Enkel Demi : Nuk është mish derri, por kodi i Ndragheta-s!

136
Sigal

Ka një zakon rilindas që pas çdo skandali kërkohet qesharakja, në mënyrë që e pabëra të bëhet e pabesueshme. Kështu u reagua edhe për përgjimet e organizatës mafioze, Ndragheta. Fillimisht një shërbyes i regjimit mori përsipër t’i bënte përgjimet të paqena, tek deklaroi se nuk gjeti asngjë të dyshimtë në to, duke thënë se pati lexuar dora vetë gati dy mijë faqe dora vetë për tre ditë (çudi si i doli koha).
Madje, shërbyesi i zellshëm foli për megallomani shqiptare në këto përgjime. SPAK besoi shërbyesin që lexon më shpejt se një kompjuter dhe i ra për shkurt që hë për hë nuk ka ndonjë element krimi.

Fill pas këtyre të thënave dolën të tjera përgjime, të cilat shërbyesi nuk i raportoi dhe na del që shefi i policisë së Tiranës (në vitin 2017, se sot ka kapur majën e policisë) dhe zëvendësministri i Brendshëm janë shitur tek Ndragheta me mish derri, mozzarella dhe produkte të tjera ushqimore.

Duke u nisur nga ngjashmëria e pamjes së shefit me derrin shpërthyen meme-t në rrjet, ndërsa media e qeverisë nisi të vinte në pah anën qesharake: “Qenka shitur për mish derri?”. Në fakt, rilindasit nuk kanë si ta kenë kurrë pazarin kaq të ulët. Ata që kanë mbjellë e shitur dora vetë drogë, kanë urdhëruar vrasje, kanë ndërtuar pyje betoni kanë treg krejt tjetër.

Ndragheta këtë e di, ashtu si dhe përgjuesit e saj. Prandaj, përherë mafiozët, kriminelët, të cilët e njohin rrezikun e përgjigmeve flasin me kod. Deshifruesit e kësaj të folmeje janë pjesë e rëndësishme e Antimafias dhe bëjnë zbërthimin e mesazheve. Fjala vjen, kur thuhet mish derri nënkuptohen shuma të mëdha parash, pasi në gjuhën e mafies së asaj krahinë të Italisë mishi i derrit të zi do të thotë kartmonedha euro 500-she. Me të njëjtën logjikë përdoret në bashkëbisedim mozzarella dhe produktet e tjera ushqimore.

Ndaj, këtu në këtë mes nuk ka asgjë qesharake, përkundrazi!