Daniel CANA/Emigrantët…përsëri jetim

    430
    Sigal

    Që nga koha e hapjes së kufijve të Shqipërisë së rrethuar me tela me gjemba, dhe deri në ditën e sotme, kur pretendon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, nga shumë burime të shtypit të shkruar dhe televizioneve, nga emigrantë të thjeshtë dhe përfaqësues qeveritar dhe joqeveritar të tyre, i është bërë thirrje politikës shqiptare dhe qeveritarëve për mbështetjen, përkrahjen, zgjidhjen e emigracionit jetim, të këtij emigracioni të jashtë-ligjshëm, i cili më shumë e ka dëmtuar emigrantin se sa e ka ndihmuar, duke dëmtuar kështu jo vetëm emigrantët por gjithë brezin bashkohor, gjithë brezin e ardhshëm, brezat e reja të cilat u formuan në kushte të një emigrimi të pa ligjshëm dhe të pa mbrojtur.

    Mbas gjithë furtunave shkatërruese të ngritura qëllimisht nga ata të cilët nuk ju intereson çështja shqiptare dhe nga injoranca, mosdija, korrupsioni që përfshiu klikat qeverisëse të deri tanishme, çështja e emigrantit shqiptar mbetet përsëri në mes të rrugës, pa ditur drejtimin e zgjidhjes.
    Kjo është gjendja e paraqitjes së programit të qeveris së re mbas zgjedhjeve dhe pa e marrë akoma pushtetin guxojnë pa pikë turpi dhe përgjegjësie, të deklarojnë se të tjera gjëra u trumbetuan në fushatën elektorale dhe të tjera dalin përfundimet. Duke e mohuar me mosmirënjohje të thellë pjesëmarrjen e këtyre emigrantëve në zgjedhjet e 23 Qershorit, votë e cila përmbysi sistemin autokratik të Sali Berishës.
    Sikur nuk e kishim kështu besën z.Rama!
    Të gjithë emigrantët presin krijimin e një ministrie të posaçme për emigracionin, e cila të ketë planet dhe mundësitë e saj ndihmuese për emigrantët kudo në botë!
    Qeveria e Sali Berishës, që mbaron mandatin në shtator bëri një sy qorr e një vesh shurdhët për të gjitha problemet e emigrantëve.
    Shumë herë bëri kompromise në dëm të këtyre emigrantëve, në dëm të familjeve të tyre, të brezave të ardhshme të fëmijëve të emigrantëve, në dëm të vetë atdheut dhe kombit shqiptar.
    Mos vallë do të kaloj në këto shtigje edhe Edvin Rama, me ndryshimin e vogël sepse do lërë “gjurmën e opingës më të madhe”!
    Apo do ketë guximin të deklaroj se “ emigrantët janë të lumtur, nuk kanë probleme” ashtu siç deklaroi një “përfaqësuese e emigrantëve”, në prani të përfaqësuesve të ambasadës dhe qeverisë shqiptare të Sali Berishës, në Athinë!
    Problemet e emigrantëve shqiptar në Greqi janë duke u shtuar, duke u zmadhuar, në pritje të zgjidhjes së problemit të legalizimit dhe ligjërimit, po marrin çdo ditë “APORIPSI” refuzime të dokumenteve.
    Vetëm në ishullin e Zakynthos, ku unë jetoj prej 20 vjetësh, në bazë të statistikave që kemi me shkrim nga Bashkia e ishullit, për periudhën 2010 deri në qershor të 2013 janë depozituar 7598 kërkesa për rinovimin e lejeve të qëndrimit nga emigrantët. Janë dhënë nga këto 6766 leje qëndrimi. Janë refuzuar 229 leje qëndrimi.
    Kjo përbën 3.01 % të lejeve të përgjithshme. Duke e krahasuar me 210-tën kur janë refuzuar vetëm 0.3% shikojmë se ka një rritje deri 10 herë më të madhe.
    E mora këtë krahasim të vogël për t’i treguar qeverisë së sotme dhe të ardhshme se diskriminimi i emigrantëve nuk është drejt zgjidhjes dhe integrimit të tyre në shoqërinë greke, si ç’pretendojnë qeveritarët grek në raportimet e tyre në BE, por diskriminimi rritet me hapa galopante çdo ditë, çdo orë, çdo minutë.
    Kush duhet të ndalë kët revansh shkatërrimtar përveçse qeverisë përkatëse shqiptare?
    Po për gjuhën kombëtare e cila edhe pse kanë kaluar dy dekada dhe ekziston një marrëveshje ndërshtetërore përsëri nuk ka gjetur zbatim në mësimin e fëmijëve të emigrantëve, por po i shtyjnë drejt mësimit “ çetnik” si në kohën e osmallinjve!
    Pa harruar problemin e figuracioneve, të dokumentacionit dhe sorollatjes pa arsye dhe kritere.
    Problemet janë të shumta dhe ndërmjet tyre shumë e rëndësishme është edhe dënimi i keqbërësve shqiptar, mënyra dhe pabarazia e dënimeve duke u bazuar shumë mbi përkatësin kombëtare dhe mungesën e mbrojtjes së tyre!
    Për të gjitha këto, pritet me shumë kureshtje qeverisja e re e sapo dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit, por nuk jemi aspak dakord me deklarimet e deri tanishme, pasi me ato deklarime do pësojnë shumë shpejt forcën e zhgënjimit popullor dhe rrëzimi i tyre do të jetë më i keq nga ai i Sali Berishës.
    Ky nuk është kërcënim por një paralajmërim i shpirtit popullor të emigracionit. Nuk ka familje shqiptare të mos ketë emigrant një ose më tepër persona, prandaj matuni mirë zotërinj qeveritar, sepse populli shqiptar janë emigrantët dhe emigrantët janë vetë populli! Nuk do t’ju falë as populli dhe as historia!