Certifikatat e pronësisë për përfituesit e 7501-it, “ndezin” pronarët e vërtetë

    483
    Sigal

    Letër e hapur/ Dukatasit i kërkojnë Kryeministrit: Amendo ligjin 7501

    Dukatasit kërkojnë amendimin e ligjit 7501 dhe kthimin e tokës të zotit. Në një letër, drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, nga degët e Shoqatës “Dukati” në  Tiranë, Vlorë, Durrës e Fier me përfaqësues Nevzat Bozhani, Vitri  Zyka, Merko Bozhani dhe Sulo Brahimi, bëhet i ditur shqetësimi i 800 familjeve dukatase për tokat e tyre të mohuara, për shkak të “Ligjit antikushtetues 7501”. “Zoti Kryeministër, jemi përfaqësues të rreth 800 familjeve dukatase, që për shkak të Ligjit antikushtetues 7501, u janë  mohuar e marrë tokat e trashëguara nga të parët e tyre. Për këtë padrejtësi antinjerëzore ju kemi dërguar një  letër, qysh  më  datën 13 shtator 2013, nëpërmjet të cilës kërkojmë zgjidhjen e problemit, d.m.th amendimin e ligjit 7501 dhe kthimin e tokës të zotit, por që  ende nuk kemi marrë përgjigjen Tuaj” thuhet në letër. Dukatasit vazhdojnë më tej duke thënë se “Kjo që  kërkojmë neve, së pari, është  detyrim kushtetues për qeverinë  ( neni 181 i Kushtetutës), por njëherësh është edhe detyrim njerëzor, logjik e zakonor, sepse nuk ka perëndi e as qeveri që mund t’i marrë një  qytetari pronën”.

    “Zoti Kryeministër, kjo është  një  padrejtësi  historike, një dhunim, një poshtërim që  nuk i është bërë shqiptarëve që nga fillimi i fillimit. Këtë e bënë një grumbull deputetësh komunistë e të babëzitur, që deshën të rrëmbenin për vete dhe për familjet e të afërmit e tyre tokat e të tjerëve. Fatkeqësisht, disa nga këta deputetë, megjithëse me konflikt interesi, i keni akoma në  Kuvendin e Shqipërisë, të cilët, doemos, që lobojnë fort, që  prona të  mos i kthehet pronarit”, shprehen dukatasit.

    “Faktikisht, ne jemi të ndërgjegjshëm se Ju personalisht nuk keni qenë pjesë e kësaj marrëzie, por njëherësh, duke besuar tek sinjalet që na dhatë gjatë fushatës elektorale, por edhe tek konceptet Tuaja për të drejtën e pronës, shpresuam se Ju do ta zgjidhnit këtë  ngërç të  sajuar e të  panevojshëm. Prandaj, edhe fitorja e juaj në zgjedhjet e 23 Qershorit ishte edhe basti jonë. Ne u ndiem  shumë  të  keqardhur, kur ju dëgjuam të  flisnit në  seancën plenare të Kuvendit për miratimin e buxhetit, ku Ju ndër të  tjera thatë se do t’i pajisnit me certifikatë pronësie përfituesit e tokës nga Ligji 7501. Ky ligj, deri më sot, e ka përçarë fshatin, ka armiqësuar fise e familje, si nuk ka ndodhur asnjëherë në histori dhe urrejtja ka arritur në ekstrem”, u kujtojnë dukatasit votën z. Rama.

    Dukatasit i luten Kryeministrit që kanë votuar “që këtë  çështje të mos e shikoni si përgjegjësi e të tjerëve, pra të paraardhësve Tuaj, dhe të bëni një zgjidhje formale sa për ta hequr qafe. Dhënia e certifikatave mund të  duket e thjeshtë, por ne po Ju themi paraprakisht, se ky akt do të jetë sinjali që do të iniciojë e nxisë përballjen tonë të ashpër, me të gjitha mjetet, me shtetin, por edhe me përfituesit (zaptuesit) e tokës, sepse nuk ka Zot të na e marrë tokën, që gjyshërit dhe prindërit tanë e kanë bërë me djersën e tyre, duke shqepur e shqyer shkurret e gurët, për të përfituar një metër tokë, apo duke e blerë  atë me flori. Në  këtë rast, Qeveria do të bëjë vetëm rolin e ndërzyesit, pra do t’i bjerë  bilbilit që të  fillojë përballja, për të  mos mbaruar kurrë, deri në  marrjen e padiskutueshme të pronave tona. Zoti kryeministër,  ju lutemi edhe një  herë që ta rishikoni vendimin Tuaj, para se të ndërmerrni aktin katastrofik antikushtetues, antizakonor e antinjerëzor, për shpërndarjen e certifikatave të pronësisë, me të cilin do të  ligjëroni forcërisht, pra do të emëroni pronarë ata që faktikisht nuk janë të tillë, sepse këto toka nuk i kanë blerë e as trashëguar, siç e përcakton Kushtetuta e Republikës”, thuhet në letër.