Dr. Cani: Konsumatorët të faturohen, aq sa shënohet në sahat

    420
    Sigal

    SHKSH/ Ankesa të shumta nga qytetarët: Ujësjellësi na grabit me faturime aforfe

    Ujësjellësi i Tiranës vijon të grabisë konsumatorët duke i faturuar shumë më tepër nga çfarë mund të ishin faturuar në mënyrë të rregullt. Thuajse shumica e qytetarëve të kryeqytetit ankohen se faturat janë shumë të kripura dhe se askush nuk i sheh sahatet, por i vendosin në mënyrë aforfe dhe shumë më shumë nga sa harxhojnë në të vërtetë. Këtë gjë e bën të ditur kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve Shqiptarë (SHKSH) dr. Islam Cani. “Shumica e konsumatorëve që kanë ardhur pranë SHKSH-së ankohen për mbifaturime, faturime amorfe, por nuk ngurrojnë aspak të hedhin dhe akuza ndaj punonjësve dhe stafit të Ujësjellësit, staf që sipas tyre shpesh është dembel që nuk shohin se sa xhiro ka bërë matësi i ujit, por vihet një faturim amorfe” deklaron dr. Cani.

    Kreu i SHKSH-së deklaron se konsumatorët ankohen se punonjësit e UKT-së çdo gjë e bëjnë nga zyrat dhe as nuk paraqiten ndonjëherë që të shohin se sa ujë kanë konsumuar me të vërtetë qytetarët. “Është e padrejtë të faturohesh në mënyrë aforfe, pa e parë fare sahatin. Kjo është mënyrë shumë e gabuar, pasi dikush harxhon më shumë dhe ndokush më pak ujë, ndërsa punonjësit e UKT-së i vendosin konsumet sipas qejfit. Dhe bëhet fjalë për familje të vogla në pjesëtar apo në pensionistë” shprehet dr. Cani. Konsumatorët, sipas dr. Canit janë shumë të irrituar me këtë situatë dhe thotë se “konsumatorët duhet të faturohen aq sa është shënuar në sahat dhe asnjë gram më shumë. Metoda e faturave amorfe, e ndjekur nga punonjësit e Ujësjellësit të Tiranës nuk është e mirë. Duhet të zbatohet ligji. Konsumatori të faturohet aq sa ka harxhuar, edhe nëse harxhon më shumë se aforfeja”. Më të vështirë akoma e kanë ato familje të cilat kanë të ardhura të pakta dhe përveç faktit që s’e paguajnë dot faturën aforfe, por nëse e lënë pa paguar, atyre u duhet të paguajnë dhe kamatë më pas. “problem është pamundësia e disa familjeve me të ardhura të vogla për të paguar faturën që i vjen për çdo muaj, e cila duhet paguar, pasi në të kundërt kamata ecën dhe pagesa bëhet gjithnjë e më e pamundur” thotë dr. Cani. Rasti i njërit prej konsumatorëve që janë ankuar në SHKSH është shumë flagrant nga Ujësjellësi Tiranë, pasi përpos faturimit të konsumit me sahat, në faturë i është shtuar edhe konsum aforfe. Situatën e faturimit aforfe e pranon edhe vetë zv.drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, z. Alfred Spahiu, i cili thotë për gazetën “Telegraf” se, “stafi i ri që ka 1 vit që drejton UKT-në, ka gjetur një situatë jo të mirë sa i përket kësaj çështje. Ne kemi ndërmarrë një fushatë intensive për pajisjen e çdo konsumatori të ujit me ujëmatës me qëllim që të evitohet si mbifaturimi ashtu edhe nënfaturimi për abonentët”. Ndërsa për faturistët abuzues, ai tregon se, “faktikisht kemi konstatuar raste mbifaturimi dhe nënfaturimi nga disa faturues të UKT-së, ndaj të cilëve pa asnjë përjashtim janë marrë masa disiplinore”. Por edhe nëse janë marrë masa ndaj faturuesve abuzues, problemi ende qëndron. Qytetarët penalizohen me mbifaturim apo me tarifimin aforfe.

     Ankesa e Bajram Nurçe

    Bajram Nurçe, qytetar në Njësinë nr.3, lagja nr. 10 thotë se janë në familje vetëm ai dhe gruja që të dy pensionistë dhe se u vjen fatura prej 20 mijë lekësh të vjetra. “Ne jemi vetëm dy pensionistë dhe nuk konsumojmë dot këtë sasi uji. Me sahat nuk kemi paguar më shumë se 6 mijë lekë të vjetra.. fatura prej 20mijë lekësh, ku thuhej se sahati tregonte 16 metra kub ujë dhe kësaj sasie i ishte shtuar dhe 5 metra kub ujë amorfe, na tronditi. Duke pasur sahat, të faturojnë dhe amorfe, duke na vjedhur dhe duke na bërë për budallenj ne pensionistët”, ankohet z. Nurçe.