Auron Tare/Qyteti i Gjirokastrës rrezikon statusin e veçantë si Pasuri Botërore

    341
    Sigal

    Përse Ministria e Kulturës hesht për skandalin në zonën muzeale të Gjirokastrës

    *deputet i PS-së

     Ministria  e Kulturës ka vendosur të heshtë  mbi skandalin të një leje ndërtimi në zonën muzeale  të Gjirokastrës. E miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit, i kryesuar nga ish- ministri Bumçi  kjo leje ndërtimi për një Monument që nuk ekziston, tregon shkallën e lartë të korruptimit të zyrtarëve, që kanë detyrë të ruajnë Trashëgiminë Kulturore. Raportet e fundit të institucioneve ndërkombëtare të UNESCO dheICOMOS flasin për shqetësime serioze, që këto dy institucione kanë në lidhje me ruajtjen e Trashëgimisë së Gjirokastrës. Një numër i madh ndërtimesh pa leje, apo ndërhyrje jashtë çdo kriteri të restaurimeve, kanë bërë që qyteti i Gjirokastrës të rrezikojë statusin e veçantë si Pasuri Botërore. E si për të thelluar më shumë problemin me Gjirokastrën, Ministria e Kulturës dhe institucionet në varësi, kanë miratuar një ndërhyrje thellësisht të paligjshme, të palogjike dhe jashtë çdo kriteri të ruajtjes së statusit të veçantë të Gjirokastrës.  Nëse kryhet një ndërhyrje e tillë, ajo do t’i hapë rrugën çfarëdo lloj ndërtimi dhe do të legjitimojë çdo katrahurë urbanistike në zonën muzeale.  Më duhet të pranoj se edhe projekti për një godinë universitare, që ka qenë planifikuar më parë, do ta rrezikonte po njësoj integritetin e ansamblit muzeal të Gjirokastrës.  Po përse ka ndodhur një gjë e tillë?   Është shumë e vështirë të pranosh se Këshilli Kombëtar  i Restaurimeve nuk ka ditur se çfarë po bën. Por skandali më i madh është projekti i miratuar nga ky Këshill me firmën e ministrit Bumçi. Siç mund të shikohet nga fotografitë  e botuara, projekti që Këshilli Kombëtar  ka miratuar, është hartuar nga dy punonjës të administratës së Ministrisë së Kulturës. Këta dy punonjës, që kanë hartuar një Projekt  të denjë për Disneyland ( njëri është edhe përfaqësues iICOMOS)  kanë detyrë shtetërore të ruajnë dhe mbrojnë Trashëgiminë Kulturore dhe, në këtë rast, të zonës muzeale të Gjirokastrës.  Si ka mundësi që këta punonjës shtetërorë të ndërmarrin një hap kaq të guximshëm, duke dalë jashtë çdo kriteri profesional, duke marrë edhe miratimin e Institutit të Monumenteve?  Por punonjësit e administratës së Institutit të Monumenteve kanë hartuar një projekt në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare, Kartën e restaurimeve, si dhe të drejtën historike të Qytetit. Për më tepër, këta punonjës të Institutit të Monumenteve kanë hartuar një projekt për “Restaurim” të një godine që nuk ekziston, të një godine, e cila, sipas disa fotove të pronarëve të truallit, është djegur në vitin 1950 dhe si rrjedhojë nuk ka pasur asnjëherë statusin e Monumentit të Kulturës, pasi Gjirokastra u shpall qytet Muze në fillimin e viteve 1960. Është shumë e çuditshme se si anëtarët e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve nuk kanë marrë mundimin të pyesin, apo të informohen për këto fakte shumë të thjeshta, të cilat hedhin poshtë çdo pretendim për “Restaurim” të një godine, që nuk ka asnjë Status dhe, si pasojë,  nuk mund të jetë objekt i punës së IMK-së. Bazuar në cilin ligj punonjësit e IMK-së kërkojnë të transformojnë zonën, e cila është pranuar si zonë muzeale dhe me po të njëjtën kriter ka marrë Statusin e Trashëgimisë Botërore?  Deri më tani Ministria e Kulturës nuk ka dalë me asnjë justifikim për të na treguar së çfarë e ka bindur atë që të ndërhyjë në zonën muzeale të Gjirokastrës. Po me të njëjtën logjikë, zoti Bumçi dhe njerëzit e tij, të Trashëgimisë Kulturore, i hapën rrugë ndërtimit të një objekti të madh në hyrjen e Kalasë së Krujës, duke zhbërë përgjithnjë peizazhin historik të  Kalasë së Krujës.  Përse zoti Bumçi dhe profesorët e tjerë kanë firmosur për një “restaurim”, i cili nuk ka asnjë bazë ligjore? Përse “rojtarët” e Trashëgimisë sonë Kulturore, me koshiencë të plotë, dëmtojnë zonat muzeale? Ministria e Kulturës vazhdon të heshtë, duke mos dashur. të paktën të debatojë dhe të informojë qytetarët e vet mbi këtë akt që dëmton rëndë pasurinë kulturore të një prej zonave më të rëndësishme të Kulturës sonë Kombëtare. Zoti Bumçi, i cili tashmë si Ministër i Jashtëm, ka nën juridiksion Zyrën Kombëtare të UNESCO-s, i duhet të raportojë përpara Zyrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO për këto dëmtime në Gjirokastër. Na duhet të presim edhe pak jave për të parë reagimin e ndërkombëtarëve, një paradoks ky tipik shqiptar, ku si gjithnjë të huajt ruajnë Trashëgiminë Kulturore të shqiptarëve nga vetë … shqiptarët.