Dr. Fabian Zhilla: “Ballafaqimi çdo ditë i 47 % të intervistuarve me ngacmimet on-line, shumë shqetësues”

    514
    Sigal

    Flet dr. Fabian Zhilla, pedagog në IKT: Studimi i World Vision vë alarmin për numrin shumë të lartë të fëmijëve që shohin pornografi

    Studimi “Siguria e fëmijëve online”, i kryer nga World Vision Albania ka qenë në fokus të intervistës me dr. Fabian Zhilla, pedagog në Institutin Kanadez të Teknologjisë, njëherësh dhe pjesë e këtij studimi. Perceptimi i fëmijëve porsa i përket ngacmimeve on-line, roli i shoqërisë në shtyrjen e fëmijëve drejt faqeve pornografike, mungesa e komunikimit midis fëmijëve, mësuesve dhe prindërve dhe ndrojtja e tyre për t’iu drejtuar të rriturve për ndihmë, mungesa e besimit dhe te punonjësit e policisë si dhe masat që duhen ndërmarrë si nga ana legjislative ashtu dhe nga politikëbërja janë shqetësimet e trajtuara në këtë intervistë.

     Shifrat e dala nga ky studim janë të frikshme, sidomos në perceptimin e prindërve, por dhe në atë social. Po vetë fëmijët e intervistuar (pyetur) si e perceptonin këtë situatë?

     Më lejoni ta filloj me një fakt shumë të rëndësishëm që lidhet me rolin e shoqërisë civile në një problematikë kaq të rëndësishme siç është  dhe mbrojtja e fëmijëve nga rreziqet e përdorimit të internetit. Ky studim i kryer nga “World Vision Albania” është i pari në llojin e vet. Janë anketuar rreth 900 fëmijë në të gjithë vendin të moshës 13-17 vjeç. Një element tjetër i rëndësishëm i këtij studimi është pjesëmarrja aktive e vetë fëmijëve, jo vetëm në mbledhjen e të dhënave, por dhe në konsultimin e pyetjeve që janë përdorur në pyetësorë. Në këtë studim ka pasur një angazhim të plotë të stafit të “World Vision” në të gjithë vendin dhe janë seleksionuar si bashkëpunëtor individë të specializuar në fushën e kriminologjisë, psikologjisë dhe statistikave. Nga pikëpamja metodologjike janë ndjekur të gjitha hapat e punimeve të ngjashme, të cilat janë kryer në SHBA dhe Britaninë e Madhe. Për t’iu kthyer pyetjes më sipër, nga eksperienca jonë në teren me fëmijët, situata shikohej me shqetësim. Dhe kur them situata këtu, kam parasysh ekspozimin e fëmijëve ndaj rrisqeve që lidhen me përdorimin e internetit. Për këtë arsye angazhimi i tyre në grupet e punës ishte maksimal dhe mjaft serioz. Në diskutimet që ne patëm me ta, ajo që vihej re, ishte lirshmëria e tyre për të evidentuar problemin. Ndërmjet tyre ndjehej një shqetësim i përgjithshëm, por kur ata lexonin pyetjet, ky shqetësim bëhej edhe me i dukshëm. Kjo, pasi vetë pyetjet u mundësonin atyre një konfigurim më të qartë të situatës dhe një shprehje më të plotë të problematikës.

     Sa ndikon shoqëria në tërheqjen e fëmijëve drejt faqeve pornografike?

     Janë rreth 44% e të intervistuarve që pranojnë se shikojnë materiale pornografike çdo ditë. Shoqëria, padyshim, ka rolin e saj dhe kjo lidhet me shumë faktorë. Duke filluar me atë se çfarë shoqëria jonë përcakton si “mbrojtje të moralit publik” dhe kufijtë e saj në lidhje me lirinë e shprehjes. Kujtoj këtu që Shqipëria ende nuk ka një nen të posaçëm në legjislacion e saj në lidhje me atë se çfarë konstituohet si morali publik. Sot në Bashkimin Europian (BE) ka një debat në lidhje me barazinë midis mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes se moralit publik. Dhe kjo dilemë për t’u zgjidhur u është lënë shteteve anëtare për të mos cenuar zakonet dhe kulturën e gjithsecilit prej tyre. Një faktor tjetër është marketimi i pakontrolluar i produkteve të të gjitha llojeve që kanë lidhje direkte apo indirekte me fëmijët. Sot shikon reklama si në media, por dhe në rrugë “citylights”, të cilat nuk dallojnë shumë nga pamje që mund të shihen në revista apo kanalet televizive erotike. Edhe vetë emisionet që lidhen drejtpërsëdrejti me fëmijët kanë po të njëjtin problem. Fëmijët aktrojnë, këndojnë, vishen duke imituar të rritur, pa konsideruar minimalisht efektet negative që këto programe kanë tek edukimi i fëmijëve. Sot jemi të rrethuar nga një kulturë e mbipopulluar erotike në publik. Këto reklama dhe programe janë të gjithë simulantë negativë që shtyjnë fëmijët të frekuentojnë më pas website me materiale pornografike. Apo mbase të bien pre e pedofilëve në internet që i përdorin në mënyrë mjaft inteligjente këto materiale për t’u lidhur me fëmijët.  Nuk është për t’u çuditur që rreth 68% e fëmijëve të anketuar cilësonin se ata ekspozohen me materiale pornografike, edhe kur ata nuk kanë dëshirë në vende apo në pika që ofrojnë wireless internet.

     Sa të rrezikuar janë fëmijët nga ngacmimet on-line dhe si u përgjigjeshin ata (të intervistuarit)  këtyre ngacmimeve? A e perceptonin si duhet ngacmimin?

     Fëmijët ndiheshin relativisht të rrezikuar nga ngacmimet on-line. Dhe ata në përgjithësi kishin një ide të qartë mbi format e ngacmimit nëpërmjet internetit. Fëmijët ndiheshin mjaft të shqetësuar në lidhje sidomos me bulëzimin, por dhe me përmbajtjen e mënyrave ngacmuese on-line. Rreth 47 % e të intervistuarve cilësonin se ata ballafaqoheshin gati çdo ditë me ngacmimet nëpërmjet internetit. Dhe kjo është mjaft shqetësuese, pasi ndikon mjaft negativisht në psikologjinë e fëmijëve.

     Pse e kanë të vështirë fëmijët t’u drejtohen për ndihmë të rriturve; mësuesve, prindërve, gjyshërve…?

    Duhet cilësuar një fakt shumë i rëndësishëm. Shumica e të intervistuarve e përdorin internetin larg mbikëqyrjes së prindërve dhe mësuesve. Një masë e konsiderueshme e fëmijëve (rreth 84%) përdorin internetin nga shtëpitë e tyre, por 62% e tyre e kane kompjuterin në dhomën personale. Nga ana tjetër, në të njëjtën përqindje të lartë (84%) e përdornin internetin nga shtëpia e shokut, qendrat e internetit (78%) dhe nga vende publike që ofrojnë wirless (66%). Në të tre rastet e fundit numri i frekuentuesve ishte më i lartë se ai në BE. Kjo tregon se ka një mungesë komunikimi midis prindërve, mësuesve dhe fëmijëve. Ajo që është më shqetësuese është mungesa e besimit që kanë fëmijët tek mësuesit dhe organet e rendit për të denoncuar. Mbase kjo lidhet me mungesën e kulturës së komunikimit që në përgjithësi është problematike në vendin tonë.

     Çfarë masash duhet të ndërmarrin prindërit për të rritur sigurinë e fëmijëve të tyre, po institucionet arsimore?

    Së pari, prindërit duhet të sigurojnë që interneti apo të gjitha pajisjet (celular, Ipad, tablet, PC dhe laptop) të jenë të pajisur me një software që quhet “kontrolli prindëror” (parental control).  Prindërit duhet të marrin sa më shumë informacion në lidhje me rreziqet që sjell ekspozimi i pakontrolluar i fëmijëve on-line. Sot disa nga kompanitë më të mëdha celulare ofrojnë informacion në websitet e tyre. Së dyti, kompjuterët kryesor në shtëpi duhet të vendosen në dhoma të cilat aksesohen nga të gjithë anëtaret e familjes. Së treti, por mbase e para nga rëndësia, prindërit duhet të kenë një komunikim të hapur më fëmijët dhe t’i ndërgjegjësojnë ata për rreziqet gati të pakthyeshme që mund të vijnë nga interneti.

     A kemi politika adekuate për mbrojtjen e fëmijëve tanë nga faqet on-line të internetit?

     Sigurisht, janë marrë disa politika nga institucionet publike apo dhe nga vetë operatorët. Por siç studimi tregon, ato janë të pamjaftueshme. Duhet bërë më shumë sidomos në fushën e ofrimit të filtrave, software-ve special, por mbi të gjitha në rritjen e sensibilizimit të shoqërisë. Një hap i rëndësishëm do të ishte futja në programet mësimorë të të gjitha niveleve (sot është vetëm në sistemin parauniversitar), përfshi kopshtet, gjimnazet, dhe universitetet. Për shembull në Institutin Kanadez të Teknologjisë (CIT), pedagog në të cilin unë jam, në përpiqemi që t’u bëjmë një sensibilizim të studentëve të informatikës në lidhje me këtë problematikë. Si inxhinierë të ardhshëm, ata studentë do të luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e rreziqeve dhe mbrojtjen e kategorive vulnerabil, siç janë fëmijët nga përdorimi i internetit.

     Çfarë masash duhet të ndërmerren për këtë qëllim, qoftë me politikëbërjen apo legjislacionin?

    Ky studim ka dhënë një numër të konsiderueshëm sugjerimesh të cilat fillojnë që nga ato që kanë të bëjnë më sensibilizimin, por dhe propozime konkrete që shkojnë deri tek ndryshimet e ligjeve përkatëse. Janë propozuar ndryshime dhe amendime në të paktën 6 ligje. Janë sugjeruar gjithashtu dhe rritje kompetencash të institucioneve publike që merren me mbikëqyrjen e veprimtarisë së operatorëve që ofrojnë internet dhe shërbime nëpërmjet internetit. Gjithashtu janë propozuar paketa sigurie, në bashkëpunim me ISP-të, krijimin e një qosheje të posaçme për fëmijët brenda internet kafeve, ku kompjuterët të kenë filtrin mbrojtës si dhe vendosja e pajisjeve gjurmuese të pamjeve të papërshtatshme që duhet të vendosin në rrjetin e tyre po ISP, etj. Këto sugjerime u pritën shumë mirë nga ministritë përkatëse, por dhe nga përfaqësues të Këshillit të Europës dhe Delegacionit të BE-së. Ka pasur një gatishmëri nga Ministria e Arsimit dhe Sportit si dhe nga Ministria e Shtetit për Inovacion. Megjithatë, na ngelet të presim për të parë kohën dhe shkallën e implementimit të këtyre sugjerimeve.

      Studimi

    62% e fëmijëve kanë një kompjuter në dhomën e tyre të gjumit

    45% e të pyeturve shikojnë në mënyrë të paqëllimshme materiale pornografike gjatë përdorimit të internetit

    44% e të pyeturve shohin materiale pornografike çdo ditë

    47% e fëmijëve të intervistuar pranojnë që janë kontaktuar on-line nga një individ i panjohur

    62% e fëmijëve të intervistuar konfirmuan që kanë shokë të cilët vizitojnë faqe pornografike

    40% e fëmijëve të intervistuar ishin kontaktuar nga persona të huaj

    68% e fëmijëve konfirmojnë ekzistencën e vendndodhjeve, kompjuterave, ose ekraneve që shfaqin materiale pornografike pa dëshirën e tyre.

    32% e fëmijëve të intervistuar konfirmuan që nëse do të lëndoheshin online, më

    pak të mundshmit për t’iu kërkuar ndihmë do të ishin mësuesit

    27% e fëmijëve nuk e konsiderojnë policinë si një institucion për ndihmë