Besa e shqiptarëve i shpëtoi hebrenjtë nga nazistët

    548
    Sigal


    Gazeta ‘Nju Jork Tajms’ hedh dritë mbi shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore

    Me shqiptarët e saj të thjeshtë, të cilët mundoheshin të fshihnin hebrenjtë nga njëri vend në tjetrin për të shmangur kapjen e tyre, Shqipëria i shpëtoi pothuajse të gjithë 200 hebrenjtë e saj amtarë dhe 400 refugjatët hebrenj nga Gjermania dhe Austria. Ky shtet ka ndihmuar gjithashtu me qindra hebrenj që vinin nga tokat e pushtuara në Ballkan nga nazistët.

    “Shqipëria ishte një nga vendet e vetme evropiane që kishte më shumë hebrenj në fund të luftës se sa në fillim të saj”, tha Michael Berenbaum, ish-drejtor projektesh në Muzeun Memorial të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara.

    Informacioni i plotë i këtij shpëtimi u bë publik vetëm në fillim të viteve 1990, pas rënies së një qeverie veçanërisht të errët dhe represive komuniste dhe u konfirmua nga Yad Vashem, Instituti i Kërkimeve të Holokaustit, në vitin 2007. Kjo histori do të ritregohet edhe më 8 dhjetor në Muzeun e trashëgimisë hebraike në Nju Jork, ku mes folësve do të përfshihen edhe pasardhës të shpëtimtarëve shqiptarë dhe pasardhës të hebrenjve të shpëtuar.

    Shqipëria ka arsye praktike që ta bëjë të njohur këtë histori. Aktualisht vendi po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por shanset e saj janë të zbehura nga një histori korrupsioni të rrënjosur. Në një kohë kur Shqipëria ka premtuar që do të pastrojë qeverinë e saj, historia e shpëtimit të hebrenjve jo vetëm që nxjerr në pah një episod të zemërgjerësisë shqiptare, por gjithashtu tregon se shqiptarët i nderojnë dhe respektojnë  premtimet e tyre.

    Historia e shpëtimit, tha Ferit Hoxha, ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, tregon se “edhe pse ne kemi qenë të izoluar nën një prej regjimeve më të egra komuniste, njerëzit e këtij kombi janë fisnikë dhe në gjendje të përcjellin kuraje, si askush tjetër në Europë”.

    Në shumë vende të Evropës, Zgjidhja Përfundimtare naziste ishte efikase: u vranë 90% e 3.3 milionë hebrenjve të Polonisë, 88% e 240.000 hebrenjve të Gjermanisë, 77% e 70.000 hebrenjve të Greqisë, dhe shifra të ngjashme trishtuese në vende të tjera.

    Shqipëria dallon jashtëzakonisht nga këto shtete, thonë ekspertët që kanë qenë pjesë të ngjarjeve, sepse aty është rrënjosur një kredo kombëtare, e quajtur ‘Besa’, që i detyron shqiptarët të ofrojnë strehim të sigurt për të gjithë ata që kërkojnë mbrojtje, veçanërisht në qoftë se është dhënë premtimi për ta bërë këtë mbrojtje. Dështimi për të vepruar në këtë mënyrë sjell humbjen e nderit.

    “Besa përfshin mbrojtjen e padiskutuar të një mysafiri, madje deri në pikën e vetësakrifikimit,” shkruante Shirley Cloyes DioGuardi, një organizatore e ngjarjes së Nju Jorkut, burri i së cilës, ish Përfaqësuesi H. Joseph DioGuardi, vizitoi Shqipërinë në fillim të viteve 1990 dhe ndihmoi të nxjerrtë në dritë detaje të shpëtimit.

    Një shpjegim tjetër, thotë zonja Cloyes DioGuardi, është se në Shqipëri, një vend katolik dhe ortodoks deri sundimin otoman që çoi në konvertimet e shumta në mysliman në shekullin e 15-të, etniciteti ka mposhtur fenë gjithmonë, dhe devotshmëria është e zellshme. “Ne e dinim që armiqtë tanë donin të përdornin fenë si armë për të na përçarë dhe sunduar, por ne gjithashtu e dinim që kishim gjak të njëjtë”, tha Akim Aliçkaj, një shqiptar etnik i rritur në Kosovë, i cili është pronar i një agjencie udhëtimesh në Nju Jork dhe babai i të cilit i ndihmoi hebrenjtë të shpëtonin. “Feja ndryshohet, por kombi dhe gjaku nuk mund të ndryshohen”.

    Dy vende të tjera gjithashtu shpëtuan shumicën e hebrenjve të tyre. Kur pushtuesit gjerman urdhëruan deportimin e 7800 hebrenjve danezë në vitin 1943, fqinjët, kolegët dhe aktivistë spontanisht ndihmuan dhe transportuan më shumë se 7,000 hebrenj, kryesisht me anije peshkimi, përmes një kanali në Suedinë neutrale, sipas Bo Lidegaard, kryeredaktor i gazetës ‘Politiken’.

    Bullgaria ishte aleate me nazistët dhe ktheu mbi 11.000 hebrenj nga Maqedonia e pushtuar për deportim në kampet e vdekjes. Por kur erdhi një urdhër për deportimin e vetë qytetarëve hebrenj të Bullgarisë, anëtarë të parlamentit dhe udhëheqës të kishës i bënë presion qeverisë për të rezistuar dhe kështu 48,000 hebrenj mbijetuan.

    Kur nazistët hynë në Shqipëri në shtator të vitit 1943, duke ia marrë vendin fashistëve italianë, dy banorë hebrenj të qytetit të Vlorës – Rafael Jakoel dhe kunati i tij u takuan me kryetarin e komunës atje. Ai u tha atyre, sipas asaj që ka treguar mbesa e Jakoelit, Felicita, se “Për sa kohë që ju jeni këtu, nuk keni arsye për t’u shqetësuar, por gjermanët janë gjermanë kështu që është më mirë sikur të shkonit në kryeqytet”.

    Rafael Jakoel dhe kunati i tij shkuan në Tiranë për t’u takuar me ministrin e Brendshëm, Xhaferr Deva, të asaj që në dukje ishte një qeveri fashiste e cila bashkëpunonte me nazistët. Ministri madje i tregoi atyre një listë me hebrenjtë, të cilët i kishin kërkuar gjermanët. Megjithatë besa ishte kaq e fortë se ai nuk ia dorëzoi listën gjermanëve, tha znj. Jakoel.

    “Për sa kohë ne jemi këtu ju nuk keni pse të shqetësoheni,” i tha ai atyre, sipas znj. Jakoel, që sot, ashtu si shumë hebrenj shqiptarë, jeton në Izrael. “Por nëse na ndodh diçka neve, ju duhet të kujdeseni për veten”.

    Babai i zonjës Jakoel, Josefi, i cili ishte 18 vjeç në atë kohë, dhe motra e vëllai i tij më të vegjël ishin fshehur në shtëpinë e zv.kryetarit të Vlorës bashkë me fëmijët e tij. Më vonë Jakoels u fsheh bashkë me një familje në qytetin e Kavajës, duke u strukur në një kopsht sa herë që gjermanët afroheshin. Kur tre kushërinjtë e parë u kapën, z Jakoel dhe kunati i tij u kthyen në Tiranë, ku gjetën disa ndërmjetës të cilët kishin marrëdhënie të mira me gjermanët dhe ishin në gjendje të blinin për 3.000 monedha ari lirimin e kushërinjve të tyre, tha znj Jakoel.

    Shumë nga këto shpëtime u zhvilluan në Kosovën e pushtuar nga nazistët, e cila është e populluar kryesisht nga shqiptarë etnik dhe atëherë ishte pjesë e Jugosllavisë. Z. Aliçkaj, 59 vjeç, agjent udhëtimesh në Nju Jork, kujton në një intervistë se babai i tij, Arif Aliçkaj, ishte sekretar ekzekutiv i komunës së Deçanit dhe shpesh përdorte emrat popullor myslimanë për të lëshuar identifikime false për hebrenjtë – shumë prej të cilëve vinin nga Maqedonia dhe Serbia- të udhëtonin në Shqipëri. Atij gjithashtu i’u kërkua një listë me hebrenj, por ai këmbënguli se nuk kishte asnjë të tillë, tha z Aliçkaj.

    Miku i zotit Aliçkaj, Arsllan Rezniqi, një bakall, kishte nën pronësi një kamion që merrte fruta dhe perime nga Maqedonia, dhe me kalimin e kohës ai e përdori atë për të transportuar mbi 400 hebrenj në Deçan. Fjala kishte ardhur nga shqiptarët etnikë në Maqedoni që thonin se fqinjët e tyre hebrenj ishin në rrezik. Stërnipi i z. Rezniqi, Leka Rezniqi 28 vjeç, një personazh i një shfaqje televizive lajmesh në Prishtinë, tha në një intervistë telefonike se, zoti Rezniqi madje ndërtoi një shtëpi në kopsht si strehë për refugjatët. Fqinjët shqiptarë e dinin që çifutët ishin fshehur në pronën e tij, por kurrë nuk folën për ata”. Ata e dinin se Arsllani i kishte dhënë atyre besën e tij kështu që nuk mund ta tradhtonin”, tha Leka Rezniqi.

    Stërgjyshi i z.Rezniqi ndërtoi një strehë për familjet që jetonin në fshatrat e vogla malore jashtë Deçanit, ku gjermanët rrallë shkonin për kontroll. “Gjermanët kishin pika kërkimi”, tha z Aliçkaj, “por njerëzit tanë vendas dinin se si t’i shmangnin ata”.