AKEP: Të barazohen minutat celulare brenda me jashtë rrjetit

    404
    Sigal

    Ofertat e kompanive celulare në Shqipëri pritet të ndryshojnë në mënyrë rrënjësore këtë muaj. Pas hyrjes në fuqi të dokumentit të analizës së tregut të telefonisë celulare, AKEP ka vendosur të detyrojë operatorët celularë të ndryshojnë tarifat dhe minutat në paketat tarifore standard dhe ofertat që nga ky muaj (janar 2015) e në vijim. Sipas vendimit të AKEP 2522 të datës të 6.11.2014 operatorët celularë që nga data 1 janar 2015 ndalohet të aplikojnë tarifa në nivel me pakicë që kanë efekt diskriminues për sipërmarrësit e rrjeteve të tjera celulare kombëtare. Ky rregullim parashikon që tarifat e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare nuk duhet të jenë më të larta se tarifat e thirrjeve brenda rrjetit si dhe sasia e minutave brenda rrjetit të përfshira në oferta/pagesë fikse të paketave tarifore nuk duhet të jetë më e madhe se sasia e minutave drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare.

    Brenda Janarit operatorët dorëzojnë ofertat në AKEP

    Masat rregulluese të AKEP janë detyruese për operatorët celulare duke filluar aplikimin e tyre nga data 1.01.2015, për të dhënë kohën e mjaftueshme për operatorët celulare të kryejnë ri-konfigurimin e paketave tarifore dhe ofertave/paketave opsionale. Njëkohësisht, për shkak se detyrimet mund të anashkalohën përsëri, duke përdorur oferta shumë të ulëta, AKEP propozon që të vendosë detyrime për operatorët celulare për sa i përket rishikimit të tarifave të planeve standarde dhe përdorimit të ofertave. Sipas vendimit të AKEP secili operator celular duhet që në muajin Janar të çdo viti të paraqesë në AKEP tarifat e planeve standarde dhe ndryshimet e kryera në vitin paraardhës ofertat/promocionet apo skontot e përkohshme në tërësi. Këto oferta duhet të kenë afat vlefshmërie të përcaktuar qartë që në fillim të aplikimit dhe jo më të gjatë se 3 muaj si dhe operatori nuk duhet të paraqesë të njëjtën ofertë me emër të ndryshuar kur elementi kryesor i saj nuk ka ndryshuar. Skontot ne oferta që zgjasin më shumë se 3 muaj duhet të përfshihen në paketat/tarifat standarde.