Dr. Ndriçim Mehmeti/ Siguria e statusit të nëpunësit civil

    752
    Sigal

    Shtet apo privat

    Me ndryshimin e sistemit në Shqipëri, pak njerëz guxuan të heqin dorë nga puna e shtetit dhe t’i futen sipërmarrjes private. Kjo për mentalitetin etatist, frikë, pasiguri nga suksesi ose dështimi e shumë faktorë të tjerë. Me kalimin e viteve u përvijua qartë sektori privat në konsolidim dhe ai shtetëror që mbetej një strehë e sigurt për shumë njerëz. Ndonëse kishte rroga më të ulëta, shteti shikohej si një vend “që vërtet të jep pak, por siguron pension”, e aq më tepër kishte sektorë, ku siç thotë populli, “po nuk rrodhi, do të pikojë”. Një nga dobësitë më të mëdha në vite të tëra ka qenë administrata. Në disa sektorë ajo trashëgoi punonjësit e dikurshëm, në disa u hoqën dhe u zëvendësuan me të tjerë dhe shumë shpejt, siç ndodhte në kohën e diktaturës, vendet ndaheshin nga zyrat e partisë, që fitonte zgjedhjet e radhës. Atëherë, një pjesë e panë më të udhës, të hiqnin qafe këtë lloj varësie dhe të punësoheshin ose vetë punësohen në sektor privat.

    Shteti nuk ishte më streha e sigurt, që dilje në pension e kish’ disa privilegje. Një shkëndijë shprese lindi në vitin 1999, kur për herë të parë Shqipëria, miratoi një Ligj për Nëpunësin Civil. Ky ligj padyshim që ka qenë mjaft i rëndësishëm, mbasi për herë të parë, krijohej mundësia e ndërtimit të një trupe administrative të aftë. Këto pritshmëri diku u justifikuan e diku jo. Menjëherë pas zgjedhjeve, vërshonin  akuza e kundër akuza për emërime nepotike, politike dhe shkarkime të pamerituara. Mirëpo, unë besova se qeveria socialiste, nuk do ta humbiste shansin historik që iu dha, për të hedhur pas krahëve historinë e manipulimit politik të administratës. Për fat të keq, kjo shpresë u shua shumë shpejt dhe pak kush është marrë me këtë temë. Shumë njerëz madje thonë se ka fjalë shumë, por jo fakte. Mes tyre janë edhe qeveritarë, deputetë e njerëz të njohur të mediave dhe të shoqërisë shqiptare. Duke qenë se njeriu në radhë të parë duhet të jetë avokat i të drejtave të tij e pastaj të të tjerëve, po ju rrëfej historinë time, të cilën as vetë nuk e dija mirë deri më sot?

    Kriteret për të qenë në punë dhe promovuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit

    Sot në orën 10.00, kisha seancën e radhës për faktin se prej dhjetorit të vitit 2013, e deri më sot, jam në listë pritje, apo praktikisht i papunë. Në krye të këtyre radhëve dua të shpreh respektim tim më të ndjerë për gjykatësen që gjykon çështjen dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me një qejfbërje për shkaqe personale. Ajo që më shtyu të shkruaj këto radhë, që brenda tyre do të kenë revoltë, ishte një shkresë e Ministrisë së Arsimit, ku shpjegonte pse isha në listë pritje. Ndonëse nga gjykatësja e çështjes ishte kërkuar, përshkrimi i punës, prej juristes së MAS, u soll një MEMO (nuk e di sa vlerë juridike kanë MEMO-t) e përpiluar nga znj.Eni Panteqi dhe Z. Ramazan Çadri. Memo ishte hartuar në 6 pika, për të shpjeguar pamundësinë e institucionit për sistemimin tim në punë. Në pikën 4, autorët e sipërpërmendur të MEMO-s, shkruajnë se sistemimi im në sektorët e krijuar rishtazi pas ristrukturimit, nuk mund të bëhej “pasi përshkrimet e punës së këtyre sektorëve ndryshuan ndjeshëm dhe u konsiderua se performanca dhe aftësitë e të interesuarit, nuk përmbushnin në mënyrën më të mirë nevojat e institucionit për këto pozicione pune”. Ndërkaq, duke marrë kompetenca që nuk ia njeh ligji, z. Çadri dhe znj. Panteqi, shkruajnë se: “Pas një vlerësimi të kujdesshëm, bazuar në përshkrimet e punës, në pamundësi të sistemimit të z. Mehmeti në një pozicion të ngjashëm të të njëjtit nivel, apo të një niveli më të ulët, u bë kalimi në listë pritje”. Pika 6 e Memos, “Në lidhje me pretendimin e z. Mehmeti për rikthim në pozicionin: Përgjegjës në Sektorin e Arsimit të Mesëm, në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar, sqarojmë se ky pozicion u shpall vakant, në bazë të proceduarve të Ligjit 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil”. Aktualisht, në këtë pozicion është emëruar me procedurë të rregullt konkurrimi z. Dritan Sallaku. Për më tepër, z. Sallaku ka kryer studimet e larta në Institutin e Lartë të Fizkulturës “Vojo Kushi” dhe më pas ka kryer studimet e larta në “Drejtësi”, është punonjës i MAS që nga vitit 2001, me një eksperiencë 13 vjeçare pune në arsimin parauniversitar”.

    Le t’i marrim me radhë

    Pika 4 e Memos, flet për ndryshime rrënjësore, në përshkrimin e punës, të sektorëve të arsimit parauniversitar. Sistemimi im në sektorët e krijuar rishtazi pas ristrukturimit, nuk mund të bëhej”, pasi përshkrimi i punës së këtyre sektorëve ndryshoi ndjeshëm dhe u konsiderua se performanca dhe aftësitë e të interesuarit, nuk përmbushnin në mënyrën më të mirë nevojat e institucionit për këto pozicione pune”.  Shumë bukur. Pse z. Çadri dhe znj. Panteqi nuk na dhanë mundësinë të shohim se cilat janë ndryshimet rrënjësore me të cilat unë nuk mund të përshtatem dot? Po kur më nxorën në listë pritje, a mi treguan? Por, ajo që dhemb më shumë, është fjalia “u konsiderua se performanca (që në fakt unë urrej ta përdor si fjalë, por meqenëse e përdor Ministria e Diturisë, unë jam i detyruar ta përdor) dhe aftësitë e të interesuarit, nuk përmbushnin në mënyrën më të mirë nevojat e institucionit për këto pozicione pune”. Përsëri pyes z. Çadri dhe znj. Panteqi se me ç’tagër arrijnë këta dy persona të arrijnë në përfundime të tilla? Kush janë dobësitë e punës të faktuara që posedohen prej SBNJ? Cilat janë aftësitë më të larta që bënë të mundur sistemin në postin e Përgjegjësit të Sektorit të ciklit parashkollor, ish-Përgjegjësen e Sektorit të Diasporës (që nuk i ekziston as drejtoria) dhe Përgjegjëses së Sektorit të Kurrikulave (ish-Përgjegjëse e arsimit privat). Cilat janë karakteristikat më të larta se të mira, që aktualisht në MAS janë rikthyer nga lista e pritjes që të gjithë, punonjësit me përjashtim të katër armiqve të shpallur tashmë si të tillë, njëri prej të cilit jam edhe unë. Cila ishte performanca e veçantë nga ajo e imja, e ish-specialist të sektorit të inspektimit, i cili, u gradua si përgjegjës në IShA dhe hoqi dorë vetëm një jave pas fillimit “nga frika se nuk e bënte dot”. Cila ishte performanca e veçantë nga ajo e imja, e drejtuesve të arsimit privat, që iu gjet një vend në IShA dhe institucione të tjera? Cila ishte performanca e veçantë nga ajo e imja e specialistëve të Sektorit juridik që u graduan si Përgjegjës Sektori?  Unë jam i interesuar, apo punonjës i Ministrisë së Arsimit? Cili është statusi im, i interesuar i rrugës, apo me një status nëpunësi civil, të fituar sipas rregullave dhe ligjeve të shtetit shqiptar? Cila ishte performanca e lartë që Përgjegjësve të Sektorit dhe specialistët e tyre (si p.sh Arsimi Profesional, privat, i diasporës), iu gjendën vende, jo vetëm të të njëjtit nivel, por u rigraduan si përgjegjës/e dhe drejtor? Në të vërtetë do t’ju jap dokumente për veten time dhe gjykojeni vetë se cila është perfomanca, ata le të flasin vetë dhe të na tregojnë se ku ndryshojnë. Ajo që më gëzon në këto lëvizje dhe risistemime të njerëzve është fakti që tre prej atyre që kanë treguar performacë më të lartë se unë, janë studentët e mi në Master.

    Pika 5 e MEMO-s, “Pas një vlerësimi të kujdesshëm bazuar në përshkrimet e punës, në pamundësi të sistemimit të z. Mehmeti në një pozicion të ngjashëm të të njëjtit nivel, apo të niveli më të ulët u bë kalimi në listë pritje”. Pyetja ime për z. Çadri dhe znj. Panteqi, është se sipas ligjit për “Statusin e nëpunësit civil”, kush është personi që më bënë vlerësimin mua? Znj. Panteqi që është në nivelin e specialistes, apo z. Çadri që ka të njëjtin pozicion me mua? Apo askush prej tyre, se nuk janë eprorët e mi. Se cili është vlerësimi, edhe këtë do ta tregoj me dokumente.

    -Pika 6 e Memos, “Në lidhje me pretendimin e z. Mehmeti për rikthim në pozicionin: Përgjegjës në Sektorin e Arsimit të Mesëm, në Drejtorinë e Arsimit Parauniversitar, sqarojmë se ky pozicion u shpall vakant, në bazë të proceduarve të Ligjit 8549, datë 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil”. Aktualisht në këtë pozicion është emëruar me procedurë të rregullt konkurrimi z. Dritan Sallaku. Për më tepër z. Sallaku ka kryer studimet e larta në Institutin e Lartë të Fizkulturës “Vojo Kushi” dhe më pas ka kryer studimet e larta në “Drejtësi”, është punonjës i MAS që nga vitit 2001, me një eksperiencë 13 vjeçare pune në arsimin parauniversitar”.
    I kujtoj z. Çadri, znj.Panteqi dhe cilitdo që është i interesuar të dijë të vërtetën se unë kam 21 vite punë, nga të cilat 17 vite punë në arsimin parauniversitar dhe 10 vite si pedagog i jashtëm në arsimin universitar. Pra, 10 vite pune si mësues dhe 7 vite si drejtues në MASH (sot MAS). Kam përfunduar studimet në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës, dega Histori dhe jo Institut, me mesatare 9.43, kam përfunduar Masterin me mesatare 10 në provime dhe mbrojtje mikroteze, kam përfunduar me notën 10 Doktoraturën në Histori. Natyrisht, që duke parë Memon do të preferoja të kisha mbaruar Institutin e Fizkulturës (dhe them që ka kohë ta mbaroj me P-T) dhe më pas do të më gjejnë një vend. Disa saktësime: Z. Çadri dhe znj. Panteqi, flasin për ligjin e vitit 1999, që dihet mirë se ka humbur fuqinë e vet pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu z. Çadri dhe znj. Panteqi, nuk na bëjnë të njohur datën e konkurrimit të z. Sallaku, që është pikërisht data 18 shkurt 2014, pra, në kundërshtim të plotë edhe me vendimin e GJ.K, por edhe me Aktin Normativ të qeverisë, nëse duan, pasi nuk bëhen rekrutime tre muaj përpara hyrjes në fuqi të një ligji. Dhe meqenëse kanë qejf Ligjin e vitit 1999, ju them se unë gëzoj të drejtat dhe privilegjet e nëpunësit civil për një vit. Pra, unë nuk jam ish-Përgjegjës, jam përgjegjës.
    Pra, përfundimi është: Njerëz që të punësoheni në MAS, paraqitni diplomën e Institutit të Fizkulturës ose përfundojeni sa më shpejt. Vetëm kështu do të keni performancë për drejtues.
    Z. Çadri, znj. Panteqi: Ju kërkoj të rishikoni dhe shpjegoni fjalët në dëm të karrierës sime profesionale, aftësive të mia profesionale dhe morale si dhe argumentoni gjetjet tuaja për performancë të dobët. Në rast se nuk e bëni, atëherë më mbetet të kërkojë drejtësi në gjykatë për të gjitha të pavërtetat e MEMO-s së datës 16.06.2014. Shpresoj të mos jem i vetëm, edhe pse e di se shumë njerëz janë të trembur nga humbja e bukës së gojës.