Ali Asllani/ Do ti shtrydh të dy sytë…

    356
    Sigal

    Un’ jam un’, saksi e vjetër!

    Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër
    Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa
    dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

    Nëpër vapëz i dhash’ hije, nëpër hije er’ e shije
    i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie
    gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije
    ari i diellit me tallaze, ari i hënës fije-fije
    dashuria me dollira dhe me thelp lajthie pije…

    Po u bë ajo që s’bënej, si, pra, zemra do duroj’,
    syri lotin ta qëndis, loti syrin ta harroj?
    Si, pra, zëmra do durojë un’ saksia tash të vuaj
    edhe këngë e gjirit tim të këndoj’ në gji të huaj?

    Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,
    dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa
    buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër
    plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

    Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë
    i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’
    i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr
    që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’
    këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj
    do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurmëtë e asaj!