Disa sugjerime se çfarë duhet ndërmarrë për mirëqënien mendore të popullatës

630
Sigal

Nga Gentian Çala

Duket se po flas për qiqra në hell, por në fakt mjafton të shihje sot sulmet nëpër dyqane dhe markete për të kuptuar se Qeveria duhet ti kushtojë vëmendje sjelljes  dhe problemeve emocionale të popullatës. Për një arsye fare të thjeshtë, duke studiuar në epidemitë e shkuara të tre dekadave të fundit (HIV, SARS, MERS, H1N1, Ebola), theksohet se shtimi i stresit dhe i ankthit është provuar se korrelon me sjellje të pakujdesshme dhe të rrezikshme për transmetimin e infeksionit.

Ndaj e shoh të udhës disa sugjerime:

– besueshmëria e institucioneve shkon paralelisht me zvogëlimin e frikës, stresit dhe ankthit. Duhet bërë gjithçka që kjo besueshmëri të rritet përmes transparencës dhe ndershmërisë në komunikimin me qytetarët.

– Lidershipi pavarsisht nga gjuha e drunjtë në rrethana të shtimit të sjelljeve të shkujdesura të qytetarëve, duhet të zgjedhë komunikimin që ngjall siguri dhe shpresë, pa ngjyrime arrogante, kërcënuese apo disfatiste. Komunikimi duhet mbështetur te promovimi i sjelljes pozitive të qytetarëve dhe jo te ndëshkimi i sjelljeve të papërshtatshme.

– Përshkallzimi i masave shoqërohet me shtimin e frikës dhe stresit, ndaj duhen konsultuar edhe profesionistë të shëndetit mendor lidhur me impaktin e tyre te sjellja e qytetarëve, posaçërisht te ata që kanë njohuri nga psikiatria apo psikologjia e katastrofave.

– E shoh të udhës që qoftë në task-forcën për menaxhimin e pandemisë, por edhe në ekipet e linjës së parë të atashohen profesionistë të shëndetit mendor. 10% e profesionistëve shëndetësorë të linjës së parë rrezikohen të shfaqin probleme të shëndetit mendor, gjatë dhe pas kalimit të krizës.

Me zvogëlimin e rrezikut të infektimit, mund të përballemi me pikun problemeve emocionale apo të sjelljes. Këtu kam disa sugjerime që besoj se duhet të fillojnë të vihen në veprim prej këtij momenti:

– Ndihma e Parë Psikologjike. Të krijohen ekipe që trajnohen dhe janë të aftë tu përgjigjen në telefon apo në rrjete sociale qytetarëve duke përdorur teknikat përkatëse (dëgjimin reflektues, vlerësimin e nevojave, caktimin e prioriteteve, intervenimet e nevojshme dhe të shprehin gatishmëri për ndihmë në vijim).

– krijimi i një programi të edukimit për adoptimin e sjelljeve mbrojtëse si për stafet shëndetësore, ashtu dhe për popullatën e përgjithshme, kryesisht përmes medias apo duke shfrytëzuar teletrajnimet.

– trajnimi i profesionistëve të shëndetit mendorë nga ekspertët për shëndetin mendorë të fatkeqësive

– krijimi i modeleve pozitive, i mesazheve pozitive apo i rezultateve pozitive mbi sjelljet dhe trajtimin e COVID-19, me qëllim fuqizimin e rezistencës së popullsisë nga ndikimi emocional i situatës.

– bashkëpunimi i profesionistëve shëndetësore dhe i figurave të klerit në funksion të sigurimit të popullatës, duke ndikuar si në aspekti psikologjik, ashtu dhe në atë spiritual.

Kam pasur gjithmonë besimin se nga kjo situatë do t’ia dalim, shpresoj me sa më pak kosto jetësore, por edhe me një mirëqënie të shëndetit mendor dhe trupor.

Disa vendime duhen marrë në kohë për të patur efikasitetin e duhur.