Aleksandër Gaçe, ndihmës mjeku i Zvërnecit me virtyte të arta

    490
    Sigal

    Komunikimi dhe marrëdhëniet që krijonte me pacientin të habisnin, ishte një psikolog me forcë magjepse

    Nuk ka kënaqësi më të madhe kur bie thellë në mendime e kujton bëmat e njeriut të thjeshtë profesionist në fushën e mjekësisë, që me veprimtarinë e tij 35 -vjeçare është skalitur thellë në kujtesën e popullit, të cilit i ka shërbyer me pasion e përkushtim. E tillë simbolizohet jeta dhe aktiviteti i ndihmës mjekut Aleksandër Gaçe sidomos në fshatin e bukur bregdetar të Zvërnecit të Vlorës.

    Në këtë vend të bukur turistik, i cili është konsideruar tashmë i famshëm jo vetëm nga vlonjatët e nga gjithë shqiptarët brenda e jashtë atdheut, por edhe nga turistët e huaj, jeton një popullsi e dalluar për kulturë, patriotizëm, mikpritje e bujari. Pikërisht në gjirin e këtij komuniteti të mrekullueshëm të Zvërnecit punoi si ndihmësmjek Aleksandër Gaçe (Alekua), siç i flisnin shkurtimisht i cili mbeti përjetësisht figura e një mjeku human që la një emër të madh.

    M’u dha rasti të shkoja disa herë në zona e fshatra ku ka punuar, por sidomos në atë të Zvërnecit për të dëgjuar nga afër mendimet e banorëve për Alekon dhe jam befasuar me shpjegimet e tyre.

    Pandeli Balliu një burrë i moshuar tregon: Aleko Gaçe përkujtohet me respektin më të veçantë për cilësitë e vyera që mbarte. Ishte i papërtuar ditë e natë në shërbim të pacientëve, i thjeshtë e gojë ëmbël e mbi të gjitha ishte një mjek kompetent në fushën e mjekësisë. Alekua për mua e fëmijët e mi do të mbetet figura më e dashur e mjekut të familjes.

    Pavllo Qirjaj refugjat shqiptar prej shumë vitesh në Greqi shprehet: -U ndodha me pushimet e verës tek vjehrri im në Zvërnec kur një mëngjes u gdhiva keq me dhimbje koke të tmerrshme e me të vjella. Ngulja këmbë që të më çonin urgjentisht në spital, por kishin njoftuar ndihmësmjekun e qendrës sanitare të fshatit, i cili mbërriti e nisi urgjentisht vizitën me aparatin e tij dhe njëkohësisht më pyeste me imtësi. Ndërhyrja mjekësore e tij me medikamente e lëngje të bimëve medicinale, arrita për një kohë të shkurtër ta ndjeja veten mjaft mirë. Ushqeva një konsideratë veçantë për doktorin e fshatit Aleko Gaçen, ashtu e thërrisnin “doktor Lekua”,  titull që meritonte plotësisht.

    Mbërrita në familjen e kryeplakut të fshatit Jorgaq Subashi, një burrë babaxhan e plot gjallëri, i kërkova përshtypjet e sa më dëgjoi uli kokën në heshtje, u përlot: “Për Aleko Gaçen, doktorin tonë – më tha – janë mijëra fjalë të mira për t’u shprehur, ka merita të veçanta pasi ka lënë shumë mbresa në zemrën e këtij popullit të thjeshtë e punëtor. Boshllëku që ka krijuar largimi para kohe nga jeta i mjekut tonë të mirë është tepër i madh. Ja këta që erdhën tani janë bashkëfshatarët e mi, i pyesni edhe ata ju luten.

    Kostaq Konomi: – Unë jam arsimtar prej shumë vitesh këtu në Zvërnec, por me Aleko Gaçen u lidha ngushtësisht si vëlla, punonte plot pasion. Studionte me plot zell literaturë të shumëllojshme mjekësore, një pjesë të të cilave m’i jepte edhe mua, ai ishte e mbeti një fenomen.

    Pandeli Biba: – Doktor  Alekua vinte çdo mëngjes nga Vlora me biçikletë në kohë të mirë e të keqe, sidomos në muajt e ftohtë të dimrit e plot reshje. Sa futej në fshat përshëndetej me të gjithë; pleq e plaka, të rinj e të reja. Qysh jashtë gardhit pyeste për pacientët e jepte porositë e vlefshme e pastaj shkonte në qendrën e mjekimit, ai kishte një kujtesë të jashtëzakonshme.

    Piro Subashi: Alekua ynë ka lënë mbresa të thella, të cilat janë mishëruar në zemrat e gjithë banorëve të zonës, ai na mungon shumë. Kohët e fundit i ndodhi një aksident automobilistik ku një mjet e goditi nga pas në një kthesë kur ai ecte me biçikletë e për pasojë u godit keq në kokë. Të gjithë u shqetësuam pa masë se ai ishte njeriu më i dashur për çdo familje të Zvërnecit. Ky dëmtim do të bëhej sebep që pak kohë më pas të na largonte padrejtësisht nga jeta doktorin tonë të madhërishëm Aleksandër Gaçe.

    Në qytezën e bukur të Nartës kërkova e takova në qendrën shëndetësore mjeken e talentuar me një karrierë shumë të gjatë zonjën Flutura Hoxhaj kolege e ngushtë me Alekon e cila shprehet: “Kur më emëruan mjekë në Zvërnec pata fatin e madh të punoja me Aleksandrin pasi tek ai vura re se ishte tepër i përgatitur e me njohuri të gjithanshme në fushën e mjekësisë. Unë nuk ja lejoj vetes të them se Aleko Gaçen e kisha ndihmës mjek apo vartës, jo kurrë. Ai për mua ishte e do të mbetet kolegu im mjek në karrierën e gjatë të përbashkët.

    Ashtu siç më thoni edhe ju që populli e thërriste “Doktor”, ashtu ishte e ngeli në të vërtetë. Për të marrë diplomën e mjekut ai s’e kishte fare problem se ishte më se i afirmuar, ishte një emër i njohur në fushën e mjekësisë. Punonte plot pasion e korrektesë për ta pasur zili, gëzonte një respekt të madh në popull dhe me mua ka qenë një koleg model e i çiltër. Mbas aksidentit që i ndodhi mundohesha ta lehtësoja nga ngarkesa e madhe e punës, bile edhe të pushonte herë pas here, por ai më kundërshtonte e nuk i lejonte vetes lehtësira. Aleko Gaçja deri në fund nuk iu nda detyrës së shenjtë të mjekut, nuk iu nda shoqërisë e banorëve të Zvërnecit që i donte aq shumë.

    Vangjel Veraj nga fshati Armen tregon: “Më vure në mendime të thella nostalgjie për ndihmësmjekun me shpirt bujar Aleko Gaçen, ishte një profesionist i mrekullueshëm e tepër human. Ai punoi rreth 10 vjet me plot pasion në fshatrat Picar, Lubonjë e Armen. Do të ngelet mjeku i dashur e i paharruar për çdo familje të kësaj zone dhe uroj të mbetet një shembull frymëzimi për gjithë punonjësit e shëndetësisë të rrethit të Vlorës”.

    Ja si tregon i moshuari Zoi Balliu në Zvërnec: – Alekua ishte mjek humanitar me zemër të madh, por mbi të gjitha ishte një qytetar plot kulturë. Gjithmonë ka qenë prezent në gëzimet tona e sidomos në hidhërimet familjare. U bë e ngeli djali, shoku e miku më i mirë i familjeve të Zvërnecit. Doktor Alekua i ka shërbyer time shoqeje që vuante nga një sëmundje kritike deri në çastet e fundit të jetës së saj. E ndjera ime shoqe sa shikonte Lekon në derë të shtëpisë i pushonin dhimbjet e gjallërohej. Komunikimi e marrëdhëniet që krijonte me pacientin të habisnin, ishte një psikolog me forcë magjepse.

    Do të lutem shumë – më thotë Zoi – do të të jap një trastë me shegë e ftonj si dhe disa zarzavate nga kopshti im dhe t’ia çosh nënës së nderuar të Alekos zonjës Rahime pasi vetëm kështu mundoheshim të tregonim sadopak mirënjohjen për idhullin tonë doktorin e  paharruar Aleko Gaçe.

    I mora këto fruta e perime prej njeriut të mirë të Zvërnecit Zoi Balliu dhe në Vlorë ja dhashë të vëllait të Alekos, profesorit të nderuar e të mirënjohur Bardhosh Gaçe për t’ja dhënë nënës së tij. Të nesërmen më thotë Bardhoshi, se nëna i priti plot mallëngjim dhe se e kishte porositur të tregonte kujdes për atë popullsi të mrekullueshme të fshatit të bukur të Zvërnecit, që i biri i saj Alekua e admironte pa kufi.

     Kush ishte Aleksandër Gaçe? Është lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1957, ndjek gjimnazin “Halim xhelo” dhe më pas shkollën 2- vjeçare  mjekësore në qytetin e Korçës të cilën e mbaron në vitin 1977. Mbas kryerjes së shërbimit ushtarak emërohet ndihmësmjek në fshatrat Picar, Lubonjë e Armen të Vlorës, në të cilat shërbeu për 10 vjet. Kthehet në Vlorë, ku shërbeu 8 vjet në qendrën shëndetësore të lagjes Nr. 5 të qytetit dhe Shkollën e Lartë të Aviacionit. Dërgohet në qendër shëndetësore të fshatit Zvërnec, ku shërben për 17 vjet rresht ku në vitin 2012 papritur ndahet nga jeta.

    Për merita e punë të lavdërueshme është vlerësuar me titull nderi nga Ministria e Shëndetësisë me motivacionin “Për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore. Zotëronte në mënyrë të përkryer gjuhën latine dhe italishten të cilat e ndihmuan mjaft për përkthimin e literaturave të huaja mjeko-shkencore.

    Aleko Gaçe iu dedikua për vite me radhë edhe mjekësisë popullore duke përzgjedhur vlerat kuruese të bimëve medicinale në shërbim të shëndetit të njerëzve. Ai ishte anëtar i D.T.SH dhe ju përkushtua veprimtarisë kundër ndotjeve të mjedisit. U aktivizua në grupimin shëndetësor AVIÇENA dhe dha kontributin e tij në farmaceutikë sidomos për mënyrën e ushqimit të fëmijëve.

    Kishte marrëdhënie e kontakte të vazhdueshme me mjekë të shquar si doktor Ndroqi dhe doktorët Xhorxhi Andoni, Mihal Angjeli, Neki Dredha prej të cilëve kishte mësuar shumë.

    Në disa shënime të tij kish nxjerr mjaft vërejtje për mënyrat e kurimit të diabetit të trajtuar edhe nga doktor Isuf  Kalo, si dhe sëmundjet e lëkurës te moshat 3-12 vjeç. Me veprimtarinë e tij praktike shumë vjeçare, u sugjeronte autorëve të literaturave mjekësore e shkencore simptomat e shfaqjeve të sëmundjeve të veshkave, ulçerës e diabetit por edhe mënyrat e reja për trajtimin me efikasitet të tyre. Jeta 35 -vjeçare e Aleksandër Gaçes në fushën e mjekësisë është e pasur jo vetëm në kohë zgjatje por sidomos në veprimtarinë e tij praktike si kuadër, si qytetar, si shok e koleg. Largimi i tij parakohe nga jeta ka krijuar një boshllëk të madh jo vetëm në popull, por edhe për mjekësinë tonë.

      Agron Xhaho