Albana Melyshi (Lifschin) gazetarja shqiptare, nga kampi i fëmijëve refugjatë nga Kosova tek takimi me Presidentin Bill Klinto

    578
    Sigal

    Albana Mylyshi, ekskluzive nga SHBA-të. Si u gjend gazetarja e njohur mes fëmijëve viktima të luftës në Kosovë, tragjeditë e hedhura në libër, autografi dhe takimi i paharruar me Presidentin e SHBA-ve

    Jeton prej shumë vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por jo vetëm me mendje, por dhe me aktivitetin e saj të dendur publicistik e shoqëror, gjendet pranë Shqipërisë, shqiptarëve kudo që janë. Gazetarja e njohur e Televizionit Publik Shqiptar, kolegia Albana Mëlyshi, me atë profesionalizmin e përkushtimin në punë kur ishte këtu në Tiranë, ka punuar e punon pa ndërprerë për shqiptarët e çështjen shqiptare. Në intervistën e saj, ajo rrëfen dramën e fëmijëve kosovarë të larguar dhunshëm si pasojë e luftës, librin që shkroi për këtë dramë shqiptare, deri tek takimi dhe mirënjohja e Presidentit të SHBA-ve Bill Klinton…

    Zonja Albana, muajt e kësaj pranvere na kujtojnë ngjarjet e plot 15 vjetëve më parë (1999), përzënien masive të popullsisë së Kosovës nga bajonetat serbe edhe ndërhyrjen e NATO-s për shpëtimin e sajë. SHBA mori në gjirin e vet atë kohë rreth 5000 refugjatë të Kosovës që u vendosën atje. Ju keni botuar një libër të suksesshëm që lidhet me këto ngjarje. Është fjala për librin në anglisht “Children of Kosova -stories of horror’, botuar njëkohësisht edhe në gjuhën shqipe. Si ndodhi? Përse pikërisht për fëmijët e Kosovës?

    Këtë e bëra qëllimisht. Ishte një këndvështrim i ri i ngjarjeve. Atë kohë në stacionet televizive të SHBA-ve, serbët përpiqeshin të mbronin ‘kauzën’ e tyre duke theksuar idenë se Kosova ishte djepi i Serbisë. Unë mendova që këtë libër të vendosja fëmijët si dëshmitarë të gjenocidit serb. Fëmijët janë të pafajshëm, të sinqertë i thonë gjërat siç i i kanë parë, pa interpretime e shtrembërime. Në kampin e refugjatëve kosovarë në Fort Dix, Nju Xhersi, ku shkova të punoj atë kohë, pata rast të njoh nga afër shumë familje kosovare bashkë me fëmijët e tyre.

    Ju shkuat aty si përkthyese?

    -Jo vetëm si përkthyese. Në intervistën e punësimit tim sugjerova që mund të bëja më shumë se aq. Me përvojën që kisha si ish punonjëse e RTVSH, në kushtet e kampit mund të ndërtoja një program radioje të përnatshëm për të gjithë banorët refugjatë të kampit, ku bazën do ta përbënte lajmi. Ata ishin të etur për lajmet; ata nuk dëgjonin por thithnin çdo lajm për Kosovën, Shqipërinë e Maqedoninë, ku kishin mbetur pjesëtar të familjeve të tyre, por edhe për gjithë Ballkanin. Prisnin me padurim të dëgjonin që forcat e NATO-s hyjnë në Kosovë. Më kujtohet një mbrëmje kur e hapa transmetimin me lajmin “ Kisha ortodokse serbe kërkon dorëheqjen e Millosheviçit, u dëgjua një thirrje gëzimi e menjëhershme dhe e fuqishme. Zërat e tyre depërtuan përmes dritares në studion e transmetimit. U rrëqetha. E kam ndjekur reagimin e tyre në çdo transmetim që bëja. E dija kur gëzoheshin, e dija kur hidhëroheshin. Jetoja me ndjenjat e tyre. Ndonjëherë, ata nuk prisnin sa të vinte koha e transmetimit, por më pyesnin sa herë më shihnin jashtë studios: Çfarë lajmesh kemi sot? Në 4 korrik, përkujtimin e ditës së Pavarësisë së Amerikës, dhashë një program të veçantë në qendër të të cilit vura pjesë nga Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar idenë që në një shtet të vërtetë demokratik, njerëzit kanë të drejtë të zëvendësojnë qeverinë që nuk i përgjigjet interesave e popullit… Shumë shpejt pjesë e pandashme e programit tim u bënë fëmijët. Ata ishin më të paduruarit për të dëgjuar lajmet. Ishin të parët që i afroheshin qendrës së zërit, prej nga nëpërmjet dy altoparlantëve të fuqishëm shpërndahesh zëri në të gjithë kampin. Pastaj filluan t’i afroheshin studios së transmetimit, e më pas më rrethonin kur dilja prej saj, u bëmë miq. I bëra pjesë të programit tim.

    Po amerikanët që ishin në Fort Dix, kishin interes për krijimet e fëmijëve?

    -Mjaft amerikanë që punuan në Fort Dix, kërkonin të dinin se çfarë thoshin vjershat e kosovarëve të vegjël. Vetë jeta e refugjatëve, e secilit prej tyre, kishte diçka tragjike. Por në këngët e vjersha të fëmijëve apo të rinjve e kuptoje që tragjikja qe trashëguar nga e kaluara. Këngët e lirisë, këngët e trimave ishin të parat këngë që mësuan fëmijët kosovarë. Ata mësuan të jetonin me dhimbjen si pjesë e pandarë e jetës. Mësuan të jetonin një jetë të jashtëzakonshme duke e marrë atë si të zakonshme. Fëmijët nga 10- 14 vjeç, ishin fëmijë të lindur në kohën kur qeveria e Beogradit ua hoqi autonominë (1989) bashkë me të drejtën e gëzimit të jetës dhe ua zëvendësoi atë me ankthin e persekutimit. I mësoi fëmijëve eksperiencën e hidhur të luftës, kur dikush nga familja mund të mungojë në çdo kohë- mund të vritet, të persekutohet apo emigrojë. Fëmijët e Kosovës para se të mësonin këngët e lojërat e fëmijërisë mësuan ato të mërgimit, lëngimit për liri e për atdhe, këngët e trimërisë. Ata kënduan për heronjtë e Kosovës, ata recituan për ata që u burgosën nga serbi vetëm e vetëm sepse donin lirinë. Këngët e tyre ishin për emigrantët që u detyruan ta lenë vendin e tyre të bukur për shkak të pushtetit serb. Fëmijët e sollën këtë thesar në programin tim. Diçka që më bëri përshtypje e që s’do ta harrojë kurrë ishte fakti se askush prej tyre nuk këndoi as edhe një këngë fëmijësh, këngë lojërash të moshës së tyre, siç bëjnë fëmijët e lirë kudo në botë. Jo sepse atyre nuk u pëlqenin lojërat e moshës së tyre, por sepse ata u lindën atëherë kur qeveria e shtetit të tyre ua hoqi lirinë e buzëqeshjen. Ata u lindën e u rritën gjatë persekucionit serb. Ajo qeveri u mbylli shkollat që ata të mos e mësonin kurrë historinë e tyre, kulturën e popullit të tyre. Fëmijët e Kosovës para se të mësonin të emërtonin lodrat e tyre, mësuan fjalët “liri”, “burg” dhe “mërgim». U mësuan të përballojnë diskriminimin ashtu sikurse prindërit e tyre. Ata u bënë të fortë si prindërit e tyre. Për më tepër ata u bënë poetë të dhimbjes. Më kujtohet një mbrëmje dikush më solli në studio një vajzë të re me një vështrim të menduar. “Jam 14 vjeç,- tha ajo, quhem Makbule Qerimi. Makbulja recitoi një vjershë, disa nga vargjet e së cilës po i citoj më poshtë.

    Pse u larguam kështu?/ Pse u largova nga foleja ime?/ Të jetoj në mërgim si jetime?/ Mua më kishte vdekur nëna/ Por prapë kisha një nënë/ Kisha Kosovën me diell e me hënë/…. Nuk e di pse, por atë moment më erdhi ndër mend ai episod i bukur i përcjelle si mesazh i atdhedashurisë brez pa brezi. E kam fjalën për zakonin e vjetër të arbëreshëve në brigjet e Italisë, kur prindi e ngrinte lart fëmijën e porsalindur, duke e kthyer atë me fytyrë nga Adriatiku për të mos harruar kurrë nga kishin ardhur. E pyeta se kush e kishte shkruar atë poezi. Mu përgjigj thjesht: Unë. Atë mbrëmje biseduam gjatë. Ishte jetime. Ishte e pjekur tej moshës së saj. E pyeta nëse dëshironte të rrinte në Amerikë. Ajo ishte e talentuar, e zgjuar dhe Amerika do t’i jepte shumë mundësi. “Jo, më tha, Amerika ka plot njerëz të zgjuar e të talentuar. Amerika nuk ka nevojë për mua. Kosova ka nevojë. Fëmijë të tjerë më rrëfyen ngjarje rrëqethëse. Më kujtohet rrëfimi i Ekzona Shaqirit… Pas përzënies nga shtëpia, në rrugë e sipër për orë të tëra, kishte parë një vësh të shkulur bashkë me vëth, copëra buke me njolla gjaku ndërsa atë vetë e kishte marrë uria dhe e ëma nuk kishte asgjë për t’i dhënë për të ngrënë. Ylli Shaqiri, 11 vjeç tregonte se pas bombardimit të NATO-s, serbët u thërrisnin: “Ikni dhe mos u ktheni kurrë. Kosova është e jona!”. Dëshmitë e 43 fëmijëve ndërtuan librin tim “Children of Kosova Stories of Horror”. Puna me librin filloi që aty në kamp.

    Si u prit libri?

    -Lajmi që po shkruaja një libër nuk di si u përhap aq shpejt. Në kamp na vinin letra edhe nga fëmijët amerikanë të shteteve përreth. Ata i inkurajonin moshatarët e tyre kosovarë dhe u uronin mirëseardhjen në Amerikë. Zgjodha disa prej tyre me mendimin për t’i futur në libër. Një ditë më erdhi kjo letër: “E dashur Zonja Lifschin, jam e gëzuar që mësova se po shkruani një libër për fëmijët e Kosovës dhe jam shumë e lumtur që keni përfshirë aty dhe letrën time. Qëllimi im ishte që t’u jepja të gjithëve shpresë dhe kurajo. Ju faleminderit. Faleminderit që po bëni një libër të tillë…. Letra qe firmosur nga Melissa Papas, Coopersburg, Pensilvani. Në libër përfshiva edhe përshtypjet e kolegëve të mi amerikanë, të cilët u habitën dhe njëkohësisht u gëzuan shumë nga libri. Vendosja e librit në uebsite shtoi interesimin për të. “E dashur Albana, -me shkruante amerikania Trish Eduards që punonte atë kohë në Lipjan të Kosovës së bashku me të shoqin, – “miku ynë Hekuran Marevci, është përfshirë në librin tuaj. Do dëshiroja të kisha një kopje të librit në anglisht. Gjithashtu, do të dëshiroja të kisha kopje edhe të librave tuaj “Kafe Shkodra e Nju Jokut” dhe “Fundjave në Hillsajd”. Do t’u jap adresën time në SHBA dhe një nga vajzat e mia do mi dërgojnë këtu këtë verë. Libri u thith shumë shpejt nga shqiptarët, por edhe amerikanët. Për librin së pari shkroi gazeta e komunitetit këtu, ILIRIA, e më pas u botuan faqe të tëra nga episodet e librit, të ilustruara me foto, edhe jashtë në trojet shqiptare
    Gjatë kohës së vizitës së presidentit Klinton në Kosovë faqe të tëra nga libri botoheshin në gazetën “Bota sot” në Zvicër, në gjuhën shqipe, me ilustrime fotografish nga libri. Botimi i atyre episodeve në faqet e gazetës pikërisht atë moment ishte një falënderim për Amerikën dhe mirënjohje e madhe për Presidentin Klinton.

    Diçka tjetër që u ka mbetur në mendje nga puna juaj në Fort Diks me refugjatët e Kosovës?

    -Përshtypjet shume të mira të personelit amerikan që punonte për vëllezërit kosovarë. Përshtypjet e tyre i përfshiva ne libër. Në personelin e kampit punonte edhe një shqiptaro- amerikane tjetër nga Utah, quhej Monica Coulson. Monikës nuk iu nda buzëqeshja nga buzët gjithë kohën, aq e ngrohtë ishte me refugjatët . Dashuria dhe kujdesi për refugjatët lehtësonte dhimbjet e tyre.

    Kemi mësuar që libri juaj u aprovua nga Bordi i Arsimit i qytetit të NY, si tekst shkollor. Ky mendoj është një sukses i madh për ju si autore. Veçanërisht të mendosh që kjo ndodh në Nju Jork. Si e pritet këtë lajm?

    -Qe sukses dhe nder i madh, dhe besoj jo vetëm për mua, pasi ishte hera e parë që libri një autore shqiptare hynte në sistemin arsimor të NY. Do ta kisha pasur shumë vështirë ta paraqisja këtë libër në Ministrinë e Arsimit në Tiranë. Kurse në NY, qe shumë e thjeshtë. Nuk ka nevojë të fusësh miq. Këtu vlerësohet puna. Ndodhi fare rastësisht. Një shok i bashkëshortit tim, mësues në një shkollë të mesme, pasi lexoi librin, na sugjeroi t’ ja nisnim Bordit të Arsimit të Nju Jorkut për vlerësim. Ai na tha se, për mendimin e tij, libri ishte shumë i mirë për nxënësit e shkollave. Bëmë si na tha. Thjesht plotësuam një formular dhe së bashku me librin e nisëm në adresën e duhur. Pas atij çasti unë e harrova fare, pasi mu duk se bëmë një gjë formale, por as që më shkonte mendja se libri do kishte një shans të tillë. Pas dy muajsh na erdhi shkresa nga Bordi i Edukimit që e vlerësonte librin si “textbook”, për “social studies” nga kl. 6. Ishte ngjarje e madhe. Shkrimtari Naum Prifti u shpreh se “Gjuhën, kulturën, historinë tonë, do ta mbrojmë e zhvillojmë në gjuhën tonë, por është e domosdoshme që të drejtat tona t’i mbrojmë në gjuhë të huaj, siç bëri Albana me këtë libër.” Qe libri im i parë që hyri në bibliotekën e kongresit amerikan. Libri i është dhuruar President Rugovës në një vizitë që bëri atë kohë në NY.

    -Ky libër iu dhurua presidenti Bill Klinton me nënshkrimin tuaj. Si ndodhi?

    Në takimin e organizuar në Nju Jork,nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për nder të Presidentit Klinton, për kontributin që ai dha për çlirimin e popullit të Kosovës, ky libër qe vendosur në çdo tavolinë, për çdo të ftuar në atë darkë. Ishin 800 të pranishëm. Natyrisht, edhe në tavolinën e Presidentit Klinton, përpara tij. Me fillimin e darkës një nga shoqëruesit e presidentit m’u afrua me librin në dorë duke më kërkuar ta nënshkruaj me dedikim për presidentin Klinton. U emocionova kaq shumë, sa atë moment thashë se s’dija asnjë fjalë anglisht. Dy minuta më pas më ftuan të ulesha në tavolinë  pranë presidentit. Qe një takim i paharruar për mua. Presidenti Klinton më përgëzoi për librin dhe më pyeti se me se po merresha atë kohë. Nisa t’i tregoj për librin tjetër që kisha në dorë “Udhëtim në historinë e Amerikës”.(Botuar së pari në 2003) Ai po më dëgjonte me një vështrim në profil , por i përkulur në krahun tim. Salla ishte e madhe dhe ndihej zhurma. Nuk di pse një moment nuk isha e sigurt nëse po më dëgjonte apo jo, dhe heshta… Atëherë ai u kthye plotësisht nga unë dhe tha: “Go on, I am listening!” U çlirova përfundimisht nga emocionet dhe vazhdova bisedën. Ndjeva që madhështia e njerëzve të mëdhenj qëndron pikërisht në thjeshtësinë e tyre.

    Keni vajtur në Kosovë pas çlirimit të saj?

    -Po kam vajtur. Ka qenë maji i vitit 2001. Kosovën e kam vizituar në maj të vitit 2001. E kisha njohur nga njerëzit e saj në Fort Diks, e kisha ëndërruar që 30 vjet të shkuara, në Tiranë kur punoja me redaksinë e fëmijëve të televizionit. Atëherë transmetonim festivalet e fëmijëve të Kosovës, me sa më kujtohet quheshin “Akordet e Kosovës”. Ëndërrova të shkoja me një shërbim atje. Nuk pata fat. Kur u planifikova nga drejtoria e televizionit të Tiranës për në Prishtinë, u gëzova shumë, por atë kohë ndodhën “trazirat e studentëve”, siç u quajtën fillimisht nga media, dhe shërbimi u anulua. E realizova ëndrrën time për të parë Kosovën, në maj 2001, gati pas 20 vjetësh, kur u nisa atje nga Amerika.

    Si u ndjetë?

    E tronditur…Ishte hera e parë që e vizitoja Kosovën. Ishte e pamundur të mos më rridhnin lotët vetvetiu, në mënyrë të pakontrolluar. Dëgjoja të flitej shqip, shikoja rrugë si të Tiranës, pallate banimi si të saj, e njëjta aromë pemësh pranvere, komunikoja në gjuhën e nënës, dhe kur mendoja që mjerisht kjo dikur qe konsideruar e dalë “jashtë shtetit”. Është një realizim i rrëqethshëm, që je në tokën tënde, tek vëllezërit e tu, në tokën tënde të mohuar të ndarë padrejtësisht, që ta kishin bërë të huaj… Aty lindi poezia ime “Dhimbje dhe mall” ashtu siç erdhi. “Një mollë mund të ndahet në mes për dashuri, një dardhe gjithashtu, por një atdhe për dashuri nuk mund të ndahet kurrsesi!”.Poezisë edhe sot e kësaj dite nuk i kam ndryshuar asnjë rresht. Atë maj kam takuar Dr. Rugovën, ende i ruaj disa dhurata të vogla si gurë të çmuar nga shtëpia e tij muze, ku ai na shoqëroi vetë pothuajse në çdo ambient. Po në atë udhëtim jam takuar edhe me akademikun Mark Krasniqi, të cilit gjithashtu, i dhurova librin… Pashë varrezat masive të viktimave të gjenocidit serb… Bëra shumë fotografi, kudo që shkova.

    Kush është Albana Mëlyshi (Lifschin)

    Albana Mëlyshi (Lifschin), ka mbaruar Fakultetin e Gazetarisë në vitin 1973, në Universitetin e Tiranës. U emërua fillimisht si gazetare tek gazeta “Zëri i Rinisë” dhe në 1977 në Televizionin Shtetëror (TVSH). Punoi në Televizion deri në vitin 1992, para largimit në Nju Jork. Në vitin 2001, mbaron studimet në Universitetin prestigjioz të Nju Jorkut (NYU). Që nga viti 2002, Albana punon në një zyrë avokatie, që merret me problemet e migracionit. Zonja Lifschin është autorja e librit të parë për historinë e SHBA-ve, në gjuhën shqipe me titull “Udhëtim në historinë e Amerikës” botuar në vitin 2003 e ribotuar edhe dy herë të tjera. Zonja Mëlyshi-Lifschin, ka shkruar librin dokumentar në anglisht dhe shqip “Children of Kosova –stories of horror”(Fëmijët e Kosovës-histori tmerri) dedikuar ngjarjeve të vitit 1999, gjenocidit të popullsisë kosovare nga regjimi Milosheviçit. Libri u vlerësua nga Bordi i Arsimit i Nju Jorkut, si tekst për shkollat. Albana ёshtё autore e 14 librave, 5 prej tyre vëllime me tregime me tematikë jetën e emigrantëve në emigracion. Libri i saj i fundit ёshtё “Yjet nuk janë tё kuq”(2013) që ia kushton familjes së saj, e cila megjithëse, e ndarë në dysh nga politika i mbijetoi e bashkuar dramës së kohës.

    Ju tregoj takimin dhe bisedën me Presidentin Bill Klinton

     Albana Melyshi (Lifschin)

      Në verën e vitit 1999 unë kam punuar në Fort Dix, N.J., bazë ushatarake, ku qeveria amerikane kishte vendosur popullsinë refugjate kosovare. Ishin rreth 5000 vetë. Aty bëja punën e gazetares së radios. Merresha me përgatitjen dhe transmetimin e një programi të përditshëm, prej orës 6 PM-deri në 9 PM, për ‘ta. Më kujtohet që atyre nuk u pëlqente emri “refugjat” dhe ne ishim porositur që të ishim të kujdesshëm në mënyrën se si u adresoheshim të lënduarve nga lufta. Ata mblidheshin në fushë pranë qendrës së zërit së bashku me fëmijët e tyre çdo mbrëmje, dhe dëgjonin lajmet, të cilat shpërndaheshin në tërë kampin nëpërmjet dy altoparlantëve të mëdhenj. Ishin të etur të dinin se ç’po ndodhte në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe gjithë Ballkanin. Shumë prej tyre nuk dinin se ku i kishin anëtarët e familjes. Më kujtohet si tani, kur po jepja lajmin që Kisha ortodokse serbe kërkonte dorëheqjen e Millosheviçit, një thirrje e madhe gëzimi tundi dritaret e studios së transmetimit. Përveç emisionit të lajmeve organizova edhe një program për të vegjlit të cilët e mbushën me recitimet e tyre patriotike. U miqësova shumë me ta. Ata më rrëfyen historitë e përzënies nga shtëpitë e tyre nën bajonetat serbe, ashtu siç dinë të tregojnë fëmijët. Ishin ngjarje të dhimbshme. Më kujtohet historia e një vogëlusheje, Ekzona Shaqirit, atëherë 9 vjeçe, e cila më tregoi se ndërsa ecnin për orë të tëra të lodhur e të uritur, kishin parë copa buke të përgjakura në rrugë si edhe një vesh të prerë. Vendosa që këto dëshmi fëmijësh, t’i përmblidhja në një libër dokumentar. Kështu lindi libri në anglisht dhe shqip ”Children of Kosova –stories of Horror- a vieë from Fort Dix-refugee camp” (Fëmijët e Kosovës –histori tmerri-mbresa nga kampi i refugjatëve të Fort Diksit. Për mua ishte e rëndësishme që tragjedinë e Kosovës, t’ia jepja opinionit amerikan dhe gjithë anglisht-folësve paanshmërisht, ashtu thjesht të parë nga këndvështrimi i pafajshëm i fëmijëve, të. Atë kohë stacionet televizive amerikane zienin për luftën në Kosovë, e jo të gjithë e quanin luftë të drejtë. Serbia e quante Kosovën si “djep” i saj. Libri pati sukses të madh. Bordi i Arsimit i Nju Jorkut e aprovoi si tekst për studimet sociale, për klasat 6-12. Në mbrëmjen e organizuar në Nju Jork, nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan (NAAC) për nder të Presidentit Klinton, për kontributin që ai dha për çlirimin e popullit të Kosovës, ky libër qe vendosur në çdo tavolinë, për çdo të ftuari në atë darkë. Natyrisht edhe në tavolinën e presidentit Klinton, përpara tij. Me fillimin e darkës një nga shoqëruesit e presidentit m’u afrua me librin në dorë duke më kërkuar ta nënshkruaj me dedikim për presidentin Klinton. U emocionova kaq shumë, sa atë moment thashë se s’dija asnjë fjalë anglisht. Dy minuta më pas më ftuan të ulesha në tavolinë pranë presidentit. Qe një takim i paharruar për mua. Presidenti Klinton më përgëzoi për librin dhe më pyeti se me se po merresha atë kohë. Nisa t’i tregoj për librin tjetër që kisha në dorë “Udhëtim në historinë e Amerikës”.(Botuar së pari në 2003). Salla ishte e madhe, 800 të pranishëm, e ndihej disi zhurma. Nuk di pse një moment nuk isha e sigurt nëse po më dëgjonte apo jo, dhe heshta… Atëherë presidenti u kthye plotësisht nga unë dhe tha: “Go on, I am listening!” U çlirova përfundimisht nga emocionet dhe vazhdova bisedën. Madhështia e njerëzve të mëdhenj qëndron pikërisht në thjeshtësinë e tyre…