Dr. Laurant Bica:Profesor Hasan Tahsini, “Nderi i Kombit për Diturinë dhe Arsimin”

    709
    Sigal

     INTERVISTA/ FLET Dr. Laurant Bica: Ata që kanë shpëtuar kombet janë vetëm dhe pikërisht mësuesit

    Për rektorin me origjinë çame Hasan Tahsini është shkruar shumë. Në shtator të vitit 1869, Hasan Tahsini u emërua në detyrën e një nëpunësi të lartë të shtetit osman, si rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Ai që në fillim u përpoq dhe në sajë të një pune të shumanshme e vendosi universitetin mbi themele shkencore. Puna e tij e madhe organizative, ligjëratat shkencore që mbajti, veprat që shkroi,bashkëpunëtoret që afroi në universitet, programet bazë që hartoi për këtë tempull të dijes si dhe plani i temave që do të mbaheshin gjatë pushimeve në konferenca diturie për studentët dhe qytetarët e thjeshtë,për të dhënë njohuritë e reja shkencore perëndimore janë dëshmia më e qartë e nivelit të tij.

    Si do ta përkufizonit me një fjalë thelbin e një njeriu si rilindësi Hasan Tahsini?

    Në qoftë se do të  jepnim me një fjalë thelbin e një njeriu si rilindësi Hasan Tahsini, atëherë do të thoshim se kjo është “Dituria”, ai ishte mishërim i dijeve. Pra, ai është një personalitet që si shprehet vetë: “E kërkoi diturinë kudo që ishte, prej djepit deri në varr”dhe kurrë nuk reshti për ta gjetur atë. Sipas Sami Frashërit: ‘Libri kurrë nuk i binte nga dora, vendi ku rrinte dhe shtrati ku flinte, ishin rrethuar me libra. Leximin i ndjeri e linte vetëm përkohësisht,atëherë kur do të mësonte të tjerët…… Fjalët e tij ishin leksion i një niveli  të lartë dhe bisedat e tij kishin thellësinë e një deti të dijes. Ai ishte një dijetar i një kalibri të madh dhe për të kishte vend fjala ALIM, si përdorej në Lindje  edhe fjala SAVANT në perëndim. Shqip ne do ta thoshim njeri i dijes, dituraki gjithanshëm, një enciklopedist, një erudit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, një ‘pus’ i dijeve dhe shkencave. Fjala dituri për këtë figurë të rilindjes sonë kombëtare përbën kuptimin e jetës së tij. Ai mblodhi dijet tërë jetën e tij dhe i shpërndau  pa kursim. Synimi i tij ishte arsimimi i popullit të vet. Ai ishte një iluminist, që për sa kohë i rrahu zemra, u përpoq të ndriçojë mendjet e njerëzve dhe sidomos të brezit të ri. Ai ishte dhe mbeti një personalitet i përmasave tepër të mëdha në rang perandorie dhe për krejt kombin e vet. Dimensionet e tij ishin europiane e pse jo edhe botërore.

    Natyrisht të merresh me një rilindës si Hasan Tahsini në dy drejtime si për diturinë dhe arsimin, kjo do të shkonte gjatë…

     Në kuadrin e një interviste të thjeshtë ne u kufizuam të ndriçojmë disa nga problemet dhe idetë që ai ngre në një moment kulmor të jetës së vet, pikërisht në fjalimin e shkurtër që ai mbajti në çeljen e universitetit të parë osman në Stamboll, fjalim ky i panjohur deri më sot. Ky moment si rektor i universitetit të një perandorie të tërë shënon apogjeun e tij si personalitet. Më pas fillon dekada kur ai u godit nga qarqet e errësirës së sulltanatit osman, pra ka të bëjë me tragjedinë intelektuale të tij.

    Hasan Tahsini sikurse të gjithë rilindësit e tjerë me anën e arsimit donin të zgjonin                                                                                                               popujt e perandorisë në përgjithësi. Kurse përsa i përket rilindësve shqiptare dëshironin, duke i mësuar gjuhën shqipe, të shpejtonin zgjimin kombëtar, ngritjen e ndërgjegjes politike, ndjenjën etnike, lartësimin kulturor dhe aftësimin e tij për jetën shtetërore të pavarur. Meqenëse Porta e Larte ju kundërvu hapjes së shkollave shqipe, u bë pjesë e pandarë e luftës për çlirimin kombëtar. Dihet se rilindësit tanë, përfshi, edhe Hasan Tahsinin s’i ndërprenë kurrë përpjekjet e tyre në fushën e arsimit si në rang perandorie ashtu edhe në nivel kombëtar. Pas dështimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit rilindësit zgjodhën fushën e arsimit dhe të diturisë, si rrugën që do të siguronte arritjen e pavarësisë kombëtare. Me të drejtë Mustafa Qemal Ataturku ka thënë: “Ata që kanë shpëtuar kombet janë vetëm dhe pikërisht mësuesit”.

     

    Sipas kësaj sentence si do ta cilësonit veprën e Hasan Tasinit?

    Edhe Hasan Tahsini në tërë veprimtarinë e tij u bë një ideolog i popullit të vet, një mësuesi tij, që i ndriçoi rrugën drejt emancipimit të tij kombëtar e shpirtëror. Me arsimimin e kombit të vet rilindësit tanë, me në krye Prof. Hasan Tahsinin dhe Frashërllinjtë, synonin disa qëllime kryesore: të krijonin njerëz të mirë, qytetarë të mirë, profesionistë të mirë, por edhe atdhetare të mirë. Ata synonin pavarësimin e kombit shqiptar dhe ndërtimin e një demokracie të re shtetërore si mjet, që do ta çonte atë drejt progresit. Sytë e tyre ishin drejtuar nga Perëndimi, ku ishin majat e përparimit dhe fjalimi  i Hasan Tahsinit në universitet është edhe një dëshmi e këtij këndvështrimi të tyre. Mendja dhe zemra e tyre punonin për Shqipërinë për përparimin e saj, të popullit të saj, bij të të cilit ishin edhe ata vetë.

    Personaliteti i Hasan Tahsinit merr vlerë për faktin, se kulturën dhe diturinë e tij të gjerë e vuri në shërbim të atdheut dhe të njerëzimit…?

    Në shtator të vitit 1869 Hasan Tahsini u emërua në detyrën e një nëpunësi të lartë të shtetit osman, si rektor i parë i Universitetit të Stambollit. Ai që në fillim u përpoq dhe në sajë të një pune të shumanshme e vendosi universitetin mbi themele shkencore. Puna e tij e madhe organizative, ligjëratat shkencore që mbajti, veprat që shkroi, bashkëpunëtoret që afroi në universitet, programet bazë që hartoi për këtë tempull të dijes si dhe plani i temave që do të mbaheshin gjatë pushimeve në konferenca diturie për studentët dhe qytetarët e thjeshtë,për të dhënë njohuritë e reja shkencore perëndimore janë dëshmia më e qartë e nivelit të tij. Ai ishte një drejtues i aftë, një punëtor i palodhur, një përhapës i njohurive shkencore. Si autori veprave shkencore, letrare, përkthyes e publicist, ai u shqua për vëllimin e madh të botimeve, larminë tematike, thellësinë e njohurive dhe karakterin funksional të tyre.

    A ke qenë në medresenë e Hoxha Tahsinit?

    Kam qenë me dhjetëra herë në medresenë e Hoxha Tahsinit që është edhe sot në këmbë si një librari e Ministrisë së Arsimit të Turqisë. Kam qenë edhe në godinën ku u çel universiteti i parë osman. Madje, kam shkelur edhe në ballkonin, ku mbajti fjalimin e tij  ‘i përndritshmi’ Hoxha Tahsin Efendiu. Prej andej duket si në pëllëmbë të dorës Xhamia e Qypryllinjve të mëdhenj, biblioteka e ngritur prej tyre, varret e tyre, një pjesë e bashkisë të Eminonusë, që dikur ka qenë bashki e Stambollit dhe aty janë zhvilluar mësime universitare. Diku aty prapa godinës së Universitetit Osman, që sot është Muzeu i Shtypit, në Nuriosmanije, është ish- Konaku i Munif Pashës, një sallon dijeje ku takoheshin dijetarë të Lindjes dhe të Perëndimit përfshirë këtu edhe Hoxha Tahsinin. Në vitet ‘50, ‘60, ‘70 të shekullit XIX, aty mblidheshin një pjesë e elitës osmane dhe diskutonin problemet e kohës, të dijes, të shkencës dhe të përparimit material e mendor. Kam shkuar këto 20 vitet e fundit në Universitetin e Stambollit sidomos në atë që quhet Fakulteti i Letërsisë (Edebiyat Fakultesi).S’kishte gëzim e kënaqësi më të madhe për mua kur pas rreth 150 vitesh nga data e çeljes së universitetit të parë osman në Stamboll unë dorëzoja në departamentin e historisë së shkencës në bibliotekën e tij tek shefja e tij profesoresha Feza Gynergyn 3 vëllime për Hoxha Hasan Tahsinin me rreth 2000 faqe. Ishte njëkohësisht edhe një homazh për këtë personalitet të madh të letrave, sa të kombit shqiptar aq edhe të kombit turk

    Thuhet se s’ka enciklopedi turke që të mos i kushtojë qoftë edhe disa rreshta këtij kolosi të arsimit

    Stambolli është qyteti i tretë apo i katërt në botë për nga popullsia pas Nju Jorkut, Tokios, Meksikos. Me të 20 milionët e vet ai është qyteti më i madh i Europës sot. Faqja e tij që nga koha e Hoxha Tahsinit ka ndërruar krejt dhe tani nuk është qyteti i ngritur mbi 7 kodra, por mbi 70 kodra dhe i mbi 77 miletëve. Aty takohen Veriu me Jugun dhe Perëndimi me Lindjen. Me një ekip filmik në këtë fillim maji xhiruam edhe godinën e universitetit Osman ku mbajti fjalimin Hoxha Tahsini, edhe medresenë, ku ai kaloi dhjetë vitet e fundit të jetës edhe rrugën Hoxha Tahsin në një rajon të tij që quhet Karakoj. Medreseja e tij duke qenë pranë ish- godinës së qeverisë osmane ‘Babi Ali’ pra Portës së Lartë siç njihet ndryshe në histori dhe sot godina ku rri valiu i vilajetit të Stambollit, çuditërisht i ka shpëtuar stuhisë së kohës e pa prekur. N’atë medrese të famshme, që si godinë po i mbush 2 shekuj e gjysmë, i kaloi vitet e fundit të jetës Hoxha Tahsini i persekutuar i përbuzur dhe i përndjekur nga qarqet fanatike konservatore dhe masat injorante të popullit që i vunë damkën e “gjaurit”- “heretikut”.

    Mos vallë kështu ka ndodhur dhe me Hasan Tahsinin tonë?

    Kështu ka ndodhur me pishtarët e arsimit kudo në botë si në të kaluarën e afërt dhe atë më të largët. Kështu ndodhi edhe me Hasan Tahsinin tonë. “Njerëz të tillë të përkushtuar dhe të vendosur iu kundërvunë çdo vështirësie pa u ndrojtur nga tmerri   i despotizmit”.-  Shkruan një gazetar turk në vitet ‘50 të shekullit 20 “Ata nuk ishin njerëz me fuqi magjike. Këta të panjohur ishin heronjtë e arsimit. Ndërsa tirania ekzekutonte të diturit, ata orvateshin të zhvillonin talentet. Këto kujtime, këto gjurmë, këto mendime janë drita të lara me ar në fletët e errëta të despotizmit.

    Kush ishin këta njerëz të pamposhtur dhe të palodhur?

     Shkëndijat që ndezën ata në shkolla një ditë u bënë furtunë, e cila u përplas në fytyrën e pa të ardhme të tiranisë. Disa emra nga këto personalitete të larta të asaj periudhe. Këta njerëz të nderuar mbollën farën e luleve të lirisë dhe i sollën popullit qytetërim dhe begati. Ja disa prej tyre: Selim Sabit, Ahmet Mithat, Ebuzija Tevfik, Namik Kemal, Mynif Pasha, Abdurrahman Sheref, Tevfik Pasha Vidinli, Hoxha Tahsin Efendi, Salih Zeki, Tevfik Fikret, Tevfik Danish, Ismail Safa, Ajshe Sidika (gruaja e Riza Tefikut) etj… Pedagogët e universiteteve dhe mësuesit e shkollave i morën përdore bijtë e popullit dhe i ngjitën në shkallët e lirisë dhe revolucionit. Ndërsa vendi rropatej për të mbijetuar dhe lëngonte nën torturat e despotizmit, njerëz të tillë të mëdhenj ecën përpara me vendosmëri dhe vetëmohim në rrugën e dijes dhe të progresit dhe duke kapur përdore të gjithë brezin e ri e çuan drejt majave të së vërtetës dhe të qytetërimit”.

    Por le të ndalemi në tre prej këtyre martirëve të mëdhenj të arsimit perandorak dhe shqiptar…

    Hasan Tahsini krijoi tekstin e parë të psikologjisë në sulltanatin osman. Me të drejtë gazetari turk që cituam pak më parë shkruan duke patur parasysh psikologjinë e Hoxha Tahsinit: “Shkroi një libër leximi shkencor për shkollat fillore dhe të mesme. Deri në atë kohë nuk kishte dalë ndonjë që të shkruante një libër kaq të bukur. Me fjalë të tjera, kjo ishte vepra e parë e tij që të tërhiqte vëmendjen. Hasani në një kohë kur psikologjia edhe si shkencë që në fillimet e veta në Perëndim bënte një punë pionieri, duke e futur edhe në Lindje. Meritat e tij në këtë drejtim janë të padiskutueshme para shkencës, arsimit, kulturës. Figura e dytë që meriton vëmendje të veçantë është gruaja e shqiptarit filozof Riza Tefik me origjinë nga Dibra, e quajtura profesoreshë Ajshe Sidika, e cila ka shkruar tekstin e parë të pedagogjisë në perandorinë osmane. Ajo është dekoruar nga vetë sulltani i kohës. Ka qenë një nga gratë më inteligjente. Hasan Tahsini s’ka qenë ndër të gjallët, por me siguri në ceremoninë e dhënies së një medaljeje të veçantë me siguri kanë qenë dy miq të tij. Veterani i arsimit dhe shoku i Parisit i Tahsinit Selim Sabiti dhe ndoshta vetë Naim Frashëri, që ishte në atë kohë (d.m.th në fillim të viteve 90 të shekullit XIX) zëvendësministër i Arsimit. Edhe zonja Ajshe Sidika që ka qenë ndër gratë më të kulturuara të elitës osmane të fund shekullit XiX nuk është pa rrënjë shqiptare. Personi i tretë është vetë Selim Sabiti. Meritat e tij në fushën e arsimit janë të jashtëzakonshme. Gazetari i sipërpërmendur jo vetëm që e vë Selim Sabitin në krye të listës së njerëzve që vuajtën nga despotizmi, por njëkohësisht thekson se janë shumë të paktë ata nga brezi   i kaluar që nuk kanë përfituar nga librat e tij.            Në çdo kapak e faqe të parë të librave që na binin në dorë në shkollat  fillore dhe të mesme, ishte shkruar “Vepër e Selim Sabitit” . Selim Sabiti ishte personi që hartonte dhe vendoste në muret e shkollave hartat e punuara me qëndismat dhe lulet e shkencës. Selim Sabit Efendiu vendosi parimet e mësimdhënies në shkolla. Askush si ai nuk ka kontribuar për modernizimin e shkollave fillore dhe të mesme. Selim Sabit Efendiu ishte nder personalitetet e parë më të rëndësishëm të Reshit Pashës (kryeministër osman) të universitetit dhëndër shkencëtarët më të zellshëm të Këshillit të Arsimit. Selim Sabiti u mësonte mësuesve se mësimdhënia dhe edukimi  janë në varësi të metodave shkencore”.

    Me kë do ta krahasoje Hasan Tahsinin?

    Hasan Tahsini është nga ata heronj të mendimit, që ngjet si dy pika uji me dijetarët arabë të mesjetës si dhe me dijetarët dhe filozofët iluministë francezë të shekullit 18- 19. Sa për të ilustruar këtë po bëjmë një krahasim me një dijetar të famshëm të mesjetës arabe. Ebu Hanifeja (699-767)  themelues edhe i një shkolle juridike në Bagdad me emrin e tij. Dihet që Hoxha Tahsini ka qenë doktor në jurisprudencën islame dhe me dy doktorata të tjera në Paris në shkencat fizike dhe natyrore. Bashkëkohësit për Ebu Hanifenë kanë thënë: “Sikur të matej dituria e tij me diturinë e gjithë bashkëkohësve të tij, do të peshonte më shumë dituria e Ebu Hanifesë”. Kjo vlen edhe për Hoxha Tahsinin me rilindësit e tjerë shqiptarë dhe osmanë.  Peshorja  po të viheshin në kandar do të anonte nga rilindësi Tahsin. Është e njohur thënia e Ebu Hanifesë: “Nuk dëshiroj të vdesë dituria” dhe moment i dytë i ngjashmërisë nga jeta e këtyre të dyve siç mësojmë nga libri i Prof. Dr. Hajrullah Koliqit, “Kur perëndia identifikohej me diturinë” Prishtinë 2011 ka të bëjë me atë që Ebu Hanifeja gjithë jetën e kaloi duke mësuar vehten dhe nxënësit e tij thuhet se ai  u shqua edhe për një thesar idesh dhe këshillash pedagogjike. Mësimdhënia e tij ishte më shumë studim se ligjërim. Sami Frashëri shkurt e qartë thotë për Tahsinin: “Leximin i ndjeri e linte vetëm përkohësisht, atëherë kur do të mësonte të tjerët”.

    Po Sami Frashëri si e ka cilësuar Hasan Tahsinin?

    Duke bërë këtë krahasim me dijetarë të mëdhenj të mesjetës arabe nuk mund të mos na kujtohet cilësimi i Sami Frashërit që e quan Tahsinin tonë një Ibn-Sina shqiptar. Veç të tjerash, Hasan Tahsini në fushën e diturisë ngjet me dy filozofët e famshëm dhe figurat qëndrore të Kalifatit arab me Ibn Ruzhdiun në perëndim dhe Ibn Sinën në lindje sidomos për qëndrimin që u mbajt ndaj veprës së tyre. Kështu vepra e Hasan Tahsinit u denigrua dhe u la në harresë për dekada të tëra. Edhe në qoftë se diçka lëvizi nga kjo i takon jointeresimit shtetëror, por dashamirësve të tij dhe të veprës së tij. Njësoj u veprua pas vdekjes së Ibn Sinajt dhe TeIbn Ruzhdiut. Ata u shpallën ‘mëkatarë’ në të gjallë të tyre e aq më tepër pas vdekjes dhe ajo që e pësoi më tepër ishte vepra e tyre. Sipas H. Koliqit, mësimet filozofike të Ruzhdiut për kohën ishin shumë të avancuara, ndaj dhe ato fillimisht i dënoi Universiteti i Parisit (1240) dhe papa Leon (1519). Enciklopedia e madhe filozofike (logjike, fizike, metafizike) e Ibn Sines me titull “ESH SHiFA”në 18 vëllime me urdhrin e kalifit të kohës u dogj publikisht në Bagdad pas vdekjes së tij me 1160. Pra qoftë  Avicena qoftë Averroesi të dy filozofë e shkencëtarë të shquar kanë pasur pak a shumë fat të njëjtë me veprën e tyre me dijetarin, filozofin e shkencëtarin Hoxha Hasan Tahsini.