Denoncimi i qytetarit: Ju tregoj kompaninë që vuri kolateral shtëpinë time

    426
    Sigal

    Kompani joserioze ndërtimi shesin më shumë se dy herë banesat e qytetarëve shqiptarë

    Disa kompani jo serioze ndërtimi po shesin nga dy herë apartamentet e banimit, duke mashtruar qytetarët që paraqiten përpara tyre për të blerë shtëpi. I tillë është rasti i një qytetari që ka ardhur dhe ka denoncuar këtë fenomen në gazetën “Telegraf”.

    Fenomeni

    Dy qytetarë shqiptarë z. Isuf Xheladini dhe znj. Vjolanda Kamani kanë hedhur në gjyq kompaninë ndërtuese “Gora” shpk me pronar z. Rr. Hoxholli. Qytetarët pretendojnë se kompania “Gora” ka lënë kolateral shtëpitë e tyre në një bankë për të marrë kredi pa dijeninë e tyre. Në fakt këtu qëndron dhe skandali, pasi qytetarët i kanë marrë në dorëzim hyrjet respektive që në vitin 2004, pas kryerjes së pagesës sipas kushteve të kontratës.

    Denoncimi i Hil Kamanit

    Z. Hil Kamani erdhi në redaksinë e “Telegraf” për të denoncuar këtë rast flagrant, i cili përbën një nga skandalet më të përfolura në realitetin shqiptar. Kamani deklaron se po rrezikohet të ngelet pa shtëpi, pasi pronari Rr. Hoxhalli i kompanisë ‘Gora’ shpk e ka lënë shtëpinë e tij dhe të një qytetari tjetër si garanci për të marrë kredi në një bankat që operojnë në Tiranë. Dhe meqë z. Hoxhalli nuk e ka shlyer kredinë, qytetarët janë përballur me një urdhër ekzekutimi të një shoqërie përmbarimore private për të liruar dhe dorëzuar banesat.

    Kontrata

    Z. Kamani tregon se në vitin 2004 familjarja e tij znj. Vjolanda Kamani ka bërë një kontratë porosie me shoqërinë ndërtuese “Gora”shpk për një apartament me sip. 52,4 m2 pranë Kompleksit Xioxa Golem, me një çmim prej 450 euro/m2. z. Kamani vërteton se e kanë blerë hyrjen duke paguar sipas kontratës së nënshkruar nga të dy palët, e vërtetuar kjo edhe me mandat arkëtimet, duke paguar kështu shumën prej 23 580 eurosh. Me likuidimin e parave dhe me përfundimin e hyrjes, sipas kontratës rezulton që znj. Vjolamnda Kamani të jetë pronarja e vetme e kësaj pasurie.

    Por, çfarë ndodh?

    z. Rrapush Hoxholli merr kredi në një bankë dhe le kolateral hyrjen e znj. Vjolanda kamani dhe z. Isuf Xheladini pa i vënë në dijeni ata. Z. Hoxholli nuk e paguan kredinë dhe si rrjedhojë banka i mban kolateralin. Pas dështimit për të dytën herë radhazi të ankandit, një shoqëri private përmbarimore u kërkon qytetarëve të zbatojnë urdhrin e ekzekutimit, pra të lirojnë dhe të dorëzojnë shtëpitë e tyre.

    Gjyqi

    Duke u gjendur përpara këtij fakti, të dy qytetarët bëjnë padi në Gjykatën e Tiranës për “Gora” shpk, bankën dhe shoqërinë përmbarimore me objekt “Pavlefshmëri të kontratës së kredisë bankare; Pavlefshmëri të shpalljes së ankandit; pezullim të ekzekutimit të titullit të ekzekutivit, deri në përfundim të gjykimit”. Aktualisht këta qytetarë janë ende në proces gjyqësor, ndërsa gjenden përballë presionit të shoqërisë përmbarimore, që i kërkon qytetarëve të lirojnë banesat e tyre.