Dr. Esilda LUKU/Fortesa e Beratit ndodhej në duart e grekut Kostantin dhe të shqiptarëve

    429
    Sigal

    Shënimet e kronikanit të shquar turk Evliha Celebi ku përshkruhet udhëtimi i tij në vise të banuara nga shqiptarët dhe në veçanti në qytetin e Beratit

    Arkitektura e fortesës. Është ndërtuar në formën e një shandani në majën e një kodre të pjerrët dhe të zhveshur që shtrihet në drejtimin veri-jug. Ajo duket e fuqishme dhe madhështore, një fortesë e qëndrueshme e ndërtuar me gurë të lëmuar dhe të prerë në formë kallëpesh të mëdhenj.

    Edhe pse ajo ngrihet në zemër të qytetit, nuk është ruajtur mirë dhe vende-vende, të bihen në sy muret e saj të dëmtuar.

    Periferia e gjithë murit rrethues të kështjellës është 2600 hapa të mëdha. Ka katër porta të forta  dhe të qëndrueshme. E para, në faqen veriore, quhet Porta e Madhe. Prej andej, largësia deri në pazar është 1000 hapa. Kjo Portë, ka tre hyrje të mëdha, të cilat janë larg njëra-tjetrës, në një distancë prej 100 hapash secila. Dy nga këto hyrje janë me pamje nga veriu dhe e treta është hyrja e brendshme e kalasë, në drejtim të lindjes. Gurët e themeleve të portës janë të mëdhenj sa trupi i një elefanti. Të tillë gurë mund të gjenden vetëm në Hebron pranë Jerusalemit dhe në fortesën e Benderit pranë brigjeve të lumit Dniestër. Porta e dytë, poshtë një manastiri të heshtur, është me pamje nga ana perëndimore dhe komunikon me një rrugë që zbret përballë xhamisë së re të ndërtuar nga Hysen Pashai, në lagjen Murat Çelepia. Porta e tretë është me pamje nga lindja, midis lagjeve, është e vogël, paksa e fshehur dhe jo shumë e përdorshme.

    -Arkitektura e Akropolit.-Është një kështjellë e vogël, shumë e bukur, brenda fortesës kryesore. Është e ndërtuar me gurë dhe ka një perimetër prej 800 këmbësh. Njëra qoshe e saj mbështetet  në murin perëndimor të fortesës. Ka dy porta. Njëra, me dalje nga lindja, përballë pjesës së brendshme të fortesës. Tjetra, me dalje nga perëndimi që të shpie poshtë, jashtë fortesës, në lagjen e Çelepisë. Në anën jugore të Kalasë është lagjja e quajtur “Shkëmbi i Çekebenit”, [Çekebeni, nga turqishtja ‘më ngri lart’] një kreshtë shkëmbore e frikshme që ngrihet lart në hapësirë dhe ku kanë foletë e tyre vetëm shqiponjat, skifterët dhe shpendë të tjerë. Faqja shkëmbore është aq e pjerrët sa që askush nuk guxon të shohë poshtë. Arsyeja, përse lagjja e “Shkëmbit të Çekebenit” ka marrë këtë emër, është: ‘…Pas pushtimit të Beratit, të pafetë e mallkuar, e ngritën përsëri rrethimin e tyre përreth kështjellës, dhe, ushtria turke, e mbetur brenda mureve, nuk ishte në gjendje të lajmëronte Sulltanin. Më në fund, një ushtar i guximshëm, duke e marrë parasysh rrezikun, zbriti me litar nga ana e faqes shkëmbore të kalasë. Kaloi me not lumin, që rridhte përgjatë luginës, poshtë kështjellës, dhe, duke marrë rrugën që të çonte në Edrene, mundi të arrijë atje dhe të informojë Sulltanin për situatën e krijuar në kështjellën e rrethuar nga armiqtë. I shpërblyer nga Sulltani me dhuratat më të mira, ushtari trim u bë gati për të marrë rrugën e kthimit. Pas tre ditësh, mbërriti në mes të natës, rrëzë faqes shkëmbore dhe bërtiti: “Çeke beni!”(‘Më ngrini lart’!) Ata që ishin brenda kështjellës, e njohën nga zëri që ishte Gazi Kuski,- kështu quhej ushtari që shkoi për të lajmëruar Sulltanin,- i cili u bë i njohur, më pas, nga përdorimi i këtij ‘kodi’ të caktuar që më parë. E tërhoqën menjëherë Gazi Kuskin lart, me litar, dhe e futën në fortesë.

    -Mirë se erdhe! Ç’kemi ndonjë gjë të re?- e pyetën ata.

    -Ju sjell përshëndetje nga Padishahu, vezirët e tij dhe nga shehulislami. Sulltani ju dërgon fjalë se do të mbërrijë brenda 10 ditëve me 50.000 ushtarë. Deri atëherë, ai kërkon, që juve të jepni prova për besnikëri ndaj Allahut duke mos ia dorëzuar kalanë armikut. Ja dhe letrat nga autoritetet.

    Të rrethuarit  brenda kështjellës, morën zemër nga këto lajme të mira dhe e mbrojtën fortesën ditë dhe natë, duke përdorur gjithë energjitë e tyre deri sa, pas dhjetë ditësh, erdhi ndihma, tamam si një mortajë në trajtën e një ushtrie prej 70-80 mijë ushtarësh, të cilët u turrën kundër të pafeve, vrullshëm, si shpata e Bajazitit, sa edhe sot, pirgjet e ushtarëve armiq i shikon nëpër fushën e Myzeqesë. Pas kësaj, Sulltani i shpërbleu ushtarët e tij për fitoren që arritën. Ai, në mënyrë të veçantë, shpërbleu lajmëtarin kurajoz që kishte përdorur fjalën ‘çeke beni’ duke i garantuar një ziamet të madh me një fshat vetëm për të, i cili edhe sot e kësaj ditë administrohet nga fisi i çekebenijve. Që nga ajo kohë, kreshtës shkëmbore i mbeti emri, “Shkëmbi i Çekebenit”. Është një kodër e lartë, një masiv shkëmbor i bardhë, si purgatori që të shpie në Parajsë, mbi të cilin janë vendosur kulla të shumta, kisha, tabje dhe sheshe dëfrimi.

    -Tregje dhe pazare të mbuluar. Ndodhen tregje të mrekullueshëm me dyqane të vendosur në radhë dhe shumë komodë, duke përfshirë atë të opingarëve, të këpucarëve, e të prodhuesve të artikujve prej lëkure. Përgjatë lumit është pazari shumë i bukur, i sapo krijuar nga Hysen Pashai me 100 dyqane, që të gjithë njëkatësh. Është vendi ku njerëzit takohen me njëri–tjetrin. Këtu, nëpër tezga të vendosura nën hijen e pemëve të ndryshme, gjen nga të gjitha llojet e prodhimeve artizanale. Sicili është i zënë me llojin e zanatit të vet.

    Në mes të këtij pazari, ndodhet një shesh i madh me një kullë sahati të lartë, dhe të mrekullueshme. Ora ishte sjellë nga Transilvania dhe kambana ishte aq e madhe, sa që brenda saj mund të qëndronin 10 veta. Ajo bie 12 herë në ditë. Tingulli i kësaj kambane mund të dëgjohet deri në një distancë prej një ditë të ecur më këmbë. Kulla e orës është aq e mrekullueshme, sa e ke të vështirë ta përshkruash me fjalë; duhet ta shohësh vetë, me sytë e tu, që ta besosh.

    Në afërsi të këtij pazari ndodhen 6 kafene, secila e lyer dhe e zbukuruar si ata tempujt kinezë kushtuar idhujve të tyre. Disa nga këto janë në breg të lumit, i cili kalon përmes qytetit: këtu, disa veta lahen në lumë, ca   peshkojnë dhe  të tjerë vijnë për të takuar ndonjë shok e për të biseduar për fenë apo për problemet e ditës. Ka shumë poetë, njerëz të shkolluar dhe shkrimtarë me horizont të gjerë. Ata janë të sjellshëm dhe fisnikë, të zgjuar dhe të urtë, e me kuraje për t’i zgjidhur hallet e jetës më mirë vetë, se sa t’i luten zotit. Tregu i lëkurë-punuesve, përgjatë bregut të lumit, është i mbuluar nga hija e pemëve të larta të shelgjeve dhe të pjergullave, duke e bërë atë një vend tepër tërheqës për njerëzit që vijnë aty për të kaluar kohën e lirë edhe pse pronari i këtij tregu është Ahi Evran-i. Tregu i kazanxhinjve, me zhurmën karakteristike dhe të vazhdueshme ‘takatartak’, ‘takatartak’ që vinte nga kudhrat  ku godisnin çekanët e bakërpunuesve, gjithashtu, ishte vendosur nën hijen e pemëve dhe dukej mjaft i bukur me ato dyqanet njëkatësh. Tregu i mëndafsh-punuesve, i cili, gjithashtu, është shumë i pastër dhe i sistemuar mjaft mirë, ofron pamjen e një bukurie të jashtëzakonshme me ata djemtë e rinj dhe simpatikë që shërbejnë atje. Ata janë kaq të pashëm dhe elegantë sa mund të dallosh edhe palcën e kockës nëpër gishtërinjtë e tyre që lëvizin harmonishëm. Uji i pastër i lumit kalon përgjatë gjithë gjatësisë së pazarit, duke i dhënë atij vendi një freski të tillë sa cilido ndjen kënaqësi të ndalet në mes të rrugës, të ulet dhe të humbasë mendjen në mes të kësaj mrekullie që e rrethon. Brenda dyqaneve, shërbejnë djem të rinj e me fytyra të pastra të pa rrahura nga rrezet e diellit si ato të princave nëpër oborret mbretërorë. Shumica e dyqaneve, në të dyja anët e rrugës kanë çati prej dërrase. Miqtë, shokët, të dashuruarit, takohen këtu me njëri-tjetrin dhe e kalojnë kohën duke biseduar e duke ngacmuar këta djem të rinj, të cilët, tanimë, janë mësuar dhe vazhdojnë punën pa ndjerë t’u skuqen faqet nga turpi. Dhe me të vërtetë, krye-ustai, e pse jo, edhe prindërit,  ndihen krenarë kur shikojnë se si këta të rinj tërheqin vëmendjen e të tjerëve me paraqitjen dhe sjelljen e tyre.

    -Koru Varosh (Gorica). Përtej lumit Osum, në bregun jugor të tij, shtrihet një tjetër qytet shumë  i bukur, i quajtur Koru Varosh, me rreth 200 shtëpi të mbuluara me tjegulla të kuqe, rrethuar nga kopshte, pemë frutore dhe vreshta me rrush. Është e banuar, kryesisht, nga të krishterë apo shqiptarë të pafe. Në shpinë të këtij qyteti ngrihet mali Koru (mali i Goricës) prej nga vjen edhe emri i këtij qyteti. Është një masiv malor i mbuluar në pjesën më të madhe nga pemë të larta. Trungjet e  këtyre pemëve janë përdorur si kolona mbajtëse dhe për riparimin e urës mbi lumin Osum. Kushdo që do të guxonte të priste qoftë edhe një degë të vetme nga këto pemë, do të dënohej nga autoritetet vendase. Po ashtu, kushdo që do të kryente ndonjë vrasje, për t’i shpëtuar dënimit, do të fshihej në thellësi të këtij mali, dhe që nga ky çast ai i shpëtonte ndjekjes, por nuk mund të rikthehej më kurrë në qytet. Ne se krimineli kthehej, do ta kapnin dhe do ta ekzekutonin menjëherë, ndaj në këto kushte, vrasësi mbetej si një egzilant i përjetshëm.

    -Vendet për të kaluar kohën e lirë. Janë 77 parqe dhe sheshe zbavitje në afërsi të Beratit. Shumica e këtyre janë: sheshi tek “Shkëmbi  i Çekebenit” në fortesën  e sipërme, sheshet pranë tregut të lëkurë-punuesve, poshtë në qytet, sheshi i mbuluar me pemë të larta tek pazari i ri, pllajat në rrëzë të malit të Tomorit, ku të rinjtë venë për të gjuajtur, si dhe parku në malin e Goricës. Ky i fundit, me ato lëndinat e mbuluara me bar dhe me tulipanët e çelur, është një parajsë e vërtetë Persiane që të kujton kopshtet e Meram-it pranë Konyas dhe të Aspozos pranë Malatyas. Në disa vende ajo freskohet nga rrëke uji që zbresin nga lart. Stolat e vendosur në rrëzë të trungjeve të pemëve të larta, janë të mjaftueshëm  për të pushuar gati 100 veta. Në vende të caktuara të malit venë nga qyteti, njerëz të shkujdesur, apo qefllinj, të cilët qëndrojnë aty tërë javën duke ngrënë e duke pirë deri sa dehen. Me një fjalë, është një vend i shkëlqyer për t’u çlodhur apo për të larguar sadopak mendjen nga hallet e ditës.

    Të gjitha shtëpitë e mëdha të qytetit i kanë dritaret e tyre me pamje nga lumi. Zakonisht edhe këto shtëpi përmbyten, gjithashtu, por dëmi është mjaft i vogël pasi ato janë të forta dhe të qëndrueshme.

    -Urat më të njohura të Beratit.- Pikërisht, poshtë qytetit të Beratit, në fund të tregut të kazanxhinjve, ndodhet  një urë që kalon mes përmes lumit Osum për në Koru Varosh18). Është një urë e madhe prej druri me 9 harqe. Këmbët e saj janë ndërtuar prej guri dhe janë të futura thellë në shtratin e lumit. Shtresa e urës është përbërë prej dërrase të trashë dhe të fortë dushku,  të prerë në malin Koru. Është me të vërtetë një urë e mrekullueshme. E vetmja urë që mund të krahasohet me të, është ura vetëm me një hark, që Sulltan Sulejmani ndërtoi mbi lumin Drin, në qytetin Foca të vilajetit të Hercegovinës.

    Por ura e Beratit ka 9 harqe. Zoti e ruajt atë!

    Mali i Tomorit. Dy orë larg nga Berati, në drejtim të jugut, ngrihet mali i Tomorit, një mal shumë i lartë, maja e të cilit duket edhe nga një largësi prej 5-6 ditësh ecje më këmbë. Aty ka nga të gjitha llojet e pemëve frutore, bimët aromatike dhe është plot kullota të gjelbërta. Çdo vit këtu vijnë mjekë nga Evropa Perëndimore e nga Latinistani duke iu ngjitur malit për të mbledhur  lloj–lloj bimësh mjekësore. Përrenjtë, ujërat e të cilëve burojnë nga gjiri i këtij mali, zbresin poshtë, përgjatë faqeve të pjerrëta të tij duke shërbyer si kufij natyrorë për ndarjen e 11 kadi-distrikteve. Përrenjtë që zbresin nga ana perëndimore e malit, derdhen në liqenin e Ohrit.

    Gjithë të rinjtë janë të dhënë pas armëve, sepse-Zoti na ruajt!- kjo është Shqipëria dhe nuk bëhet shaka me shqiptarët. Ata dinë të betohen vetëm për shpatën e tyre.