Dr. Naim Mecalla/ Krimi i organizuar dhe pastrimi i parave

    732
    Sigal

    Si kryhet pastrimi i parave nga krimi i organizuar dhe ku investohen këto para

    Pastrimi i parave është një shfaqje e krimit ekonomik në kuadër të krimit të organizuar, ai është element i domosdoshëm i ekzistencës së krimit të organizuar. Është një akt i mirëfilltë kriminal, që përbën një rrezik global me pasoja evidente për ekonomitë e të gjithë vendeve. Krimi i organizuar mund të shtie në dorë institute bankare dhe atëherë rreziku për ekonominë është shumë i madh. Ky është edhe qëllimi i krimit të organizuar, të kapë firmat e fuqishme ekonomike. Sistemi ekonomiko – financiar mund të bjerë në duart e grupimeve kriminale. Për organizatat kriminale apo dhe për individë të veçantë, i vetmi sistem i vlefshëm për pastrimin e fitimeve të paligjshme dhe për investimin e tyre në aktivitete ligjore është hyrja e tyre në sistemin bankar.

    “Paraja për krimin e organizuar përbën lëngun jetësor për vetë ekzistencën e tij”. Për realizimin e fitimeve të tjera nga krimi është e domosdoshme paraja, që nevojitet për shpenzimet e aktivitetit kriminal, për të korruptuar zyrtarët e ndryshëm, për t’i shpëtuar ndjekjes, etj. Për të qarkulluar paratë e akumuluara nga krimi, kriminelët duhet t’i paraqesin ato si të ligjshme. Momenti i kalimit të produkteve të krimit në dorë të personave, përbën inkriminimin e këtij personi. Kjo përbën provën ligjore për ta akuzuar për veprën penale të pastrimit të produkteve të krimit. Për t’u shmangur nga inkriminimi, autorët e krimit të organizuar duhet të fshehin, maskojnë burimin dhe pronësinë e parave. Kështu do të sigurohen, se paratë e paligjshme nuk do të shërbejnë si provë për t’i ndjekur penalisht. Fitimi i nxjerrë nga krimi, konfiskohet. Autorët e veprave penale për të ruajtur të ardhurat e nxjerra nga aktivitetet e tyre kriminale kërkojnë të maskojnë apo tjetërsojnë pasuritë, duke i regjistruar në emër të të afërmeve, apo dhe në emra anonim, ose duhet t’i bëjnë ato që të duken si të ligjshme. Për realizimin e këtyre synimeve kriminale është e domosdoshme legjitimiteti apo legalizimi i këtyre pasurive me prejardhje të paligjshme.

    Për rrezikshmërinë e legalizimit të parave me origjinë kriminale, sidomos për futjen e tyre në formën e investimeve në ekonomitë kombëtare të vendeve të varfra, janë shfaqur mendime nga më të ndryshmet, shpeshherë edhe kontradiktore. Për fat të keq, në botë dhe në vendin tonë qarkullojnë mendime, se kjo veprimtari vlerësohet si faktor pozitiv për zhvillimin ekonomik të krizave financiare ose për zgjidhjen e tyre. Kjo tezë është përdorur gjerësisht në media, ku evidentohet gjoja “kontributi i tyre” edhe në përballimin e krizës së fundit ekonomike dhe financiare botërore. Pretendohet, se kapitalet me origjinë kriminale duke u futur në sferën legale të qarkullimit financiar, i shërbejnë zhvillimit të ekonomive të varfra kombëtare apo me probleme financiare. Përkrahësit e pikëpamjeve të tilla harrojnë, se këto kapitale që futen në ekonomi, të cilat edhe mund të “kontribuojnë” për një moment të caktuar, janë produkt i krimit dhe se ato do të jenë në radhë të parë në shërbim të qëllimeve të atyre që i zotërojnë dhe që përfaqësojnë interesat e krimit e jo në shërbim të ekonomisë kombëtare. Ata e shfrytëzojnë atë për të bërë pastrimin e kapitaleve të tyre kriminale dhe për të vënë në kontroll të plotë ekonominë kombëtare dhe atë ndërkombëtare në të ardhmen. “Pastrimi i parave me prejardhje kriminale, për krimin, përveç të tjerave, ka për qëllim jo vetëm që me këto mjete monetare të përballojë shpenzimet e aktivitetit kriminal, por edhe të zgjerojë kapitalin legal dhe ilegal të biznesit të ngritur prej tij”.

    -Pastrimi i parave është domosdoshmëri për krimin e organizuar

    Pastrimi i parave është një shfaqje e krimit ekonomik në kuadër të krimit të organizuar. Ai është domosdoshmëri e vetë pranisë së krimit të organizuar dhe pasojë e tij. Ky proces është një akt i mirëfilltë kriminal që përbën një rrezik global me pasoja të dukshme për ekonomitë e të gjitha vendeve. Në zhargonin e përditshëm shpesh thuhet, se paratë e fituara nga veprimtaritë kriminale, si: trafiku i drogës, i armëve, i prostitucionit, i klandestineve etj., quhen para të “ndyra”, “të pista”, “të përlyera”. Si të tilla, ato nuk mund të qarkullojnë në transaksionet legale të tregut të biznesit dhe në veprimtarinë e bankave dhe bursave. Prandaj, grupet dhe organizatat kriminale tentojnë me të gjitha mjetet e mënyrat që ato para “të pista” t’i shndërrojnë në para “të pastra”. Në thelb, veprimtaria e pastrimit të parave është një veprimtari antiligjore, e paramenduar dhe e organizuar mirë, me të gjitha tiparet e krimit të organizuar, është element i domosdoshëm i ekzistencës së krimit të organizuar. Krimi i organizuar mund të fusë në dorë institucione bankare dhe në këto raste rreziku për ekonominë është edhe më i madh. Ky është edhe qëllimi i krimit të organizuar, të kapë firmat e fuqishme ekonomike. Sistemi ekonomik e financiar mund të bjerë në duart e grupimeve kriminale. Për organizatat kriminale, si dhe për individë të veçantë, i vetmi sistem i vlefshëm për pastrimin e fitimeve të paligjshme dhe për investimin e tyre në aktivitete ligjore është infiltrimi i tyre në sistemin bankar.

    Investimet në ekonominë legale nga organizatat kriminale shërbejnë si për të kamufluar veprimtarinë e ngritur dhe të ardhurat kriminale, ashtu edhe për të rifutur në qarkullim pa asnjë rrezik paratë apo pasuritë e pastruara. Kjo për faktin, se paratë që duhen për të përballuar kapitalin e paluajtshëm legal dhe investimet në biznesin apo ekonominë legale, duhet të jenë tërësisht legale, d.m.th. të pastruara. Krimi i organizuar është i detyruar të aplikojë këtë skemë për shkakun e funksionimit të një sistemi mbrojtës me rregulla dhe norma ligjore e financiare strikte si dhe kontrolleve rigoroze që ushtrohen në ekonominë botërore të tregut për të shmangur rreziqet që i vijnë çdo ekonomie nga pastrimi i këtyre parave. Këto shërbime e kontrolle kërkojnë detyrimisht e në mënyrë të rreptë e të vazhdueshme njohjen e burimeve investuese dhe verifikimin përkatës të tyre. Në rrafshin kriminologjik, legalizimi i mjeteve monetare dhe pasurive të fituara në rrugë joligjore vlerësohet si etapa kulmore e operacioneve kriminale të krimit te organizuar për faktin se me të përfundon etapa finale e veprimtarisë kriminale, me të cilën kurorëzohen përpjekjet dhe veprimet e bëra dhe merren rezultatet e synuara. Krimi i organizuar i kushton vëmendje të veçantë kësaj veprimtarie e cila zhvillohet me një konspiracion të plotë. Kjo është arsyeja që gjurmimi  i  veprimtarisë  kriminale  për legalizimin e mjeteve monetare dhe pasurive të fituara në rrugë kriminale është sa i vështirë, aq edhe i ndërlikuar. Ai kërkon dije jo vetëm të artit të gjurmimit por, për specifikën që paraqet ky lloj kriminaliteti, kërkon edhe njohje të disiplinave të  shkencës së ekonomisë dhe instituteve të veçanta të saj.

    -Lidhja e dyfishtë e korrupsionit me pastrimin e parave

    Korrupsioni është një ndër faktorët destabilizues dhe më të rrezikshëm për shtetin në përgjithësi dhe për ekonominë e sigurinë në veçanti. Në të gjitha rastet e korrupsionit janë prezentë disa elementë të përbashkët, si: dhunimi i ligjit, i rregullit apo i normave etike, dëmtimi i interesave publike, etj. Ai realizohet aty ku interesat publike priten me interesat e individëve, gjithmonë në favor të këtyre të fundit. “Korrupsioni është shpërdorimi i pushtetit të marrë me delegim për qëllime private”. Në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë janë bërë përcaktime ligjore të plota për korrupsionin, në Nenet 244, 245, 259, 260, në përputhje me Konventat Ndërkombëtare. Në shoqëri ndeshemi me dukuri të ndryshme dhe të shumta, si:  varfëria, papunësia, vështirësi sociale, reformat, globalizimi dhe shumë rrjedha të tjera të pashmangshme, të cilat mbartin edhe elementë negativë dhe dëmtojnë progresin. Burokracia tradicionale dhe mos funksionimi i ligjit, autoriteti i gjerë, përgjegjshmëria e ulët institucionale dhe mungesa e transparencës, të ardhurat e pakta dhe gjendja e rëndë ekonomike e sociale, papunësia në masë të madhe, shërbejnë si shtrat i ngrohtë për rritjen e kriminalitetit dhe të korrupsionit në veçanti.

    Korrupsioni mbërthen ato veprimtari të bazuara në hapësira ligjore, përfaqëson posedimin e paligjshëm të pasurisë, kryerjen e çdo pune nëpërmjet parave, shfrytëzimin e funksionit për realizimin e  favoreve të paligjshme. Prania e korrupsionit pengon investimet e brendshme dhe të jashtme, pasi ka paqartësi dhe pasiguri në ambientet e biznesit. Ai rrit koston efektive të investimeve, ai vepron në destabilizimin e sigurisë në radhë të parë nëpërmjet humbjes së besimit publik ndaj shtetit, duke rrezikuar stabilitetin politik. Zhvillimi i përgjithshëm i një vendi, së pari varet nga siguria dhe më pas vazhdojnë sfidat e tjera. Korrupsioni ul rritjen ekonomike të vendit pasi investimet janë në nivel minimal dhe rritja e GDP-së është relativisht më e ulët. Korrupsioni dobëson sistemin financiar, pasi ai forcon ekonominë informale dhe lehtëson pastrimin e parave.

    Forma më e pastër e korrupsionit është “ryshfeti”, që përfaqëson veprimin për ofrimin/kërkimin e parave, shërbimeve, apo sendeve të tjera me vlerë, me qëllim për ta bindur atë që të bëjë diçka si shkëmbim në favor të atij që jep paratë. Forma me agresive e korrupsionit është kleptokracia, e cila është një sistem politik i dominuar nga persona që praktikojnë zhvatjen si metodë pune. Ndërsa forma më e rrezikshme e korrupsionit paraqitet “kapja e shtetit”, në të cilën individë, grupe apo firma nga sektori privat, mafia, rrjetet e krimit, etj., janë në gjendje për të influencuar formësimin e ligjeve, rregulloreve, vendimeve dhe politikave të tjera për përfitimin e tyre, kryesisht financiar. Kapja e shtetit njihet si problemi më shkatërrimtar dhe më pengues për të luftuar korrupsionin dhe kriminalitetin në përgjithësi. Ky fenomen është karakteristikë jo vetëm e vendeve në zhvillim siç paraqitet në shumë studime, por është bashkudhëtar edhe për vendet me demokraci të zhvilluar.

    Krimi i organizuar gjeneron shuma të mëdha parash, nga ana tjetër korrupsioni dhe skemat e mashtrimit kompjuterik nxisin krimin e organizuar, duke “legjitimuar” paratë e pista. Individi ose grupet e përfshirë në aktivitete kriminale duhet të gjejnë mënyra për kontrollin e fondeve pa tërhequr vëmendjen për aktivitetin themelor ose personat e përfshirë. Kriminelët e bëjnë këtë duke maskuar burimet, duke ndryshuar forma, ose duke lëvizur fondet në një vend ku ata tërheqin më pak vëmendjen“. Interesat e krimit të organizuar dhe korrupsionit janë drejtuar para së gjithash në sferën ekonomike duke i krijuar mjedise të favorshme zhvillimeve të aktivitetit kriminal, nga i cili përfitojnë dhe pasurohen shpejt jo vetëm organizatat e krimit të organizuar, por edhe sipërmarrës apo zyrtarë të korruptuar, të cilat përbëjnë edhe pikën e kontaktit të veprave penale të korrupsionit me atë të pastrimit të parave.

    Problemet që krijohen nga lidhjet e dyfishta të korrupsionit dhe pastrimit të parave kanë një ndikim shkatërrues mbi ekonominë e sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare. Banka Botërore dhe FMN e konsiderojnë korrupsionin si pengesën më të madhe për të nxjerrë miliona njerëz nga varfëria. Pastrimi i parave është jetike për të gjithë krimet dhe veçanërisht për korrupsionin. Ato janë në bashkëjetesë të vazhdueshme, jo vetëm se kanë tendencë të ndodhin njëkohësisht, por më e rëndësishme është fakti se prania e njërit krim promovon kryerjen e krimit tjetër. Korrupsioni prodhon fitime të mëdha, të vlerësuara në më shumë se 1 trilion USD në vit, të cilat duhet të pastrohen në sistemin financiar”. Në të njëjtën kohë ryshfeti ka një ndikim të madh në institucionet financiare, duke lehtësuar pastrimin e parave të fituara nëpërmjet korrupsionit. Aktivitetet e pastrimit të parave mund të korruptojnë pjesë të sistemit financiar dhe të minojnë administrimin e bankave, pasi drejtuesit e tyre janë korruptuar nga shumat e mëdha të parave të përfshira në procesin e pastrimit, si edhe mbikëqyrësit bankarë mund të jenë të korruptuar apo të frikësuar dhe si rezultat do të zvogëlojnë efikasitetin e supervizionit”. Korrupsioni lehtëson pastrimin e parave, ashtu sikurse edhe pastrimi i parave gjeneron korrupsionin.

    Korrupsioni dhe pastrimi i parave, janë vështirë të maten, por ata përbëjnë problemin më serioz për shumicën e vendeve në të gjithë botën, të pasur dhe të varfër, të mëdha dhe të vogla, të zhvilluara ose në zhvillim. Pavarësisht se lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave ka qenë në vëmendje të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që para viteve ’90, analiza e lidhjes midis tyre është bërë vetëm këto vitet e fundit. Banka Botërore, OKB, Banka Aziatike e Zhvillimit dhe të tjera institucione ndërkombëtare kanë bërë thirrje për një qasje më të integruar në këto dy probleme. Në vitin 2007 Banka Botërore vuri në dukje se “Korrupsioni dhe pastrimi i parave janë të lidhura dhe të vetë përforcuara”. Në mënyrë të ngjashme, OKB-ja ka deklaruar, se “… ka lidhje të rëndësishme ndërmjet korrupsionit dhe pastrimit të parave. …. Një shkallë e lartë e koordinimit është e nevojshme në këtë mënyrë për të luftuar të dyja problemet dhe për zbatimin e masave që ndikojnë në të dy krimet”.

    Shembull tipik i një tendence të tillë përbën pastrimi i parave të zyrtarëve të lartë rusë nëpërmjet bankës së fuqishme të New York-ut. Të implikuar në këtë pastrim parash, bëhet fjalë për paratë e FMN-së dhënë Rusisë si ndihmë humanitare, përmendet gjithashtu dhëndri i ishpresidentit Jelcin dhe funksionarë të tjerë të lartë. Këto para të FMN u keqpërdorën, duke i depozituar në kartelat e tyre private nëpër banka të ndryshme. Për realizimin e fitimeve të tjera nga krimi është e domosdoshme paraja, e cila përbën lëngun jetësor për vetë ekzistencën e krimit të organizuar. Paraja nevojitet për shpenzimet e aktivitetit kriminal, për të korruptuar zyrtarët e ndryshëm, për t’i shpëtuar ndjekjes ligjore, etj. Paraja e fituar lehtësisht, sidomos ajo që rrjedh nga evazioni fiskal apo krimi në përgjithësi, shpenzohet lehtë. Ajo shoqërohet me veprimtari të tjera kriminale si falsifikimi i dokumenteve, pastrimi i parave, korrupsioni etj.

    -(1)Rasti Lazarenko

    Rasti i Lazerenkos ishte praktika më e mirë e lidhjes së korrupsionit me pastrimin e parave dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar. Në Dhjetor 1998 Lazarenko u arrestua nga policia zvicerane kur ai u përpoq të hynte në Zvicër me makinë, duke përdorur një pasaportë panameze me emrin Lopez. Në bazë të një kërkesë për ndihmë gjyqësore nga Ukraina, u lirua me kusht dhe u kthye në Ukrainë. Në 1999 Lazarenko iku në Shtetet e Bashkuara, pasi imuniteti i tij si një anëtar i Parlamentit të Ukrainës u hoq. Në Qershor 2000 Lazarenko u dënua në Zvicër për pastrim parash, pasi kishte depozituar në bankat zvicerane një shumë prej 72.000.000 USD të përfituara nga një kontratë e qeverisë ukrainase dhe më pas shumicën e këtyre parave të paligjshme e kishte bartur në Bahamas dhe Antiguas. Në Maj 2000 ai u akuzua në ShBA për mbi pesëdhjetë e tre akuza penale, duke përfshirë pastrimin e parave dhe përvetësim të shumës prej 114.000.000 $. Katër vite më vonë, më 4 Qershor 2004, një juri në SHBA e shpalli fajtor Lazarenkon për 29 akuza, duke përfshirë shpërdorim të pozicionit të tij politik për të zhvatur para dhe pastaj pastrimin e tyre nëpërmjet bankave në Kaliforni, përfshirë komplot për të pastruar paratë, mashtrimin dhe transportimin e pronave të vjedhura, etj., duke qenë të bindur në lidhje me një sasi prej 44.000.000 USD humbje për qeverinë e Ukrainës dhe të pastrimit të parave mbi 21.000.000 USD nëpërmjet sistemit bankar amerikan. Më 26 Gusht 2006, Lazarenko u dënua me nëntë vite burg dhe u gjobit 10.000.000 USD. Sfida për prokurorët e SHBA në rastin Lazarenko ishte për të provuar, se: a) pastrimi i parave, mashtrimi dhe transfertat e pasurive të vjedhura u bë në kundërshtim me ligjet amerikane; b) ato ishin para të fituara në mënyrë të paligjshme sipas ligjit të Ukrainës në fuqi në atë kohë.

    Me pasoja për efektivitetin e luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave është ndarja artificiale e tyre, ku agjencitë e zbatimit të ligjit kanë tendencë të përqendrohen shumë ngushtë në misionet e tyre. Kështu, agjencitë antikorrupsion merren vetëm me korrupsionin dhe nuk ndjekin pastrimin e parave, ndërsa organet e luftës kundër pastrimit të parave merren vetëm me pastrimin e parave dhe jo me korrupsionin. Korrupsioni, i ashtuquajtur i madh, përfshin lëvizjet ndërkombëtare të parave dhe pasurive. Pastrimi i parave përbën kërcënimin më të madh për zhvillimin ekonomik, stabilitetin politik dhe ushtrimin e qeverisjes përfaqësuese. Ato janë fenomene ndërkombëtare dhe si të tilla, çdo përgjigje adekuate në thelb duhet të bazohet në bashkëpunimin ndërkombëtar, në shkëmbimin e informacionit, të dëshmive dhe ekstradimin e të të dyshuarve. Konfiskimi i fondeve të vjedhura nga zyrtarët e korruptuar dhe të fshehur jashtë vendit është një nga qëllimet më të rëndësishme të asistencës ligjore reciproke.