Arian GALDINI/Kronikë e një tentative për vrasje me paramendim në QSUT

    423
    Sigal

    Tronditet Europa, Beqja “krihet”, QSUT digjet. Testimi i mjekëve versus kalvarit të pacientëve me kancer që “trajtohen” me medikamente jashtë standardit

    Para disa muajsh një familjar i imi shumë i afërt zbulon se ka një mase tumorale. Shkojmë në QSUT dhe kryejmë aty të gjithë protokollin e konsultave dhe kujdesit. Vendoset t’i bëhet operacion për heqjen e masës tumorale. Besuam tek profesionalizmi dhe përgjegjshmëria e mjekëve. Por që pas atij operacioni, familjari im, ka përjetuar një sagë të vërtetë vuajtjesh nga infeksionet e pafundme që pësoi. Është shtruar disa herë në spital për infeksion. Gjë që dëshmon se përgjegjësia kryesore bie mbi kirurgun që ka kryer operacionin. Nuk po hyj fare në dëshminë e kalvarit nëpër të cilin kalon një pacient që shtrohet në spital tek QSUT, sepse kjo kërkon një rrëfim të detajuar të mbushur plot dramacitet. Të lodhur me trajtimin dhe shtrimet e disahershme për infeksion, ne vendosim që ta çojmë familjarin tonë në Turqi. Atje, në spitalin, ku bëri kontrollin e imët, doktorët turq u befasuan me cilësinë dhe nivelin skandaloz të ndërhyrjes kirurgjikale dhe trajtimin që i ishte bërë familjarit tim. E çka ishte më dramatike për ne, doktorët turq thanë se ndërhyrja kirurgjikale ishte bëre krejt jashtë protokollit, pra ishte bërë gabim… Sidoqoftë, doktorët turq dhanë një protokoll trajtimi me kimioterapi venoze e disa mjekime të tjera plotësuese. Kthehet këtu në Tiranë familjari dhe interesohemi në QSUT, për kryerjen e këtij Protokolli sipas rekomandimit të doktorëve turq. Doktorët këtu bien dakord me Protokollin e doktorëve turq. Por mësojmë se ky lloj trajtimi me këtë kimio është shumë, shumë i shtrenjtë dhe hyn tek trajtimet e rimbursueshme nga shteti. Interesohemi në mënyrë të drejtpërdrejtë, por aty në QSUT, të gjithë habiteshin sesi ne kërkonim kaq normalisht një gjë që na takonte, por që sipas realitetit aty ishte plotësisht e pamundur. Kishte dy mënyra të thëna nën zë që mund të sigurohej ky trajtim me rimbursim nga shteti, ose të paguajë p.sh 5000 euro nën dorë, ose të gjejë një mik tepër të rëndësishëm lart në Qeveri. Unë nuk doja t’i hyja fare rrugës së pagesës nën dorë, kështu që kërkova ndihmë tek miq të mrekullueshëm personal, lart në qeverisje. Njeriu që mori përsipër të më ndihmojë për mua dhe familjen time është engjëll dhe tek unë dhe familjarët e mi ka mirënjohje të përjetshme. Ky njeri meriton bekimet më të sinqerta, sepse ka marre përsipër të na ndihmojë krejt natyralisht pa kushte, me mirësi të pakufishme. Është njeri që rrallë gjendet në realitetin tonë. Emrin nuk po e them, por vetë njeriu e di dhe në familjarisht e kemi shumë, shumë për zemër. Miku ynë flet me drejtueset më të larta të QSUT-së dhe u kërkon që familjari im të marrë sipas ligjit atë që i takon, pra, trajtim me rimbursim nga shteti. Përgjigjja nga drejtueset e QSUT ishte e menjëhershme dhe pozitive. Por, ja, që këtu fillon edhe kalvari i ri…

    Narvina, drejtorja e farmacisë në QSUT… dhe telefoni i prishur

    Edhe pse me mik nga lart dhe urdhër nga Drejtueset e QSUT, aty në QSUT është një Drejtoreshë e Farmacisë me emrin Narvina, një mostër e vërtetë, që bën si shefe mbi shefet. Ajo përbuz dhe shpërfill këdo që shkon t’i kërkojë kryerjen e një shërbimi nën detyrën e saj. Ajo nuk e kupton fare, as gjendjen psikologjike të një të sëmuri me masë tumorale, e as të të afërmve të të sëmurit. Ajo është mostër… Me shumë gjasa dyshoj se për Narvinën, çdo familjar, apo pacient që vjen me porosi nga lart, siç duket është heqje e pjesës së fitimit, që ajo ndoshta merr nga shitjet nën dorë. Nuk mund ta imagjinoni pritjen në të ftohtin e këtij dimri, në lulishtet e QSUT për orë e orë të tëra, të familjarëve dhe pacientit, në pritje të Narvinës… Kështu ndodhi herën e parë… Më keq u bë herën e dytë… Kimio ka një cikël çdo 2 javë… Kur vinte dita e kimios për mua, familjen time dhe familjarin e sëmurë ishte një torturë e vërtetë. Edhe pse drejtueset e QSUT-së ia kishin dhënë porosinë me emrin e familjarit tim të sëmurë Narvinës, kjo mostra, ishte e pamundur për t’u takuar. E ne prisnim bashkë me familjarin e sëmurë në lulishte, mes të ftohtit të mëngjesit deri pasdite. Dhe Narvina ishte e pamundur për t’u takuar. Edhe nëse kishe fat dhe e takoje, kjo mostra Narvina, të priste fytyrërrudhur dhe shpërfillshëm, a thua se ajo ishte Princesha e Bizeles së Andersenit, dhe ti Lebrozi shpellar, që sapo kishe dalë nga ndonjë skutë e ndotur. Përgjigja që merrje nga Narvina ishte: Nuk ka ilaç… E unë detyrohesha të komunikoja me mikun tim engjëllor lart në Qeverisje, e miku fliste me Drejtueset e QSUT-së, e Drejtueset e QSUT-së flisnin me Narvinën, e pas kësaj Narvina nëse kishim mundësi ta takonim sërish, na thoshte se: Ilaçi është…. Besomëni kjo ndodhte çdo dy javë. Kur vinte dita e ciklit të kimios, ne shkonim që në mëngjes në QSUT, prisnim mes të ftohtit në lulishten e QSUT-së që të takonim Narvinën, ajo ishte e pamundur për t’u takuar. Kur me këmbëngulje ia dilnim ta takonim, përgjigjja e saj e parë ishte: Nuk ka ilaç… Pastaj unë detyrohesha të flisja me mikun tim engjëllor lart në qeverisje, që miku im të fliste me Drejtueset e QSUT, që pas kësaj drejtueset e QSUT t’i jepnin sërish urdhër Narvinës, që më në fund pasi ne të këmbëngulnim për ta takuar Narvinën, e t’ia dilnim mbanë me shumë mund për ta takuar, Narvina të na thoshte me përbuzje e bezdi: Ilaçi erdhi…. Për ne kishte rëndësi lajmi se ilaçi erdhi, e as që e vrisnim mendjen për përbuzjen që na jepte Narvina… sidoqoftë, asnjë cikël nuk u bë në kohë, sepse mes këtyre pritjeve në lulishten e QSUT-së, mes të ftohtit të këtij dimri, mes bisedave me mikun engjëllor, e pas kësaj të mikut engjëllor me drejtueset e QSUT-së, e pas kësaj mes pronësisë së tyre për Narvinën dhe përpjekjeve tona për ta ritakuar Narvinën që të na jepte lajmin se ilaçi erdhi, ne humbisnim ditë. Cikli duhej bërë çdo 2 javë, por ne mezi ia dilnim ta bënim me 4 ditë vonesë, deri në 2 javë e gjysmë vonesë, herën e fundit. Dhe ishte dramatike për ne, sepse trajtimi bëhet me cikle, çdo 2 javë, sepse e ka një protokoll. Mosarritja dhe pamundësia jonë për ta bërë në ditën e duhur ciklin, pra çdo 2 javë, na shqetësonte për vetë efektin e kemios. Vonesat në cikël, logjikisht, prishnin ciklin. Por, as Narvina, e askush në QSUT nuk mbanin përgjegjësi, as na jepnin përgjigje, e as e çanin kokën për ditët e humbura, vonesat në cikël dhe efektin e këtyre vonesave tek pacienti. Ndaj ne vendosem që pasi përfundoi trajtimin e parë me 4 cikle, ta dërgonim përsëri në Turqi, familjarin tim, që të bënte një kontroll.

    “Avastina” e Narvinës, nuk kuron, por vdes…

     Sot u kthye nga Turqia. Na ka lënë pa fjalë. Nga analizat dhe kontrolli që ka bërë atje, doktorët turq nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të ilaçit avastinë, që është ilaçi për të cilin na ka torturuar Narvina. Me pak fjalë, Narvina, na ka mashtruar sipas të gjitha gjasave, e të 4 herët që na ka torturuar për ilaçin, kur na jepte lajmin se ilaçi erdhi, na hidhte hi syve, e kushedi ç’ lëng na jepte nën etiketën e avastinës… Kemi fletën e analizave të bëra në Turqi, ku duket qartë se nuk ka asnjë gjurmë avastinë në gjakun e familjarit tim. E të mendosh se herën që ne menduam se familjari im e bëri kimion me avastinë, ishte në fund të dhjetorit. Kimio është trajtim shumë i fortë dhe avastina lë gjurmë të qarta në gjak. E ja ku jemi sot, me një flete analizash në duar, të bëra në një nga spitalet më të mira në Turqi. Analizat na thonë se nuk ka asnjë gjurmë avastine në gjak. Kështu na thonë me gojë e me shkrim edhe doktorët turq. Ndihemi më keq sa s’bëhet. Duam e do ti shkojmë deri në fund ligjërisht, administrativisht, mjekësisht dhe publikisht, kësaj çështjeje, zbulimit të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë. Do të bëjmë analiza e kontrolle të tjera, e nëse sërish analizat do të na konfirmojnë se nuk ka gjurmë avastine në gjak, atëherë nuk ka më paqe mes nesh dhe QSUT. Nëse mungesa e avastinës në gjakun e familjarit tonë rikonfirmohet, atëherë sipas nesh, në QSUT me familjarin tonë, është bërë tentativë vrasjeje me paramendim.

    Rasti “Narvina” në Europë

     Kur ia tregova sot paradite Gianni Buquicchio, President i Komisionit të Venecias, rastin e familjarit tim me QSUT-në, mbeti pa fjalë. Gianni më premtoi se do ta çojë këtë rast në Këshillin e Europës dhe në Komisionin Europian. Mos heshtni, më tha. Kjo është betejë për jetën dhe dinjitetin njerëzor. Edhe unë ia premtova se do të ndjek rrugët ligjore, publike dhe ndërkombëtare. Do njoftoj edhe Ambasadën e SHBA-së, BE-së, UK-së dhe të vendeve kryesore të BE-së. Jam ende në pritje edhe të mbështetjes nga mediat tona të lira.