“Akti normativ për lirimin e banesave po përdoret nga qeveria për fushatë elektorale”

    399
    Sigal

    INTERVISTA/Flet përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myshit Vorpsi, për aktin normativ të qeverisë

    Aktin normative që ka nxjerrë qeveria për lirimin e shtëpive të pronarëve deri në datën 1 nëntor të këtij viti përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myshit Vorpsi e cilëson të vonuar për pronarët. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Vorpsi shprehet se, kjo po bëhet për qëllime politike, pasi po afron fushata elektorale. Sipas tij, kjo çështje duhet të ishte zgjedhur. Ndërkohë që, një vendim të një rëndësie të veçantë ai ka cilësuar vendimin që ka dhënë Gjykata e Strasburgut për pronarët.

     -Zoti Vorpsi, si e cilësoni aktin normativ që ka nxjerrë qeveria për  lirimin e shtëpive të pronarëve?

    Ky është një ligj shumë i vonuar për pronarët, pasi kemi gjashtë vjet që jemi pa një nen të veçantë në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, pasi është një nen i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Dhe për gjashtë vjet me radhë qeveria nuk e gjeti kohën për të rregulluar atë nen. Dhe tani na nxjerr një nen të veçantë për kthimin e shtëpive të pronarëve, kur ne kemi 17 vjet që flasim për kthimin dhe kompensimin e pronarëve. Pra pas 17 vjetësh politika shqiptare na ofron një zgjidhje që për çudinë e të gjithëve është dhënë në një hark shumë të shkurtër kohor prej tre muajsh. Pra asaj që shteti shqiptar nuk i ka dhënë zgjidhje prej 17 vjetësh pretendon se do ti japi zgjidhje për tre muaj. Kjo mbetet për t’u parë sepse nëntori erdhi. Nga ana tjetër dua të them që nëse nuk e kemi keqkuptuar aktin normativ ai parashikon miratimin e kredisë nga Enti Kombëtar i Banesave. Pra nga miratimi i kredisë për këto familje, deri në ekzekutimin e saj nga ana e bankës ka një procedurë të gjatë që nuk varet nga ana e qeverisë, as nga Enti Kombëtar i Banesave, por ka një procedurë që ka të bëjë me besueshmërinë që do të krijojë banka tek klientët, që do ti kthejnë këtë shumë brenda një periudhe 25 vjeçare. Kjo ndodh për dy arsye.

     -Cilat janë dy arsyet, sipas jush, përse ndodh kjo?

    -Po, së pari kjo varet nga gjendja e familjes që do të kthejnë shtëpinë, pra do të jenë njerëz të papunë, apo njerëz të varfër. Së dyti vlerat monetare që u ofrohen qiraxhinjve të pronarëve janë të vogla dhe është e vështirë që ato të blejnë shtëpi. Pra, në qoftë se do të ishte i besueshëm për të tërë qytetarët atëherë qeveria duhet ti kishte bërë me kohë këto procedura. Kjo e bën që ta shikosh me rezervë këtë akt normative, por shumë punë mbetet për t’u parë. Por banesat që janë ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave, për strehimin e të pastrehëve me qira të ulët janë në një numër aq të vogël, saqë nuk të lënë shumë shpresa se do të zgjidhen. Por unë do të thoja që pavarësisht gjithë këtyre është një kohë që jo vetëm ka ardhur, por edhe ka kaluar për t’i dhënë një zgjidhje gjithë këtyre. Ne ngelemi me besimin që nuk është një zgjidhje që ka më shumë një sfond politik meqenëse po afron dhe fushata e 2013, por le të shpresojmë që do të jetë një zgjidhje, mbetet për t’u parë tërë kjo punë.

     -Përse qeveria ka vendosur një afat kohor kaq të shkurtër, deri në 1 nëntor, kur dihet që duhet një kohë më e gjatë për të realizuar këtë procedurë për lirimin e shtëpive të pronarëve?

    Për këtë duhet pyetur qeveria se përse e ka vënë kaq të shkurtër afatin kohor. Por të gjithë ata që e dinë këtë punë e dinë që koha është shumë e shkurtër. Ky mendoj që është një afat kohor që do i shërbejë hyrjes në fushatën elektorale. Qeveria mendoj që kërkon ende që të marri votat e pronarëve dhe prandaj po ecën më këtë plan që ka nisur me shtëpitë e pronarëve. Por po ofrohet një zgjidhje dhe nuk e di nëse do të marri zgjidhje.

     -Gjykata e Strasburgut ka dhënë një vendim të rëndësishëm për pronarët, më konkretisht mund të na thoni diçka në lidhje me këtë vendim?

    Vendimi i Gjykatës së Strasburgut është i një rëndësie të veçantë. Së pari do të thoja që kjo gjykatë ka dhënë 17 vendime në lidhje me kompensimin e pronave. Për të parën herë në çështjet kundër vendit tonë, Gjykata Europiane bashkon disa çështje në një vendim të vetëm. Një veprim i tillë aplikohet në rastet kur kundër shtetit përgjegjës paraqiten një numër i madh ankimesh, të cilat janë të ngjashme me njëra-tjetrën. Është fakt që një fenomen i tillë po bëhet gjithmonë e më shumë i dukshëm në çështjet kundër Shqipërisë, që lidhen me problemin e pronave. Gjykata Europiane, në këtë vendim, rrëzon në mënyrë kategorike pretendimet dhe justifikimet e qeverisë shqiptare lidhur me pamundësinë e realizimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, duke konsideruar të papranueshme argumente të tilla si: mungesa e fondeve financiare, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit, vënia në zbatim e hartave të vlerës së pronës vetëm pas vitit 2005, mungesa e një sistemi të saktë adresash apo vështirësitë në identifikimin e trashëgimtarëve të ish-pronarëve që sollën vonesa të mëdha. Strasburgu ripërsërit qëndrimin e mëparshëm të tij, duke i rekomanduar qeverisë shqiptare marrjen e masave urgjente administrative, organizative, ligjore dhe financiare për zgjidhjen e problemit të pronave. Me këtë rast, Gjykata i kujton qeverisë shqiptare se jo vetëm në vendimet e saj, por edhe në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, kur Shqipëria është thirrur për të raportuar lidhur me ekzekutimin e vendimeve, është tërhequr vëmendja për mungesën e masave efektive për zgjidhjen e problemit të pronave. Lidhur me vlerën e dëmshpërblimit financiar, Gjykata mori në konsideratë vlerën e përcaktuar në hartat e vlerës së pronës të miratuara me vendime të Këshillit të Ministrave. Kështu, duke analizuar qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe i ndryshoi disa herë vlerat e pronës për efekt kompensimi, Gjykata Europiane tërheq vëmendjen e qeverisë që ajo të mbajë një qëndrim më koherent në drejtim të përcaktimit të vlerave të kompensimit. Duke parë me shqetësim situatën e krijuar dhe perspektivën e këtyre çështjeve, Gjykata “i jep edhe një herë dorën” qeverisë shqiptare, që ajo të bëjë të mundur marrjen e masave për përfundimin sa më të shpejtë të këtij procesi.

     -Po në lidhje me afatin 18- mujor që ka dhënë Gjykata e Strasburgut, ç’mund të na thoni, ku konsiston ky afat?

    -“Ndihma”, që i jepet qeverisë edhe këtë herë, ka të bëjë me faktin që për një periudhë 18-mujore nga data, që ky vendim merr formë të prerë, të gjitha çështjet që do të depozitohen në Gjykatë pas kësaj date, nuk do të hyjnë në procedurat e shqyrtimit, pra do të “ngrijnë”. Nga ana tjetër, të gjitha çështjet e depozituara aktualisht në Gjykatë do të vazhdojnë të shqyrtohen normalisht. Ky vendim tregon që çështja e pronave në Shqipëri është shndërruar në problem tepër serioz për Gjykatën e Strasburgut. Këtu duhet patur parasysh edhe fakti, që zgjidhja e problemit të pronave është edhe një prej 12 kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Europian, të cilat duhen përmbushur nga Shqipëria në mënyrë që vendi të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim.

    Akti normativ për lirimin e banesave të pronarëve

    Në aktin normativ, bazuar tek neni 1, përcakton qartë lirimin dhe dorëzimin e banesës nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, emrat e të cilëve janë dërguar nga Enti Kombëtar i Banesave në Bankën Kombëtare Tregtare, në vijim referuar BKT, për kreditim, në kushtet deri 30 vjet afat, me 0 (zero) për qind interes vjetor, sipas programit social të trajtimit me kredi të lehtësuar nga shteti, në zbatim të udhëzimit nr. 6257, datë 2.9.2008, “Mbi përcaktimin e masës së subvencionit për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti”, të ministrit të Financave dhe Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, të ndryshuar, apo që duhet të aplikonin për këtë projekt strehimi, brenda datës 1 nëntor 2012.