Dr. Islam Cani/ Ju tregoj ligjet që nuk zbatohen prej 20 vitesh

    1281
    Sigal

    Shoqata e Konsumatorëve Shqiptarë shpreh shqetësimin e qytetarëve për moszbatimin e ligjeve

    Ligjet në vendin tonë që prej 20 vjetësh kanë marrë përshtatjen dhe formën e plotë të ligjeve sikurse janë në Europë dhe në botë. Kjo e gëzon konsumatorin shqiptar, sepse kur përmendim ligje, nënkuptojmë se çdo gjë bëhet formale e cila mbron individin, grupe shoqërore, biznese, ndaj padrejtësive dhe informaliteteve. Kështu mendojnë shumica e qytetarëve, sepse për zbatimin e tyre janë krijuar institucione dhe aparate shtetërore për të zbatuar ligjin pa asnjë dallim. Por jo gjithmonë ndodh kështu, sipas gjykimit të konsumatorëve, pasi problematika ndodhet në zbatimin e ligjeve. Prandaj, ata që kërkojnë zbatimin e tij, nënkuptohet se janë individët më të përgatitur, më të ndërgjegjshmit dhe ata që i njohin më mirë përgjegjësitë që ato kanë, kur një ligj bëhet dhe nuk mbron të tjerët, ose kur bëhen ligje dhe nuk vihen në jetë për zbatim. Këto më mirë të mos ishin bërë, sepse qytetarët e humbasin besimin ndaj organeve zbatuese. Pra, në këto raste lindin të menduarit keq, u bie ndërmend se bëhen lëshime, bëhet një vesh shurdh dhe një sy qorr, mund të merren ryshfete e forma të tjera korruptive. Shpesh herë këta njerëz të pakënaqur manipulohen nga politika, duke krijuar sherre e deri në konflikte. Ligje të tilla që u japin të drejta përfituese qytetarëve nuk zbatohen, ose kur ngrihet problem  marrim heshtjen e organeve përkatëse. Ja t’i referohemi më konkretisht disa ligjeve duke dhënë fakte që ato ose nuk janë vënë në jetë, ose nuk zbatohen nga vetë sektori shtetëror.

    •           Ligji nr. 9929, datë 9.6.2008 i ndryshuar, “Për Gjendjen Civile”, Neni 34/1  “Regjistrimi i lindjes”, ku nënat nuk  marrin shpërblimin prej 5000 mijë lekësh.

    •           Ligji për “Taksat e drejtpërdrejta”; Ligjet për invalidët, veteranët dhe të papunët i mënjanojnë këto shtresa nga taksat e drejtpërdrejta, por në fakt zbatimi bëhet tërthorazi, sepse pagesat ua marrin nëpërmjet faturave të energjisë.

    •           Ligji Antiduhan (i cili mbron shëndetin e qytetarëve), por nuk zbatohet. Ndonëse po bën disa vite që është miratuar, ai nuk funksionon. Kush nuk ka folur për këtë ligj, ministra e zëvendës ministra, drejtorë dhe inspektorë, por nuk ka një rast që të jenë marrë masa për shkeljen e këtij ligji, masa ndaluese apo ndëshkuese.

    •           Ligji për Rimbursimin e Barnave Mjekësore, i cili shpesh herë pëson ndryshime, si për shembull rritja e çmimit të barnave mjekësore, TVSH-ja e vendosur në mënyrë arbitrare, mungesa e emrave të barnave të duhura dhe zëvendësimi i tyre me të tjera më pak efektive për të sëmurët.

    •           Ligji i Ndihmës Ekonomike, ku vihet re se një numër i madh familjesh në nevojë nuk e përfitojnë masën e shpërblimit, apo të tjerë që e përfitojnë me pa të drejtë, apo mosdhënia në kohë e kësaj ndihme për qytetarët.

    •           Ligji i Sigurimeve Shoqërore për Rillogaritjen e Pensioneve të Pleqërisë, sipas VKM-ve të dala. Janë me dhjetëra pensionistë që kanë bërë ankesa për rillogaritjen e pensioneve, ndonëse u kanë dhënë të drejtë, ata nuk e marrin masën shtesë dhe për çudinë e qytetarëve nuk u ndëshkua një individ apo përgjegjës për këto shkelje ligjore.

    •           Ligji për Sigurimet Shoqërore suplementare të ushtarakëve. Edhe pse ushtarakët kanë fituar gjyqe apo kanë protestuar, asnjëherë e drejta nuk ka qenë me to.

    •           Ligji për Statusin e Invalidit të Punës, nr.8052, datë 21.12.1995, Ligji nr.9143, datë 16.10.2003. Shpesh, edhe pse ata kanë të drejta të ligjëruara, ato nuk zbatohen, duke marrë shkas, përmendim vonesat në dhënien e pagesës PAK, apo dhe përfitimi i kësaj pagese i njerëzve që nuk e meritojnë, por që janë favorizuar nga komisionet e ngritura për këtë problem (KEMP-et).

    •           Ligji për Statusin e Fëmijëve Jetimë. Ligji është shumë evaziv, përsa i përket masës së pagesës dhe komisionet, shpesh herë, janë të padrejtë dhe abuziv, në këtë drejtim duke penalizuar këtë shtresë të goditur nga jeta, për shkak të mungesës së një prindi apo në rastin më të keq, të të dyve.

    •           Ligji për të drejtën e Kompensimit të Fermerëve. Ndonëse citohet në ligj që fermerët të stimulohen dhe të favorizohen me naftë dhe plehra kimike, asgjë në zbatim. Kjo gjë i bën të pakënaqur fermerët.

    •           Ligji i hidro-termoizolimit të banesave. Megjithëse në kontrata shënohet se do të realizohet në banesë hidro/termoizolimi, në përfundim të banesës, konsumatori nuk e gëzon këtë të drejtë.

    Të gjitha këto ligje në një formë, apo në një tjetër dëmtojnë konsumatorin, duke mos u zbatuar.   Kemi te drejta te ligjëruara dhe të sanksionuara, por që jo të gjithë i gëzojnë të drejtat që përshkruhen në ligj ose bëhen dallime në zbatim të tyre, apo heshtet ndaj këtyre të drejtave që duhet t’i gëzojnë të gjithë!