Bulqiza me nëntokë “floriri” dhe me mbitokë “geto” sociale

    561
    Sigal

    Në emër të mbijetesës, shpresat e shpëtimit nga varfëria i kanë vetëm tek kromi

    Bulqiza, qyteti, ku kam jetuar e punuar mbi 2 dekada, më tërheq si “vendi im”, por më trondit keqësisht kur gjendem atje, brenda asaj qendre të banuar, për të cilën sa herë e shikoj ose dëgjoj që vriten minatorë e krijohen konflikte fizike mes familjesh për bukën e gojës, sinqerisht me dhimbje them, se ky qytet ka veç një emër “geto” sociale, plotësisht e braktisur dhe e harruar. Ashtu si dhe unë, familjet e bulqizakëve autoktonë, në masën 70% të tyre janë larguar prej vitesh nga qyteti drejt Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Lezhës e qyteteve të tjerë, në kërkim të mbijetesës ekonomike dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre, e cila pas viteve 1990, nuk kishte asnjë perspektivë.

     Bulqizakët nuk e meritojnë varfërinë që përjetojnë

     A e meriton këtë varfëri qyteti im, qyteti i bulqizakëve punëtorë, të ndershëm e të traditës mikpritëse? A duhet të jetojnë në këtë varfëri ekstreme si në geto, banorët e një qyteti në nëntokën e të cilit ka “minierë floriri”, për nxjerrjen e të cilit kanë derdhur djersë dhjetëra breza minatorësh. Në 66 vjet, ata kanë nxjerrë miliarda dollarë krom. Në emër të kësaj pasurie kombëtare kanë humbur jetën shumë minatorë. Bulqiza është një qytet qendër i “lindur” nga hapja e minierës në vitin 1948 dhe prej 20 vjetësh e kthyer në qendër banimi e “vdekur” pas viteve 1990, nga mbyllja graduale e minierës së kromit, sot e “vulosur” në masën 80% të fronteve të punës dhe uljes së prodhimit. Miniera ende mbijeton, por nga mënyra e organizmit të punëve të saj prej atyre që e shfrytëzojnë në këto 22 vite, ajo nuk i “ushqen” dot gjithë familjet e Bulqizës. Ndërkohë që, përpara viteve 1990, miniera e Bulqizës “ushqente” edhe disa qytete të tjerë të vendit me të ardhurat që siguronte dhe krejt industrinë e vendit me mineral dhe nënprodukte të tij, deri tek sasitë e konsiderueshme të floririt. Familjet autoktone bulqizake që nuk janë larguar nga qyteti i kromit “flori” e i banorëve të varfër, kanë qëndruar në këtë qytet të degraduar ekonomikisht, mbasi janë të lidhura me minierën ose nuk kanë asnjë mundësi tjetër financiare për t’u larguar prej andej e vazhdojnë të përjetojnë varfërinë që i ka kapluar prej 22 vitesh. E kështu, vazhdojnë edhe sot pas mesvitit 2014, të vuajnë nën efektin e trishtimit shpirtëror të varfërisë ekstreme, kësaj plage të madhe njerëzore që ka mbërthyer keqas edhe jetën e bulqizakëve të mi të mirë e punëtorë, krijuar nga papunësia masive. Bulqizakët  e varfër ekonomikisht, fatkeqësisht janë shumë. Ata përpëliten në prag mbijetese, duke u ushqyer me ndihmë ekonomike, me mbledhje minerali kromi në pirgjet e mbetjeve që mbeten nga seleksionimi. Jetojnë me çfarë mundësie t’u krijohet sado rraskapitëse dhe e rrezikshme të jetë, mjafton t’u sigurojë qindarka, pak qindarka qofshin, mjafton të shërbejnë për të siguruar minimalisht një ditë ushqim për familjen.

     Jeta e bulqizakëve  është e lidhur me kromin…

     Nga sa përjetova ditët që isha në Bulqzië, vura dhe kuptova që njerëzit mes të cilëve kam jetuar, po e bëjnë këtë sakrificë në emër të mbijetesës, shpresat e shpëtimit nga varfëria i kanë vetëm tek kromi… Ata po luftojnë me varfërinë, duke u vënë pa orar në kërkim të ushqimit, i cili për 80% të familjeve bulqizake, ka  si burim vetëm të ardhurat nga ky mineral. Ata janë të lidhur ngushtë me kromin prej nevojës ekonomike. Kurse kromi nuk është i lidhur me jetën e tyre mbasi prej vitesh, ai nxirret, udhëton e shitet në mënyrë  pirate jashtë Bulqizës dhe Shqipërisë, duke mos lënë asnjë “thërrime” për punën dhe bukën e banorëve të këtij qyteti. Në këtë qytet minatorësh, jetojnë afro 14 mijë banorë. Qyteti, megjithëse, prej andej janë larguar shumë familje, ai nuk ka mbetur “bosh”. Banesat e braktisura në të dy pjesët e qytetit në “Lagjen e minierës” dhe në “Lagjen e re” janë mbushur me familje të ardhura nga zonat rurale, ku jeta është më në mjerim se në Bulqizën e nëntokës “flori” kromit, por të varfërisë ekstreme. Megjithëse, Bulqiza ecën dhe përpëlitet për bukën e gojës duke qëndruar si “kufomë sociale” mbi një nëntokë me “flori”, banorët e saj mbijetojnë me vështirësi e borxhe në dyqane. Kromi që del në Bulqizë nuk përdoret asnjë “gramë” për jetën e bulqizakëve që e nxjerrin dhe e kanë pronë në tokën e tyre. Kromi shkon në llogari të atyre që kontrollojnë koncesionet e galerive dhe puseve të minierës. Pasuria e nëntokës së Bulqizës, prej vitesh po tjetërsohet në investime për vendet e huaja. Bulqizakët, si ata që punojnë nëntokë edhe ata pleq, gra, burra, të rinj e fëmijë që mbledhin krom me kova, tepsi, çanta e legenë, po jetojnë në varfëri me paga sa për bukën e ditës dhe me ndihmë ekonomike lëmoshë. Duket sikur jetojnë pak më mirë ata që kanë familjarë në emigracion. Por edhe ky burim jetese parazitar ka nisur të mbyllet përditë, për shkak se edhe ata janë ingranuar në jetën e tyre familjare, kanë probleme punësimi, taksash të larta, pagash të ulëta dhe pasoja krize ekonomike në vendet, ku gjenden. Sipas ekspertëve të ekonomisë, sikur në Bulqizë të investohej vetëm 25% e sasisë së kromit që eksportohet, jetesa në këtë qytet do të ndryshonte dukshëm. Në vitin 2011, në zgjedhjet elektorale, ish Kryeministri Sali Berisha premtoi në Bulqizë, se 30% e të ardhurave të shitjes së kromit do të derdheshin në llogarinë e pushtetit lokal të Bulqizës. Por kjo nuk ndodhi. Nga shitja e kromit të Bulqizës, në “arkën” e Bulqizës nuk futet asnjë qindarkë.

     Beteja për kromin, burim konfliktesh mes varfërisë dhe pasurimit

     Kromi nxirret mineral nga nëntoka e këtij qyteti prej bulqizakëve të lodhur e të varfër deri në mjerim e skllavëri ekstreme e bëhet miliarda euro në tregun vendas dhe tregjet e huaja. Bulqiza po përjeton prej 20 vitesh plagën e rëndë sociale të hasmërive mes shumë familjeve, plagë e panjohur përpara viteve ‘90. Këtë plagë e ka hapur varfëria dhe konfliktet mes individësh, familjesh e fisesh, mes vendasve e të ardhurve që grabisin kromin me licenca fallco dhe korruptive. Bulqiza është simboli i mbijetesës me lista ushqimesh deri edhe ceremoni varrimesh! Nuk ka hapësira punësimi, nuk është bërë asnjë investim në këtë drejtim në 23 vjetët e fundit. Është aq mjerim, sa afro 30% e fëmijëve nuk shkojnë në shkollë mbasi nuk kanë as këpucë e rrobe “gabi”, nuk kanë veshje, ose braktisin shkollën mbasi mbledhin krom për të siguruara bukën. Sipas informacioneve, afro 90% e të moshuarve me problem shëndetësore, nuk mund të blejnë dot ilaçet për mjekim prej varfërisë. Afro 60% e volumit të ilaçeve të shitura në farmacitë e qytetit, janë “shitje me listë”. Në treg e qytetit ka rënë me 45% konsumi i produkteve ushqimore. Nuk e teproj nëse e them, por në afro 50% të familjeve në Bulqizë ka konflikte e deri krime për shkak të varfërisë, brenda tyre fëmijët “qajnë” për bukën e gojës! Nuk flitet për jetë normale sociale në këtë qendër banimi “geto”, ku njerëzit në mënyrën më absurde, jetojnë me pasurinë dhe varfërinë e madhe brenda tyre, duke “shijuar” vetëm varfërinë!

    ARBEN ISAKU

    Ish- banor i Bulqizës