Degradimi i zonës së ish fushës së Aviacionit

    416
    Kanë kaluar vetëm 3 vite nga inaugurimi i rindërtimit të zonës së njohur si ish fusha e aviacionit, por sot panorama që të ofron është degradimi i çdo cepi të saj. Gjatë vëzhgimit të realizuar nga gazeta “Telegraf”, vëzhgim me të cilin do të njiheni edhe përmes fotove, duket qartë masakrimi që i është bërë kësaj zone nga vetë dora e njeriut. Janë banorët e kësaj zone të cilët nuk janë treguar aspak të kujdesshëm për mirëmbajtjen e ambientit por përkundrazi kanë kontribuar në shkatërrimin e tij. Edhe pse betonizimi i kësaj lagjeje po vijon me ndërtimin e pallateve të reja, as kush nuk kujdeset për infrastrukturën rrugore dhe mirëmbajtjen e atyre pak hapësirave në shërbim të qytetarëve. Parku i ndërtuar në funksion të banorëve është shkatërruar pothuajse krejtësisht, ndërsa banorëve e vetmja mundësi për çlodhje tashmë u ngelen lokalet të cilët ndodhen me shumicë, ashtu si në të gjitha lagjet e tjera të Tiranës. Ndërkohë nga ana tjetër duket qartë që edhe banorëve të kryeqytetit u duhet ende kohë për tu ndërgjegjësuar dhe për të dhënë kontributin e tyre në mirëmbajtjen e vendbanimit të tyre. Pra fatkeqësisht konstatuam se parku i ish-Fushës së Aviacionit në Tiranë, fatkeqësisht po shkatërrohet nga vete njerëzit dita-ditës.
    Degradimi dhe Shkatërrimi
    Zonat më kryesore të Tiranës vijon të jenë larg standardeve dhe kushteve normale, duke e len[ë kryeqytetin tonë larg nivelit të kryeqyteteve të rajonit, europës dhe më gjerë. Edhe ish fusha e aviacionit është një ndër lagjet e Tiranës që megjithëse nuk ka kaluar shumë kohë që është vënë dorë në rregullimin dhe sistemin e saj, situata paraqitet alarmante. Ashtu siç e përmendëm edhe më sipër rol kryesor në degradimin e investimeve të tre viteve më parë ka edhe dora e vetë banorëve të kësaj zone. Përmes fotove shihet qartë shkatërrimi i hapësirave në shërbim të publikut, duke filluar nga infrastruktura rrugore dhe deri tek hedhja e mbeturinave. Fusha e sportit e destinuar për të kaluar kohën e lirë, është kthyer në një hapësirë me gropa, ndërsa rrjeta rrethuese është shpartalluar tej për tej, gjithashtu janë vjedhur koshat e basketbollit, dëmtuar dyshemenë ku e kanë shkulur tapetin e gomës, duke e nxjerr jashtë funksionit saj. Nga ana tjetër hapësira e cila luan funksionin e oborrit të pallateve të ndërtuara në këtë zonë është kthyer në betejë mbeturinash, ku në çdo cep përballesh me mbetje të cilat ndikojnë negativisht në shëndetin publik. Edhe pse koshat gjinden aty, një rol negativ për përhapjen e mbeturinave përveç banorëve të pandërgjegjshëm, luajnë edhe kopetë me qen që gjenden kudo në të gjitha lagjet, duke i shpërndarë për gjatë gjithë zonës qeset me mbeturina. 
    Në një ndër parqet e rralla që ka Tirana e betonizuar, ku u investuan 5 milionë euro, janë
    shkulur pllakat dhe tubat e ujit. Projekti i cili u vu në jetë në vitin 2012, i kushtoj një vëmendje edhe krijimit të hapësirës për fëmijë për mes ndërtimit të këndit të lodrave, por edhe kjo pjesë nuk ka shpëtuar nga masakrimi. Banorët thonë se si shkatërrimi i parkut, o fushës së sporti gjithashtu edhe i këndit të lodrave për fëmijë, është realizuar nga hajdutët të cilët i grabisin natën dhe i shesin për skrap, ashtu si është kapakët e pusetave të kësaj zone. Ish-Fusha e Aviacionit u rindërtua nga e para dhe u finalizua ne shtator të vitit 2012. Hapësirat në këtë lagje të Tiranës u ndërtuan sipas planit urbanistik fillestar. Por para se të vihej në jetë ky projekt, është shoqëruar edhe me protesta nga banorët e zonës të cilët kundërshtonin disa herë projektin me pretendimin se po betonizoheshin hapësirat e gjelbra, gjatë ndërtimit të parkut. Por fatkeqësisht pas investimit të këtij projekti askush nuk po kujdeset për mirëmbajtjen e tij. 
    Sigal