Bajram Tirana: Shoqata e Para dhe Tetraplegjikëve, apel qeverisë: Kërkojmë plotësimin e kërkesave, ndryshe në protestë!

    600
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Bajram Tirana, kreu i Shoqatës së Invalidëve Para-Tetraplegjikë

      Mbetet një problem i pazgjidhur përfundimisht marrja e pagesës së paaftësisë për para dhe tetraplegjikët. Në rrethe sidomos mungesa e marrjes së pagesës është më e gjatë, ku persona të kësaj kategorie po bëjnë më shumë se 3 muaj që nuk marrin lekët. “Kjo gjë është e patolerueshme, pasi shumë prej këtyre njerëzve janë kryefamiljarë. Sëmundja e këtyre njerëzve ka kosto dhe mungesa e lekëve e bën akoma më të vështirë jetesën e tyre për mbarëvajtjen dhe kontrollin e sëmundjeve, por dhe jetës së tyre familjare”,- kështu është shprehur gjatë një interviste për “Telegraf”, Bajram Tirana, kreu i Shoqatës së Invalidëve Para-Tetraplegjikë. Sipas tij, në pamundësi për të punuar, pensionet mujore të këtyre invalidëve nuk plotësojnë nevojën e tyre për mjekim të vazhdueshëm, por edhe për të mbajtur familjen, pasi këta të sëmurë kanë nevojë për përkujdesje nga ana e një familjari, i cili normalisht duhet të jetë i siguruar. Ky është një tjetër problem që shqetëson këtë kategori njerëzish, pasi pensioni që marrin këta kujdestarë  është një vlerë simbolike prej 95 mijë lekësh të vjetra.

     -Zoti Tirana, a është zgjidhur problemi i marrjes së pagesave të paaftësisë për para dhe tetraplegjikët?

    -Unë mund të ju them se marrja e pagesës së paaftësisë, është marrë pagesa për muajin dhjetor nga një pjesë e personave. Në Tiranë nga informacionet që unë kam ka ende disa minibashki që nuk i kanë marrë lekët. Ndërkohë sa i takon personave nga rrethet ata kanë një mungesë prej 3-4 muaj të pagesës. Kjo gjë është e patolerueshme, pasi shumë prej këtyre njerëzve janë kryefamiljarë. Sëmundja e këtyre njerëzve ka kosto dhe mungesa e lekëve e bën akoma më të vështirë jetesën e tyre për mbarëvajtjen dhe kontrollin e sëmundjeve, por dhe jetës së tyre familjare. Çdo ditë na gënjejnë që do i kalojnë lekët, por deri më tani asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.

     -Çfarë justifikimi u është dhënë për vonesat që u janë bërë për marrjen e pagesës?

    -Ne si shoqatë kemi kërkuar një përgjigje nga njësitë Bashkiake dhe komunat, por shpjegimi i tyre ka qenë se s’kanë fonde në dispozicion për kryerjen e pagesave në kohë. Jemi munduar që të kërkojmë përgjigje dhe pranë Ministrisë së Punës, por duhet thënë se as nga kjo ministri nuk kemi marrë asnjë përgjigje pozitive. Ministria e Financave dhe Ministria e Punës po tallet me jetët tona, me atë të invalidëve. Dhe ne jemi qytetarë të këtij vendi, por po fyhemi çdo ditë e më shumë me neglizhencën e institucioneve, jemi lënë në harresë. Ndaj e vetmja gjë që na ngelet është të presim se kur do kalojnë lekët nëpër llogaritë tona.

    -Çfarë masash do të marri shoqata e Para dhe Tetraplegjikëve nëse nuk ndërhyhet për zgjidhjen e këtij problemi?

    -Të gjithë që janë pjesë e kësaj kategorie njerëzish janë shumë të indinjuar nga ky diskriminim, ndaj ne do bëjmë çdo gjë për të na u dhënë kjo e drejtë ligjore e mohuar.Potrajtohemi në kushte mizerable, ndaj dhe ne do veprojmë në format tona demokratike. Mendojmë të mblidhemi si anëtarë të kësaj shoqate dhe të diskutojmë mbi situatën aktuale dhe për shumë probleme që sot shqetëson këtë kategori të diskriminuar. Së bashku me anëtarët e shoqatës, nëse nuk plotësohen nevojat tona do dalim në protestë, për këtë jemi të vendosur. Do dalim të gjithë në protestë për të apeluar për drejtësi, pasi duhet të stimulohemi.

     -Është thënë nga Drejtoria e Shërbimit Social Shtetëror, se ka pasur dhe një rritje fiktive të numrit të personave që kërkojnë të marrin pagesë paaftësie. A është e vërtetë kjo?

    -Edhe mund të ketë pasur rritje fiktive të numrit të personave që duan të përfitojnë dhe kjo nuk është as në të mirën tonë dhe as në të mirën e ministrisë. Por unë mund t’ju them që edhe nëse janë bërë këto rritje, korrupsioni buron nga qeveria. Sepse komisionet për kemin i kanë nën mbikëqyrje organet shtetërore.

    Pagesa qesharake që marrim

    Paketa ekonomike është tej mase e ulët, dhe shkon paralel me paketën e kujdestarit, dhe shkon në një shumë prej 95 mijë lekësh të vjetra. Kjo paketë është tej mase e ulët dhe e papërballueshme, duke marrë parasysh nivelin e lartë ekonomik që ka arritur sot dhe për standardet e jetesës, të cilat nuk i përmbushim dot.