Bashkim Kuçuku: “Drejtimet e reja letrare” dhe qëndrimi i Migjenit

    542
    Sigal

    Pikëprerje frytdhënëse e estetikës me historiografinë dhe studimin tekstor

    Alfred Uçi, esteti i parë në kuptimin e mirëfilltë dhe të plotë të fjalës në shkencën dhe kulturën shqiptare, për disa dhjetëvjeçarë ka qenë pakonkurrues, ndërsa, 20 vitet e fundit i pakonkurrueshëm në prurjet studimore jo vetëm në fushën estetike, por, edhe letrare historiografike të letërsisë shqipe dhe për leximin universal dhe receptimin në botën shqiptare të disa prej autorëve më të mëdhenj të letërsive të tjera europiane, Shekspiri, Dante, Servantes, Dostojevski, Eskili.  Ndërkalimi nga fusha e estetikës në fushën e historiografisë letrare ka qenë një prerje e artë, si për frytshmërinë e madhe të punës vetjake, ashtu dhe për studimet letrare shqiptare, që janë pasuruar me dije, pikëvështrime dhe qasje estetike. Filozofët estetë, edhe në letërsi të gjuhëve të tjera, kur kanë hyrë në zotërimet letrare, për disa epërsi të formimit, kanë dhënë  ndihmesa të vyera, të cilat jo rrallë janë shndërruar në referenca sa teorike e studimore, aq edhe metodologjike, p.sh., filozofi frëng, Paul Ricoeur për kohën dhe tregim. Alfred Uçi, që me librin «Mitologjia, folklori, letërsia», në vitin e largët 1982, me analizën e funksionit  të mitologjisë (pjesa «Mitologjia dhe letërsia shqipe») në letërsinë shqipe të vjetër, të romantizmit dhe iluminizmit, në poezinë e Çajupit, Asdrenit, Fan Nolit, të realizmit të viteve 1930, posaçërisht të Migjenit ka patur një kthesë të ndjeshme. Kjo është thelluar tek libri «Grotesku kadarean» (1999) dhe zgjeruar në përmasa të mëdha me librin «Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe» (2003).Edhe monografia e shumanshme «Estetika migjeniane, fryma moderne në letërsinë shqipe», sikurse pohon vet autori, e ka zanafillën, pikërisht, me librin «Mitologjia, folklori, letërsia», pra, rreth 30 vjet angazhim i pasionuar, shënime, përsiatje, hulumtime, studim. Vlera parësore e saj është ndërthurja e metodave të analizës dhe e rrafsheve të studimit, thellësia e analizës prej thelbësores tek hollësitë, gjerësia e argumentimit teorik, me të dhëna të jetës, qëndrime dhe mendime të vet Migjenit, me tiparet të veprës dhe mendime të studiuesve të tjerë. Në ‘të është harmonizuar qasja filozofike estetike, analiza historiografike, interpretimi i brendshëm i tekstit, metoda krahasuese dhe, receptivizmi, shqyrtimi i receptimit në kontekstin kulturor shqiptar, në periudha të ndryshme dhe nga breza të ndryshëm dhe, në kontekste kulturorë jashtë shqipes, nga studiues të huaj. Nëpërmjet qasjes filozofike estetike është zbërthyer thelbi dhe lënda e këtij lloji, deri tani, pak e përcaktuar pranueshëm me argumente shkencorë, më tepër e keqkuptuar dhe e keqinterpretuar, e cila është shoqëruar me parashtrime të  zhvilluar të koncepteve përkatës, që janë njëjtësuar në veprën dhe mendimet e Migjenit.

    Analiza historiografike

    Analiza historiografike e ka vendosur ngulshëm në kontekstin e letërsisë shqipe.  Interpretimi i brendshëm i tekstit, që është në pikëvështrime të ndryshme dhe, në jo pak raste lexime të reja, argumenton origjinalitetin e theksuar, çarjen e madhe që solli në letërsinë shqipe me risitë moderne dhe një risim rrënjësor të poezisë dhe të prozës. Metoda krahasuese, duke pranëvënë mendime, lëndë, tipare, koncepte e konceptime konkrete me mendime, lëndë, tipare, koncepte e konceptime, të afërta a të ngjashme me të veprave të autorëve të periudhës midis dy luftërave botërore të disa letërsive të tjera europiane, me bazë filozofike ekzistencializmin si filozofi krize, nxjerr në pah jo vetëm lidhet e saj me to, por, sidomos, bashkëkohëzimin me rrjedhat e letërsive të tjera europiane dhe origjinalitetin, ndonëse, për ne, jo gjithmonë bindës. E ngritur mbi një bazë të gjerë dhe ngrehinë filozofiko-estetike, ajo anon dhe, në tërësi, është ndihmesë në historiografinë e letërsisë shqipe për një nga veprat më të rëndësishme e më risuese të saj, dhe, bashkë me të, edhe një horizont i ri, i vendosjes dhe i interpretimit të realizmit të letërsisë së viteve 1930, më i plotësuar, më i pasur  dhe më i saktë. Me kritikën, nga njëra anë, ndaj sociologjizmit vulgar, pasojë e trysnisë politike të monizmit, ose, e nivelit të ulët të kritikës letrare të atëhershme, që, për t’i rritur vlerat e paraqiste paraardhëse të realizmit socialist, dhe, nga ana tjetër, ndaj tendenciozitetit të paracaktuar për ta barazuar me shkrimtarin e realizmit socialist, për t’i a pakësuar vlerat, janë shpërndarë disa nga shtëllungat e mjegullës, që e kanë qarkuar në vitet e ndasive politike të skajshme.

    Analiza historiko-letrare është në disa pikëvështrime dhe shkallare/ nivele:

    1. Jeta dhe vepra e Migjenit, ku, rinxirren në dritë dhe interpretohen të dhënat kryesore problematike të jetës në marrëdhënie me veprën.

    2. Koha dhe rrethanat historike. Si edhe më parë, Prof. Alfred Uçi u jep të njëjtën rëndësi, si kohës dhe rrethanave historike, që, në njërën a tjetrën mënyrë ndikojnë dhe janë të pranishme në vepër, ashtu, edhe subjektit krijues, formimit kulturor, dhuntive dhe gjendjeve psiko-emocionale të shkrimtarit. Duke kritikuar, qoftë studiuesit, që i nënvleftësojnë, qoftë ata që mbivlerësojnë njërën ose tjetrën dhe i shikojnë të ngrira e së jashtmi këto marrëdhënie, analizën e vet e nëpërkalon në ndërlikimet e tyre, për të hedhur dritë sa në rolin e kontekstit letrar e historik kulturor, aq edhe në rolin, shprehjen e subjektit krijues të shkrimtarit.

    3. Mendimi i ri kritik, që konkretisht është receptimi i veprës së Migjenit në vitet 1938-1944.

    4. Orientimi estetik i Migjenit.

    Në këtë kapitull, analizohet imtësisht, herë-herë, duke e pasuruar dokumentacionin me të dhëna të tjera të  pashfrytëzuara, diskutimi në vitet 1930 për “Drejtimet e reja letrare” dhe qëndrimi i Migjenit ndaj tij, qoftë drejtpërdrejt me mendime konkretë, qoftë edhe me marrëdhëniet dhe botimin e poezive dhe prozave, veçanërisht në revistën “Bota e RE”, nxitëse e diskutimit. Prej kësaj analize del formimi, bindjet realiste, si dhe përpjekjet për t’i kapërcyer kufijtë e tyre, tanimë, të pamjaftueshme, për të hyrë në modernizëm, në të dy rastet, zanafillë e origjinalitetit dhe e risive të veprës së tij. Prej leximeve të reja, ndër më të rëndësishmit, është i quajturi realizmi ekzistencial, i cili analizohet në rrafshin filozofiko-estetik, historiko-letrar, në brendinë, trajtat dhe nivelet e ligjërimit, figurshmërinë, strukturën, që ka përftuar në vepër. Pjesë e argumentimit dhe vlerë e veçantë e tij, kulturë dhe domosdoshmëri komunikimi shkencor, është edhe shqyrtimi i vazhdueshëm, pranimi, ose, kundërshtimi, polemika me mendimet e studiuesve të tjerë, cilësi e shkencës së mirëfilltë, ndonëse, e rrallë në studimet shqiptare, ende  pjesërisht të emancipuara. Në të është shqyrtuar në mënyrë kritike, gati, gjithçka e meritueshme, me bazë dokumentare e shkencore, që është thënë e diskutuar për jetën dhe veprën e Migjenit rreth 90 vjet. Sa për ta konkretizuar mënyrën e shqyrtimit kritik, le të përmendet trajtimi i problemit «Mbi «identitetin» e Migjenit», në 20 faqe, për të cilin është folë e përfolë, që kur Migjeni u shfaq publikisht me poezitë dhe prozat e tij, deri në ditët e sotme, me zell për ta qartësuar e dokumentuar, po ashtu, edhe me zell për ta ngatërruar e keqpërdorur.  Pikëmbështetje filozofike për përcaktimin e identitetit njerëzor në përgjithësi, dhe të shkrimtarit dhe të artistit në veçanti, është marrë mendimi i Benedeto Kroçes, që e gjen identitetin, në një sërë të dhënash: në jetën, biografinë, në historinë e krijimit, të studimit, ndikimit, vlerësimit dhe të interpretimit të veprës. Ky koncept zhvillohet dhe argumentohet në disa faqe, për mos ta parë identitetin vetëm tek përkatësia etnike dhe gjuha, pa e nënvleftësuar rëndësinë e madhe të tyre, as të lindur njëherë e përgjithmonë, por edhe tek formimi, kultura, në ndryshueshmëri, në lidhje me rrethanat dhe mjedisin. Pas këtyre parashtrohen dhe analizohen, merren për mbështetje të mendimit të tij, ose, kundërshtohen mendimet dhe argumentet e afërsisht dhjetë studiuesve të mëparshëm e bashkëkohorë. Shtjellimi i diskutimit ka objekt  formulimin e Arshi Pipës (më i cituari dhe më i vlerësuari në monografi), se Migjeni është «shpirti sllav që flet shqip», që, sipas Prof. Alfred Uçit, ka shkaktuar disa keqkuptime rreth identitetit të tij. Përballë këtij pohimi, përveç të dhënave biografike të përgatitur nga Skënder Luarasi, kunati i Migjenit nga martesa me të  motrën e tij, që ka patur në dorë të gjithë arkivin familjar dhe vetiak të Migjenit, ndër to edhe prejardhja e të parëve nga Dibra, janë vënë mendimet e pesë-gjashtë studiuesve të tjerë, dhe krahas tyre inkonsekuencat e vet Arshi Pipës për këtë problem nga koha në kohë. Fryma e debatit shkencor, që e përshkon monografinë, mund të jetë nxitje e mbarë për studime të tjera.