Eqerem OSMËNAJ/ Një takim premtues me ministren e Mbrojtjes, zonjën Mimi Kodheli

    516
    Sigal

    Ja faktet e diskriminimit të ushtarakëve nga qeverisja e fundit 24- vjeçare

    Kryesia e AKUSH e përfaqësuar nga Presidentit zoti Kujtim Çako, zoti Bajram Mane, zoti Eqerem Osmënaj, zoti Nevruz Sako në takimin e datës 09.07.2014 me ministren e Mbrojtjes, ngritën shqetësimin e përgjithshëm të ushtarakëve dhe i kërkuan:

    1-AKUSH të ketë përfaqësuesin e vet në Ministrinë e Mbrojtjes;

    2-AKUSH të përfaqësohet me grup pune për realizimin e Statusit të Ushtarakut dhe bërjen e ligjeve për pensionet e ushtarakëve;

    3-Të ndërmerren veprime konkrete për anulimin e shfuqizimin e Aktit Normativ;

    4-Të krijohen kushte pune për AKUSH mbi bazën e një Akt Marrëveshje të firmosur nga të dy palët (MM+SHP+AKUSH);

    5-Të mbështetet financiarisht AKUSH në aktivitetet ndërkombëtare në kuadër të Aleancës me shoqatat homologe;

    6-Të organizohet një takim me Kryeministrin, ku të marrin pjesë të gjithë ushtarakët-lidhur me premtimet e dhëna.

    Ministrja i vlerësoi vlerat dhe sakrificat e ushtarakëve dhe premtoi se kërkesat e AKUSH për çështjet më kryesore do të realizohen.

    AKUSH ka ngritur me shqetësim të madh çështjen e mbrojtjes së dinjitetit të ushtarakëve në takimet e zhvilluara me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Maxhorancë, me Ministrin e Mbrojtjes me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm. Është fakt juridik që marrëveshja e AKUSH me Shtabin e Përgjithshëm është bërë në bazë dhe për zbatim të ligjit “Për Statusin e Ushtarakëve të FARSH”, por nga 34 nene të kërkuara në projektin e paraqitur nga shoqata AKUSH u miratuan vetëm 11 nene dhe këto pothuaj virtuale dhe jo realisht të zbatueshme, mbasi janë konceptuar me detyrimin “mundet”. Prandaj edhe kjo marrëveshje tri paleshe mundet të riformulohet dhe të miratohet në përputhje të plotë me ligjin “Për Statusin e Ushtarakëve të FARSH” në fuqi. AKUSH nuk është mjaftuar vetëm me këto por ka dërguar dosjen e plotë në Strasburg, Euromil, NATO, OSBE, ku ka kërkuar respektimin e të drejtave të ushtarakëve. Ajo çfarë pritet është mbi të gjitha “kthjellimi” i institucioneve drejtuese ndërkombëtare dhe të vendit që kanë e luajnë rol në këtë drejtim. Në këtë kuadër Kryesia e AKUSH i ka bërë Apel për drejtësi Presidentit, Kryeministrit, ministres së Mbrojtjes, ministrit të Drejtësisë, Institucioneve Ndërkombëtare për të drejtën ligjore të fituar me ligj dhe të pa zbatuar në interes të ushtarakëve.

    AKUSH është pranuar anëtare e shoqatës së EUROMIL që përfshin 44 Shoqata përfaqësuese të 38 shteteve, ka si objekt mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve dhe të familjeve të tyre. AKUSH informon gjithë ushtarakët shqiptarë me uniformë, në rezervë, e në pension se ka bërë e po bën të gjitha përpjekjet për kthimin e të drejtave të ushtarakëve dhe të dinjitetit të tyre të nëpërkëmbur nga qeverisjet e deritanishme këto 23 vjet tranzicioni. Le t’ia nisim nga çfarë është harruar! Profesioni i ushtarakut përfaqëson një punë të nderuar e plotë sakrifica, sa i vështirë dhe aq i rrezikshëm për jetën, i karakterizuar dhe nga një disiplinë e lartë ushtarake. Për çdo ushtarak koha e punës-shërbimit dhe e gatishmërisë luftarake është intensive, me efektivitet të lartë, e pakufizuar dhe nën stres. Kjo do të thotë që është e pakrahasueshme me angazhimin e grup-profesioneve civile, por është edhe plot privacione jo vetëm individuale, por edhe për familjet e tyre. Natyrisht, funksionimi i këtij profesioni është rregulluar juridikisht me ligjin themeltar të shtetit, Kushtetutën e Republikës si dhe me ligje të veçanta si ligji për Forcat e Armatosura. Baza ligjore fillestare mund të konsiderohet statusi i ushtarakut që daton 3 korrik 1991. Ky ligj si rrallë ligj tjetër miratohet nga Kuvendi me konsensus të plotë të të gjithë krahëve të politikës dhe me 100% të votave të deputetëve. Një unanimitet i tillë ishte jo vetëm thjeshtë shprehje e vullnetit të përbashkët politik, por edhe një kontribut në demokratizimin dhe reformimin e Forcave të Armatosura, duke kaluar në procesin e depolitizimit dhe me synim strategjik anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Zbatimi i këtij ligji i shoqëruar edhe me ligjin e ri të mobilizim-çmobilizimit dhe faturën financiare, fondet e nevojshme që përballoheshin nga shkurtimet e buxhetit vjetor të ushtrisë, si shkurtimin e kohës së shërbimit ushtarak nga 24 muaj në 12 muaj deri heqjen e shërbimit të detyrueshëm si dhe shkurtimin e investimeve mbrojtëse në vitin 1991-1992. Ushtria jonë sot është një absurd i madh pasi në radhët e saj lejohet të shërbejnë edhe mosha mbi 55 vjeç dhe ata janë të detyruar të stërviten për veprime paqësore ndërsa rinia shqiptare edhe pse e shëndetshme edhe pse 19 vjeç përjashtohen nga ky detyrim për tu përgatitur për mbrojtjen e atdheut. Sot ushtria shqiptare nuk ka një strukturë e gatishmëri konstante pasi ajo vetëm shkurtohet.

    Situata aktuale – maratona e ndryshimeve dhe moszbatimeve të ligjore.

    Aktualisht ekzistojnë mjaft probleme për çështjet më të diskutueshme te organizimit shtetëror dhe të drejtat e individëve, si dhe realizimin e parimeve ligjore sanksionuar nga Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1998. Karakteristikë e kësaj periudhe është se shpesh here Parlamenti shqiptar pa ju referuar ndonjë teorie apo përvoje botërore, ka miratuar me nxitim ligje njëri pas tjetrit që shkelin Kushtetutën dhe pengojnë zbatimin e Statusit të Ushtarakut dhe ligjeve për reformat në Forcat e Armatosura. Institucionet e shtetit (DRSSH dhe ISSH) po u mohojnë ushtarakëve të drejtat e fituara më parë me ligj duke u justifikuar me qëndrimin se “ne jemi vetëm zbatues” dhe fshehin kokën si struci që janë edhe hartuesit kryesor të drafteve ligjore në fushën e pensioneve. Shkelja e Statusit të ushtarakut dhe shume e shume ligje te tjera me dhune nga Drejtoria Rajonale e Sgurimeve Shoqërore janë treguesit me te qarte se shteti nuk funksionon sipas Kushtetutës. Janë shkelur parimi i barazisë dhe mos-diskriminimit, të së drejtës së fituar, të sigurisë juridike, fuqisë prapavepruese etj. Gjithashtu nuk mbahen parasysh kriteret ekonomike të shpërblimit si stresi dhe vështirësia në punë, rrezikshmëria për jetën dhe dëmi i shëndetit. Kohëzgjatja e punës – shërbimit dhe e gatishmërisë luftarake, niveli ekonomik në raport me minimumin jetik. Mijëra vendime te formës se prere nuk po gjejnë zbatim. Shqipëria edhe pse ka ratifikuar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Fundamentale, por në praktikë nuk i ka zbatuar.

    Statusi i Ushtarakut për periudhën 1991 – 2009 pothuaj asnjëherë nuk gjeti zbatim edhe pse i miratuar me 100% të votave të deputetëve të parlamentit shqiptar. Të njëjtin fat të keq ka pasur edhe ligji i sigurimit shoqëror suplementar, i cili për periudhën mars 1996 deri në maj 2013 është ndryshuar 8 herë, gati një herë në çdo dy vjet dhe përsëri po kërkohet të ndryshohet. Ne Nenin 168 të Kushtetutës pika 1. saktëson: “Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë përbëhen nga forcat tokësore, detare dhe ajrore”. Nenit 166/1 të Kushtetutës dhe në zbatim te tij, neni 3 i Ligjit Nr. 9210 datë 23.03.2004 për Statusin e Ushtarakut të FA të RSH” thuhet: ”Shërbimi ushtarak është veprimtari e veçantë, shoqërisht e domosdoshme për shtetin, që kryhet në bazë të dëshirës, vullnetit e detyrimit për ti shërbyer Atdheut dhe interesave të kombit, përgjegjësisë për zbatimin e legjislacioni, paanësisë politike, bindjes, profesionalizmit dhe vazhdimësisë së karrierës”. Por Ligji 10142 i majit 2009 i miratuar me shpejtësi dhe në mënyrë të njëanshme e cenon Kushtetutën. Ai barazon Forcat e Armatosura me profesionet e shërbimet e tjera civile. Referenca e mësipërme flet se janë shkelur një sërë parimesh të shtetit të së drejtës. Justifikimi i DRSSH se cungimi i pensionit është bërë në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës është i pabazuar sepse pas vitit 1997 Parlamenti shqiptar deri më sot nuk ka shpallur ndonjë situatë të jashtëzakonshme me ligj specifik për të justifikuar cenimin e sigurisë juridike për të gjitha kategoritë e ushtarakëve. Ndryshimet në dispozitat ligjore në fakt kanë sjellë pasoja negative dhe përkeqësim në trajtimin e përfitimet e ushtarakëve si dhe përkeqësimin e nivelit ekonomik të jetesës së ushtarakëve. “Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë…”, rrëzon vlerën që ka vjetërsia e shërbimit dhe paga mbi, të cilën janë derdhur kontributet për sigurimin shoqëror e shëndetësor nga ushtarakët, për gjithë periudhën e shërbimit në radhët e Forcave të Armatosura, nuk i është bërë asnjëherë asnjë llogaritje për efekt kohëzgjatje shërbimi e gatishmërie luftarake, për tejkalimin e të ashtuquajturës ”kohë normale pune për çdo grup-profesion të sektorëve të tjerë”, apo tejkalim kohe shtesë për gatishmëri luftarake, për stërvitje apo shërbim 24 orësh, e cila nuk është përfshirë dhe nuk përfshihet në vjetërsinë e punës. Ky është veprim anti-human. Moszbatimi i vendimit Nr.9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese, shënon aktin më skandaloz të shtetit ligjor e të së drejtës. Kushtetuta e Republikës në nenin 132, pika 1 shprehet qartë se: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare”. Në rrjedhojë të këtij qëndrimi permanent antikushtetues i poshtëruari i parë ka qenë dhe është vetë shteti i së drejtës. Pas tij të poshtëruarit dhe të diskriminuarit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë ushtarakët. Këtyre të fundit u është mohuar e drejta të përfitojnë atë masë pensioni të parakohshëm që u ka garantuar ligji që më 3 korrik të vitit 1991 dhe të konfirmuar më 23 mars 2004, dhe masa e pensionit suplementar të pleqërisë e vendosur që më 20 maj 2005. Një e drejtë tjetër që u është mohuar nga 14 maj 2004 është ajo e mos ndërprerjes së pensionit të parakohshëm në rast punësimi. Nisur nga analiza juridiko – ekonomike organet shtetërore e në veçanti sigurimet shoqërore duhet të bëjnë korrigjimet në llogaritjen e pensioneve të ushtarakëve duke ju dhënë atë që u takon me ligj e sipas ligjit. Ushtarakëve u janë mohuar edhe disa të drejta si derdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore të sigurimeve shoqërore për ushtarakët e para 31 dhjetorit 1998; shpërblimi i ushtarakëve që nuk plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm në vend të trajtimit me pagë kalimtare; rimbursimi në masën 80-100% të barnave mjekësore; marrja pjesë në ceremonitë ushtarake; pajisja me uniformë ushtarake sa herë ndryshon uniforma ushtarake; ceremonia ushtarake në rast vdekje; llogaritja e përfitimeve suplementare mbi bazën e pagës referuese të çastit që i lind e drejta pavarësisht se kur ka dalë në rezervë; indeksimi i pensionit të parakohshëm dhe rillogaritja e tij nga data 16 prill 2006. Moszbatimi i përpiktë i ligjit nga 1 janari 1991 kur është aplikuar trajtimi me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi natyrisht që ka të bëjë me detyrime dhe pagesa të prapambetura, pasi ushtarakët po ndjekin rrugën ligjore. Arroganca e sigurimeve shoqërore, ka arritur deri aty saqë shkelin Kushtetutën, Statusin e Ushtarakut, Vendimet e Gjykatës Kushtetuese pasi ato nuk kanë ekzekutuar as vendimet përfundimtare të formës së prerë të gjykatave, çka ka detyruar ekzekutimin e këtyre vendimeve nëpërmjet Zyrave Përmbarimore. Në kushtet e mungesës së ndikimit në zgjidhjen e problemeve që rrok trajtimi me sigurime shoqërore suplementare të ushtarakëve, pavarësisht përpjekjeve të deritanishme shoqata (AKUSH) shtron nevojën e bashkëpunimit, të bashkërendimit dhe koordinimit të përpjekjeve më të kualifikuara profesionalisht me “SHKURSH”, me shoqatat homologe të huaja për të rritur përpjekjet tona për trajtimin sa më dinjitoz të ushtarakëve që çdo ushtarak të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të përmbushet e drejta e mohuar për gjatë 23 vjetëve të vendosjes së sistemit demokratik.

    *Sekretari Organizativ i AKUSH