AUSTRALI/ Si emigrojnë prindërit me garancinë e fëmijëve

    513
    Sigal

    AUSTRALI/ Viza kur ke lidhje me qytetar australian

     Ai person që ka lidhje familjare me një qytetar(e) australian, mund të përfitojë qëndrim të përhershëm në Australi, kur termi “lidhje” nënkupton marrëdhënie martesore, një lidhje “de fakto”, një martesë në perspektivë (fejesë) ose marrëdhënie “të ndërvarur”, që nënkupton lidhjes mes personave të të njëjtit seks. Edhe martesa me një qytetar(e) australian, nuk të garanton automatikisht të drejtën e qëndrimit në Australi. Për këtë, personi duhet të aplikojë për atë të quhet “viza partneriale”. Kjo e fundit ndahet në disa kategori, në varësi të lidhjes që qytetari i huaj ka me atë australian. Kështu, për lidhjen martesore dhe atë “de fakto” (lidhje martesore e pazyrtarizuar), i huaji aplikon veças për “vizën e martesës”; po kështu për vizën e fejesës dhe të lidhjes së ndërvarur. Kjo pasi ka procedura të veçanta për secilën nga këto kategori. Nuk mund të aplikojë për vizë, ai qytetar i huaj që ka borxhe apo precedentë penalë ndaj Komënuellthit australian apo Zelandës së Re. Nga ana tjetër, secili aplikant duhet të ketë një sponsor. Ky i fundit është normalisht, ai që ka lidhje me aplikantin, (bashkëshorti(ja), i fejuari (a) etj). Qytetari i huaj që kërkon vizë australiane, duhet të plotësojë formularin përkatës “Aplikimi për emigrim në Australi me partner”, i cili është formati 47SP, dhe gjendet në internet, ndërsa sponsori përkatës duhet të plotësojë formatin 40SP. Të dyja formatet, i interesuari duhet t’i printojë dhe t’i bashkojë në dosjen e tij të aplikimit.

    Proceset
    Emigracioni përmes partnerit është një proces me dy faza. Së pari, pasi plotësohen kriteret, autoritetet australiane japin një vizë të përkohshme. Pas dy vjetësh, autoritetet vlerësojnë lidhjen në fjalë dhe konsiderojnë dhënien e vizës së përhershme. Personat që kanë aplikuar për “synim martese”, pra të fejuarit, kanë në dispozicion 9 muaj kohë për të hyrë në Australi pasi marrin vizën e përkohshme, dhe duhet të martohen para se të aplikojnë për kategorinë “viza martesore”. Në përgjithësi, vizat e përhershme jepen pasi është vlerësuar nga autoritetet lidhje në fjalë, ku aplikantët dhe çdo person i përfshirë në aplikim, duhet të plotësojnë edhe kriteret ligjore, kërkesat shëndetësore dhe ato të karakterit personal etj., para se të konsiderohen për këtë vizë.
    Kriteret shëndetësore
    Aplikantët dhe personat e angazhuar në aplikim, (fëmija poshtë 18 vjeç etj), apo dhe të afërmit me të cilët aplikanti jeton bashkë, por që nuk do të udhëtojnë me të, duket të bëjnë ekzaminimet mjekësore, të cilat do të bashkëngjiten dosjes së aplikimit. Në ekzaminime, përfshihen kontrolli i përgjithshëm, rrezet x (për mushkëritë), dhe teste të tjera, (sytë, veshët). Refuzimi i vizës është i sigurt në rastin e tuberkulozit, ose për ato sëmundje ku autoritete mendojnë se trajtimi në Australi do të jetë i kushtueshëm apo jashtë mundësive të sponsorit. Dalja pozitiv me testin HIV, nuk nënkupton përjashtim automatik.
    Australia kërkon mjekë dhe infermierë

    Departamenti Australian i Emigracionit, ka bërë të ditur se ndër profesionet më të kërkuara, janë ato që lidhen me mjekësinë dhe infermierinë, në shumicën e profileve të tyre. Më poshtë po botojmë profesionet dhe specialitetet e veçanta, bashkë me pikët përkatëse. Kujtojmë lexuesit se kriteret bazë që duhen plotësuar, pa të cilat nuk mund të vazhdohet procedura e aplikimit, janë:
    Lista SOL për mjekësinë Profili Pikët
    Anestezist 60
    Dermatolog 60
    Specialist i urgjencës 60
    Mjek i përgjithshëm 60
    Obstet-gjinekolog 60
    Ofthalmolog 60
    Pediatër 60
    Patolog 60
    Psikiatër 60
    Radiolog 60
    Kirurg 60
    Infermiere për invalidët fizikë 60
    Infermiere për të paaftët mendorë 60
    Mami e kualifikuar 60
    Infermiere e përgjithshme 60
    Terapist 60
    Farmacist industrial 50
    Farmacist spitalor 60
    Farmacist i pakicës 60

    Si emigrojnë prindërit me garancinë e fëmijëve
    Edhe prindërit e moshuar kanë mundësi të emigrojnë në Australi, nëse ata kanë të një fëmijë ose më shumë, që jeton në këtë vend, është qytetar australian, rezident i përhershëm në Australi ose qytetar i Zelandës së Re, kur ky i fundit ka plotësuar kushtet australiane sipas marrëveshjeve dypalëshe. Vizat që autoritetet australiane kanë në dispozicion për prindërit, ndahen në dy kategori:
    Kategoria e prindërve
    Për të aplikuar për emigrim në Australi si prind i fëmijës së rritur që jeton në këtë vend sipas kushteve të mësipërme, duhet të jesh i sponsorizuar, përgjithësisht nga fëmija. Numri i vizave të disponuara nga autoritetet australiane të emigracionit për këtë kategori, është gjithsej 1 mijë në vit.
    Kategoria e prindërve për të cilët kontribuon
    Nën këtë kategori, autoritetet kanë në disponim 3500 viza në vit, ndërsa theksojmë se aplikantët për vizë në këtë kategori, paguajnë një shumë aplikimi për të herë të dytë, mjaft më të lartë se hera e parë (kur kërkojnë qëndrim të përhershëm në vend), si taksë për arsye të kostove të mundshme shëndetësore. Edhe për këtë kategori, përgjithësisht sponsori është fëmija që aplikon për të marrë prindërit.
    Kërkesat bazë
    Përveç kërkesës kryesore, që fëmija të jetë qytetar australian ose me qëndrim legal të përhershëm në këtë vend, ka edhe disa pika të tjera që duhen plotësuar, për të nisur aplikimin për vizën e prindërve. Kështu:
    -Prindërit duhet të kalojnë të ashtuquajturin “testin e balancimit familjar”. Me fjalë të tjera, nëse prindërit kanë më shumë fëmijë në moshë madhore jashtë Australisë sesa në vend, ata nuk kualifikohen. Në Australi duhet të jetojë të paktën gjysma e fëmijëve të rritur e prindërve. Për shembull, nëse prindërit kanë dy fëmijë në moshë madhore, njëri prej të cilëve jeton ligjërisht në Australi sipas kushteve të përshkruara, ata mund të aplikojnë për “vizën e prindërve”.
    -Të interesuarit duhet të plotësojnë kriteret shëndetësore dhe të kryejnë testet mjekësore përkatëse, sipas kërkesave të aplikimit të përshkruara edhe më parë, si kontrolli i përgjithshëm, rrezet x (për mushkëritë), dhe teste të tjera, (sytë, veshët). Refuzimi i vizës është i sigurt në rastin e tuberkulozit, ose për ato sëmundje ku autoritete mendojnë se trajtimi në Australi do të jetë i kushtueshëm apo jashtë mundësive të sponsorit.
    -Nëse aplikon për vizë të përhershme prindërore, personi(at) duhet të dëshmojë se ka sigurim mbështetjeje (është i siguruar) financiare të njohur nga autoritetet, me faturat përkatëse të paguara, (të paktën një).

    Vizat studentore për në Australi
    Qeveria australiane ka vënë në funksionim një program të quajtur “Programi për Studentët e Huaj, (OSP), i cili lejon personat nga e gjithë bota, që nuk janë qytetarë australianë ose rezidentë të përhershëm në Australi, të studiojnë në këtë vend. Pra, kushdo person që nuk është resident apo qytetar i Australisë, mund të aplikojë për të studiuar në Australi. Për këtë, i interesuari duhet të aplikojë për atë që quhet “viza studentore”. Viza jepet nga autoritetet, vetëm nëse personi kërkon të studiojë në një institucion arsimor të regjistruar dhe të njohur, duke ndjekur një kurs ose një pjesë të tij, por gjithmonë me kohë të plotë. Çdo i interesuar duhet të paraqesë bashkë me aplikimin, edhe dokumentin e njohur zyrtar të institucionit më të fundit arsimor në vendin e tij, ku ai ka studiuar, (vërtetim, deftësë etj., të përkthyer dhe noterizuar).
    Kushte bazë
    Kandidati për student në institucionet arsimore të Australisë, duhet të plotësojë së pari disa kushte bazë, pa të cilat aplikimi i mëtejshëm do të ishte i dështuar. Kështu:
    -Ai duhet të ketë sigurime shëndetësore
    -Të mos ketë borxhe ndaj Australisë apo vendeve të Komenuellthit.
    -Karakter të cilësuar “të mirë”, sipas kushteve të Zyrës së Emigracionit, që quhen “Deklarata e karakterit”.
    Nga ana tjetër, vizat australiane për studentë, ndahen në 7 nënkategori, duke filluar nga shkolla fillore deri në studimet pasuniversitare. Ne do të përqendrohemi në vizat për shkollat e larta.
    Dokumentacioni
    Minimumi i dokumentacionit që i interesuari i duhet të paraqesë pranë zyrës më të afërt përfaqësuese të shtetit të Australisë, për të aplikuar për vizë studentore, është si vijon:
    -Aplikimi për vizë studentore, formati 157A
    -Pasaporta
    -Konfirmimi i Regjistrimit ose letra e ofertës nga institucioni përkatës arsimor australian ku ju doni të studioni.
    -Dokumentacioni i sigurimit shëndetësor
    -Evidenca që tregojnë se ju keni mundësi të paguani kurset e studimit
    -Evidenca që tregojnë se keni mundësinë financiare për të siguruar jetesën gjatë studimit
    -Dhe rezultatet e ekzaminimeve tuaja shëndetësore
    Mund t’ju kërkohet edhe rezultati i provimeve tuaja të zotërimit të gjuhës angleze nga institucionet e njohura të vendit tuaj.

    Njoftim: Zyra përgjegjëse për aplikimet për vizë australiane të shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova, është ambasada australiane në Athinë. Adresa: Ndërtesa THON, Kryqëzimi Kifisias dhe Aleksandras, Ambelokipi. Kutia Postare 14070, Athinë, Greqi 11510. Telefon 30 210 870 4000 (Ambasada), Fax 30 210 870 4125 (Zyra e Emigracionit). Adresë e-mail: [email protected]

    Lista e dokumenteve që kërkohen
    Të gjithë aplikantët për vizë australiane të emigrantit të kualifikuar, duhet të paraqesin këto dokumente, ose aplikimi do të kthehet si i paplotësuar.
    -Aplikanti duhet të plotësojë në mënyrë korrekte formatin 47SK “Aplikimi për migracion të kualifikuar në Australi”
    -Të paguajë kuotën e tarifës së aplikimit në dollarë australianë, sipas mënyrës së përcaktuar në format, (kurrë në para kesh)
    -Certifikatë e plotë e lindjes dhe të dhënat për personat e tjerë të përfshirë në aplikim, nëse ka.
    -Dokumentacion për vlerësimin e aftësive nga autoriteti i pranimit të aplikimit.
    -Adresën e plotë ku jetoni dhe ku keni parashikuar të jetoni në vazhdim gjatë kohës së procesimit të aplikimit.
    -Aplikimin fillestar që i keni dërguar adresës ASPC, GPO Box 1638, Adelaide SA 5001.
    Të tjera
    -Duhet të përcaktoni qartë profesionin tuaj, siç specifikohet në listën e profesioneve të kualifikuara SOL.
    -Për të gjithë familjarët tuaj, nëse janë në listën e emigrimit ose jo, duhet të paraqisni 4 foto pasaporte të kohëve të fundit, ndërsa identiteti dhe ditëlindja e secilit të jetë e printuar pas fotos.
    -Aplikanti duhet të paraqesë fotokopje të noterizuara të faqeve të pasaportës së tij, që janë të përdorura, (që kanë viza të tjera, shënime etj).
    -Aplikanti duhet të paraqesë dokumente që vërtetojnë përvojën e punës.
    Aplikanti duhet të përfshijë në dokumentacion, evidenca të njohurisë së anglishtes.
    -Nëse posedohet testi IELTS, pranohet vetëm dokumenti origjinal.
    -Aplikanti që synon të plotësojë testing e pikëve, të përfshijë një kopje të çdo liçensë pune apo anëtarësie në organizata ekonomike që posedon.
    -Aplikanti duhet të plotësojë formatin 80, “të dhëna personale për karakterin”, dhe të përfshijë detaje të adresave të tij të banimit për 10 vitet e fundit.
    -Çdo person i familjes i varur nga ju, bashkëshorti(ja) apo fëmijët mbi 18 vjeç, nëse emigrojnë me ju ose jo, duhet të plotësojnë formatin 47A, “Detaje për fëmijën ose familjar tjetër mbi 18 vjeç”. Formatet e përmendura gjenden në sajtin e DIMIA.
    -Nëse bashkëshorti(ja) nuk emigron bashkë me ju, detaje pse është marrë ky vendim dhe nëse synon të emigrojë pas jush në vend.
    -Nëse personat e përmendur gjatë gjithë aplikimit tuaj janë të martuar, duhet një certifikatë e martesës së tij/saj, dhe kjo kërkesë vlen edhe në rastet e divorcit, vdekjes së partnerit etj.

     Sqarim: Për problemet e emigracionit gazeta Telegraf do t;ju informojë çdo të hënë dhe të premte. Ju mund të dërgoni pyetjet tuaja në adresën elektronike të gazetës Telegraf dhe në adresën: [email protected]