Dasma, turizëm dhe varfëri, triptiku i shqiptarëve në stinën e verës

    510
    Çdo ditë është e veçantë për të gjithë në mënyra të ndryshme. Disa pëlqejnë të ftohtin ndërsa disa të tjerë duan sa më shumë rreze dielli. Stinët kanë karakteristikat e tyre që bëjnë dallimin nga të tjerat. Por cilat janë ato që e bëjnë të dallueshme stinën aktuale? Si ndikon stina e verës tek njerëzit? Si duan ta kalojnë ata, ku dhe me kë? Janë këto shumë nga dilemat që hasim ne të gjithë kur kuptojmë se stina më e nxehtë e vitit po afron. Kur kuptojmë se shkolla, puna dhe çdo aktivitet tjetër janë në prag të mbylljes për ti lënë radhën disa ditëve pushimi për të cilat njeriu ka shumë nevojë. Të gjithë e kanë mendjen për pak qejf, duan të harrojnë çdo gjë stresuese që kanë kaluar gjatë ditëve të gjata të punës apo të veprimtarive të tjera që kanë nevojë ta lënë në harresë. Plazhi është destinacioni i parë. Bregdeti ynë dhe ai i huaj është i hapur për të pritur çdo njeri. Nëse hedhim një vështrim të përgjithshëm në çdo vend, shohim se çdo plazh është plot. I huaj apo vendas nuk ka rëndësi. Çdo cep është i zënë nga çadra të shumta dhe njerëz pa fund të cilët shijojnë momentet e tyre të pushimit ne mënyrën që duan, pa pasur rëndësi se kë kanë pranë apo se çfarë po bëjnë. Rëra e nxehtë, uji i ftohtë apo dielli që të përvëlon bëhen shoqëruesit e pushuesve gjatë ditëve të stinës së verës. Ka njerëz që janë të dhënë pas sporteve të ndryshme detare të cilët shfrytëzojnë rastin për ti praktikuar. Sërfi apo xhirot me motoskaf pëlqehen shumë edhe pse janë disi të rrezikshme. Por adrenalina nuk i ndalon të pasionuarit për të bërë atë që pëlqejnë dhe duan. Disko është zgjedhja e shumë të rinjve për për t’u zbavitur në mbrëmje deri në orët e vona të natës nën shoqërinë e muzikës së lartë dhe pijeve të ndryshme. 
    Destinacioni malor
    Një destinacion tjetër me shumë rëndësi për turistët janë edhe vendet malore. Ajri i pastër dhe gjelbërimi janë ato që të mbushin me jetë dhe bëjnë që të kemi një frymëmarrje më të lehtë. Vendet malore të ofrojnë një agjendë më të ngjeshur. Ka një sërë veprimtarish që mbushin ditën duke të bërë të mahnitesh dhe t’i ruash në kujtesë për gjithë jetën. Janë 3 muaj të cilët të ofrojnë një shumëllojshmëri veprimtarish. Janë muaj që pavarësisht temperaturave të larta nuk të pengojnë të bësh atë që do. Por gjithsesi kjo nuk do të thotë që nuk mund të hasësh rrezik. Mund të ndodhë çdo gjë. Edhe kundër dëshirës sonë. Si në bregdet ashtu dhe në fshat. Të gjithë mundohen të tregojnë sa më shumë kujdes sepse aksidentet apo fatkeqësi të tjera mund të ndodhin në çdo kohë. Jo pak të tillë kemi dëgjuar kohët e fundit. Vrasje, vetëvrasje, aksidente të shumta dhe mbytje na kanë ngrysur dhe hidhëruar në këto muaj pushimesh. Por kjo ishte vetëm njëra anë e kësaj stine. Jo çdokush ka mundësi të bëjë pushime. Financat janë ndryshe në të gjitha familjet. Jo të gjithë kanë para për të bërë qejf, sepse disa të tjerë vuajnë për bukën e gojës dhe nuk e kanë mendjen tek plazhi. Por ka edhe nga ata që nuk e kanë parë ndonjëherë me sy dhe nuk e dinë se si është, vetëm e përfytyrojnë ose e kanë parë nëpër foto. Është e vërtetë! Shumëkujt mund ti duket e çuditshme dhe e padëgjuar, por është tepër e vërtetë. Është një fenomen i cili ka ekzistuar gjithmonë dhe ka qenë përherë mes nesh edhe pse mund të mos e kemi vënë re. Edhe pse kjo është një stinë pushimesh nuk do të thotë se varfëria ulet apo niveli i qejfit rritet kudo. Ai që është i pasur apo ka para i tillë mbetet, nuk ndryshon. E njëjta gjë ndodh edhe me shtresën tjetër të popullsisë. Varfëria nuk i lë të ngrenë kokë. Të paktën jo përtej shtëpisë së tyre. Dhe ky fenomen do ekzistojë gjithmonë në shoqërinë njerëzore ashtu siç ka ekzistuar edhe më parë dhe vijon edhe tani në mënyrën më skandaloze të mundshme.
    Dasmat e verës
    Një tjetër karakteristikë e stinës së verës janë edhe dasmat. Në vendin tonë vera është sezoni i duhur dhe më i përzgjedhur për tu martuar nga çiftet të cilët kanë vendosur të lidhin jetët e tyre me njëri-tjetrin, sidomos muaji aktual. Muaji gusht është i mbushur plot e përplot me dasma, kudo sheh makina të zbukuruara të cilat i bien borive për të lajmëruar që një tjetër çift po martohet. Dhe jo vetëm në një qytet, por në të gjithë Shqipërinë. Çdo vend ka traditat e veta. Çdokush e realizon dasmën sipas dëshirës së tij. Por edhe këtu mund të ndodhin fatkeqësi. Pavarësisht se sa i bukur mund të jetë ambienti në të cilin zhvillohet, pastërtia nuk ekziston gjithkund. Ushqimi nuk është cilësor dhe kjo bën që me qindra njerëz të helmohen. A është e drejtë? Dikush shkon të argëtohet dhe përfundon duke u helmuar e më pas shkon në spital. Edhe ky është një fenomen që ndodh në raste të shumta në stinën e nxehtë. Mund të përmendim edhe infeksionet e shumta që përhapen si shkak i temperaturave të larta. Janë më të përhapura ato me origjinë virale, infeksionet me origjinë bakteriale dhe infeksionet parazitare. Sëmundjet infektive të kësaj stine janë të pranishme në të gjitha moshat. Viruset dhe shkaktarët e tjerë gjejnë një mundësi shumë të madhe për tu zhvilluar në temperaturat e larta. Parazitët, bakteret dhe mikrobet mund të ndodhen në ujin që ne konsumojmë dhe në ambientet ku në jetojmë. Janë këto disa nga arsyet përse stina e verës konsiderohet e bukur dhe e rrezikshme. Jo çdo gjë është e sigurt se do shkojë ashtu si ne e kemi planifikuar. Një pakujdesi ose problem i vogël mund të bëjë që çdo gjë të ndryshojë në çast dhe pushimet tona të kthehen në fatkeqësi, kështu që kujdesi nuk është kurrë i tepërt edhe pse tani është fundi i stinës së nxehtë të verës. Këto këshilla qëndrojnë edhe për muajt në vazhdim.
    Sigal