Bashkim KOÇI/ Festojnë bektashinjtë e Prishtës

    672
    Sigal

    Datën 30 Maj, në kalendarin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, e gjen si të veçantë, të caktuar si ditë pelegrinazhi në teqenë e famshme të fshatit Prishtë në rrethin e Skraparit. Më vjen mirë t’i them “e famshme” sepse historia e saj, e themeluar këtu e 160 vjet më parë, ka qenë më me fat nga të tjerat, brenda dhe jashtë vendit. Ndoshta është edhe nga më të privilegjuarat për kontributin që ka dhënë në përhapjen dhe konsolidimin e doktrinës mistike të bektashizmit. Meriton të quhet e tillë sepse aty, në mjediset e saj, në 14-17 janar të vitit 1921 u mbajt Kongresi i Parë i Bektashizmit, ai që do të hidhte themelet e reformimit të doktrinës bektashiane. Do të ishte Prishta, teqeja e saj, ku për herë të parë në historinë e bektashizmit, u miratua Statuti me 28 nene, të quajtur “Lidhja Bektashiane”. Pra aty në Prishtë, tek kjo teqe, mori udhë doktrina me devizën “Pa atdhe nuk ka fe”.

    Teqeja  e Prishtës, në tërë historinë e saj, ishte, ka qenë, dhe do të mbetet si ndër më të paktat të objekteve të kultit bektashian që ka nxjerrë figura të shquara, klerikë të lartë, të cilët mbahen mend si “gjeneralë” në udhë-rrëfimet për fjalën e Zotit. Baba Tahiri i Prishtës, baba Xhaferri që solli ABC-në, i dituri baba Ali Tomori, punë-shumi baba Kamber Pagria, doktrinari Hilmi Dede Abazi dhe shumë e shumë të tjerë, e morën udhëtimin shpirtëror aty, në atë teqe. Nga prishtallinjtë, nga të gjithë bektashinjtë e asaj zone e më gjerë, ata mbahen mend të jenë gurë themeli e që nuk mund t’i zëvendësojë kush për çka i dhanë njerëzisë për edukimin atdhetar e shpirtëror. Por një vit i mbrapshtë, si ai i 1967-ës, erdhi si një mallkim, si një vit që do të shkulte me themel të mirën, të bukurën, të pafajshmen teqe. Ç’patëm xhanëm, përse iu lëshuam, si dikur andartët grekë, për  të bërë të pabërën, për të rrafshuar, bashkë me besimin, edhe atë ngrehinë hijerëndë? Pas kaq vitesh po marrim vesh se paskemi qenë vërtet të çmendur, mëkatarë që duhet të na e rëndojë ndërgjegjen sa të jemi gjallë. Dhe të gjithë kemi qenë nga pak fajtorë, të gjithë ia paskemi hequr nga një gur “shtëpisë” tonë të përbashkët. Me dashje apo pa dashje, të nxitur nga dikush, apo të indroktinuar nga politika, ne e paskemi bërë këtë gjëmë.

    Dashuria dhe frika nuk shkojnë me njëra-tjetrën. Të pranosh këtë do të thotë që ajo çka ngjau me ne pas viteve 1990, pra pas fillimit të proceseve demokratike, është rikthim, është jo frikë, por dashuri ndaj besimit. Korifenj të bektashizmit, siç është Haxhi Dede Reshat Bardhi, dhanë zemrën, dhanë shpirtin për ringritjen e objekteve të kultit bektashian. Me shumë mundim, me shumë sakrifica, objektet e besimit, si teqetë, tyrbet dhe mekamet u ngritën një e nga një, si të paskëshin qenë në pritje “për të arritur përsosmërinë”. Kështu ka ngjarë edhe me teqenë e Prishtës. Sekretari i Gjyshatës për zonën e Jugut, Zalo Qato, e tregon me nota dashurie, por edhe me dhembshuri, atë çka kujton ai nga një bisedë me Dede Reshat Bardhin. Dëgjo bir, i paska thënë Kleriku i Madh, nëse kam një amanet për ty, përpara se të iki nga kjo Botë, është ajo që do të të them tani, për të cilin edhe të kam thirrur wshtw: Mos më lër pas dore teqenë e Prishtës!

    Zalo Qato, besimtar dhe njeri i devotshëm ndaj bektashizmit, e mori si një bekim për punë të mbarë, për punë të paqme, porosinë  e Dede Reshatit. Bekim, por dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për të ngjizur diçka të mrekullueshme. Kishte edhe një arsye tjetër: si të ishte reflektim për prapësinë që bëmë ne prishtallinjtë në të kaluarën e largët.

    Por ca më tepër dita e 30 Majit, e caktuar për pelegrinazh, duhej të festohej me objekt të ri, me teqe që të mund t’u kujtonte besimtarëve përfytyrimin e ish “teqesë së vjetër”, atë që kish pasur si projektues dhe zbatues baba Kamber Prishtën. Ai objekt, për hir të së vërtetës, nuk vjen më, është i papërsëritshëm, nëse do të shpreheshim kështu. Por shpalosim një realitet të vërtetë, nëse themi edhe tjetrën, që teqeja e porsandërtuar është po aq hijerëndë, po aq e veçantë e me plot bukuri mistike, si të jetë ndërtuar për të çmallur besimtarët bektashinj, tek kujtimet e të cilëve “fle” ajo teqeja e dikurshme, e një kohe shumë të largët.

    Ajo është goxha madhështore, si një kështjellë. Gurët e themeleve, të mureve të ngrehinës, të murit harkues që rrethon teqenë, u gjend aty, janë nxjerrë nga themelet e ish teqesë së dikurshme. Të tjerat pastaj, siç janë pllakat, gurët e mermertë dhe ndonjë material tjetër i vyer, i veçantë, janë sjellë nga Kulmaku, nga mali i Tomorit. Mjedisi përqark, disa hektarësh, është një bukuri tjetër, ashtu si atëherë, me vreshta, pemëtore të llojeve të ndryshme, korije të gjelbëruara me dushk e lajthi. E gjithë kjo “hartë” gjelbëroshe e bëjnë disi përrallore ndërtesën, e cila tash e tutje do të jetë “famëmadhja” teqe e Prishtës.

    Ditën e përurimit, më 30 Maj, erdhën disa dhjetëra besimtarë. Ishin prishtallinj “të vendit”, por dhe nga ata që janë larguar nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kishin ardhur nga Tirana, Durrësi, Fieri, Berati, Lushnja, Çorovoda etj. Ata të fshatrave përqark, si Çepani, Rogu, Rrehovica, Grepcka, Zabërzani, etj., të krijonin ndjesinë sikur të kishin ardhur aty, si dikur, besimtarët autoritarë të një kohe të largët, siç kanë qenë Rustem e Xhevo Çepani, Hamit Zabërzani e Abdulla Dorësi, Hamit Rehovica e Xhelal Muzhaka, Xhako Kajca e Ibrahim Zhepova. Sigurisht që këta bektashinj të rinj, të ardhur për të festuar, janë të një moshe tjetër, besimtarë të vitit 2014, janë bijtë, nipërit dhe mbesat e tyre. Madje, si për ironi të fatit tonë të përbashkët, për të marrë pjesë në përurimin e teqesë, kishin ardhur për pelegrinazh edhe ata, ashtu si unë, që kishim bërë propagandë, në mos ishim dhe organizatorët e aksioneve me “goditje të përqendruar” për prishjen dhe përdhosjen e objekteve të kultit.

    Brenda mureve, në mjediset e brendshme, ishin vendosur stenda me përmbajtje interesante. Ish e shpalosur, për aq sa mundej, e gjithë historia e teqesë së Prishtës. Edhe e bektashizmit në tërësi. Me dokumente, me fotografi, me një kronologji të admirueshme. Sekretari i Kryegjyshatës, historiani Nuri Çuni, kishte realizuar me kujdes, me merakun si për teqenë e Prishtës, ekspozitën, ndër më të mirat e përgatitura deri më sot. Aty besimtarët i gjetën të gjitha: Kongresin e parë të Bektashizmit, delegatët e Kongresit, baballarët që kanë drejtuar teqenë, dervishët dhe personalitete të mëdhenj të Klerit Bektashi, qysh nga shenjtori baba Tahiri i Prishtës, e deri tek më i fundit të asaj periudhe, baba Sabri Kalaja. Një dokument disi të rrallë, dhe që gjeti vend të ekspozohej në muret e teqesë, ishte ai i Baba Nasibi Sulltan Tahirit (1781). I ditur dhe shenjtor: “Me emrin Tahir kam ardhur më parë në Malind të Skraparit në kohën e Sulltan Sulejmanit të Parë. Tani jam këtu, në Frashër dhe si të vdes këtu, kam për të vajtur në Prishtë ku do të bëj këto vepra mirëbërëse…”. Siç edhe e dimë, baba Tahiri erdhi vërtet në Prishtë rreth pas një gjysëm shekulli. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj e konsideroi fat që ndodhej aty, në Prishtë, për të uruar e bekuar në emër të miliona besimtarëve bektashinj pjesëmarrësit në atë pelegrinazh festiv. “Ne ju vumë punës për ringritjen e teqesë së Prishtës, u tha besimtarëve kleriku i Lartë, jo thjeshtë për të sjellë ndërmend lavdinë e shkuar. Më tepër se rikujtim i ngjarjeve, i jetës së klerikëve dhe dashamirësve të bektashizmit, ne dëshirojmë nga thellësia e shpirtit që kjo Teqe të mbushet me zërat tuaj, me zërat tanë, me zërat e brezave të sotëm dhe të atyre që do të vijnë nesër. Se Bektashizmi është një besim që nuk mund të përshtatet dot me muzetë. Se bektashizmi është një frymë që veç pastrimit të përjetshëm të shpirtit, ecën plot gëzim e zhurmë, si lumenjtë në prill, duke thirrur shpresa të mëdha”.

    Ringritja e teqesë së Prishtës është ogur i mirë, është mbarësi për të gjithë bektashinjtë, por në veçanti për ata të Shqipërisë së Jugut. Ajo do të jetë Gjyshatë, kryeqendër për të gjitha teqetë e Beratit, Skraparit,Tepelenës dhe Gjirokastrës. Pelegrinët, ata që gjetën kohë për të marrë pjesë në ngjarjen më të rëndësishme të këtij gjysmë shekulli, u bashkuan si rrallë herë tjetër, duke u çmallur me njëri-tjetrin, duke iu rikthyer kujtimeve të largëta që lidheshin pazgjidhshmërisht me historinë e teqesë së Prishtës. Unë pash aty përfaqësues të të gjithë fiseve: Kujtim Kotobellin dhe të afërmit e tij, tek të cilët lëvron ende gjaku i i themeluesit të teqesë, baba Tahirit; Qamil e Dajlan Hajdarin, pasardhës të baba Ahmet Mersinit; Resul e Fiqiri Hajdarin, të cilët kishin marrë këtë rrugë të gjatë, nga qyteti i Lushnjes, për të kujtuar prindërit e tyre, shërbëtorë dhe besnikë të klerikëve të asaj teqeje; Ferit Lushkën, Sadik Mersinin, Iljas Laskën, Xhako Koçin, Elmas e Fatos Duron, të cilët ndjehen të lidhur shpirtërisht me këtë objekt kulti. Dhe pse? Sepse prindërit e tyre kanë qenë myhyb në saj të bindjeve të plota ndaj filozofisë të misticizmit bektashian.