Alfons Harizaj: Procedurat e plotësimit të Formularit A3 dhe dorëzimi i dokumenteve në universitete

    446
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, për Formularin A3

    Maturantët që s’kanë fituar ende një vend në universitetet publike do të kenë edhe një shans  të fundit me daljen e Formularit A3. Në lidhje me kuotat e mbetura bosh dhe me plotësimin e formularit A3 ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj.  Sipas zotit Harizaj janë 4136  kuota të lira që kanë mbetur, në të gjithë vendin. “Programet në të cilat kanë mbetur vendet vakante, do të shpallen në ditët në vijim, bashkë me Formularin A3 i ndjekur nga kriteret se kush do ta plotësojë atë”, theksoi Harizaj.

    -Zoti Harizaj, a ka probleme për studentët e viteve të para që do të vazhdojnë shkollën më datë 8 tetor dhe dokumentet nëpër sekretari nuk i kanë dorëzuar ende?

    -Fillimi i vitit të ri akademik për studentët e viteve të para nuk ka problem, pasi të gjithë ata që kanë bërë regjistrimin on-line tashmë janë të regjistruar dhe mund të fillojnë universitetin. Por studentët e viteve të para kanë një detyrim nëse do ta quaja kështu, që duhet të dorëzojnë pranë sekretarive nga data 8 deri në 13 tetor disa dokumente siç janë dy fotografi, fotokopja e kartës së identitetit etj.

    -Pra afati është deri në datën 13 tetor, pas kësaj date çfarë masash do të merren nëse nuk janë dorëzuar dokumentet?

    -Nuk përbën problem nëse studenti e zëmë nuk i dorëzon që ditën e parë, por ama ai duhet t’i dorëzojë këto dokumente deri në fund të javës, pasi nëse kalon ky afat pastaj mund të lindin probleme. Ai është i regjistruar dhe këtë e vërteton lista e bërë publike në datën 1 tetor që kanë shpallur Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Por dorëzimi i dokumenteve në sekretari është thjeshtë një procedurë më shumë formale se sa ka të bëjë më regjistrimin. Studenti tashmë dorëzon dokumentet që i janë kërkuar dhe që janë bërë publike tashmë si në faqen zyrtare po ashtu edhe në sekretaritë e shkollave.

    -Le të ndalemi pak te plotësimi i Formularit A3, cilat do të jenë kategoritë e nxënësve që do të përfshihen, çfarë do të bëhet me nxënësit kishin provime për në vjeshtë?

    -Për maturantët që nuk janë shpallur fitues në fazën e parë që u zhvillua, apo edhe maturantët që kishin provime për vjeshtë dhe që nuk patën mundësi që të bëhen pjesë e listës së fituesve do vendoset nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, se si do të procedohet me këtë grup. Janë duke u përgatitur skemat që do të ndiqen për këto kategori, por ende nuk mund të jap një përgjigje të saktë në lidhje me këtë kategori maturantësh. Por gjithsesi në ditët në vijim do të kemi një udhëzim të ministrisë dhe aty në atë udhëzim do të sqarohen të gjitha gjërat që deri më tani ndoshta shumë preja atyre që nuk janë shpallur fitues nuk i kanë të qarta. Por kjo mbetet për t’u parë, siç e thashë dhe më lart.

    -Në cilat universitete ka më shumë kuota bosh nga faza e parë dhe sa është numri i saktë i kuotave që do të jenë në Formulari A3?

    -Po nga faza e parë kanë ngelur 4136 kuota bosh nëpër tërë universitetet publike të Shqipërisë. Nga informacionet që kemi në si Agjenci Kombëtare e Provimeve, numrin më të madh të regjistrimeve e kanë degët e universitetit të Tiranës. Afërsisht shifra e të regjistruarve në universitetin e Tiranës ka arritur në shifrën 90%. Ndërsa në universitetet e tjera kjo shifër është shumë herë më e vogël. Ndër universitetet që kanë numrin më të vogël të regjistrimeve janë universiteti i Korçës, i Gjirokastrës, ka dhe universitete të tjera që kanë më pak studentë të regjistruar në fazën e parë, por besoj që edhe këto do plotësohen me Formularin A3.

    -Cila është data e saktë e daljes së Formularit A3, dhe si do të bëhet renditja e vendeve bosh?

    -Formulari A3 ashtu siç e përmenda dhe më lart është dukë u bërë gati nga grupet e punës pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve në bashkëpunim me grupet e punës të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Data e saktë nuk është përcaktuar ende, por di të them që do të dali pas datës 15 tetor. Do të ketë një afat të caktuar që edhe ky do të jetë i përcaktuar në udhëzimin që do të japi Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Në këtë formular do të jenë të vendosura të tëra vendet e mbetura bosh në secilin nga universitetet publike të Shqipërisë. Për të gjithë studentët të cilët nuk janë në liste përfundimtare të fituesve do të ketë një fazë të dytë me Formularin A3, i cili do të bëhet publik dhe procedurat paraprake, si dhe kuotat e lira të cilat do të shpallen në këtë formular dhe mënyrën e procedimit që do të jetë po në sistemin on-line të regjistrimit të tyre