dhe për gratë. Të nxjerrësh shqiptarët, burrat e gratë në pension në moshën 67 vjeç, do të thotë ta çosh atë në shtëpi, sa për të vdekur, ose të transportuar të vdekur nga vendi i punës. Të nxjerrësh në pension burrat dhe sidomos gratë në moshën 67 vjeç, do të thotë t’i katandisësh ata, që ato pak vite jetë pension t’i kalojnë në regjim shtrati, madje që të mos kenë fuqi të shkojnë as… në tualet. Nuk është fjala për atë kategori që jetojnë vitet e punës e dalin në pension në luks, por për atë kategori shqiptarësh të lodhur psikologjikisht prej varfërisë dhe prej punëve të rënda që bëjnë. Sipas statistikave të 15 viteve të fundit, rezulton se 30% e shqiptarëve, nuk arrijnë të dalin dot gjallë në pension, ose nuk gëzojnë dot as 6 muaj e as 1 vit pension pas moshës 65 vjeç. Ata dalin në pension, pas një jete të mbushur me strese, me varfëri, me lodhje fizike, me trauma social-ekonomike. Shqiptarët e thjeshtë nuk kanë shërbëtore në shtëpi, nuk ushqehen me “menu mbretërish”, nuk trajtohen nga ana mjekësore me shërbime milionëshe në klinika “VIP” në Europë e në botë, nuk kanë pensione e paga qeveritarësh, madje nuk kanë mundësi financiare as të blejnë recetat mjekësore, që u kërkon trajtimi shëndetësor minimal, sepse u janë trefishuar çmimet e ilaçeve dhe pagesat në klinika në nën dorë si ryshfete tek mjekët. Shqiptarët nuk dalin dot gjallë në pension as në moshën 60 vjeç gratë, e 65 vjeç burrat, mbasi nuk punojnë në kushte luksoze, por trajtohen si skllevër nëpër vendet e punës dhe me paga minimale.

     Ja sa duhet të punojnë shqiptarët, për të dalë në pension 67 vjeç

     Nuk e dimë nëse do ketë shqiptarë, sidomos gratë, që do të kenë fuqi të punojnë deri në moshën 67 vjeç e të dalin në pension gjallë, apo “me këmbë e tyre”, ose të jetojnë pak vite pas daljes në pension. Një llogari e bërë për vitet e punës, që ata duhet të bëjnë deri në moshën 67 vjeç, sa të dalin në pension, rezulton me fakte që kjo është një “pritje ëndërr” për shqiptarët që duan të shijojnë disa vite pension. Mbështetur në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, vjetërsia në punë që duhet të realizojë një shqiptar, rezulton të jetë kështu:

    – Një punonjës me 8 klasë shkollë, femër dhe mashkull, që ligjërisht sipas Kodit të Punës nis punë në moshën 16 vjeç, për të arritur moshën e daljes në pension 67 vjeç, duhet të punojë 51 vjet.

    – Një punonjës me shkollë të mesme mashkull ose femër, që ligjërisht sipas Kodit të Punës nis punë në moshën 18 vjeç, për të arritur moshën e daljes në pension 67 vjeç, duhet të punojë 49 vjet.

    – Një punonjës me arsim të lartë mashkull ose femër, që ligjërisht sipas Kodit të Punës nis punë në moshën 23 vjeç, për të arritur moshën e daljes në pension 67 vjeç, duhet të punojë 44 vjet.

    Kaq shumë vite punë, do të thotë, që mësuesit, metalurgët, policët, tekstilistët, shoferët, minatorët, ndërtuesit dhe kategoritë e tjera të profesioneve të vështira, të shkojnë me barelë në vendet e punës. Në moshën 67 vjeç shoferin e zë gjumi në timon, mësuesi dremit mbi regjistër, metalurgu nuk ka fuqi të mbajë as kaskën në kokë, zyrtari lodhet kur ngjit shkallët e institucionit, ndërtuesi bie nga skela e kështu me radhë, mjeku bëhet pacient psikik, për vete e kështu gjithë profesionet e tjera. Kjo moshë daljeje në pension është e pamundur të përballohet nga shqiptarët, sidomos prej brezit të 22 viteve të tranzicionit, të cilët janë të dërrmuar fizikisht e psikologjikisht. Sepse në Shqipëri, nuk është ende ai nivel jetese e pagash, që shqiptari të qëndrojë disa vite i papunë, mbasi siç dihet, nuk ka me çfarë të ushqehet. Kjo skemë pensionesh me moshë 67 vjeç, arrihet prej pak shqiptarëve për të shijuar disa vite jetë e qetësi shëndetësore pas daljes në pension.

     Fakti, 30% e shqiptarëve nuk dalin gjallë në pension

     Edhe me këtë moshë ligjore që ekziston aktualisht, shqiptarët nuk dalin dot në pension të gjallë, vdesin sapo dalin në pension, ose dalin të tejlodhur, duke jetuar si “viktima” pune e stresesh, që kërkojnë shërbime prej familjarëve, duke e konsumuar për trajtim shëndetësor edhe atë pension lëmoshë që u jepet nga shteti. Sipas një statistike të dalë prej Institutit të Sigurimeve Shoqërore, “sekretuar” në sirtarët e kryeministrit Edi Rama lidhur me jetëgjatësinë e shqiptarëve pas daljes në pension me moshën 60 vjeç për gratë dhe 65 vjeç për burrat, rezulton se shumë shqiptarë nuk kanë arritur të dalin dot gjallë në pension. Ose kanë vdekur 1, 2, 3 e 5 vjet pas daljes në pension. Ose kanë kaluar vitet e pensionit në varfëri e të dergjur në shtrat. Të dhënat e jetëgjatësisë së shqiptarëve pas daljes në pension, janë kategorizuar kështu:

    – Pensionistë që shijojnë 1-5 vjet pension.

    – Pensionistë që shijojnë 5-10 vjet pension.

    – Pensionistë që shijojnë deri 10 vjet pension e sipër.

    Kjo tabelë përcaktuese dhe evidentuese është planifikuar sipas moshës mesatare “historike” të jetëgjatësisë zyrtare të shqiptarëve deri 77 vjeç. Statistika e jetëgjatësisë së shqiptarëve pas daljes në pension, ka këta tregues:

    – Afro 30% e punonjësve shqiptarë nuk kanë arritur të dalin gjallë në pension.

    – Afro 25% e punonjësve shqiptarë kanë jetuar vetëm 1-3 vjet pas daljes në pension.

    – Afro 35% e punonjësve shqiptarë, kanë jetuar nga 7-10 vjet pas daljes në pension.

    – Afro 15% e punonjësve shqiptarë, kanë jetuar mbi 10 vjet pas daljes në pension.

    Pensionet shqiptare, 1 % më të larta se Vendet e Botës së Tretë

     Se sa pagesë marrin pensionistët shqiptarë, këtë e ka vendosur qeveria me ligj, pa asnjë debat e konsulencë me pensionistët, që në rastin konkret janë grupi i interesit dhe që ligjërisht, Qeveria e Parlamenti, detyrohet të konsultohet. Se sa pagesë pensioni duhet të marrin në muaj, këtë e përcakton tregu dhe shërbimet jetike të tyre, që nga kafshata e bukës e deri tek shërbimi mjekësor. Pensionet në Shqipëri, janë pensionet më minimale në Europë, me këta tregues: 7 herë më të vogla se pensionet minimale të vendeve të BE-së, 4% më të larta se pensionet në vendet e pazhvilluara, 3 herë më të vogla se pensionet në vendet e lindjes ish-komuniste dhe vetëm 1 % më të larta, se vendet e Botës së Tretë. Shqiptarët përjetojnë turpin, që në vitin 2014, jetojnë me pensione mujore deri në 10 mijë lekë, që prej 15 vitesh rriten çdo nga 2% e 3%, ose nga 200 lekë e 300 lekë në vit. A mund të bëhet jetë normale e pensionistëve me 12 mijë lekë në muaj? Nuk është aspak normale, që me një treg monopolistësh, që ofrojnë çmime tepër të larta produktesh e shërbimesh jetësore, pensioni minimal për qytetin të jetë 12 mijë lekë, që pensioni minimal për fshatin të jetë 8200 lekë. Llogaria tregon, se një pension minimal në qytet përballon vetëm 6 ditë jetesë mininale në muaj. Vetëm një fakt tallës: Pensioni në qytet ishte 12 034 lekë dhe pas rritjes, bëhet 12 264 lekë, ose rritet me 1 kilogram… gjizë! Ndërsa pensioni minimal në fshat ishte 8233 lekë në muaj dhe pas rritjes bëhet 8398 lekë në muaj, ose sa 0.5 kilogram fasule!

    – Afro 30% e punonjësve shqiptarë, nuk kanë arritur të dalin gjallë në pension.

    – Afro 25% e punonjësve shqiptarë, kanë jetuar vetëm 1-3 vjet pas daljes në pension.

    – Afro 35% e punonjësve shqiptarë, kanë jetuar nga 7-10 vjet pas daljes në pension.

    – Afro 15% e punonjësve shqiptarë, kanë jetuar mbi 10 vjet pas daljes në pension.

     Përparim HALILI