Dy fjalë udhëzuese për vajzat

    444
    Sigal

    Agresioni në familje dhe si të kuptoni nëse ndaj fëmijës është ushtruar dhunë psikike dhe seksuale

    Dita Botërore Kundër Dhunës ndaj grave është 25 Nëntori, e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1999, për të sensibilizuar qeveritë, shtetet, organizatat e ndryshme dhe opinionin publik për këtë dramë shoqërore. Është e pabesueshme që ende sot ka gra në botë që trajtohen keq nga burrat, që sot gratë duhet të përjetojnë dhunën seksuale.

    Sipas të dhënave statistikore, një grua ndër tre, ka qenë viktimë e një violence apo agresioni nga një burrë, të paktën një herë gjatë jetës. Në sajë të studimeve sociologjike, sot është e ditur se dhunuesi nuk është vetëm personi që ka probleme mendore, që vjen nga një ambient familjar jo i kulturuar, ose me kushte jo të mira ekonomike. Mund të jetë e kundërta. Nuk ka rëndësi pozita shoqërore apo puna që bën. Ai është një njeri që nuk pranon barazinë dhe aq më pak autonominë e seksit tjetër. Duke qenë i pasigurt, me pak besim në vete, ka frikë se humbet kontrollin dhe fuqinë që do të ketë mbi gratë.

    I paaftë të kuptojë se ku qëndron e meta në personalitetin e tij, ia hedh fajin për të gjitha dështimet dhe mosarritjet në jetë, grave që e rrethojnë në ambientin familjar, nënës, motrës gruas, vajzës ose kolegeve në ambientin e punës, duke etransformuar bashkëjetesën në një makth të vërtetë. Megjithëse këto gra, e vuajnë fizikisht e shpirtërisht keqtrajtimin dhe poshtërimin që ju bëhet, shpesh kanë frikë ose turp të padisin, dhe prandaj zgjedhin heshtjen. Duke besuar se me forcën fizike tregohet burrëria, këta individë, mendojnë se sjellja agresive i bën të jenë të respektuar. Sigurisht kjo nuk është një sjellje prej personi të qytetëruar. Agresiviteti që ata shfaqin është pasojë e mangësisë në perceptimin e drejtë të raportit burrë – grua dhe dëshirës për autoritet që duan të krijojnë nga ky raport.

    Kur filloni të dilni në shoqëri e të krijoni miqësi të reja, edhe pse mund të vini nga një familje ku babai apo vëllai kanë karakter të dhunshëm, mos mendoni se të gjithë burrat e djemtë janë ose duhet të jenë të tillë. Mos mendoni se është normale që një mashkull mund të trajtojë keq një femër. Mos lejoni të ndodhë!

    Të dashurosh…

    Pavarësisht nga mosha kur ndjeheni e dashuruar, ose nga mosha që vendosni të bëni dashuri dhe për gjithë vitet që natyra do të ta lejojë, një gjë mos e harroni kurrë: duhet të ndjeheni e lumtur, e dëshiruar dhe e dashuruar. Dashuria që ju bën të vuani nuk duhet të bëjë pjesë në jetën tuaj. Askush nuk mund ta bëjë këtë, në qoftë se ju nuk ia lejoni. Ta falni të dashurin tuaj kur ai ka bërë diçka që ju pëlqen, është normale, por t’ia falni vuajtjen që ju shkakton për hir të dashurisë tuaj, kjo nuk duhet të ndodhë. Mësoni ta vlerësoni dhe ta doni veten. Dashuria është gjithçka kur ju jep gëzim, ju bën të ndjeheni e bukur, e veçantë, speciale, kur ju bën të lumtur. Kur jeni e dashuruar, mos jetoni me ankthin sa do të zgjasë, ajo që do të mbetet në mendjen dhe në zemrën tuaj, edhe pse mund të marrë fund, është vetëm intensiteti dhe bukuria me të cilën e keni përjetuar…

    Dhuna e ushtruar nga një anëtar  i  familjes   

    Çdo fëmijë ka të drejtë të jetojë i qetë dhe i lumtur në gjirin e familjes së tij. Ai ka të drejtë jo vetëm për mbrojtje nga ana e familjarëve, por edhe të respektohet si një person që ka dëshirat dhe mendimet e veta. Në rastin kur agresori i një fëmije është pikërisht prindi i tij ose një i afërm në gjak, do të thotë se ata sigurisht nuk e mendojnë në këtë mënyrë. Kur jeni viktimë e abuzimit në familje ndihesh keq. Mendoni se jeni ndryshe nga fëmijët e tjerë. Jeni e zemëruar me veten, sepse mendoni që është faji juaj, dhe për këtë meritoni të vuani. Asnjë nga këto ndjesi nuk është e drejtë. Dhuna nuk të ushtrohet, sepse je ndryshe nga të tjerët, as sepse je sjellë keq, as sepse ke gabuar. Kjo gjë nuk ka lidhje me ty, me sjelljen tënde, me atë që ke bërë apo ke thënë. Ti je vetëm një viktimë e pafajshme! Faji është gjithmonë dhe plotësisht vetëm i agresorit. Ai do që të përfitojë nga ju ashtu si do të përfitonte nga çdo fëmijë tjetër (ndoshta e ka bërë edhe me motrën apo vëllain tjetër). Nëse je viktimë e këtij abuzimi, duhet ta kundërshtoni e vendosur dhunuesin kushdo qoftë ai, prindi, xhaxhai, njerku, kushëriri, vëllai, duke ia thënë me zë të lartë dhe të sigurt se nuk ju pëlqen ajo që bën dhe se dëshironi të liheni e/i qetë. Por më e rëndësishme është të kërkoni ndihmë nga prindi tjetër, nga një mësues ose nga një i rritur tek i cili ke besim. Të pësoni dhunë nga familjari, është një ngjarje e hidhur dhe e shëmtuar, por asgjë nuk zgjidhet duke pritur në heshtje që situata të ndryshojë. Mos mendoni se jeni vetëm dhe pa mbrojtje. Shteti ka ligje të posaçme për të mbrojtur viktimat e dhunës dhe abuzimit. Gjendet gjithmonë një rrugëdalje, mjafton të keni guxim të flisni me personin tek i cili keni besim. Duke treguar për dhunën që ju bëhet, ju mbroni veten dhe kjo është një nga të drejtat tuaja, një e drejtë që nuk ndryshon kurrë, në çdo vend apo rrethanë që do ndodheni.

    Agresioni në familje

    Kur agresioni ndodh në gjirin e familjes, është shumë e rëndë si për viktimën, ashtu dhe për anëtarët e tjerë të familjes. Gjithkush do të dëshironte të mos ishte as dëshmitar, dhe as pjesë e kësaj ngjarje të tmerrshme dhe të neveritshme.  Nëse kjo ka ndodhur, do të jetë shumë e vështirë për fëmijën që të flasë dhe e dhimbshme për familjarin ta dëgjojë: ai nuk do dojë ta besojë, sepse nuk mund ta pranojë këtë gjë të tmerrshme. Të zbulosh që një person i familjes është një individ që abuzon me fëmijën, është një traumë e rëndë, për këtë është e këshillueshme t’ia hapësh zemrën vetëm personave të afërt dhe të besimit, që janë në gjendje të kuptojnë dhe të ndihmojnë pa paragjykime. Ta përballosh vetëm agresorin është e vështirë: ai mund të reagojë në mënyrë të dhunshme. Ndoshta duhet të kërkosh ndihmë nga forcat e policisë. Pavarësisht nga kushtet ekonomike dhe familjare, duhet të mendosh sa më shpejt të jetë e mundur për masat që do të marrësh. Ndoshta duhet të ndërrosh shtëpi ose të largosh agresorin nga vendbanimi yt. Kush “ngacmon” një fëmijë nuk e bën një herë të vetme. Mundësitë që kjo ngjarje të mbetet një rast i veçuar dhe që nuk do të përsëritet më, janë zero. Cilado qofshin ndjenjat tuaja ndaj agresorit, apo lidhja farefisnore me atë, kujdesuni në radhë të parë për viktimën, jepini gjithë mbështetjen tuaj. Mos lejoni t’i ndodhë përsëri: një gjë e tillë lë shenjë përgjithmonë në psikologjinë e tij.

    Si ta kuptoni nëse fëmijës i është ushtruar dhunë seksuale?

    Çdo ndryshim i menjëhershëm në sjelljen dhe karakterin e fëmijës, pa një shkak të dukshëm, të bën të mendosh se ka diçka që nuk shkon, pra të sjell në mendje veç të tjerash dhe një agresion seksual. Kur fëmija zhduket me ore të tëra pa treguar ku ka qenë, humbet oreksin ose fillon të hajë tepër, pra dobësohet ose shëndoshet për një periudhë të shkurtër kohe, sigurisht këto janë shenja që nuk mund të kalojnë pa u vënë re. Luhatjet e humorit, një qetësi e tepruar apo shpërthimet e papritura të inatit pa shkak, nuk mund t’u lenë shpërfillës apo të mendoni se janë ndryshimet e moshës. Pyetjet e përsëritura mbi seksin, apo homoseksualitetin, jo gjithmonë duhen marrë si një kuriozitet i thjeshtë i faktit se fëmija po rritet dhe është normale të bëjë pyetje rreth këtyre temave. Shenja të tjera mbas një agresioni, mund të jenë ndryshimi i papritur i karakterit: fëmija fillon të grindet më të gjithë, gënjen, nuk shkon në shkollë, nuk mëson si më parë, nuk del më me shokët. Zgjohet natën i trembur ose ka pagjumësi. Papritur u kthehet disa zakoneve që i kishte kaluar prej kohësh, për shembull fillon të urinojë në shtrat, ose të mos e kontrollojë jashtëqitjen. Reagon në mënyrë të tepruar, qoftë me frikë apo me shqetësim ndaj skenave të dhunshme apo të seksit të shfaqura në një film. Ndryshon mënyrën e të veshurit (nuk hyn këtu ndjekja e modës) p.sh, vishet më trashë, sikur do të dojë të mbulojë trupin. Lahet në mënyrë të tepruar ose nuk lahet fare. Mban të fshehura të holla apo sende që nuk ia keni dhënë ju dhe nuk tregon se kush ia ka dhënë. Në trup, në brendësi të gojës ose rreth buzëve, rreth organeve të jashtëqitjes vihen re vraga, plagë të vogla dhe gërvishtje. Këto shenja mund të vihen re edhe rreth organeve seksuale ose janë të pranishme shenjat e një infeksioni venerian. Tek vajzat mund të vihet re deflorimi (çvirgjërimi), kurse tek djemtë shkëputja e frenulumit( perit). Pyeteni fëmijën me durim e dashuri, se çfarë ka ndodhur, nëse dikush e ka trazuar, apo është i trembur nga diçka, apo dikush. Duke mos pasur asnjë njohuri mbi abuzimin dhe seksin në përgjithësi ai do ta ketë të vështirë të gjejë fjalë për tu shprehur. Sigurojeni që jeni i shqetësuar për të, se çfarëdo që të ketë ndodhur, nuk do ta dënoni dhe as do ta qortoni, se doni vetëm ta ndihmoni, nëse ka ndonjë problem. Shprehjani gjithë dashurinë që ndjeni për të, dashuri e cila nuk ka të krahasuar me asgjë në botë.

    *Shkëputur nga libri “Heshtja nuk është zgjidhje”, Dr. Liljana Kastuli