E vërteta mbi gjenocidin grek në Çamëri

    432
    Sigal

    Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore solli bashkimin e përkohshëm (1941-1943) të Kosovës me Shqipërinë, si dhe mundësinë e bashkimit në një entitet të vetëm të trevave të banuara me shqiptarë në Ballkan. Në gusht të vitit 1940 Italia pushtoi Greqinë. Në përpjekje për ta tërhequr popullin shqiptar pas kauzës së saj, Italia u premtoi shqiptarëve bashkimin e tyre kombëtar. Marrëveshja gjermano-italiane e vitit 1941 përcaktoi formimin e ‘Shqipërisë së Madhe’, që do të përfshinte territore të gjera të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi dhe të një sipërfaqeje më të vogël të Greqisë. Italianët ishin në gjendje të shfrytëzonin kështu ndjenjat irredentiste të shqiptarëve duke i mëshuar tezës se bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare ishte i kushtëzuar me fitoren e Boshtit. Çamët për pasojë u armatosën nga italianët dhe bashkëpunuan me ta kundër fshatrave grek që ishin të kontrolluar nga luftëtarët grekë të rezistencës. Gjatë kësaj kohe, u kryen akte dhune nga disa çamë kundër banorëve grekë, shumë nga të cilët u detyruan të linin vendbanimet e tyre. Shumica e çamëve, megjithatë, ishin thjesht bashkëpunëtorë pasivë, duke mos u besuar italianëve po aq sa forcave guerile mbretërore të Napoleon Zervës. Në pak më shumë se një vit, forcat greke qenë në gjendje të zmbrapsnin italianët përtej kufirit shqiptar. Një alarm i madh u përhap midis çamëve kur fitorja e shpresuar e Boshtit u kthye në disfatë. Pranë fshatit të Vrinës në Shqipërinë e jugut, në qershor 1940, u gjet trupi pa kokë i udhëheqësit çam Daut Hoxha. Qeveria pro-italiane e Tiranës pretendoi se ai ishte vrarë nga agjentët e fshehtë grekë. Hoxha ishte një komandant ushtarak i çamëve në periudhën midis luftërave. Qeveria greke thoshte se ai ishte thjesht një bandit. Në tetor 1944 kur gjermanët filluan të tërhiqeshin nga Greqia, disa qindra çamë ikën me ta në Shqipëri. Paskëtaj, shqiptarët myslimanë që mbetën në Greqi do të shiheshin si armiq nga grekët.

    Në një përpjekje për të krijuar një krahinë kufitare etnikisht të pastër, çamët u dëbuan prej Greqisë veriore nga forcat guerile të komanduara nga gjenerali Napoleon Zerva, që vepronin sipas udhëzimeve të oficerëve aleatë. Nën dritën e kërkimeve të fundit, dokumentet e kohës së luftës tregojnë se sulmet greke kundër çamëve janë mbështur dhe autorizuar nga britanikët. Këto sulme bënë që rreth 35 mijë çamë të arratiseshin për në Shqipëri, ndërsa të tjerët në Turqi. Kolonel Kris Udhauz (Chris Ëoodhouse), shef i Misionit Ushtarak Britanik në Greqi njoftonte se: “I inkurajuar nga Misioni Aleat që kryesoja, Zerva i shpërnguli çamët nga shtëpitë e tyre më 1944. Shumica shkuan të gjenin strehë në Shqipëri. Dëbimi i tyre nga Greqia më të shumtën e herës u bë duke derdhur shumë gjak. Kjo vepër e Zervës u pasua në mars 1945 me një masakër të madhe dhe të pafalshme të çamëve të Filatit. Si përfundim, kjo çoi në dëbimin e popullsisë së padëshirueshme shqiptare nga trojet e tyre.”

    Masakra më famëkeqe kundër shqiptarëve nga grekët ndodhi më 27 qershor 1944 në qarkun e Paramithisë, kur forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) të gjeneral Zervës hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë, burra, gra dhe fëmijë – shumë nga të cilët u përdhunuan dhe u torturuan para se të vdisnin. Sipas të dhënave të dëshmitarëve okularë, të nesërmen, një tjetër batalion i forcave zerviste (EDES) u sul në Pargë dhe vrau 52 shqiptarë të tjerë. Më 23 shtator 1944, u grabit qyteti i Spatarit dhe 157 njerëz vdiqën. Gratë e reja dhe vajzat u përdhunuan dhe burrat që ishin ende gjallë u grumbulluan dhe u internuan në ishujt e Egjeut. Sipas statistikave të përpiluara nga Shoqata Çamëria në Tiranë, gjatë sulmeve mbi fshatrat e tyre në vitet 1944-1945 u vranë gjithsej 2771 shqiptarë. Nga këta, 1286 ishin nga Filati dhe rrethinat e tij, 192 nga Igumenica dhe periferitë, nga Paramithia 673 dhe Parga 620. 68 fshatra me 5800 shtëpi u plaçkitën dhe u dogjën. Një listë e detajuar e dëmeve të shkaktuara tregon për 110 mijë kokë dele, 2400 gjedhe, 21 mijë kv grurë dhe 80 mijë kv vaj ushqimor, më shumë se 11 milionë kg drithëra.