Astrit Beci:“Shëndetësia jonë publike është në koma, politika i heq oksigjenin që të vdesë”

    470
    Sigal

    Konfirmon  shkrimin e “Telegraf” deputeti i PS-së, Astrit Beci, anëtar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë 

    Në numrin e djeshëm, gazeta “Telegraf” publikoi shkrimin investigativ për shkatërrimin e qëllimshëm të Spitalit Ushtarak dhe Onkologjik, nga qeveria, si strategji për të vjedhur dhe mashtruar shqiptarët, duke dhënë prova të pakundërshtueshme, sikurse dhënia e ambienteve të Spitalit Ushtarak të Tiranës në përdorim privatëve, si edhe privatizim të pjesshëm të tyre. Kjo politikë vetëm në Shqipëri ndodh, ku në mjediset e spitalit publik të bashkekzistojnë edhe spitale private. Ndërkohë, që në spitalet publike mungojnë tërësisht ilaçet, edhe pse pacientët kanë paguar në kontributet e tyre për shëndetësinë, ndërsa nga ana tjetër, shteti ka në  buxhetin e tij mbi 220 milionë dollarë në vit. Pyetja shtrohet. Ku shkojë këto 220  milionë dollarë, kur të gjitha ilaçet dhe materialet ndihmëse në spitale i paguajnë vetë pacientët?

    Deputeti i PS-së, Astrit Beci, mjek në profesion dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, në intervistën për “Telegraf”, duke bërë një rezyme të realitetit të shëndetësisë publike, u shpreh se: “Shëndetësia publike sot, si dhe shumica e institucioneve të tjera, ndodhet në një gjendje kaotike, ku shërbimet ndaj qytetarit, qofshin ato në shërbimet parësore, dytësore apo dhe universitare lënë shumë për të dëshiruar”.  Zoti Beci, si mjek shpjegon që ky realitet i zymtë i shëndetësisë publike vjen nga “ mungesa e fondeve, reformat gjysmake, drejtimi politik dhe nepotik, mungesa e vizionit dhe korrupsioni janë disa prej shkaktarëve të problematikës të madhe me të cilët përballet shëndetësia publike sot”.

    Deputeti Beci shpjegon edhe përse politika qeverisëse privatizon pjesërisht mjediset e spitaleve publike, duke lejuar që në brendësi të tyre të mbijnë objektet private të shëndetësisë. “Dhënia  pjesshme  me qira , apo privatizimi i institucioneve shtetërore shëndetësore , territore apo godina   strukturave private  shëndetësore apo kafene,  dëshmon për një shembull unik ne te, sesi dëmtohen interesat e shtetit dhe të shtetasve. Nëse Qeveria e Zogut në 1929 do blinte me mijëra napolona ar tokën për të ndërtuar Spitalin Ushtarak, qeveria e sotme do të lëshojë pjesë të këtij institucioni dhe shërbimeve privatit me qira”. Por e keqja rrënuese nuk mjafton me kaq për shëndetësinë publike. Deputeti Beci hedh dritë për spekulimet që bëhen në dëm të shëndetit e xhepit të qytetarëve. “Trefishimi dhe katërfishimi i shumë prej tarifave të ekzaminimeve mjekësore si dhe vendosja e 10% e TVSH për ilaçet kanë qenë dy momente kryesore që kanë ulur ndjeshëm kujdesin shëndetësor dhe kanë renduar xhepat e pacienteve. Përherë dhe më shumë qytetarët tanë ballafaqohen me spitale hotele, variant i ri ky spitalesh, ku duhet të blesh ilaçet, ushqimet, shpesh të marrësh ngrohës apo ujë me vete”. Ka edhe përgjegjës për këtë sëmundje kanceroze të sistemit të shëndetësisë publike në vendin tonë. Natyrisht, janë drejtuesit politikë të shëndetësisë publike. Që sipas deputetit Beci, “drejtuesit politikë të shëndetësisë publike mendojnë si biznesmenë, duke parë kahun e interesave vetjake e të njerëzve që u shërbejnë, sesa të mendojnë të jenë mjekë të kurimit të gjendjes kaotike. Shëndetësia jonë është në koma, politika i heq oksigjenin, që të vdesë sa më parë”.