“Besëlidhja e Gorës”, 100 vjet më parë largoi me armë pushtuesit turq

    953
    Sigal

     

     Nën drejtimin e Kajo Babjenit, 800 burra lidhën besën e çliruan Gorën e Pogradecin

    Më 28 korrik të vitit 1912, në vendin e quajtur Guri i Kamjes, plot njëqind vjet më parë, çetat e Gorës dhe Mokrës, me Flamurin e Shqipërisë, u bashkuan për të luftuar Xhonturqit dhe për të çliruar Pogradecin… Xhonturqit, me shtypjen e kryengritjes së vitit19O5, e me radhë më 1906-1909- 1910- 1911-1912, nuk arritën të shuanin qëndresën e popullit Shqiptar. Përvoja kishte treguar se fitorja e Lëvizjes Kombëtare mund të sigurohej vetëm duke bashkuar forcat popullore në një kryengritje të vërtetë. Kërkesat ishin: Për amnistinë e përgjithshme, për lirinë e plotë të Arsimit Kombëtar mbi bazën e alfabetit latin, krijimin e një administrate me nëpunës shqiptar dhe përdorimin e të ardhurave për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të popullit shqiptar .

    SITUATA
    Përveç pushtimit osman, Krahinat e Gorës, Mokrës dhe Oparit, kërcënoheshin nga orvatjet e shteteve fqinjë, për aneksimin e trojeve. Gora dhe krahinat e tjera, mundën ti bënin ballë, burgosjeve, internimeve e plaçkitjes nga qeveritarët turq. Synimet e pushtuesve ishin, Copëtimi i Shqipërisë duke u mbështetur, me nënshkrimin e Traktatit të Shën–Stefanit më 1878, ku mjaft troje Shqiptare, do tu aneksoheshin shteteve fqinjë, si Maqedonisë, Jugosllavisë e Greqisë e tjera.. Këto copëtime përfshinin Pogradecin dhe krahinën e Gorës deri në Voskopojë. Vala e protestave kundër kësaj padrejtësie qe e fuqishme. Populli i Gorës u organizua dhe u ngrit me armë në dorë. Këtu qe dhe ndikimi i Degës së Lidhjes të Prizrenit, që sapo ishte formuar në Pogradec… Në këtë situatë, shumë djem gorarë dezertuan nga ushtria osmane, e qëndronin maleve. Po kështu, shumë fshatarë, sa mësonin që në fshat vinin taksambledhësit e zyrtarët e administratës turke, linin shtëpitë e deri dhe qetë e mbrehur në arë dhe dilnin me armë në mal… Në krahinat e Gorës, Mokrës e Oparit, situata po evolonte çdo ditë e më shumë. Tani po e zinte vendin protesta me armë, nga individë të quajtur grupe kaçakësh.
    KAPEDANI KAJO BABENJI
    Lëvizja e kaçakëve, pas Lidhjes së Prizrenit, u bë një rezistencë e rëndësishme në Gorës, që me veprimet e tyre luftarake, zunë vend në histori dhe do të kujtohen brez pas brezi. Ata kundërshtonin regjimin për mospagimin e taksave, mos zbatimin e urdhrave të qeveritarëve turq, godisnin me armë koshadhet e turkut. Këto veprime kryheshin nëpërmjet çetave me Kapedan Kajo Babjenjin në krye, Shahin Matrakun nga Popçishti i Oparit dhe Ismahil Dërdusha. Tre kapedanët bashkëpunonin ngushtë me njeri-tjetrin. Synimi ishte çlirimi i Gorës e mbrojtja e saj nga synimet e pushtuesve të huaj… Çeta e Kapedan Kajo Babjenjit, e kishte shtrirë veprimtarinë luftarake në Gorë, Opar, Mokër, Korçë e Pogradec. Ai kishte treguar vendosmëri e trimëri, pjekuri të madhe, cilësi këto që i shërbyen shumë në kohën që drejtonte çetën, e cila mori dhe emrin e tij. Prandaj, fshatrat e Gorës, Mokrës dhe Oparit, rrëmbyen armët dhe u bashkuan me çetën e Kajo Babjenjit, për të mbrojtur tokën amtare. Kapedan Kajua, ishte mjeshtër i dyfekut, luftëtar e komandat i mirë e i zoti, por kishte edhe vështrim e horizont politik. Njihej për karakter të fortë burrëror, për urtësi, besnikëri ndaj popullit e Atdheut. “Për një qëllim të shenjtë kemi rrëmbyer armët”. Kur Kajo kishte hyrë në Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, më 1905, bënte pjesë në Komitetin për Çlirimin Kombëtar të Korçës…

    Qëndresa e çetave të Gorës ndaj administratës osmane e synimeve të shovinistëve maqedonas, po merrte përmasa të mëdha. Përveç çetave, armatosej dhe mbarë popullsia. Në Gorë po vinin patriotë nga Korça, Kolonja, Pogradeci. Gora konsiderohej si bazë e sigurt e lëvizjes atdhetare, si strehë për luftëtarët e çetave patriotike të Rilindësve.
    Kjo e detyroi administratën osmane që në Gorë, të mos shkelte këmba e osmanlinjve. Lindi nevoja e vetëqeverisjes, nga njerëz patriotë e të devotshëm.
    KOMITETI I GORËS
    Në pranverën e 1906, në fshatin Dërdush të Gorës, u bë një mbledhje e gjerë me përfaqësues nga e gjithë krahina. Aty u propozua dhe u zgjodh një Komitet i Fshehtë Krahinor me 12 anëtarë. Kryetar i zgjodh Kapedan Kajo Babjenji.
    Detyra e këtij komiteti ishte për popullarizimin e lëvizjes kombëtare, bashkëpunimin midis çetave, siç çeta e Çerçiz Topullit, etj. Luftëtarët e këtyre çetave nuk mbanin vetëm pushkë e fishekë por në çantat e tyre mbanin dhe Abetaren Shqipe. Në vjeshtën 1907, në fshatin Zbogj, u organizua një mbledhje e zgjeruar, me çetat patriotike të Çerciz Topullit, Spiro Ballkamenit, Qemal Panariti, Kajo Babjenjit e Ismahil Dërdushës. Qëllimi ishte ”shtimi i çetave, bashkëpunimi midis tyre e krahinave”. Ky u quajt Kuvendi i Zbogjit. Kjo e shqetësoi shumë administratën turke dhe e detyroi të tërhiqte 35 xhandarë nga Gora e i çoi në Pogradec. Kjo shënoi dhe çlirimin Gorës nga osmanllinjtë. Menjëherë xhonturqit filluan arrestimet e burgosjet. Në verën e vitit 1909, në fshatin Babijenj, rrethuan Kajo Babjenjin me çetën e tij dhe i bënë thirrje të dorëzohej. Por Kapedani u përgjigj me pushkë. I gjithë fshati luftonte. Se trimat, nuk i dorëzohen të gjallë armikut. Kapedani del nga shtëpia duke shkelur mbi kufomat e turqve që kishin ngelur nën strehët e shtëpisë, çanë rrethimin e del pa asnjë dëmtim. Populli i këndon “Ky Babjenji në një breg/ Ndizet zjarr, kërcet dyfek/, O Kajo trim i mirë/ Ç’e nderove Shqipërinë” . Autoritetet xhonturke kishin filluar të merrnin masa të rrepta kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ata arrestuan në Korçë një numër të madh patriotësh. Çetat e Spiro Ballkamenit dhe Qamil Panaritit, më 29-30 korrik 1911 çanë rrethimin e turqve në Orman Ciflig, ku lanë 6 të.
    ÇLIRIMI I POGRADECIT
    Çetat në Gorë e Mokër ishin të ngritura. Ato udhëhiqeshin nga Kapedanet Kajo Babjenji, Ismail Dërdusha e Xhelo Selca. U bë koordinimi i veprimtarisë së tyre. Për këtë Komiteti Krahinor, mori masa dhe bëri riorganizimin . Ky takim u zhvillua në fshatin Strelcë, në verën e vitit-1912 dhe ju vu emri Komision Krahinor. Kryetar u zgjodh Xhelo Selca. Kryengritja e përgjithshme kundër turqve kishte filluar në 1912 në të gjithë Shqipërinë. Në jug Themistokli Gërmenji forcoi lidhjet me kapedanët Kajo Babjeni, Sali Butken etj.. Komisioni Krahinor, më 26 Korrik 1912 me rreth 350 burra të armatosur nga gjithë krahina e Gorës mblidhen tek Guri i Kamjes. Aty u mblodhën edhe shumë atdhetarë nga Mokra, nga Pogradeci , Korca etj.., me qëllim çlirimin e Pogradecit. Në këtë takim ishin Kajo Babjeni, Xhelo Selca, Telha Senishti, Feta Goca, Feim Zbogji, Mehmet Velçani, Adem Çezma etj.. Të gjithë diskutuan dhe caktuan datën e sulmit për të çliruar Pogradecin. Çetat e Gorës u bashkuan tek Guri i Kamjes, në lartësinë 1461 m tek “Lisi i Gorarëve” dhe u organizuan për luftë kundër forcave turke që kishin pushtuar Pogradecin. Pas organizimit të çetave të Gorës u bë dhe organizimi i 7 çetave të Mokrës. Më 28 korrik 1912 u bashkuan me në fshatin Potgozhan e zgjodhën një komandë prej 12 vetësh. Komandant ishte Kajo Babjenin. Pra 28 korriku i vitit 1912 ishte evenimenti ku çetat patriotike të Gorës e Mokrës tek ‘Lisi i Gorarëve’ ngritën flamurin Kombëtar… Organizimi u bë i plotë në të gjithë elementët luftarakë. Çetat e kishin siguruar vetë armatim- municionin. Ishin 800 luftëtarë. Detyra ishte: “Çlirimi i Pogradecit nga Xhonturqit dhe bllokimi i ardhjes së ushtrisë serbe nga Ohri. Drejtimi i sulmit mbi Pogradecin u bë nga Kajo Babjeni… Pas disa luftimeve sporadike në kala dhe në rrethinat, garnizoni turk e lëshoi Pogradecin. Pas çlirimit të qytetit Kajua theksoi: “Lirinë e gëzofshi, por mendjen mos e flini, gjumi mos u zërë. Armiqtë greke e sllavë nuk do na lënë kohë të rruajmë mjekrën” .
    FESTIMET
    Çdo 28 korrik, banorët e Gorës e zonave fqinje, kudo që të jenë, mblidhen tek Guri i Kamjes dhe përkujtojnë ngjarjen e rëndësishme. Edhe këtë vit, atje mblidhen qindra vetë, ku nën drejtimin e shoqatës ‘Gora’ e titullarëve vendor, përkujtojnë këto ngjarje të shënuara të historisë së Gorës e asaj të Shqipërisë.
    Përkujtimi i këtij viti, është krejt i veçantë, pasi është vit i 100- vjetorit të Pavarësisë dhe 100 -vjetori i atyre ngjarjeve që kanë lënë gjurmë të pa shlyera në histori.