E vërteta për vonesat ndihmës së paaftësisë për invalidët dhe afati për marrjen e lekëve

    386
    Sigal

    INTERVISTA/Flet për “Telegraf”, drejtoresha e Shërbimit Shtetëror Social, Kozeta Mesiti, për ndihmën e invalidëve

    Pasi invalidët kanë dalë në protesta në qytete të ndryshme të vendit për vonesat e pagesës për ndihmën e paaftësisë, ka folur në një intervistë për “Telegraf”, ka bërë të ditur arsyet e vonesës së pagesës për ndihmën e paaftësisë. Zonja Mesiti, ka kundërshtuar zërat se nuk janë dhënë paratë prej 4 muajsh dhe ka sqaruar se është bërë një shtyrje dhe ka ngelur pa u paguar muaji dhjetor dhe paratë e këtij muaji do të jepen në muajin janar të vitit që do të vijë. Një arsye tjetër e shtyrjes së pagesave është edhe fakti që janë shtuar shumë numri i personave që marrin pagesa të paaftësisë.

     -Zonja Mesiti, prej disa muajsh invalidët janë shprehur se nuk kanë marrë ndihmën e paaftësisë dhe kanë akuzuar si fajtor për situatën e krijuar Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Përse janë krijuar këto vonesa?

    -Po, i kam dëgjuar në fakt akuzat që janë bërë nga invalidët. Por unë mund të ju them që nuk është e vërtetë që kategoria e invalidëve ka mbi tre apo katër muaj pa marrë ndihmën e paaftësisë. Dua të sqaroj që ka vetëm një muaj që nuk është dhënë kjo ndihmë dhe kjo ka ardhur për faktin se në fillim të vitit 2012 janë shlyer edhe muajt tetor, nëntor dhe dhjetor që kanë pas ngelur pa u shlyer në vitin 2011. pra ka ardhur një shtyrje dhe ka pasur një spostim në shlyerjen e pagesave. Dhe muaji dhjetor i këtij viti që ka ngelur pa u paguar do të paguhet në janar të vitit 2013. Për buxhetin e vitit të ardhshëm plus buxhetit të vitit 2012 ne do të kemi edhe një buxhet shtesë për pjesën që ka ngelur pa u shlyer. Pra me buxhetin shtesë që do të na vijë në do të bëjmë shlyerjen e muajit që ka ngelur nga ky vit dhe buxheti i vitit 2013 do të mbetet i paprekur.

     -A ka arsye të tjera që është bërë kjo shtyrje e pagesës për invalidët?

    -Po ka dhe një arsye tjetër dhe që është mjaft e rëndësishme dhe kjo është se është rritur baza e shpërndarjes së ndihmës ekonomikë dhe pagesës për personat me aftësi të kufizuar. Ne kemi rritur numrin e personave që e përfitojnë këtë, janë shtuar shumë komisionimet. Janë shtuar 5100 komisionime shtesë, pra janë shtuar shumë komisionimet dhe kjo ka sjellë dhe këtë problem.

     -A nuk ekziston ndonjë rrugë tjetër që me aftësi të kufizuar të kenë mundësi që të marrin pagesat për këto festa?

    -Unë e përmenda edhe më lart dhe e ritheksoj që paratë e muajit dhjetor që nuk janë marrë  nga invalidët e punës do të jepen në muajin janar të vitit të ri. Dhe nuk janë mundësitë që ato të paguhen tani dhe normalisht që nuk mund të shpërndahen.

     –Duke qenë se jemi në mbyllje të një viti, cilat janë disa nga projektet që ka ndërmarrë kjo drejtori për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë?

    -Unë realisht kam ardhur në mes të këtij viti në drejtimin e kësaj drejtorie. Unë dua të them që janë ndërmarrë dy iniciativa shumë të mëdha që u kanë ardhur në ndihmë kategorive në nevojë. Njëra ka qenë rikonstruksioni i godinës së shtëpisë së të moshuarve në lagjen “Ali Demi” dhe i godinës së shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli”. Të dyja këto janë rikonstruktuar dhe janë investuar 50 milionë lekë të reja në shtëpinë e të moshuarve dhe 60 milionë lekë te reja janë investuar në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli”.

     -Po në lidhje me fëmijët e rrugës a keni ndonjë projekt për vitin që po vjen?

    -Po, unë do po ju them që për vitin që po vjen kemi pesë projekte të mëdha dhe një ndër to është dhe projekti për fëmijët e rrugës. Projekti i parë është ai i Qendrës Socio-Sanitare në Kamëz. Atje aktualisht është një qendër ditore dhe ne nisur nga numri i madh të të moshuarve menduam që të bëjmë zgjerimin e kapaciteteve. Projekti i dytë është ai i krijimit të Qendrës Sanitare të Jetimëve që do të përfshijnë moshën mbi 16 vjeç. Projekti i tretë është krijimi i Qendrës për familjet në nevojë që do të ngrihet në Kombinat, këtu do të përshihen edhe romët. Këtu do të përfshihen të gjitha familjet që do të kenë pasoja nga fatkeqësitë natyrore. Edhe romët do të jenë goxha të përqendruar aty. Qendra e katërt do të jetë në Durrës dhe kjo do të jetë shtëpia për të moshuarit për pushimet verore. Në këtë qendër do jenë të përfshirë të gjithë të moshuarit nga e gjithë Shqipëria dhe do të kenë mundësinë që të kalojnë 10 ditë pushime në plazh. Projekti i pestë do të ngrihet në Marqinet dhe ka të bëjë me strehimin e fëmijëve të rrugës.

     -Ky është projekti i parë që po bëhet për fëmijët e rrugës?

    -Po, është projekti i parë i këtij lloji dhe ne duke marrë shkas nga numri i madh i fëmijëve në rrugë kemi ndërmarrë këtë projekt. Dhe besojmë që do të jetë një zgjidhje e mirë për këtë kategori.

    Bashkitë, arsyet e vonesave dhe shpërdorimeve

    Është plotësisht e pavërtetë që ka katër muaj pa marrë pagesat. Është vetëm një muaj pa u dhënë pagesat dhe kjo ka ardhur për arsyet e mësipërme që unë ju përmenda. Por mund të them që ka edhe pengesa për një pjesë të mirë që kanë të bëjnë me shpërndarjen. Pra janë shpërndarë në mënyrë pasaktë pagesat sidomos në rastet kur shpërndarja është bërë nga institucione që janë në varësi të Bashkive, pasi këtu ka pasur dhe shpërdorime të mëdha, përveç vonesave.