Bashkitë, më shumë përgjegjësi për punësimin dhe strehimin e jetimëve

    382
    Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, tregon kushtet aktuale që ofron Shtëpia e Fëmijës. Përveç disa ndryshimeve pozitive që kanë ndodhur në këtë institucion, ende, sipas drejtoreshës së këtij institucioni mbetet punë për tu bërë. Ky institucion kërkon më shumë mbështetje nga ana e njësive vendore në ofrimin e shërbimeve për prindërit e fëmijëve, si punësim, strehim apo kurse profesionale. Në mënyrë që të krijohen kushtet për rikthim të sigurt dhe të qëndrueshëm në familje Gjithashtu kërkohet më shumë ndihmë dhe bashkëpunim nga ana e njësive vendore për trajtim me strehim, punësim dhe integrim në komunitet për të rinjtë, të cilët në moshën 18 -vjeçare largohen nga Shtëpia e Fëmijës.

    Sa fëmijë ka aktualisht Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”? 
    Aktualisht në institucionin e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” ka 46 fëmijë
    A është shtuar apo pakësuar numri i fëmijëve në këtë institucion? 

    Duke qenë se prioritet për Shërbimin Social dhe këtë institucion është deinstitucionalizimi, kjo shtëpi ka pasur dhe ka dinamikat e saj në këndvështrimin e numrit të fëmijëve. Punohet vazhdimisht për rikthimin e fëmijëve pranë familjeve biologjike dhe numri lëviz vazhdimisht. E mira për fëmijën është të rritet pranë familjes së tij dhe ne punojmë vazhdimisht për të shkurtuar kohën e qëndrimit të fëmijës në institucionin e përkujdesjes. Kjo për të krijuar kushtet për rikthim të sigurt dhe të qëndrueshëm të fëmijëve në familje. 
    Cila është mosha e fëmijëve? 

    Institucioni trajton fëmijë të moshës 6-18 vjeç.
    A plotësohen kushtet e strehimit për numrin e fëmijëve që jetojnë aktualisht? 

    Kushtet plotësohen dhe janë shumë komode, sipas modelit shtëpi-familje.
    A janë të përshtatshme mjediset për studim dhe argëtim në këtë institucion? 

    Në dy vitet e fundit në këtë shtëpi kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme në këndvështrimin e përmirësimit të cilësisë së jetesës. Mjediset janë shumë të përshtatshme, shumë funksionale, sipas Standardeve të Shërbime në institucionet rezidenciale për fëmijë të moshë që trajtojmë. Mjediset për studim janë të pajisura me tavolina, karrige dhe mjete që nevojiten për arsimimin e fëmijëve, të ndriçuara dhe të ajrosura. Për argëtim institucioni ka mjedise sportive, palestër, kinema, bibliotekë dhe salla aktivitetesh, të ndërtuara gjatë dy viteve të fundit.
    A shkojnë në shkollë këta fëmijë? 

    Fëmijët frekuentojnë shkollën rregullisht dhe stafi i edukatorëve përkujdeset gjithashtu për t’i mbështetur për përgatitjen e tyre çdo ditë pas orëve të mësimit. 
    Sa është kuota ushqimore ditore për këta fëmijë? 

    Sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave kuota ditore për fëmijë është 330 lek/ditë, ndërkohë që çdo muaj, çdo fëmijë merr 1 000 lekë që i përdor për çdo dëshirë individuale që mund të ketë, e që i jep mundësinë që të ndihet si çdo fëmijë në familje të zakonshme shqiptare. 
    A është i plotësuar personeli për ecurinë e punës? (Kujdestar/e, Edukatore, Punonjës/e Social, Psikolog/e etj). 
    Struktura është e plotë me të gjithë punonjësit dhe specialistët që kërkon ky institucion.
    Cilat janë problemet që shqetësojnë më shumë Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”?

    Nuk është shqetësim më shumë se sa prioritet: shkurtimi i kohës së qëndrimit të fëmijëve në shtëpinë e fëmijës. Në rastet kur fëmijët vijnë në institucion për shkak të varfërisë kërkohet shumë punë për t’i fuqizuar familjet e tyre në mënyrë që të krijohen kushtet për rikthim të sigurt dhe të qëndrueshëm në familje. Ky proces lidhet sa me punën e vetë stafit të institucionit ashtu edhe me punën e pjesëve të tjera të sistemit: njësive vendore për t’u ofruar shërbime të tilla si punësim, strehim apo kurse profesionale prindërve të fëmijëve. Nuk është e lehtë, por as e pamundur! 
    A janë fondet e akorduara nga qeveria të mjaftueshme për përballimin e të gjitha kushteve të fëmijëve? 

    Fëmijëve u ofrohen të gjitha shërbimet sipas standardeve.
    A janë ofruar donacione për përmirësimin e kushteve të këtij institucioni? 

    Po, kemi bashkëpunim prej vitesh me disa fondacione në drejtim të shërbimeve ndaj fëmijëve, por edhe në drejtim të ofrimit të trajnimeve për personelin specialist dhe personelin e shërbimit. Gjithçka kryhet në transparencë të plotë. Çdo donacion publikohet çdo muaj në faqen zyrtare të Shërbimit Social Shtetëror në internet. 
    Çfarë bëhet me këta fëmijë pasi mbushin moshën madhore? 

    Pasi shkollohen sipas arsimit që kanë zgjedhur dhe ndjekur, institucioni bashkëpunon me fondacione që kanë në programet e tyre trajtimin e të rinjve, por njëkohësisht bashkëpunojmë dhe me pushtetin vendor për trajtim me strehim, punësim dhe integrim në komunitet për të rinjtë.
    Sigal