Andon Zako Çajupi/ Poezi

    1086
    Sigal

    Dashuria

     E mban mënd, moj Marë,

    dashurin’ e parë?
    Njeri nuk e gjegji,
    se jeshmë te vegji.
    Unë pa ty s’rrojë,
    vij’ e të kërkojë;
    ti pa mua s’rroje,
    vij’ e me kërkoje.
    Në lule me erë
    putheshim ngaherë,
    dhe si burr’ e grua
    losnim nënë ftua.
    Një ditë, të dyza
    losnim mbylla-syza:
    U fshyem pa dukur
    Cinë të besoj taninë,
    perëndin’ a dashurinë?
    Perëndi në këte jetë
    është dashuria vetë.

    Bukuria jote, leshërat e tua
    posi pëndë korbi, të gjata
    mbi thua,ballëtë si diell,
    faqetë si mollë,qafa jot’ e gjatë,
    mesi yt i hollë,sisëtë si shegë,
    dhëmbët si thëlpënjë,buzët si
    burbuqe, sytë si gështënjë,
    dora si dëborë, fjala jote mjaltë,
    kurmi yt i derdhur, shtati yt i naltë;
    gjithë më kënaqin, të tëra t’i dua,
    po zëmëra jote u bë gur për mua!

    Pika-pika bie shiu
    dhe dëbora flokë-flokë,
    vetëtin e fryn veriu,
    breshëri kërcet mi tokë!
    Le të fryjë er’ e ftohtë,
    s’ka ç’më bën dimëri mua:
    Dashuria më mban ngrohtë,
    se pushtoj atë që dua.
    Kur fryn era me tallas,
    kur bie dëbor’ e shi,
    sa flë njeriu me gas,
    kur ka mikenë në gji!

    Fshati im

    Maletë me gurë,
    fushat me bar shumë,
    aratë me grurë,
    më tutje një lumë.

    Fshati për karshi
    me kish’ e me varre,
    rrotull ca shtëpi
    të vogëla fare.

    Ujëtë të ftohtë,
    era pun’ e madhe,
    bilbili ia thotë,
    gratë si sorrkadhe.

    Burrat nën hie,
    lozin, kuvendojnë,
    pika që s’u bie,
    se nga gratë rrojnë!

    Gratë venë nd’arë,
    dhe në vreshta gratë,
    gruaja korr barë,
    punon dit’ e natë.

    Gratë në të shirë,
    në të vjela gratë,
    ikinë pa gdhirë,
    kthenenë me natë.

    Gruaja për burrë
    digjetë në diell,
    punon es’rri kurrë
    as ditën e diel.

    0 moj shqipëtarkë,
    që vet’ e nget qetë,
    edhe drek’ e darkë
    kthehesh e bën vetë;

    Moj e mjera grua,
    C’e do burrë zinë
    që ftohet në krua
    dhe ti mban shtëpinë

    Fyell’ i Bariut

    Bariu, shokë, bariu,
    kur gjëmon e fryn veriu,
    është përjashta fatziu,
    e rreh breshëri dhe shiu!
    Barinë, shokë, barinë,
    mos e harroni fatzine,
    se lë gruan e shtëpinë
    t’u kullosë bagëtinë.
    kullotni, moj bagëti,
    ti, ti, ti. . .
    Kullotni, biro, kullotni,
    kur të vdes te me kujtoni,
    Ndjesë pastë! — të më thoni.

    Shikoni barin’ e gjore:
    në diell a në dëborë,
    bariu me shkop në dorë
    ruan deshtë me këmborë.
    Vështronje barinë mirë,
    me të ngrën’ e me të pirë,
    t’u marrë dhëntë pa gdhirë,
    t’i kullosë me dëshirë,
    të rrijë bashkë me to,
    to, to, to.
    Hani, moj bagëti, hani,
    kur të vdes do të më qani,
    për mua zi do te mbani

    Ku kemi lerë

    Në ç’vend kemi lerë?
    Ku na bëjnë nderë?
    -Në Shqipëri.

    Po njeriu vetë,
    cilë do ne jetë?
    -Do vend’ e tij.

    Ku i duket balta
    m’ë e ëmbël se mjalta?
    -Në vend të tij.

    Ku munt të gëzojë
    dhe me nder të rrojë?
    -Në Shqipëri.

    Përse të punojë
    dhe të lakëmojë?
    -Për vend’ e tij.

    Mëmëdheu

    Mëmëdhe quhetë toka
    ku më ka rënurë koka,
    ku kam dashur mëm’e atë,
    ku më njeh dhe gur’ i thatë
    ku kam pasurë shtëpinë,
    ku kam njohur perëndinë,
    stërgjyshët ku kanë qënë
    dhe varret q’i kanë vënë,
    ku jam rritur me thërrime
    ku kam folur gjuhën time,
    ku kam fis e ku kam farë,
    ku kam qeshur, ku kam qarë,
    ku rroj me gas e me shpres,
    ku kam dëshirë të vdes.

    Vajë….

    Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
    Lotët që kam derdhur, s’më janë tharë
    Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjetë
    Që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!

    Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
    S’të vjen keq për mua, s’të vjen mallë për djalë ?
    O ëngjëll i bukur mos meno në botë
    Kthehu të të shomë të na mbeten lotë

    S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
    Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
    Atje tek rri janë qipariz’ e varre
    Kthehu të të shomë mos na lër për fare

    Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
    Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
    E ke lenë foshnje tani u bë burrë
    S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë

    Për ty shumë herë çoç do të më thotë
    Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
    Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
    Duke psherëtitur te zot’ i vërtetë

    O zot i vërtetë s’të erdhi keq për djalë
    Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
    Të më keshe marrë do të qe më mirë
    Dhe të rronte mëma të rriste të birë

    Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
    Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
    Doje dritë o qiell more dritën time
    dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
    Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
    Se dhe perëndinë tani s’e besoj.

    Shqiptar!

    Shqipërin’ e mori turku,
    i vu zjarr!

    Shqipëtar, mos rri, po duku,
    shqipëtar!

    Mjaft punove për të tjerë,
    o fatkeq!
    Kujto vendin tek ke lerë
    dhe tek heq.

    Të ka bërë perëndia
    luftëtar,
    si s’të lodhi robëria,
    shqipëtar!

    Erdhi dita të ngresh kokë,
    të keërkosh
    lirine, bashkë me shokë
    të lëftosh!

    Mos bëni si keni bërë
    gjer me dje,
    por të lëftoni të tërë
    për Atdhe.

    Pesëqind vjet kemi rruar
    me pahir,
    Lidhure me këmn’ e duar
    me zinxhir!…

    Myslyman’ e të krishterë
    jemi keq!
    Të ngrihemi që të tërë,
    djem e pleq!

    Të ngrihemi të dëftojmë
    trimëri;
    ja të vdesim ja të rrojmë
    për liri!

    O moj Shqiperiz’ e dashur,
    mëmëdhe,
    Teë shoh me buzë të plasur,
    si më sheh.

    U shkretove anembanë,
    Shqipëri,
    se shqiptarët s’kanë
    dashuri.

    Gjithë djemtë që kë qarë
    dhe mban zi,
    për Morenë janë vrarë,
    për Turqi!

    Zhvish rrobat e robërisë,
    mëmëdhe,
    vish armët e trimërisë
    se ke ne!