Çlirim Hoxha/Vlora kthen në traditë festivalin e monodramës

    404
    Sigal

    Në këtë festival u paraqitën 7 mono-drama të interpretuara me mjeshtëri nga aktor të spikatur të teatrit shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni

    Për tre ditë me radhë u zhvillua në Teatrin “Petro Marko” të qytetit të Vlorës Festivali i IV i Monodramës, mbështetur nga Bashkia e Vlorës dhe Kryetari i saj zoti Shpëtim Gjika. Organizatore e këtij festivali ishte Kompania Teatrore “Aulona” me drejtor aktorin e njohur Ilirjan Ali. Në këtë festival u paraqitën 7 mono-drama të interpretuara me mjeshtëri nga aktor të spikatur të teatrit shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, si dhe aktor nga teatri i Maqedonisë. Ajo që duhet thënë qysh në fillim, është fakti se festivali ja arriti qëllimit, pasi pruri dhe ngjiti në skenë aktor brilant të teatrit shqiptar dhe atij rajonal, të cilët me pjesët që interpretuan i dhanë teatrit dimensione  të reja, të panjohura më parë mes teatrit tradicional të aplikuar në Shqipëri gjatë viteve. Serioziteti i kësaj punë u duk që në fillim të prezantimit të atij evenimenti, ku në përbërjen e organizatorëve dhe personaliteteve të nderuara ishin Kryetari i Bashkisë Vlorë zoti Shpëtim Gjika si President i Festivalit, Artisti i Popullit Albert Verria si Udhëheqës Artistik, Koordinator ishte Dhimitraq Furxhi Drejtori i Teatrit “Petro Marko” dhe regjisor Jorgaq Tushe njëri nga emrat e mëdhenj të teatrit shqiptar në vite. Kompania teatrore “Aulona” dhe drejtori i saj aktori Ilirjan Ali ishin kujdesur për çdo detaj, po të kemi parasysh krizën financiare që po kalon teatri shqiptar në përgjithësi. Duke e parë si një domosdoshmëri kthimin në traditë të mbajtjes së festivaleve të monodramës në qytetin turistik të Vlorës, zoti Ilirjan Ali ka ditur të bind, jo vetëm drejtuesit e artit dhe kulturës në Vlorë, por edhe mbarë opinionin se teatri vazhdon të mbijetoj, sepse teatri ka ende adhuruesit e tij, pasionantët e tij dhe teatri është dhe do të mbetet i pavdekshëm, pasi ai është mbrujtur që nga antikiteti si një gjini shpirtërore që zgjon dhe frymëzon breza të tërë anë e këndë botës. Në ditën e parë të festivalit konkurroi Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit me monodramën “Rrëfimi”, përshtatur për skenë nga dramaturgu Bashkim Hoxha sipas motiveve të At Zef Pëllumbit “Rreno për me tregue” që paraqet vuajtjen dhe torturat e të përndjekurve politikë gjatë sundimit të sistemit komunist. Kjo monodramë u interpretua bukur nga aktori Gjergji Doçi dhe meritoi duartrokitjet e spektatorëve. Po në natën e parë spektatorët vlonjat patën rastin të shijojnë lojën brilante të aktorit maqedonas Zdravko Stoimirov i Teatrit të Bilotës Maqedoni me monodramën “Ditari i një të çmenduri” nga N.V.Gogol. Ky aktor e ngriti nivelin e interpretimit në maja të larta të teatrit modern dhe duke përbërë një befasi për të gjithë ata që patën fatin ta ndiqnin. Energjia potenciale që ky aktor solli në skenën e Teatrit “Petro Marko” të Vlorës, loja e tij magjike, gjetjet skenike dhe mjeshtëria aktoriale ishin ato që e mbajtën spektatorin pa frymë gjer në përfundim të shfaqjes dhe e detyruan atë t’i dhuronte aktorin Stoimirov duartrokitje pa fund. Në natën e dytë në skenën e Teatrit “Petro Marko” do të ngjiteshin fillimisht studentët e letërsisë të Fakultetit të Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës të përgatitur dhe shoqëruar nga pedagogët Erestina dhe Kastrioti, ku ky i fundit Gjika si djalë i Vlorës vinte me studentët e tij për të freskuar skenën e teatrit të Vlorës me pjesë teatrale që nisnin nga antikiteti e deri në ditët tona. Ata nuk ishin aktor teatri apo kinematografie, por ishin dashamirës të teatrit dhe pjesëtarët e Klubit Teatror krijuar brenda atij fakulteti nga më të rëndësishmit e Universitetit të Tiranës. Më pas është ngjitur në skenë Teatri “Petro Marko” i Vlorës me monodramën “Një ngjarje e jashtëzakonshme” të Dostojevskit të interpretuar me vitalitet dhe mjeshtëri nga aktori Vladimir Abili dhe me regji të Luftar Veshit. Sipas motiveve të novelës së Dostojevskit, Ivan Metveiç pranon fatin e tij brenda përbindëshit… Jeton, arsyeton, filozofon, argumenton, hedh idetë e reja larg cinizmit të botës që e rrethon. Loja e Vladimir Abilit u duartrokit nga spektatorët për dinamizmin që solli në skenë, për ndërthurjen e efekteve skenike me lojën e aktorin dhe mesazhet që përcolli. Më pas u ngit në skenë autori dhe aktori Ramadan Oraci i teatrit të Podujevës Kosovë me pjesën “Baladë dheu” me regji të Agron Gërgurit. Isa, me profesion skulptor, në ditën e varrimit të gruas së tij vendos të kthehet në atelien e tij 5 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë. Kthimi në atelie i ngjall kujtimet e luftës, aq më tepër kur aty takohet me skulpturën portret të djalit të tij Ilirit, i cili i trajtohet si i zhdukur. Aktori Oraci e solli në kohë luftën e Kosovës dhe tragjedinë që ajo shkaktoi, përmes një interpretimi të ngrohtë e deri therës, çka meritoi duartrokitjet e spektatorëve. Në ditën e tretë të festivalit të monodramës, paradite u ngjit në skenë Teatri i Tiranës me pjesën “Shtëpia e Kukullës” të H. Ibsenit, interpretuar nga aktorja Klodi Kadillari. Është personifikimi i artistes simbol, e krijuar për të qenë e tillë. Ajo arrin të mbijetojë në çdo sfidë duke i rezistuar kohës. Aktorja Kadillari u duartrokit për interpretimin e saj. Më pas u prezantua Arnel Production Tetovë me monodramën “Prometeu” të Ymer Shkrelit (dramatizim i Salajdin Saliut), interpretuar nga aktori Senad Abuli me regji të Ekrem Xanit. Në këtë monodramë kontekstualizohet, ridimensionohet, risemantizohet teksti burimor mbi Prometeun, i cili, nëpërmjet mesazheve universale reflekton në dimensione të ndryshme kohore dhe hapësinore. Ai që do ta mbyllte siparin e Festivalit të IV të Mono-Dramës në qytetin e Vlorës, ishte Teatri Kombëtar i Kosovës me pjesën “Vrasja e mushkonjës” të Xhevdet Barajt, interpretuar nga aktori i talentuar Ismet Azemi me regji të Donard Hasanit. Ishte një monodramë poetike me temë nga realitetet e përditshme mbarëshqiptare, e cila në qendër të saj ka fatin e një burri pa emër, moshë dhe profesion. Duhet thënë pa frikë se aktori i talentuar Ismet Azemi solli një variant interpretativ mjaft joshës për publikun në sallë, i cili e shoqëroi interpretimin brilant të aktorit me duartrokitje të vazhdueshme frenetike. Ismet Azemi e bëri teatrin më të dashur për spektatorin, i dha mjeshtërisë interpretative ngjyrat e pranverës shqiptare, duke u ngjitur në majat më të larta të artit të skenës dramatike, përmes virtuozitetit të tij të lindur aktoresk. Ismet Azemi tregoi se është aktor i niveleve shumë të larta të teatrit shqiptar dhe atij të gadishullit Ilirik, çka nuk la shumë mëdyshje për vlerësimin e merituar që iu bë. Në fund të festivalit, fjalën e kish juria e përbërë nga mjeshtrit e kritikës dhe regjisë së teatrit shqiptar. Prof. Josif Papagjoni, kryetar i jurisë dhe dy anëtarët e tjerë zoti Miho Gjini dhe regjisorja e talentuar Drialda Dervishi. Juria vlerësoi si dy interpretimet më të mira atë të aktorit maqedonas Zdravko Stoimirov dhe atë të aktorit nga Kosova Ismet Azemi. Duke pasur kujdes që të mos binin në patriotizëm, ashtu siç u shpreh Prof. Josif Papagjoni, Çmimin e Festivalit të IV të Monodramës organizuar në qytetin e Vlorës e fitoi aktori Ismet Azemi me shfaqjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Vrasja e mushkonjës” nga Xhevdet Baraj e me regji të Donard Hasanit, i cili mori edhe kupën përkatëse. U mbyll kështu një eveniment mjaft domethënës për teatrin në përgjithësi, çka solli risi të veçantë në interpretimin e aktorëve, në pjesën e përzgjedhura për këtë skenë dhe në mesazhet kuptimplota që përcollën. Një vlerësim i veçantë duhet t’i shkojë Kompanisë Teatrore “Aulona” dhe drejtorit të saj aktorit Ilirjan Ali për shpirtin e pamposhtur për t’ia dal mban me çdo kusht, duke sfiduar situatën financiare të krizës së sotme shqiptare dhe duke mos e lënë teatrin që të sfumohet së bashku me vlerat e jashtëzakonshme edukative që mbart mbi vete. Një tjetër falënderim shkon për Kryetarin e Bashkisë së Vlorës zotin Shpëtim Gjika, që me gjithë situatën që po kalojmë, gjen forcën dhe kurajën për të inspiruar dhe mbështetur artin në qytetin e Vlorës, si një nga burimet shpirtërore që ushqen njerëzit edhe në kohëra të vështira, ndërkohë që Ministria e Kulturës as që do t’ia dijë për këto aktivitete me përmasa rajonale e jo më ti financoi dhe mbështes ato. Por Vlora si një qytet turistik mesdhetar po përgatitet për çeljen e sezonit turistik veror, i cili është fiksuar në datën 11 maj, pikërisht në këtë ditë starton edhe edicioni i V-të i Aulona Folk Festival, tre ditë performancë e ansambleve folklorikë të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia, Turqia, Polonia, Sllovakia etj. Festivali i IV i Monodramës ishte ai që çeli aktivitetet e mëdha kulturore në qytetin e Vlorës. Këto dhe shumë aktivitete të tjera do të shoqërojnë 5 muajt e sezonit turistik ku mijërat e shqiptarëve dhe të huajve do të pushojnë dhe frekuentojnë një nga bregdetet dhe qytetet më magjik të planetit, Vlorën e papërsëritshme.