Engjëll MUSAI/SHBA dhe krimet e Luftës së Dytë Botërore

    409
    Sigal

    Këto ditë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë të ditur se, do të ngrenë një muze, ku do jenë afishuar krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Krijimi i këtij muzeu ka si qëllim t’u tregojë të rinjve amerikanë se çfarë masakrash janë bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi mosha e tyre e re dhe koha kanë bërë që të harrohen një pjesë e këtyre krimeve. Padyshim vendi më demokratik në botë nuk mund të harrojë luftëtarët e vetë, të cilët dhanë jetën përballë bishës naziste dhe koalicionit të tyre Berlin-Tokio-Romë. Lufta e Dytë Botërore ishte konflikti më i përgjakshëm i armatosur midis Aleatëve dhe Boshtit Nazist, i përbërë nga Italia,  Gjermania  dhe  Japonia nga viti 1939 deri në vitin 1945. Shqipëria është e njohur zyrtarisht në botë si vend pjesëmarrës i Luftës së Dytë Botërore dhe se për çlirimin e vendit dhanë jetën 28 mijë dëshmorë. Një gjë e tillë është e certifikuar edhe në faqen zyrtare të organizmave botërore. Po si qëndron e vërteta në Shqipëri dhe përse në vendin tonë kur flitet për luftën Nacional-Çlirimtare një pjesë heshti dhe një pjesë nuk kanë kurajo të mbrojnë gjakun e bijve dhe bijave të tij që e derdhën për çlirimin e vendit nga bisha nazi-fashiste dhe bashkëpunëtorët e tij. Përse kolaboracionistëve të  Duçes dhe Hitlerit sot kërkohet t’u ngrihet piedestal dhe monumentet e luftëtarëve të Luftës së Dytë Botërore po prishen dhe një pjesë e memorialëve të tyre po shiten për skrap. Si mund t’i ngrihet  monument Ahmet Zogut, të cilit vetë Hitleri i fali si peshqesh për dasmë një “Mercedez” në shenjë miqësie. E pra, këtyre njerëzve të vetëshpallur mbretër nuk meritojnë mirënjohje kombëtare pasi u larguan dhe nuk organizuan rezistencën ndaj fashistëve të Duçes, të cilët i kishte aleatë deri një ditë para 7 prillit të 1939-s.  Ndërsa Amerika  sot po kërkon që të rinjtë të njihen me  krimet e nazi-fashistëve, në vendin tonë hiqen “Heronjtë e Vigut”, prishen lapidarët, ku u vranë heronjtë, hiqen dhe prishen shtëpitë dhe pllakat përkujtimore dhe kërkohet t’u thuren lavde bashkëpunëtorëve, ballistëve dhe kriminelëve të luftës. Sigurisht që, ne nuk mbrojmë atë që ndodhi dhe ata që devijuan idealet e luftës pas çlirimit të vendit. Për ta dhe për këdo historia të japë vlerësimin e saj pozitiv dhe negativ. Por të anashkalohen me qëllime datat më kulmore të rezistencës kombëtare sikurse ishte ajo më 17 nëntor 2012 pikërisht ditën e çlirimit të Tiranës, është e pafalshme dhe tërësisht kriminale. Nëse sot t’i kërkon të hedhësh balt për kontributin e atyre që luftuan për lirinë e vendit tënd, nesër të jesh i bindur të njëjtën gjë do të bëjnë pasardhësit e tu. Partia Socialiste dhe LSI-ja nuk duhet të mbeten në kuadrin e sloganeve dhe populizmit, por të tregojnë me fakte se janë për vlerësimin dhe mbrojtjen e Luftës Nacional-Çlirimtare. Është e pakuptimtë që Rama dhe Meta janë në të njëjtën llogore me Berishën dhe Luftën e Dytë Botërore e përdorin vetëm për vota, pasi shërbesat ja bëjnë mercenarëve  dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit. Berisha i ngriti memorial Zogut, ndërsa Meta i priti me tufa me lule pasardhësit e tij duke harruar  t’i pyeste të paktën për Riza Cerovën heroin e qytetit që e futi në politikë. Më e rënda dhe e pafalshme ishte rasti i Kreut socialist Rama që ditën e çlirimit të Tiranës më 17 Nëntor, iku në Korçë, në vend që të organizonte dhe përkujtonte këtë ngjarje në Tiranë, ndoqi rrugën e Zogut kur u arratis më 7 prill 1939 për në Greqi. Për politikanët shqiptarë  të majtë dhe të djathtë  po ju kujtojmë një tragjedi që kombi amerikan nuk e ka harruar dhe s’ka për ta harruar kurrë, e cila ka të bëjë me  sulmin mbi Pearl Harbor i kryer nga aviacioni japonez  kundër bazës detare të Shteteve të Bashkuara, Hawai, në mëngjesin e 7 dhjetorit 1941 (8 Dhjetor  në Japoni), e cila edhe sot e kësaj dite respektohet nga ushtria dhe kombi amerikan. Aq e vërtetë është kjo sa që luftanijet amerikane nga më e thjeshta deri tek ajo më e sofistikuara, sikurse është  aeroplanmbajtësja  me emrin e ish-Presidentit antikomunist “Ronald Regan”, sa herë që mbarojnë udhëtimin apo inspektimet në Paqësor do të ndalojnë dhe me një ceremoni të veçantë do të nderojnë mijëra ushtarë amerikanë të vrarë nga sulmi  i aviacionit japonez. Nuk ka asnjë shans që luftanijet dhe aeroplanmbajtëset amerikane të  kthehen në SHBA pas inspektimeve të tyre, pa u kthyer dhe pa zhvilluar ceremoninë e përkujtimit të amerikanëve të bombarduar  dhe të vrarë pabesisht nga ushtria japoneze. E pra, nuk ka shembull më prekës, por edhe më të fuqishëm për të treguar vitalitetin e një kombi sikurse është rasti i kombit amerikan. Meqenëse në SHBA po ngrihet një muze për të treguar krimet e Luftës së Dytë Botërore është momenti që edhe politika dhe kombi shqiptar të reflektojnë sa nuk është vonë. Një thënie e  Uinston Çurçill,  e cila do të mbetet e pavdekshme thotë se: “Historia shkruhet nga fitimtarët”.