Dako i bashkohet nismës sensibilizuese për të parandaluar diabetin

    467
    Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako mori pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Diabetit pranë Pallatit të Kulturës “A. Moisiu” në Durrës. Ky aktivitet u organizua nga shoqata e diabetit, spitali rajonal Durrës, ISHP, fondi i sigurimeve shëndetësore në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit, ku temë kryesore ishte të gjithë të bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin këtë “pandemi” të re globale. Gjatë këtij aktiviteti sensibilizues mjekët kanë kryer edhe matjen e thjeshtë të glicemisë falas për qytetarët e shumtë që kanë ardhur për t’u kontrolluar, nëse kanë ose jo shenjat e diabetit. Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe Ministri i Mirëqenies Sociale Blendi Klosi, drejtoresha e spitalit rajonal të Durrësit Ardiola Frashëri si dhe personalitete të tjerë të qytetit. Kryebashkiaku Dako i është bashkuar kësaj nisme sensibilizuese për të parandaluar diabetin dhe për të ndërgjegjësuar ata qytetarë që nuk janë prekur nga sëmundja që të bëjnë vazhdimisht kontrollet përkatëse në mënyrë që të parandalohet kjo sëmundje. Aktivitete të tilla shërbejnë për të rritur ndjeshmërinë e njerëzve që kjo sëmundje të mbahet nën kontroll dhe të parandalohet. Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike. Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje. Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj. Tek personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet. Por diabeti ka edhe kosto ekonomike, sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme.
    Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25%.
    Sigal