Drobonik, projekt për kanalizmin e ujërave të zeza

646
Sigal

Adriatik Mema

Ditën e sotme, Kryetari i Bashkisë, i shoqëruar nga një pjesë e stafit të vet, ka inspektuar punimet që janë duke u kryer për kanalizmin e ujërave të zeza në fshatin Drobonik, Njësia Administrative Velabisht. Ky investim, me vlerë 90 milionë lekë, kryhet me fondet e Bashkisë dhe është në fazën e përmbylljes së tij.

Për realizimin e këtij projekti është kryer një volum i madh punimesh; janë bërë gërmime për hapjen e kanaleve, janë shtrirë 924 metra linear tuba të brinjëzuara, janë hedhur shtresa rëre nën dhe mbi tuba,  janë vendosur rreth 24 puse kontrolli, janë hedhur dhe ngjeshur me makineri shtresa çakulli etj. Është hera e parë që ndërhyhet në këtë zonë për ndërtimin dhe sistemimin e rrjetit të kanalizmit të ujërave të zeza, duke zgjidhur kështu një shqetësim të vjetër të banorëve.

Droboniku, i konsideruar ndryshe si “Ballkoni i Beratit”, edhe pse shtrihet përgjatë rrugës nacionale Berat – Tepelenë, në një distancë prej 5 km nga Berati, duket më shumë larg sesa afër Beratit, për shkak të degradimit të rrugës, e cila ka krijuar vështirësi në qarkullim, duke ua pamundësuar banorëve të këtij fshati nxjerrjen e produkteve të tyre në treg, apo kryerjen e aktiviteteve të tjera.

Bashkia e Beratit, veçanërisht Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, edhe pse qysh herët kanë përgatitur një projekt të plotë për rehabilitimin e kësaj rruge, nuk kanë mundur të ndërhyjnë, sepse kjo rrugë konsiderohet pjesë e aksit nacional, duke qenë në kompetencën e strukturave të qeverisë dhe ministrisë përkatëse, të cilat asnjëherë nuk i janë përgjigjur kërkesave të bashkisë lidhur me këtë çështje.

Droboniku është një fshat i begatë që shquhet për kultivimin e rrushit, ullinjve, por veçanërisht qershisë, mirëpo prodhimet e tyre vuajnë mungesën e infrastrukturës rrugore, për të dalë lehtësisht në tregun e qytetit dhe më gjerë.

Bashkia e Beratit, mbështetur tërësisht në fondet e veta, për aq sa lejojnë mundësitë financiare, po ndërhyn në zona të caktuara të territorit të saj, për të zgjidhur disa nga problemet më shqetësuese të banorëve.