Albin Kurti: Escobar dhe Lajçak po vijnë te ne me kërkesat e Serbisë

104
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha dje se vizionin e tij për draft statutin e Asociacionit mund ta thellojë kur të ketë pajtueshmëri në parim më shtyllat që ai ka prezantuar. Ai deklaroi se nuk mund të shkruajë tekste alternative pa u pajtuar njëherë në parim. “Unë kam prezantuar më 2 maj draft – vizionin. Unë këtë mund të thellojë (vizionin për statutin e Asociacionit), por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që unë i kam thënë në Ohër, atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”,- tha ai. Gjatë seancës së mbajtur në Kuvendin shtoi se draft vizioni i propozuar nga ai në takimin e 2 majit u refuzua nga Brukseli.“Rrjedhimisht unë kam propozuar një draft vizion për të zbatuar nenin shtatë të marrëveshjes bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër dhe më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon ta konsiderojë këtë çështje të hapur”- deklaroi kryeministri. Kryeministri Albin Kurti u ankua për njëanshmëri dhe tolerancë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për Serbinë, në raport me Kosovën. Ai tha të enjten për “The Associated Press” se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe ai i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po i drejtohen Kosovës me kërkesat e Serbisë. Ai shtoi se sjellja pozitive ndaj një autokrati, nuk e bën atë të mirë. “Ne këmbëngulim që sjellja e mirë ndaj një autokrati nuk e bënë edhe atë të sillet mirë. Përkundrazi…Vijnë tek ne me kërkesa, me kërkesat e palës tjetër”, -tha ai.